Autoriteti bazohet në respekt. Njerëzit e respektojnë njëri-tjetrin kur besojnë se personi tjetër ka cilësi të caktuara që ata vetë i vlerësojnë shumë. Sa më të theksuara të jenë cilësi të tilla, aq më i fortë është respekti.
Termi "autoritet" nënkupton ekzistencën e të paktën dy personave: njëri që është objekt i një respekti të caktuar dhe që për këtë arsye është një autoritet, dhe tjetri që e respekton të parin. Çdokush ka të drejtë ta konsiderojë veten të merituar, të aftë ose një person me cilësi të jashtëzakonshme, por janë gjithmonë të tjerët që duhet të konfirmojnë në mënyrë që dikush të bëhet autoritet. Autoriteti nuk fitohet me pozitë ose diplomë, autoriteti fitohet me punë, përpjekje dhe vepra.
Shpesh personi që është autoritet është gjithashtu një model, ai që shikohet dhe dëshiron të pëlqehet. Autoriteti lidhet me dëshirën e një individi për të përparuar, për t'u rritur dhe zhvilluar, madje edhe për t'u ngjitur në hierarkinë shoqërore.
Duke qenë se autoritetet e para në jetën e secilit janë prindërit, pikërisht janë ata që duhet t'i mësojnë fëmijët të respektojnë të tjerët dhe të jenë autoritete për fëmijët. Prandaj, babai dhe nëna duhet të kenë autoritet në sytë e fëmijës. Nëna nuk duhet të thirret në autoritetin e babait, pasi kjo rrezikon autoritetin e saj te fëmija. Situata kur nëna thotë shpesh: "Do t'i tregoj babait çfarë bëre sot dhe ai do të të ndëshkojë", dhe të ngjashme, tregon se nëna nuk ka autoritet mbi fëmijën e saj. Roli i babait nuk duhet të mbitheksohet në lidhje me rolin e nënës, dhe anasjelltas, sepse të dy kanë rolet dhe detyrat e tyre në procesin e edukimit të fëmijës së tyre.
Sot lexojmë pak, veçanërisht pak nga librat. Kur disa, duan të na shpjegojnë diçka, thonë: "Kam parë ose kam dëgjuar...", dhe nuk thonë që kam lexuar, dhe sidomos nuk thonë aty e këtu, para këtij e atij dhe në atë mënyrë kam mësuar.
Për islamin më së shumti lexojmë/mësojmë nga interneti. Ne mësojmë dhe pranojmë nga çdokush. Ne nuk kemi një firewall (sistem mbrojtës) të vendosur si duhet. Interneti është një xhungël komunikimi. Fakti që dikush shkruan për fenë, se në faqen e tij të internetit, kanalin e tij në YouTube ose profilin në Facebook ka reklama të ndriçuara me ajete dhe hadith nuk do të thotë se është një vend ku do të ujisim dhe ushqejmë shpirtin tonë, të etur dhe të uritur për njohuri që do të na afrojnë me Zotin e Plotfuqishëm. Është thelbësore të dihet, para së gjithash, se cili institucion ose kush është personi ose personat që qëndrojnë pas faqes së internetit. Prandaj, ne duhet të mësojmë nga të diturit që kanë fjetur dhe janë zgjuar me libra, të cilët kanë lexuar dhe mësuar nga burimet dhe autoritetet e duhura në edukimin dhe shkencën islame.
Në Islam, autoriteti i padiskutueshëm i përket Allahut, Sundimtarit të botëve, Zotit të qiejve dhe të Tokës, Atij që sundon të gjitha gjërat. Njerëzit e duan, respektojnë, kanë frikë dhe i binden Atij pa përdorimin e forcës. Pse? Sepse Ai është i mëshirshëm, sepse jep dhe siguron, sepse i do krijesat e Tij. Ai është autoriteti i cili u ka nënshtruar njerëzve të gjitha gjërat në tokë dhe në qiell. Ai i jep autoritet kujt të dojë, dhe ai ia merr atë kujt të dojë, siç thotë i Plotfuqishmi në Kuranin a.sh.
Pas të Lartësuarit, autoriteti më i madh i të gjitha kohërave është Muhamedi a.s. Allahu jep autoritet, jo njerëzit vetë, bazuar në kriteret e përcaktuara nga Zoti i Plotfuqishëm.
Sot, ka gjithnjë e më pak nga ajo familje e vjetër në të cilën janë ushqyer parimet e autoritetit. Pejgamberi a.s., ka thënë: "Ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj; Imami është bariu dhe është përgjegjës për kopenë e tij, burri është bariu i familjes së tij dhe është përgjegjës për kopenë e tij, gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për kopenë e saj." (Buhariu dhe Muslimi)
Kriteri për të arritur autoritetin, harmoninë e fjalëve dhe veprave, janë fjalët e Kuranit: "O ju që keni besuar, pse thoni atë që nuk veproni?" (Saff, 2)
Analistët më të rëndësishëm shoqërorë që, përmes filtrit të urtësisë dhe zotërimit të njohurive të nevojshme, tregojnë zgjidhje, duhet të jenë "imamët". Imamë të përgjegjshëm si pasardhës të bindur të të Dërguarit të Allahut a.s., të cilët kanë "dije", "tituj shkencorë" dhe "autoritetin" e fituar.
Imami nuk duhet të përshtatet me teket popullit të tij, por të bëjë gjithçka për të thirrur popullin e tij dhe për t'i inkurajuar ata në rrugën e ripërtëritjes, duke i përsëritur vazhdimisht se sa herë që forcohet ndikimi i së vërtetës, atëherë e pavërteta zhduket dhe tërhiqet. Me një fjalë, imami është më kompetenti kur bëhet fjalë për tema dhe çështje fetare, duke ndjekur ajetin e Kuranit që t'i pyesim autoritetet kompetent në fusha të caktuara për atë që ne nuk dimë.
I Dërguari i Allahut a.s., ishte autoriteti dhe modeli më i mirë që historia ka kujtuar ndonjëherë. Një person që arriti të ndryshojë rrjedhën e qytetërimit global, pavarësisht se vinte nga mjedisi jashtëzakonisht pa perspektivë të Gadishullit Arabik. Ai arriti të fitojë mbështetësit e tij për idenë që ai paraqiti. Një nga karakteristikat e një lideri të vërtetë është zotërimi i një ideje që ai do t'ua paraqesë ndjekësit të tij në një mënyrë shumë të aftë, një ide që do të jetë një udhërrëfyes për ndjekësit e tij, që do t'i frymëzojë, do t'u kërkojë angazhim, t'i tubojë t'i bashkojë ata. Pejgamberi ynë i dashur (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ishte në gjendje t'i realizonte të gjitha këto në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Ai tregoi standarde tepër të larta morale që duhet të zbukurojnë çdo person autoritar dhe personalitet të formuar.
Duke pasur parasysh se jemi në fillim të muajit Rebi'ul-Evel, e këshilloj veten dhe juve t'i lëmë pak anash telefonat e rrjetet sociale e të lexojmë libra për jetën dhe Synetin e tij, sepse atë duhet ta kemi si shëmbëlltyrë në jetën tonë, kurse pa e ditur jetën e tij nuk ka mundësi të veprojmë dhe jetojmë sipas Synetit të tij. Ne të gjithë themi se jemi pasues të të tij - Synetit të tij, por me sa duket janë vetëm fjalë boshe pa vepra!
Porosia jonë është që t'i ruajmë dhe respektojmë autoritetet tona fetare, ta ruajmë nderin tonë, nderin e Islamit dhe nderin e pejgamberit tonë të dashur - Muhamed Mustafas a.s.!