Qindra banorë të Southampton krijojnë zinxhir njerëzor për të shpëtuar librarinë e qytetit

 


Në qytetin Southampton të Anglisë, solidariteti i banorëve u bë shembulli më i bukur i fuqisë së komunitetit. 
Libraria jo-fitimprurëse October Books, e themeluar mbi 40 vite më parë, u përball me rritjen e ndjeshme të qirasë, gjë që e detyroi të kërkonte një ambient të ri. Pasi mblodhi fonde për të blerë një ish-degë të bankës NatWest, vetëm 150 metra më larg, erdhi momenti i zhvendosjes.
Por, kjo nuk ishte një zhvendosje e zakonshme. Më shumë se 250 vullnetarë - përfshirë të rinj, të moshuar dhe persona me nevoja të veçanta, iu përgjigjen thirrjes dhe formuan një zinxhir njerëzor për të kaluar dorë-dorë mbi 2,000 libra nga lokacioni i vjetër drejt godinës së re.
I gjithë procesi i zhvendosjes përfundoi brenda vetëm një ore.
Pamjet e këtij veprimi bënë xhiron e mediave ndërkombëtare. Organizatorja dhe vullnetarja Clare Diaper e përshkroi përvojën si "emocionuese dhe frymëzuese", duke theksuar se kjo ishte dëshmi e vërtetë se "kur komuniteti bashkohet, çdo gjë është e mundur".
Libraria October Books është e njohur për koleksionin e saj të librave mbi letërsinë, politikat progresive, mjedisin dhe drejtësinë sociale. Banorët shpresojnë që me ambientet e reja, ajo të vazhdojë të mbetet një qendër e rëndësishme kulturore dhe sociale për Southampton-in.
Ky veprim i thjeshtë, por domethënës, tregoi se në kohë sfidash ekonomike, lidhjet njerëzore dhe dëshira për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta kanë ende fuqinë të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.