Regjistri i vepërkëqijve dhe vuajtjet e tyre në Xhehenem
"Jo, të mos rrinë gafil (shkujdesur)! Se shënimet e veprave të mëkatarëve janë në Sixh-xhin (në një libër shënimesh të të këqijave më të dëmshme). E, ku e di ti se ç'është sixh-xhini? Ai është një libër i shkruar (në një qeli në fund të burgut). Atë ditë është shkatërrimi për gënjeshtarët. Të cilët nuk e besojnë ditën e përgjegjësisë. E atë ditë nuk e mohon kush, përveç atij që ka sharruar tepër në mosbesim e në punë të këqija. E që, kur u lexohen argumentet Tona, thonë: "Legjenda të të parëve!" Jo, nuk është ashtu! Po të këqijat që punuan, zemrat e tyre ua mbuluan. Jo dhe Jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre. Pastaj ata do të hyjnë në Xhehenem. Dhe do t'u thuhet: "Ky është ai që e keni përgënjeshtruar"! (El-Mutaffifinë, 7-17)
Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Pasi në ajetet paraprake, Allahu xh.sh. sqaroi se çfarë gjynahu i madh është shtrembërimi në peshim dhe matje (tatfifi), meqë të tillët nuk besojnë në Ringjalljen e Llogarinë dhe qëndrojnë të shkujdesur ndaj këtyre të vërtetave që do të ndodhin, tash në ajetet në vijim, sqaron në mënyrë të drejtpërdrejtë fatin e keq të këtyre mohuesve. Ai u sqaron atyre se, pavarësisht se çfarë veprash kanë bërë, të mira a të këqija, ato do t'i gjejnë të shënuara e të ruajtura mirë në Librat që melekët i kanë shënuar gjatë jetës së atyre njerëzve në këtë botë. I Lartmadhërishmi i qorton dhe i kërcënon ashpër me ndëshkime të tmerrshme të gjithë ata që mohuan Ringjalljen e Llogarinë dhe folën për Kuranin sikur të ishte ai ndonjë përrallë apo legjendë e të parëve. Zhytja e njerëzve në mëkate, pandërprerë, ka bërë që zemrat e tyre të jenë të mbërthyera e të penguara për të arritur te drita dhe udhëzimi i Allahut, prandaj ata do të jenë përjetësisht të dëbuar nga mëshira e Tij dhe do të ndëshkohen me flakët e Xhehenemit...
Koment:
7. Jo, (të mos rrinë gafil-të shkujdesur)! Se shënimet e veprave të mëkatarëve janë në Sixh xhin (në një libër shënimesh të të këqijave më të dëmshme)".
Ky kërcënim i hapur nga ana e Allahut, nënkupton vërejtjen ndaj pabesimtarëve dhe njerëzve të hutuar e të mbërthyer nga lakmitë e kësaj bote, që të ndalen e të shmangen nga matja dh peshimi i shtrembër dhe mohimi i Ringjalljes, sepse së shpejti do të ballafaqohen me ndëshkimin e tmerrshëm në ahiret. ai ua bën me dije se veprat e mëkatarëve janë shënuar në librin e shënimeve që gjendet në Sixh-xhin, vend ky në greminat më të thella të Xhehenemit. Në këtë libër janë të shënuar emrat e banorëve të skëterrës...
Por, a thua ç'është "sixh-xhini"? Përgjigjja vjen në ajetet vijuese:
8. "E, ku e di ti se ç'është sixh-xhini?" 9. "Ai është një libër i shkruar (në një qeli në fund të Xhehenemit)".
Pyetja që në Kur'an shpeshherë ka ardhur në këtë formë: "Ve ma edrake"-"E ku e di ti", rëndom ka ardhur për të shpjeguar një çështje shumë të rëndësishme, prandaj edhe në këtë rast, Allahu xh.sh. i drejtohet të dërguarit të Tij me pyetjen "ku e di ti se çfarë është "Sixh-xhini", për të kuptuar peshën dhe rëndësinë e "Sixh-xhinit". Natyrisht, të vërtetën e "Sixh-xhinit" e di vetëm Allahu xh.sh., i Cili menjëherë sqaron se ai është një vend në Xhehenem, një burg i ngushtë a diçka i ngjashëm, në të cilin ruhet Libri me emrat e mëkatarëve xhehenemlinj.
Disa dijetarë mendojnë se fjala "sixh-xhin" synon librin me emrat e mëkatarëve, i cili sqarohet me fjalët "kitabun merkum"-"Libër i shkruar", por të këtij mendimi nuk janë shumica dërrmuese e dijetarëve, me Muhamed bin Ka'b el Kuredhiun në krye, i cili thotë se fjala "kitabun merkum"- nuk është sqarim apo koment i ajetit: "E, ku e di ti se ç'është sixh-xhini"?, po është sqarim i asaj që është shkruar nga veprat e mëkatarëve gjatë jetës në këtë botë, dhe është sqarim se ku gjendet ky Libër, në të cilin janë të shkruar emrat e tyre.
