Kërcënimi hyjnor për ata që masin e peshojnë shtrembër
Të mjerët ata që masin e peshojnë (shtrembër), të cilët kërkojnë t'u plotësohet kur blejnë prej njerëzve, po kur të tjerëve u matin ose u peshojnë, u lënë mangut. A nuk mendojnë të tillët se kanë për t'u ringjallur? Në një ditë të madhe, në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve. - (El-Mutaffifin, 1-6)
1. Të mjerët ata që masin e peshojnë (shtrembër).
Bashkësia njerëzore mund të ekzistojë si një bashkësi e shëndoshë vetëm duke respektuar ligje dhe rregulla të përcaktuara, të cilat rregullojnë raportet në mes individëve dhe shoqërisë. Një shoqëri e cila nuk është e sendërtuar në baza morale, dhe nuk respekton individualitetin dhe interesin e secilit pjesëtar të saj, është e gjykuar të dështojë. Një prej këtyre normave të mirësjelljes është edhe kodeksi moral i shitblerjes. Njerëzit, përgjithësisht, duhet të jenë të kujdesshëm në këto raporte, sidomos në gjërat kur mund të dëmtohet interesi i tjetrit.
Mbase kjo është arsyeja që Islami i ka kushtuar vëmendje të posaçme sistemit ekonomik, i cili tash e 14 shekuj është treguar shumë efikas dhe i patejkalueshëm deri në ditët tona, në raport me sistemet e tjera shoqërore dhe ekonomike.
Individi në shoqërinë islame është i mbrojtur nga të gjitha këto anomali dhe shtrembërime gjatë tregtisë, sepse ekzistojnë normat e përcaktuara, të cilat i garantojnë atij siguri gjatë shitblerjes.
Fjala "Vejlun" në fillim të këtij ajeti, e cila në kuran është përmendur shpesh, sipas shumicës së dijetarëve do të thotë: 'kërcënim', 'mjerim', 'ndëshkim i dhimbshëm', 'shkatërrim', 'përfundim i keq',' trishtim', 'dëshpërim' dhe. përgjithësisht çdo gjë e keqe e ligësi, që do ta mbërthejë njeriun e keq, nga çdo anë, në Xhehenem.
Disa dijetarë mendojnë se fjala "Vejlun" nënkupton një luginë të Xhehenemit, që është një greminë e skëterrës, e cila do të jetë e veçantë me llojet e adhabit, vetëm për ata që masin e peshojnë shtrembër, ndonëse ky, si mendim, nuk ka ndonjë mbështetje të madhe.
Gjatë komentimit të kësaj fjale "Vejlun", dijetarët kanë debatuar nëse është fjala për kërcënim, mallkim të vërtetë apo vetëm për një informim nga i Plotfuqishmi, se çfarë do t'u ndodhë atyre që masin e peshojnë shtrembër. mendimi më i saktë dhe më i pranuar në këtë rast është se në rastin konkret, kemi kërcënim, mallkim dhe informim nga Vetë Allahu xh.sh., se mjerimi dhe dëshpërimi do t'i kaplojë shtrembëruesit, nga Ai që praktikisht ka fuqi dhe kompetencë për ta realizuar atë kur të dojë, në këtë botë ose në Ditën e Gjykimit.(1)
Kurse fjala "El-Mutaffifin" nënkupton personat të cilët, gjatë matjes ose peshimit të ndonjë malli a gjësendi, i hyjnë në hak njëri tjetrit, duke lënë mangut, gjë që konsiderohet vjedhje dhe cenim i së drejtës së konsumatorit. Ndërkaq, në kuptimin më të gjerë, nënkupton të gjithë ata njerëz (tregtarë) të cilët, kur u shesin të tjerëve, gjithmonë u lënë pak mangut, qoftë në matje a peshojë, kurse, kur blejnë vetë prej të tjerëve, kërkojnë me ngulm që të marrin hakun e tyre të plotë, madje edhe me pakëz shtesë.
