Njerëzit janë bashkëpjesëmarrës në tri gjëra

"Tregon një person nga as'habët: Kam marrë pjesë në luftë me Profetin a.s. dhe e kam dëgjuar duke thënë: "Njerëzit janë bashkëpjesëmarrës (hisedarë) në tri gjëra: në bimë, në ujë dhe në zjarr". (1)


Shpjegimi i hadithit


Prej urtësive të legjislacionit-Sheriatit islam është përshtatshmëria e tij me kërkesat dhe interesat e përgjithshme të shoqërisë. Sheriati nuk merr në konsideratë interesin e individit ndaj individit, ose të një strukture ndaj strukturës tjetër, kur shtrohet çështja e interesit të përgjithshëm shoqëror. Nëse interesi i përgjithshëm ndeshet me interesin privat-subjektiv, atëherë interesi privat shkrihet kundrejt interesit të përgjithshëm shoqëror.
Prej parimeve të Islamit është që për çdo gjë të ketë zgjidhje dhe rrugëdalje. Islami nuk dëshiron që ngushtimi dhe vështirësia të dominojë në jetën e besimtarëve. Në këtë kontekst Allahu i Lartësuar thotë:"Allahu nuk ka vënë mbi ju ndonjë mundim (vështirësi) në fe". (El-Haxh, 78)
Po ashtu Profeti a.s. kishte proklamuar se feja Islame është e thjeshtë, e lehtë dhe praktike, vetëm të mos e ekzagjeroni apo e vështirësoni. Profeti a.s. urdhëroi e tha:"Vërtet feja është shumë e lehtë (e thjeshtë), dhe kushdo që e stërmundon veten në fenë e vet, nuk do të mund ta vazhdojë në atë mënyrë (feja do ta kthejë atë në lehtësim dhe në mesatare)".(2) Në bazë të këtij hadithi, në thelb feja është e lehtë dhe e thjeshtë, ndërsa bllokada, pengesat dhe vështirësitë vijnë nga individi që i vë vetes për detyrë pikën më ekstreme të çështjeve jetësore.
Në këtë kontekst kemi edhe një rregull në dispozitat fetare të fikhut: "Kur çështja ngushtohet shumë, ajo zgjerohet". Prandaj askush nuk ka të drejtë që çështjet e besimtarëve t'i vërë para vështirësive, qofshin fetare apo jetësore.
Profeti a.s., duke parë nevojën e njerëzve dhe domosdoshmërinë e tyre për ujin, bimët dhe zjarrin, i bëri ata hisedarë në këto tri gjëra. Pra, njerëzit janë hisedarë në bimë, në ujë, në zjarr, në ajër. Ata janë hisedarë edhe në prodhimet që vijnë nga uji i detit, i oqeanit, i lumenjve etj.. Çdo gjë që është e lejuar, qoftë në ujë ose në ajër, në to njerëzit janë bashkëpjesëmarrës. P.sh. nuk mund të jenë në posedim të individit peshqit që janë në ujë, sikurse as shpezët që janë në hapësirë, ose mineralet e pazbuluara në thellësi të tokës. Përveç në kushte kur të jenë nën kujdesin dhe pronësisë e caktuar, atëherë pronari gëzon të drejtën për to më shumë se të tjerët.
Me fjalën ujë në hadith kuptohen oqeanet, detet, lumenjtë dhe uji i shiut - të jenë në shërbim të të gjithë njerëzve. Nëse lumi është i madh, atëherë në të kanë të drejtë të gjitha shtetet nëpër të cilat kalon lumi. Askush nuk ka të drejtë të pengojë që ta shfrytëzojë shteti tjetër. P. sh. të tillë janë lumenjtë Nili, Kongo, Danubi, Drini i Bardhë, Misisipi, Amazona etj..
Këto tri gjëra: uji, bima, zjarri janë të krijuara nga Al lahu Fuqiplotë e nuk janë gjëra që fitohen, prandaj nuk posedohen dhe pronësohen nga individi, por mbeten pasuri me karakter shoqëror, që vihen nën kujdesin e shtetit.
Mirëpo, nëse dikush hap një pus, është e drejtë e tij ta shfrytëzojë aq sa ka nevojë. Por, nëse uji buron me shumicë nga aty dhe fillon të derdhet pandërprerë nëpër tokë, atëherë ai nuk ka të drejtë t'i pengojë njerëzit e tjerë për ta shfrytëzuar ujin që ka tepruar. Hadithi tregon se këto gjëra nuk mund të pronësohen dhe nuk lejohet kurrsesi shitja e tyre. Pra, fitimi prej tyre është i ndaluar.(3)
Uji sot është burim i shumë korporatave të mëdha energjetike. Shumë hidrocentrale i mbledhin e i përdorin ujërat e lumenjve dhe liqeneve. Hadithi inkurajon që këto tri gjëra të jenë në shërbim të të gjithë besimtarëve, e jo të pronësohen nga dikush, e të tjerët të jenë skllevër të tyre.(4)
Qysh para katërmbëdhjetë shekujsh Profeti a.s. ka ndarë drejtësi në mes njerëzve dhe nuk tolerohet që gjërat e mëdha e me vlerë të madhe të bëhen monopol i një strukture njerëzish, po ato duhet të jenë njësoj pasuri e të gjithëve. Dhe vetëm kështu mundësohet zhvillimi i drejtë i shoqërisë dhe i shtetit.
