Mrekullia e Hapjes së Detit në ishullin Jindo

 


Çdo pranverë, në skajin jugperëndimor të Koresë së Jugut, në brigjet e ishullit Jindo, ndodh një dukuri e rrallë: deti tërhiqet dhe zbulon një shteg natyror rreth 2.8 kilometra të gjatë, i cili lidh Jindo-n me ishullin e vogël Modo.
Ky shteg, me gjerësi 40-60 metra, qëndron i hapur për më shumë se një orë, duke u dhënë mundësinë mijëra vizitorëve të ecin mbi të.
Fenomeni, i shpjeguar nga shkenca si rezultat i baticës dhe zbaticës ekstreme, të ndikuara nga graviteti i hënës dhe relievi i shtratit detar, për besimtarët është një kujtesë e fuqisë absolute të Allahut, i cili risjell ndër mend rrëfimin kuranor për hapjen e Detit të Kuq në kohën e Musait (alejhi selam), kur, me lejen e Allahut, u krijua një rrugë e thatë në mes të detit për të shpëtuar popullin e tij nga Faraoni.
Banorët e Jindo-s e presin çdo vit këtë moment me Festivalin e 'Hapjes së Detit', ku mijëra vizitorë vendas e të huaj ecin mbi shteg. 
Festivali përfshin aktivitete të ndryshme si peshkim, ekspozita dhe shfaqje të artit tradicional, duke ofruar një përvojë unike për të gjithë ata që marrin pjesë.