Kur kishte mbaruar beteja Xhemel, Aliu r.a. e kishte gjetur i pari Talhan të vdekur e të mbuluar në gjak. Ai e kishte marrë në krah dhe e kishte shtrënguar fort duke qarë. Duke ia pastruar gjakun nga fytyra, Aliu thoshte: "Sa të vështirë e kam të të shoh në këtë gjendje, o babai i Muhamedit"…
Umeti islam është nga umetet që ka nxjerrë personalitete e figura më shumë e më të mëdha se gjithë të tjerët. Është për të ardhur keq që, pavarësisht nga ky fakt, myslimanët shpesh vazhdojnë të konsumojnë shembuj e modele nga të tjerët, duke u bërë kështu vetëm konsumues e jo servues të vlerave madhështore që kanë Islami dhe personalitetet prezantuese të tij. Prej myslimanëve kërkohet që në radhë të parë vlerat e mirëfillta fetare, kulturore, morale, shpirtërore dhe civilizuese t`i kërkojnë në jetëshkrimin e Pejgamberit a.s. dhe në jetëshkrimin e ashabëve të tij. Prandaj myslimanët, dhe sidomos ata që shkruajnë në gazeta e revista të ndryshme, duhet t`i studiojnë, t`i mësojnë jetëshkrimet dhe vlerat e tyre dhe t`i bëjnë të njohura për opinionin, sepse ata ishin dhe mbeten yje dhe modeli më i mirë për të ndjekur rrugën e tyre dhe për t`i pasuar ata për realitetin ku jetojmë sot. Nëse do të bënim një studim të mirëfilltë mbi përqindjen e rritjes së dukurive devijante dhe të kriminalitetit tek fëmijët, do të zbulonim se shkaku kryesor është mungesa e edukatës atërore familjare në shtëpi. Shumica e problemeve që lindin në familje, zanafillën e kanë tek një baba që nuk është model i mirë për fëmijët dhe gruan e tij.(1)
Nga ashabët e njohur të Pejgamberit a.s. dhe njëri nga dhjetë të përgëzuarit me Xhennet që mund të merret si shembull i mirë për besimtarët, është edhe Talha ibnu Ubejdullahu. Myslimanët dhe shokët e tij, Talhan ndryshe e njihnin me emrin "Talha i të mirave" ose "Talha i bujarëve". Këtë epitet ia kishin vënë për shkak se ai ishte një pasanik i njohur që solidarizohej gjithherë me të varfrit dhe pasurinë e tij e shpenzonte në rrugën e Zotit.(2)
Një nga kontributet e rëndësishme të Talhas është edhe ai që ndërlidhet me rolin dhe qëndrimin heroik të tij në betejën e Uhudit. Gjatë zhvillimit të betejës së Uhudit, në momentin kur beteja kryesore zhvillohej rreth Pejgamberit a.s., Resulallahi (a.s.) i thirri myslimanët që të mblidheshin rreth tij. Fatkeqësisht, zërin e Pejgamberit a.s. e dëgjuan mushrikët dhe e njohën, prandaj u vërsulën në drejtim të tij. Muslimi transmeton nga Enes bin Maliku se atë ditë Pejgamberi a.s. ishte i rrethuar prej shtatë ensarëve dhe dy muhaxhirëve. Kur e sulmuan kurejshitët, tha: "Ai që i dëbon prej nesh, do të jetë i shpërblyer me Xhenet dhe do të jetë shoku im në Xhenet", njëri nga ensarët doli përpara dhe luftoi e luftoi dhe duke vrarë armiq derisa ra shehid. Vazhduan të dilnin përpara njëri pas tjetrit, derisa nuk u vranë të shtatë ensarët. Atëherë Pejgamberi a.s. u tha dy muhaxhirëve: "Nuk vepruam drejt ndaj shokëve tanë ensarë".(3)
Pas pësimit të ibni Es-Sekemes, i cili ishte i fundit prej atyre të shtatëve, me Pejgamberin a.s. mbetën vetëm dy myslimanë kurejshit të muhaxhirëve.(4) te Buhariu dhe muslimi është transmetuar një hadith nga Ebu Uthmani, ku thuhet: "Në atë çast kritik, i cili ka qenë më i vështiri gjatë jetës së Pejgamberit a.s., mbetën vetëm dy njerëz për ta mbrojtur atë, që ishin Talha bin Ubejdullahu dhe Sa`d bin Ebi Vekasi.(5)
