Fluturimi i parë direkt nga Kosova në Xhide të Arabisë Saudite

 


Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, është nisur grupi i radhës i umrexhive nga Kosova drejt Arabisë Saudite. 
Për dallim nga herët e kaluara, këtë herë udhëtimi u realizua drejtpërdrejt nga Prishtina në Xhide, përmes linjës së re ajrore që tashmë është vënë në funksion.
Kjo linjë direkte ka lehtësuar ndjeshëm udhëtimin e besimtarëve kosovarë, duke e bërë më të shkurtër dhe më komod rrugëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës.
Grupi i umrexhive udhëhiqet nga dr. Faruk Sinani, ndërsa në përcjellje morën pjesë edhe zëvendëskryeimami Fatmir Iljazi dhe Fitim Gashi nga Drejtoria e Haxhit në BIK. Ata u uruan besimtarëve udhëtim të mbarë dhe pranim të lutjeve e ibadeteve që do të kryejnë gjatë qëndrimit në vendet e shenjta.
"Bashkësia Islame e Kosovës bën organizimin e umres me aranzhman të kompletuar, duke ofruar shërbime cilësore në të gjitha aspektet: hotele me komoditet të lartë si në Mekë ashtu edhe në Medine, ushqime cilësore, vizita në vende historike-islame, si dhe përkujdesje maksimale nga udhëheqësit-hoxhallarët e grupeve. Në çdo kohë ata janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe udhëzime, në mënyrë që umrexhitë tanë ta kryejnë umren dhe adhurimet e tyre në formën më të mirë të mundshme," tha Fitim Gashi nga Drejtoria për Haxh dhe Umre në BIK.
Me këtë linjë të re direkte, pritet që edhe grupet e ardhshme të umrexhive nga Kosova ta kenë më të lehtë rrugëtimin drejt vendeve të shenjta.