Kjo është arsyeja kryesore që Allahu qysh në ajetin e parë të kësaj kaptine, kërcënon me ndëshkim të ashpër e të pamëshirshëm, të gjithë ata që, gjatë shitjes, masin dhe peshojnë shtrembër, sepse nuk është e ndershme që gjatë matjes ose peshimit, të bëjmë hile e të dëmtojmë tjetrin.
I lartmadhërishmi më parë kishte shkatërruar popullin e Shuajbit a.s. mu për këto gjëra të pandershme, kur thotë:
"O populli im, veproni drejt gjatë matjes dhe peshimit, e mos i dëmtoni njerëzit në asgjë dhe mos shkaktoni rrëmujë në Tokë"! - (Hud, 85)
S'ka dyshim që shtrembërimi në matje dhe peshim, është një ves i keq dhe gjest i ndyrë, që prek pastërtinë e zemrës dhe të dorës, ashtu siç prek sedrën, burrërinë dhe ndershmërinë e njeriut. Kurse populli i Medjenit mashtrimin e njerëzve në matjen dhe në peshimin e gjësendeve e konsideronte si një lloj shkathtësie e gjeturie të tyre gjatë shitblerjes. Për këtë arsye Shuajbi a.s. ua bëri me dije se kjo ishte vjedhje dhe keqpërdorim, dhe, për pasojë të atij veprimi, ata së shpejti do t'i godiste dënimi nga qielli....
2. të cilët kërkojnë t'u plotësohet kur blejnë prej njerëzve, 3. po kur të tjerëve u matin ose u peshojnë, u lënë mangut.
Këto dy ajete në vazhdim sqarojnë qartë se për cilat kategori të njerëzve bëhet fjalë për kërcënimin hyjnor. Fjala është saktësisht për ata që, kur blejnë diçka prej njerëzve, insistojnë të marrin më shumë se ç'u takon, ndërsa kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, ua lënë mangut në peshojë.
Qasja kuranore ndaj keqmatësit dhe keqpeshuesit, në këtë mënyrë të drejtpërdrejt, madje në një sure mekase, gjithsesi tërheq vëmendjen, aq më parë kur dihet se synim parësor i sureve mekase ishte interesimi për bazat themelore të besimit, si: besimi në Allahun - Sunduesin dhe Mbikëqyrësin e këtij Universi, besimi në Vdekjen, Ringjalljen, Ahiretin, Llogarinë etj., si dhe kujdesi për mbjelljen dhe formimin e ndjenjës morale në shpirtrat e njerëzve në përgjithësi.
Ndërkohë, me Ligj, normat e caktuara fetare në sfera të ndryshme të jetës, kanë ardhur vetëm në medinë, pikërisht në suret më të vonshme, atëherë kur ishin vënë bazamentet e jetës shoqërore të shtetit islam. Pikërisht për këtë arsye, surja "El-Mutaffifin" ka tërhequr vëmendjen e komentuesve të Librit të Allahut, për të hulumtuar rreth shkaqeve dhe arsyeve pse i Lartmadhërishmi, normën e shtrembërimit në matje dhe peshim, e ka cekur në suret mekase.
Ndër arsyet kryesore mund të cekim se Islami, qysh në Mekë, u ballafaqua me një ambient të prishur moralisht, sidomos kur dihej se atëbotë, tregtinë e kishin tërësisht në dorë aristokracia, të cilët kishin krijuar monopol dhe vetë i diktonin normat e tilla devijuese. Prandaj, edhe kërcënimi hyjnor në këtë sure ndaj "mutaffifinëve" është shumë me peshë, sepse myslimanët e vërtetë gjithsesi duhet të jenë larg shtrembërimeve dhe mashtrimeve të tilla, meqë shteti islam, që do të formohej shumë shpejt, në Medinë, nuk mund të ndërtohej me të tilla parime devijante që mbretëronin në shoqërinë mekase, ku i varfri dhe ai që nuk kishte pozitë a familje autoritative, persekutohej dhe shfrytëzohej pa mëshirë.