10. "Atë ditë është shkatërrimi për gënjeshtarët". 11. "Të cilët nuk e besojnë ditën e përgjegjësisë". 12. "E atë ditë nuk e mohon kush, përveç atij që ka sharruar tepër në mosbesim e në punë të këqija". 13. "E që kur i lexohen atij argumentet Tona, thotë: "legjenda të të parëve"!
Ata që përgënjeshtrojnë Ditën e Gjykimit, këtë ditë të përgjegjësisë dhe të ndëshkimit, do të jenë në mjerim të madh. Mjerë për ata që mohuan Ringjalljen dhe atë që u erdhi nga i Dërguari i Allahut, sepse kjo do të jetë shkatërrimtare për ta. Për ta më nuk do të ketë mëshirë. ata do të rrëmbehen me forcë nga engjëjt e Xhehenemit, të cilët vigjilojnë mbi të, dhe do t'i hedhin në flakët e tij, të cilat përpijnë çdo gjë. Vetëm në këtë çast, pabesimtarët do ta kuptojnë se jeta e tyre në këtë botë kishte qenë një hiçgjë, pa një qëllim, një kohë e humbur që kishin pasur në dispozicion, por nuk e kishin shfrytëzuar. Për këtë i kishte shtyrë verbëria e tyre, mosbesimi i rrënjosur thellë në zemra si dhe veprat e tyre të shëmtuara e të këqija...
Allahu xh.sh. ka sqaruar tri cilësitë e këqija të atyre që përgënjeshtruan Ditën e Gjykimit e ato janë:
1. Armiqësia ose tejkalimi i kufijve në urrejtje, pasojë e të cilave do të jetë fundosja në greminat e Skëterrës,
2. Zhytja e vazhdueshme në mëkate, harame e gjëra të shëmtuara, pa i brejtur fare ndërgjegjja, dhe
3. Indiferenca dhe tallja ndaj Kur'anit fisnik, për të cilin, kur u lexohet atyre, thonë se këto vargje janë vetëm gjepura dhe legjenda të të parëve.
Këta përgënjeshtrues nuk mund të bindeshin kurrsesi se Kur'ani famëlartë ishte Fjalë e Allahut dhe Shpallje hyjnore, por thoshin se ato ajete ishin vetëm përralla dhe legjenda të përcjella nga të parët e tyre!
Në lidhje me këtë konstatim dhe bindje të tyre, Allahu xh.sh. ka dëftuar edhe në disa ajete të tjera kuranore, si:"Kur u thuhet atyre (mohuesve): "Ç'është ajo që shpalli Zoti juaj?", ata thonë: "Mite të popujve të hershëm"! (En Nahl, 24), dhe: "Edhe thanë: "(për Kur'anin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhamedi) kërkoi t'i shkruheshin ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje". (El-Furkan, 5)
Thuhet që ajetet në fjalë si dhe ai i sures "El Mutaffifin", kanë zbritur për Velid ibn Mugiren, Ebu Xhehlin dhe të ngjashmit me ta.(1)
Pas këtyre fjalëve të idhujtarëve, se Kur'ani është legjendë e të parëve, se nuk ka Ringjallje e as Ditë të gjykimit, I Lartmadhërishmi na tregon për shkaqet dhe arsyet që i shtynë ata të krisur të shpifnin e ta përgënjeshtronin fjalën e Allahut...
14."Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan".
Ajo që i shtyri këta njerëz të mohonin me këmbëngulësi Ditën e Ringjalljes, ishte fakti se zemrat e tyre ishin të mbyllura, për të mos pranuar të vërtetën. ato i kishte kapluar ndryshku i kufrit dhe në to nuk po arrinte të depërtonte drita e imanit. mu për këtë shkak, allahu xh.sh. i qorton me ashpërsi duke u thënë: O ju mëkatarë, nuk është çështja ashtu siç mendoni ju, se ky Kur'ani është shpifje dhe legjendë, përkundrazi, është Fjalë e Allahut, së cilës nuk mund t'i vishet e pavërteta as nga para e as nga prapa, sepse është zbritje e të Plotfuqishmit. Zemrat tuaja janë të mbuluara me pluhurin e kufrit. Ato janë të mbështjella nga retë e zeza skëterrë të mosbesimit, prandaj janë të rënduara dhe nuk mund ta pranojnë dot dritën e imanit.
