Kjo është historia e Lady Evelyn "Zainab" Cobbold, gruaja e parë e lindur në Britani që, pasi u konvertua në Islam, ndërmori një udhëtim të jashtëzakonshëm, Haxhin në Mekë. Një rrëfim që kapërcen kufijtë kulturorë e fetarë, dhe që mbetet frymëzim edhe sot.
Fëmijëria mes Britanisë dhe Afrikës së Veriut
E lindur në Edinburg në vitin 1867, Evelyn Cobbold u rrit mes dy botëve. Familja e saj aristokrate kalonte dimrat në Afrikën e Veriut duke qëndruar kryesisht në Algjer dhe Kajro. Aty ajo u njoh me gjuhën arabe, u rrit nën kujdesin e dadove myslimane dhe kaloi kohë me fëmijët vendas.
Në librin e saj 'The Pilgrimage to Mecca' (Pelegrinazhi në Mekë), ajo kujton:
"Kënaqësia ime ishte të largohesha nga guvernantja dhe të vizitoja xhamitë me miqtë e mi algjerianë, dhe pa vetëdije isha pak myslimane në zemër."
Këto përjetime të fëmijërisë, të thjeshta në dukje mbollën farën e lidhjes së saj me Islamin.
Një shpallje e papritur përballë Papës
Shumë vite më vonë, gjatë një audience me Papën, ndodhi diçka që ajo vetë e përshkruan si të papritur. E pyetur nga Papa nëse ishte katolike, ajo u ndal për një çast dhe më pas tha: "Jam myslimane."
Në kujtimet e saj, Zainab shkruan: "U habita për një moment dhe pastaj u përgjigja se isha myslimane. Nuk pretendoj ta di se çfarë më pushtoi, pasi nuk kisha menduar fare për Islamin për shumë vite. U ndez një dritë dhe pastaj vendosa ta lexoja dhe ta studioja besimin."
Ky çast i vetëm u bë pikë kthese. Ajo filloi të studionte Islamin, e përqafoi me bindje dhe mori emrin Zainab.
Haxhi në Mekë - një udhëtim i guximshëm
Në vitin 1933, në moshën 65-vjeçare, Zainab Cobbold u bë gruaja e parë britanike e konvertuar që kreu Haxhin. Për kohën, ky ishte një hap jashtëzakonisht i guximshëm: jo vetëm një përvojë shpirtërore, por edhe një sfidë kulturore e fizike.
Me ndërmjetësimin e Mbretit Abdulaziz të Arabisë Saudite, ajo mori lejen për të hyrë në qytetin e shenjtë. Kur pa Qabenë për herë të parë, emocionet e saj ishin të papërshkrueshme:
"Ndjeva sikur u kaplua nga një valë e fortë ngazëllimi shpirtëror… një ndjesi që asnjë fjalë nuk mund ta përshkruaj."
Një trashëgimi e çmuar
Libri i saj 'Pilgrimage to Mecca' (1934) mbetet një dëshmi e rrallë historike e përjetimeve të një gruaje europiane myslimane në Mekë. Përveç rrëfimit personal, ai sjell edhe vëzhgime mbi jetën e grave myslimane, përkushtimin e tyre në lutje dhe vendin e tyre në shoqërinë islame të kohës.
Zainab Cobbold ndërroi jetë në vitin 1963. Ashtu siç kishte dëshiruar, u varros sipas riteve islame në pronën e saj në Skoci! Mbi varrin e saj qëndron i gdhendur një varg kuranor:
"Allahu është drita e qiejve dhe e tokës."
Një histori që tejkalon kufijtë
Historia e Zainab Cobbold është më shumë se një rrëfim personal; është dëshmi e një udhëtimi shpirtëror që kapërcen kufijtë e kulturës dhe kohës. Ajo mbetet frymëzim jo vetëm për myslimanët britanikë, por për të gjithë ata që besojnë te forca e udhëtimit shpirtëror.