Nëpërmjet këtyre ajeteve, Allahu xh.sh. ka dashur t'ua tërheqë vëmendjen njerëzve edhe për Ringjalljen dhe Llogarinë që do t'i presë nesër në Ahiret. Madje, çështja nuk kufizohet vetëm në shtrembërimin në matje dhe peshim, veçse është shumë më gjithëpërfshirëse. Në këtë sferë hyjnë të gjitha mashtrimet e mundshme, si f.v. nëpunësi në vendin e tij të punës, nuk e kryen punën me përkushtim, edhe kjo konsiderohet "tatfif" - shtrembërim, ose punëtori në fabrikë, mësuesi në shkollë, furrtari në furrë, nëse bëjnë hile në sasinë e bukës, ndërtuesi i një ndërtese etj.. Të gjitha këto gjëra hyjnë në sferën e kuptimit të këtyre dy ajeteve, prandaj secili duhet të ketë kujdes për ndërgjegjen e vet.
Respektimi i këtij kodi moral në tregti nga ana e myslimanëve, ka bërë që Islamin ta pranojnë shumë popuj të botës, sepse tregtarët myslimanë, kudo që tregtuan nëpër botë, lanë gjurmë dhe mbresa të mira tek ata popuj, të cilët pa hezitim përqafuan Islamin, ndonëse në tokat e tyre nuk kishte shkelur kurrë këmba e ndonjë ushtari mysliman; kështu kishte ndodhur në Indonezi, Malajzi, Kinë etj..
Këta tregtarë të ndershëm myslimanë, ishin të vetëdijshëm se ishin përherë nën mbikëqyrjen e Allahut, prandaj me devotshmërinë më të madhe tregtonin dhe fitonin, pa harruar edhe lutjet dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të tyre. Për të tillët ka folur Allahu xh.sh. në Kuran, kur thotë: "Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia (e largët) e as shitblerja (në vend) për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (ata luten) që Allahu T'i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për T'ua shtuar të mirat nga Ai. Allahu i dhuron pa masë atij që do". - (En-Nur, 37-38)
Qëllimi i tyre gjatë tregtisë nuk ishte që vetëm të shtonin pasurinë, po edhe të shfaqnin ndershmërinë dhe dëlirësinë e zemrave të tyre. Ata tregtinë e kuptonin si shërbim ndaj shoqërisë ku jetonin, duke qenë plotësisht të bindur se jeta është një ndërmarrësi dhe bashkëndihmesë e përbashkët, e bazuar në parime të kooperimit të ndërsjellë e jo të shfrytëzimit të njëri-tjetrit.(2)
Porositë kuranore, që kanë të bëjnë me matjen dhe peshimin, të ardhura në shumë ajete të Librit të allahut, si:
"Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshojë të drejtë (të saktë). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë" - (El-Isra'ë, 35);
"...Zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij..." - (El-En'am, 152);
"Edhe ju mbani me drejtësi peshojën, e mos lini mangut në peshojë"! - (Err-Rrahman, 9), janë mishëruar thellë në shpirtrat e pastër të myslimanëve, të cilët tregtuan dhe vazhdojnë të tregtojnë me sinqeritetin më të madh, sepse në radhë të parë kanë dronë e allahut dhe e dinë se i pret një Llogari e vështirë në Ditën e Gjykimit, ndonëse me plot të drejtë shpresojnë në mëshirën e Allahut. Në këtë kontekst vjen edhe hadithi i Resulullahut s.a.v.s., i cili, pasi u kishte lexuar banorëve të Medinës suren "El-Mutaffifin", kishte thënë: "Pesë gjëra do të sjellin pesë të tjera: Nëse një popull e thyen besën dhe premtimin e tij, Allahu do t'ua dërgojë armiqtë si nënshtrues të tyre; ai popull që gjykon jashtë ligjeve që i ka zbritur Allahu, në mesin e tyre do të përhapet varfëria; në atë popull në mesin e të cilëve përhapen të shëmtuarat dhe amoraliteti, do të përhapet vdekja; nëse ata bëjnë shtrembërime në matje dhe peshim, atyre do t'u pakësohen (të mirat) dhe do të privohen nga të mbjellat (perimet) madje për disa vjet, ndërsa, nëse nuk e japin zekatin, ata do të privohen nga shiu".(3)
4. A nuk mendojnë të tillët se kanë për t'u ringjallur? 5. Në një ditë të madhe, 6. Në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve.