Për sa u përket bimëve - El-keleu, aludimi në hadith është për bimët që gjenden në natyrë, në fusha, në male, në shkretëtirë etj.. Njerëzit janë hisedarë në bimët që nuk janë mbjellë nga dora e njeriut. Ndërkaq, bimët që mbillen nga dora e njeriut, ujiten dhe kultivohen e zhvillohen, të drejtat për to i gëzon pronari, që t'i shesë dhe të përfitojë prej tyre. Po ashtu edhe bimët, drun jtë, pemët që mbijnë në prona private, ka të drejtë t'i shfrytëzojë pronarit ashtu si ka nevojë.
Ebi Ubejd, në librin e tij "El-emval", thotë: "Lejimi i parë që Profeti a.s. bëri për njerëzit, ka qenë bashkëpjesëmarrja e tyre në ujë, në bimë dhe në zjarr. Kjo ka ndodhur në mënyrë që njerëzit të kërkonin rrëskun e tyre në tokë, fusha, lugina, aty ku Allahu xh. sh. ka mbjellë bimë për kafshët e tyre, po me kusht që bima të mos jetë e lëvruar, e mbjellë dhe e ujitur nga dora e njeriut. Dhe askush nuk ka të drejtë të përvetësojë dhe as ta tjetërsojë, por ajo duhet të mbetet pronë për të gjitha bagëtitë e njerëzve dhe ta shfrytëzojnë ujin pa e përvetësuar.(5)
Në këtë kontekst kemi edhe thënien e Profetit a.s.: "Muslimani është vëlla i muslimanit, uji dhe bimët janë të mjaftueshme për ta, dhe njëri-tjetrin e ndihmojnë kundër djallit".(6)
Ky hadith tregon se muslimanët nuk duhet të kenë mosmarrëveshje për shkak të ujit dhe bimëve, e më së paku të ndodhin ngatërresa e vrasje të njëri-tjetrit për shkak të mezhdave dhe kufijve. Djalli është ai që i fut në konflikt njerëzit, kështu që ata duhet të jenë të kënaqur me atë që kanë nga uji dhe bimët, e jo të bien pre e djallit që, për shkak të ujit dhe bimëve apo edhe tokës, të shkaktojnë konflikte me njëri-tjetrin. Për sa i përket zjarrit - En-nar në hadithin bazë bëhet fjalë për drunjtë nga të cilët në të kaluarën përfitohej zjarri.
Sa i përket pronës së paluajtshme e të luajtshme, Islami nuk vë pengesë për pronësinë e tyre, mirëpo si musliman duhet t'i bësh llogari vetes për çdo dërhem se si e ke fituar dhe ku po e shpenzon.
Nëse rruga e fitimit është legjitime -hallall dhe rruga e shpenzimit është legjitime - hallall, atëherë Islami çështjen e pronësisë nuk e kufizon. Gjithashtu Islami ka vendosur rregull duke e bërë të varfrin që të ketë pjesë në pasurinë e të pasurit, d. m. th. që i pasuri duhet të japë nga pasuria e tij për të varfrit. Gjithashtu Islami i lejon udhëheqësit të shtetit që, në raste emergjente, kur është e domosdoshme për t'u mbrojtur nga armiku, të marrë pasuri nga individët e pasur edhe pa lejen e tyre, për të evituar rrezikun nga armiku. Kjo, sepse, nëse armiku pushton shtetin Islam, atëherë shkatërron shtetin, pasurinë, botën bimore dhe të mbjellat bujqësore. Udhëheqësi merr kapital prej masës aq sa ka nevojë, e jo më shumë sesa është nevoja për ta zmbrapsur armikun. E, pasi të kalojë rreziku, të zmbrapset armiku dhe të stabilizohet shteti, atëherë udhëheqësi pasurinë e marrë pa lejen e tyre e kthen aq sa ka marrë. Pronësia në Islam bën pjesë në kuadër të pasurisë. E kjo e fundit bën pjesë në pesë gjërat primare që janë edhe objektiv i legjislacionit për t'i mbrojtur dhe ruajtur nga çdo rrezik që paraqitet, e ato janë: feja, pasuria, shpirti, mendja dhe gjenealogjia. Pasuri me vlerë konsiderohet çdo gjë përdorimi i së cilës është i lejuar për besimtarët. Përderisa këto tri gjëra: uji, bima dhe zjarri nuk na lejohen për pronësi, atëherë edhe vlera dhe fitimi prej tyre mbetet i ndaluar. Kështu, muslimanët e parë, duke iu bindur këtij hadithi dhe shumë porosive të tjera profetike, kanë bërë vepra humane që ujin e kanë lënë për hajratë dhe drunjtë - bimët i kanë lënë vakëf në dobi të gjithë shoqërisë. Në këtë drejtim shembull të shkëlqyeshëm kemi Othmanin r. a., i cili në Medinë së pari bleu gjysmën e pusit nga një çifut. U bë hisedar, dhe në atë pus, asokohe besimtarët mbushnin ujë pa pengesë. Më vonë bleu tërë pusin dhe e la hajratë në dobi të muslimanëve. Ai e kuptoi më së miri këtë hadith, sipas të cilit uji nuk duhet poseduar dhe as duhet shitur, sepse ai është i krijuar, nuk posedohet dhe as të pronësohet, madje as të fitohet prej tij. Uji nuk duhet t'u ndalohet njerëzve për ta shfrytëzuar. Profeti a.s. ka thënë:"Mos e ndaloni ujin që tepron, për t'i dëmtuar bimët".(7) Prej gjërave ndalimi i të cilave nuk lejohet, është edhe uji. Për këtë, një person e pyeti Profetin a.s.: "O i Dërguar i Allahut, cila është gjëja që nuk lejohet të pengohet (të ndalohet)? Ai iu përgjigj: "Është uji".(8)
Profeti a.s. e bëri këtë ndalesë në mënyrë që të mos dëmtohen njerëzit në prodhimet e tyre të pylltarisë dhe të bujqësisë.