I Dërguari i Allahut, në lidhje me ajetin 14 dhe fjalën "rane..." ka thënë: "Kur robi bën një gjynah, në zemrën e tij i bëhet një pikë e zezë. Nëse pendohet, tërhiqet dhe kërkon falje, zemra i rrafshohet (pastrohet), po, nëse i rikthehet atij gjynahu, atëherë ajo pikë rritet dhe shtohet derisa t'ia mbulojë (mbështjellë) tërë zemrën. Kjo pra është mbulesa (e keqe-"rane") e zemrës, të cilën e ka përmendur i Lartmadhërishmi në Kur'an".(2)
Hasan el Basriu, në lidhje me fjalën "rane" ka thënë: Ky është mëkati mbi mëkat, saqë edhe zemra verbohet dhe errësohet nga gjynahet.
15. "Jo dhe Jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre".
Ky ajet tregon qartë se kjo kategori njerëzish të pabindur, do të jenë përjetësisht të privuar nga mëshira e Allahut xh.sh.. Pozita e tyre do të jetë e turpshme. Ata në çdo anë do t'i mbërthejë mallkimi dhe ndëshkimi, dhe do të jenë larg mëshirës hyjnore. Madje, ata do të jenë të privuar nga kënaqësia më e madhe, që mund të përjetojë një krijesë, e ajo është të shohësh Allahun, kënaqësi kulmore që do ta përjetojnë vetëm besimtarët e sinqertë.
Pabesimtarët, të cilët, për shkak të veprave të tyre të shëmtuara, qenë privuar në këtë botë për të shijuar ëmbëlsinë e Imanit, edhe në Ahiret do të jenë të privuar nga shikimi dhe fisnikëria e Tij.
Allahu xh.sh., edhe në një ajet tjetër, sqaron po ashtu gjendjen e këtyre pabesimtarëve në raport me allahun në ahiret, kur thotë: "...në ditën e kiametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm". (Ali Imran, 77)
Imam Shafiu r.a., në lidhje me këtë ajet, ka thënë: "Ky ajet është argument se besimtarët do ta shohin Allahun në këtë ditë të shpërblimit në Ahiret".(3) Zaten, kuptimi i këtij ajeti përputhet plotësisht edhe me kuptimin e ajeteve 22-23 të kaptinës "El-Kijame': "Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara), që shohin Zotin e tyre".
16. "Pastaj ata do të hyjnë në Xhehenem. 17. dhe do t'u thuhet: "Ky është ai që e keni përgënjeshtruar"!
Pas privimit - për të mos e parë allahun xh.sh., kriminelët, mëkatarët, shtrembëruesit dhe hilexhinjtë në matje e peshim, do të shtyhen drejt Xhehenemit dhe ndëshkimit të përjetshëm. Ky do të jetë nënçmim edhe më i madh, sepse ata do të nisen përfundimisht drejt stacionit të tyre të fundit, nga i cili më nuk ka kthim, po vetëm përjetësi në azab, tortura e përbuzje. Në hyrje të Xhehenemit, me një ironi të madhe, do t'u thuhet: Ja, ky është Xhehenemi që keni përgënjeshtruar. Ja, ky është Xhehenemi, ekzistimin e të cilit nuk e besonit, e tash shijoni hidhësitë e tij, shijoni e përjetoni ndëshkimet e tij të tmerrshme, pambarim, sepse ky është dënimi i merituar për ju...
Porosia e këtyre ajeteve:
- Veprat e pabesimtarëve dhe vepërkëqijve janë të shënuara në librin e radhitur që gjendet në "Sixh-xhin", një vend i tmerrshëm në fund të Skëterrës, në të cilën i pret ndëshkimi i dhembshëm.
- Në Ditën e Gjykimit, ata që kanë mohuar e përgënjeshtruar këtë ditë, do të kenë ndëshkim dyfish më shumë se mëkatarët e tjerë. Ndëshkimi i madh do të bjerë sidomos mbi ata që kaluan kufijtë në urrejtjen dhe armiqësinë ndaj fesë së Allahut, dhe mbi ata që Kuranin e quajtën trillim, mit a legjendë e moçme e të parëve.
- Kurani nuk është as legjendë, as mit e as fjalë e trilluar nga Muhamedi a.s., po është Fjalë e allahut xh.sh...
- Pabesimtarët dhe mëkatarët do të jenë të privuar të shohin madhërinë e allahut nesër në Ahiret, dhe ky për ata do të jetë nënçmimi dhe përbuzja më e madhe, ndërkohë që besimtarët do ta shohin atë dhe do të kënaqen, duke ndier kështu ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e besimit të tyre.
(vijon )
_______________________
(1) Shih Tefsirin e Kurtubiut, vëll. 22, f. 142.
(2) Këtë hadith e transmetojnë Ibn Xheriri, Ahmedi (7952), Tirmidhiu (3334) dhe Nesaiu nga ebu Hurejra r.a. Hadithi është i kategorisë "hasen sahih"
(3) Abdulhamid Kishk "Fi rihabi-t-Tefsir", vëll. 30, f. 99
Sabri Bajgora