Pas qortimit hyjnor për ata që matin e peshojnë keq e shtrembër, në këto ajete vijuese, shohim se si Allahu u drejtohet këtyre njerëzve me fjalë edhe më kërcënuese. Allahu thuajse u drejtohet në formë pyetëse atyre që bëjnë hile në matje e peshim: A nuk po llogaritni, o të mjerë, që një ditë do të ringjalleni dhe do të pyeteni për shëmtitë tuaja në këtë botë? A nuk i frikësoheni takimit me Allahun dhe ballafaqimit me Të në një Ditë të Tmerrshme, siç është Dita e Gjykimit? A nuk i frikësoheni kësaj dite kur më nuk do të ekzistojë mundësia e rikthimit të tyre në këtë botë për të përmirësuar diçka nga veprat e tyre?
Është kjo Dita e vështirë për jobesimtarët dhe për mëkatarët, kur ata, së bashku me tërë njerëzimin, do të ngrihen nga varret e tyre, të tmerruar e të frikësuar, duke pritur gjykimin e allahut fuqiplotë. ata që keqpeshuan dhe matën keq, do të jenë në ankth dhe të turpëruar duke qenë objekt ironie dhe përqeshjeje, për shkak të tradhtisë së tyre dhe ngrënies së pasurisë së tjetrit pa të drejtë.
Fytyrat e tyre do të jenë të nxira nga turpi dhe përbuzja që do t'u bëhet atyre në Ditën e Gjykimit. Ata, përveç kësaj, do të ndëshkohen tmerrshëm, e ky ndëshkim do të jetë aq i dhimbshëm, saqë çdo gjymtyrë e trupit do ta përjetojë atë me dhembje të tmerrshme.
Atë ditë njerëzit do të presin gjatë, duke pritur gjykimin. Secili prej tyre do të jetë i preokupuar me vetveten. Atë ditë do të ikë vëllai prej vëllait, djali e vajza nga babai e nëna, dhe anasjelltas. Atë ditë Dielli do të jetë aq afër kokave të njerëzve, saqë ata do të jenë të zhytur në djersët e tyre, në varësi nga veprat e këqija që kanë bërë. Madje ka prej tyre që do të jenë të zhytur në djersë deri në laprat e veshëve.
Mirëpo, ballafaqimi më i vështirë do të jetë gjykimi para Madhërisë së Allahut-Zotit të botëve dhe tërë ekzistencës, para të Cilit, kokat e tyre do të jenë të përulura e të nxira.
Porosia e këtyre ajeteve:
- Shpërdorimi i peshimit dhe i matjes gjatë shitblerjes është një prej vetive më të urryera tek Allahu xh.sh., sepse një gjë e tillë në mënyrë të drejtpërdrejt dëmton pasurinë e tjetrit. Këta njerëz janë kërcënuar nga Allahu xh.sh. se nesër, në Ditën e Gjykimit, do të jenë prej atyre që do të shijojnë ndëshkimin e dhimbshëm të Allahut.
- Matja dhe peshimi i shtrembër konsiderohet një ndër mëkatet e mëdha për besimtarët myslimanë, dhe për këtë shkak ata edhe do të dënohen, nëse nuk pendohen për këtë gjynah të madh.
- Nxitja e njerëzve që të besojnë në Ringjalljen e Ditën e Gjykimit dhe largimi nga gjynahet (mëkatet).
- Dita e Gjykimit do të jetë një ditë e rëndë dhe e vështirë për të gjitha krijesat, sepse na pret gjykimi para Allahut xh.sh.. Atë ditë, të mjerë e fatkeqë do të jenë ata që nuk i besuan Allahut, mendjemëdhenjtë dhe mynafikët.