Në betejën e Uhudit kurejshitët politeistë për të parën herë patën rastin e volitshëm për ta mbytur Pejgamberin a.s.. Utbe bin Vekasi e kishte goditur Pejgamberin a.s. me gurë në fytyrë, dhe i kishte prerë nofullën e sipërme, buzën e epërme dhe thyer një dhëmbë të përparmë. Abdullah bin Shihab Ez-Zuhri iu afrua Pejgamberit a.s. dhe e lëndoi në ballë. Edhe Abdullah bin Kuniet, një kalorës trim, e goditi Pejgamberin a.s. me shpatë në krah aq fuqishëm, saqë Pejgamberi a.s. vazhdoi të ndiente dhembje nga kjo plagë për më shumë se një muaj, dhe mezi ia zhveshën parzmoren e dyfishtë. Në bazë të të gjitha rrethanave që u përmendën lidhur me luftën e Uhudit, është tërësisht e qartë se mushrikët kurejshë kishin për qëllim ta vrisnin Pejgamberin a.s.. Po ashtu është e qartë se realizimin e këtij qëllimi e kishin penguar dy heronj të mëdhenj - Talha bin Ubejdullahu dhe Sa`d bin Ebi Vekasi, të cilët ishin nga shenjëtarët më të mirë arabë dhe të cilët thyen sulmin e hatashëm të mushrikëve kundër Pejgamberit a.s.. Për Talha bin Ubejdullahun transmeton Nesaiu nga Xhabiri, i cili thotë: "Kur arritën mushrikët tek Muhamedi a.s., ky pyeti: "Cili do t`u dalë përpara"?, Talha u përgjigj: "Unë". Pastaj Xhabiri shpjegon luftën e ensarëve dhe pësimin e tyre të njëpasnjëshëm.(6)
Hakimi transmeton se Talhan e kishin plagosur në betejën e Uhudit tridhjetë e nëntë ose tridhjetë e pesë mushrikë, përderisa ai ishte plagosur në dorën pa gishtërinj, të cilët ia kishin prerë më parë.(7)
Ndërsa Termidhiu transmeton se Pejgamberi a.s. atë ditë për talhan kishte thënë: "kush dëshiron të shohë shehidin që ecën mbi tokë, le ta shikojë Talha bin Ubejdullahun". Kur sulmi për ta vrarë Profetin e Allahut gjatë zhvillimit të luftës së Uhudit u ashpërsua shumë, i Dërguari i Allahut ishte rrëzuar në një gropë, të cilën e kishin hapur jomyslimanët, dhe aty iu thyen dhëmbët dhe ai mori plagë në kokë. Ai që e mbrojti Pejgamberin a.s. në atë rast dhe arriti ta nxirrte prej saj, ishte Talha bin Ubejdullahu. Allahu i Madhërishëm në Kur`an thotë: "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën dhënë Allahut, e disa prej tyre realizuan premtimin duke dhënë jetën, e ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi".(8)
Edhe Ebu Bekri r.a. për Talhan thoshte: "Beteja e Uhudit i përket e gjitha Talha bin Ubejdullahut". Talha bin Ubejdullahu nuk mori pjesë në betejën e Bedrit, sepse asokohe ndodhej në një udhëtim tregtie. Edhe pse ishte në udhëtim, ai uronte që të merrte pjesë në këtë betejë. Duke ditur për qëllimin e tij, Profeti a.s. ndau një pjesë nga trofeu i luftës dhe ia dha Talhas.(9)
Talha bin Ubejdullahu dhe gruaja e tij, Umu Gulthum (e bija e Ebu Bekrit), kishin kontribuar shumë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre. Një herë Talha kishte shitur fermën e tij të madhe me të gjitha prodhimet, buzë një mali të lartë. Kur i mori të gjitha të hollat për të, ngeli zgjuar tërë natën duke menduar se çfarë mund të bënte me tërë ato të holla. Në fund vendosi t`i jepte të gjitha në rrugën e Allahut. Ende pa u thirrur ezani i sabahut, ai i kishte shpërndarë të gjitha. Një natë, ndërkohë që ishte ulur dhe po bisedonte me të shoqen, Umu Gulthumin, i erdhën shuma të mëdha të hollash nga Hadrameuti në Jemen. Atje Ebu Talha posedonte shumë prona të patundshme. shuma e të hollave ishte 700 mijë dinarë, një