_____________________________
1) "Sunen Ebi Davud", v. 2 f. . 300, nr. 3477; "Sunen ibn Maxhe", v. 2 f. . 826, nr. 2472; "Musned Ahmed", v. 5 f. 364, nr. 23132; "Musned El-Harith Zevaid El-Hejthemi", v. 2f. . 653, nr. 631.
2) "Sahihul Buhari", v. 1, f. 23, nr. 39; "Sunen En-Nesaij", v. 8 f. 121, nr. 5034.
3) "Sunen Ibn Maxhe", v. 2 f. 826.
4) Ngase varfëria i bën njerëzit të paaftë për të kryer shërbimet ndaj shtetit dhe shoqërisë. Këto tri gjëra janë pasuri e paluajtshme që duhet të mbeten përgjithmonë në duart e shoqërisë dhe shtetit.
5) Ebi Ubejd, "El-Emvalu", f. 417.
6) "Sunen Ebi Davud", v. 2 f. 193, nr. 3070; El-Bejhekij, "Es-Sunen El-Kubra", v. 6 f. . 150, nr. 11611.
7) "Sahihul Buhari", v. 2 f. 830, nr. 2227; "Sahihu Mus lim", v. 3, f. 1198, nr. 1566.
8) "Sunen Ebi Davud", v. 1 f. 523, nr. 1669; "Musned Ahmed", v. 3, f. 481, nr. 15989.


 


Dituria Islame 282