- Është e pëlqyeshme ngritja në këmbë në shenjë nderimi për disa njerëz, kështu që në kontekst të ajetit "Në ditën kur njerëzit ngrihen (prej varrezave) për të dalë para Zotit të botëve.", dijetarët, lidhur me ngritjen e njerëzve në këmbë për prindërit, mësuesin, dijetarin (hoxhën), për sunduesin e drejtë dhe për njerëzit e devotshëm e fisnikë, kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa prej tyre kanë lejuar një gjë të tillë për kategoritë e përmendura, kurse disa të tjerë e kanë ndaluar. Ata që kanë lejua, u referohen disa veprimeve të resulullahut s.a.v.s. dhe të ashabëve. Ata transmetojnë se i Dërguari i Allahut është ngritur për Xhafer ibn Ebi Talibin dhe e ka përqafuar atë, kur kishte arritur në Medinë, nga Abisinia. Është ngritur për Fatimen r.a., sa herë që ajo ka hyrë në dhomën e tij, e ka përqafuar, puthur dhe e ka ulur pranë vetes. Njësoj ka vepruar edhe Fatimja r.a., kur i Dërguari i Allahut hynte në shtëpinë e saj, ngrihej, e përqafonte, e puthte dhe ulej pranë tij.(4) Pastaj, Talha Ibn Zubejri ishte ngritur për Ka'b ibn Malikun. Pastaj, transmetohet se i Dërguari a.s. u kishte thënë ensarëve, kur para tyre kishte dalë Sa'd ibn Muadhi, ashtu siç transmeton Ebu Davudi nga Ebu Seid el Hudriu: "Ngrihuni dhe përshëndeteni (nga afër) zotërinë tuaj"!
Më tutje, është e pëlqyeshme që të respektohen, duke u ngritur në këmbë në shenjë nderimi, sidomos për prindëri dhe dijetarët etj..
Ndërkohë ata që ndalojnë një gjë të tillë, i referohen një hadithi të Resulullahut s.a.v.s., i cili ka thënë: "Ai i cili ndien kënaqësi që njerëzit t'i ngrihen në këmbë në shenjë respekti, le ta përgatisë ulësen e tij prej zjarri".(5)
I Dërguari i Allahut në disa raste ua ka ndaluar ashabëve të ngrihen për të, jo për diçka tjetër, përveçse nga frika e rrëshqitjes në gabime dhe e madhërimit të tij,6 gjë që do t'i kishte zhytur në shirk, ashtu siç kanë vepruar të krishterët me isain a.s..
Nga tërë kjo, mund të përfundohet se për dijetarët, prindërit dhe të moshuarit, ngritja në këmbë dhe përshëndetja e tyre në shenjë respekti, është e lejuar, madje e pëlqyeshme, ndërsa nëse kjo bëhet nga mendjemadhësia, është e papëlqyer, madje edhe e ndaluar.
(vijon)
_____________________________
(1) Shih Muhamed Mutevel-li Sha'ravi "Tefsir Xhuz' Amme" f. 206, Kajro 2008.
(2) Abdulhamid Kishk "Fi Rihabi-t-Tefsir" vëll. 30, f. 95.
(3) E transmeton Taberiu (13/482); Ibn Maxhe (2/748) dhe Nesaiu (6/508) nga Ikrimja e ky nga Ibn Abbasi. Ky hadith është sahih. Shih: "El-Lubabu fi Ulumil Kitabi" vëll. 20 f. 206, nga Ibn Adil el Hanbelij, Bejrut 1998. Të njëjtin hadith, por sipas kuptimit e kanë transmetuar edhe Ebu Bekr el Bezzari, dhe Malik ibn Enesi nga Ibn Umeri.
(4) Suneni i Tirmidhiut - "El-Mukennez", nr. 4246 (hadith hasen).
(5) Po aty, hadithi nr. 2979 (hadith hasen).
(6) Suneni i Ebu Davudit nr. 5232 (hadith daif)
Sabri Bajgora