shumë marramendëse. Kur i mori ato të holla, dukej në fytyrë i mërzitur dhe i shqetësuar. Ndërkohë e shoqja e pyeti pse ishte i shqetësuar, e ai i pati thënë: "Më kanë ardhur 700 mijë dinarë nga Hadrameuti. Për Zotin, nëse do t`i mbaj në shtëpi deri në mëngjes, do të më ikë mendja". Gruaja i tha: "Çfarë mendon sikur të të ndihmoj derisa t`i shpërndash?", dhe shkoi të merrte një tepsi për ta mbushur me të holla. Në mëngjes ishin ulur të dy para të hollave. Siç e dimë, në atë kohë nuk kishte banka. Gruaja i tha: "O Talha! A nuk mbajmë diçka për vete?!" Talha i tha: "Merri një mijë dinarë". Në mëngjes, Talha, së bashku me të shoqen, u shpërndanë të varfërve të gjitha të hollat.(10)
Të tillë ishin pothuajse të gjithë shokët e të Dërguarit të Allahut. Në biografinë e tyre nuk duhet parë e studiuar vetëm kontributi i tyre në luftëra, po duhet të studiohen edhe aspektet dhe kontributet në fusha shoqërore, politike, ekonomike, edukative etj..
Talha bin Ubejdullahu kishte marrë pjesë në betejën Xhemel në luftën mes dy kampeve myslimane, ku mbeti i vrarë. Ai u varros pranë lumit Eufrat në pjesën e Basras. 30 vjet pas vdekjes së Talhas, një nga të afërmit e tij e kishte parë ëndërr tek i thoshte: "Më ka lagur uji". Atë vit lumi Eufrat kishte dalë nga shtrati dhe kishte shkaktuar shumë përmbytje, dhe uji kishte përfshirë edhe varrin e Talhas. Ky person ua tregoi ëndrrën të tjerëve dhe u këshillua edhe me Abdullah ibn Abasin. Ibn Abasi u tha që ta hapnin varrin. Kur e hapën varrin, trupin e tij e gjetën të paprekur, si atë ditë kur ishte varrosur, përveç një pjese që i ishte mavijosur për shkak të ujit. Edhe pse kishin kaluar tridhjetë vjet nga dita kur ishte varrosur, trupi i tij nuk ishte tretur dhe nuk kishte ndryshuar. Ata e nxorën dhe e varrosën në një vend tjetër.(11) kur kishte mbaruar beteja Xhemel, Aliu r.a. e kishte gjetur i pari Talhan të vdekur e të mbuluar në gjak. Ai e kishte marrë në krah dhe e kishte shtrënguar fort duke qarë. Duke ia pastruar gjakun nga fytyra, aliu thoshte: "sa të vështirë e kam të të shoh në këtë gjendje, o babai i Muhamedit".(12)
Nga kjo duhet të kuptojmë se, çfarëdo që të ndodhë në mes dy vëllezërve të një feje, nuk duhet harruar njeti dhe as qëllimi i mirë. Sado të mëdha qofshin mosmarrëveshjet tona, nuk duhen harruar normat islame, të cilat bëjnë thirrje për falje dhe paqe në mes vëllezërve të besimit. Talha bin Ubejdullahun e gjejmë gjithmonë në shërbim të besimtarëve. Ai forconte lidhjet farefisnore, përkrahjen shoqërore, ngushëllonte të varfrit, ndihmonte ata që ndodheshin në fatkeqësi etj…


__________________________________
(1) Xhasim Mutava, të Përgëzuarit me Xhennet, Shkup, 2010, f. 16-17-20 (përktheu: Elmaz Fida). 
(2) Po aty, f. 138. 
(3) Sahihul Muslim, Kaptina mbi Uhudin, II/107.
(4) Ibni Hisham, 11/81. 
(5) Sahihul Buhari, I/527, II/581.
(6) Nektari i vulosur i Xhennetit, përktheu nga boshnjakishtja: Muhamed Iljaz Dolaku, Shkup, 1997. (Titulli origjinal: Err-rrahikul Mahtum, autor, Safrjjurrahman El-Mubarekfuri).
(7) Fet`hu-l-Bari, VII/361.
(8) Po aty.
(9) Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, Shkup, 2010, f. 147-148. 
(10) Po aty, f.140.
(11) Po aty, f.144.
(12) Po aty, f. 145


 


Dituria Islame 257


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

GJURMË – Dokumentar: Medreseja Alaudin, një histori krenarie