“Ngrihu se të ka falur All-llahu” ...


("Lutu: All-llahumme falja Jote është më e gjerë se gjynahet e mia...") "Është obligim në besimin tonë shpresa e madhe në mëshirën dhe faljen e All-llahut…"[1]

Janë të shumta ajetet kur'anore, që bëjnë fjalë dhe na tregojnë për mëshirën dhe faljen e Krijuesit të Gjithësisë. Edhe në hadithet e shumta të Profetit tonë (a.s) gjejmë argumente të shumta në lidhje me këtë temë.

Mëshirimi, në vetvete është një prej 99 cilësive të All-llahut të Madhëruar (esmaul-husna), me të cilat Ai i është prezantuar krijesave të Tij. Në Kur'an mësojmë se Ai (xh.sh) është: "Mëshiruesi, Mëshirëbërësi"[2]. Po në Fjalën e Tij, Krijuesi i Gjithëpushtetshëm, i drejtohet robëve të Tij, duke i nxitur që të punojnë mirë dhe të mos bëhen pesimistë ndaj faljes dhe mëshirës së Tij: "Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është shumë Falës dhe është Mëshirues!"[3]

Po të vështrojmë me vëmendje në disa pjesë të këtij ajeti, do të gjejmë një mënyrë shumë të dashur me të cilën All-llahu i drejtohet robëve të Tij që të mos humbasin shpresën ndaj mëshirës së All-llahut. Kjo mënyrë komunikimi, shumë e ngrohtë, hap dyert e thirrjes për mbarë njerëzit, që kanë gabuar e që kanë devijuar nga rruga e udhëzimit që të mos harrojnë se dera e madhe e faljes dhe e mëshirës së All-llahut është përherë e hapur për pendimin dhe kthimin e tyre të sinqertë.

Po të thellohemi pak më shumë në mrekullitë e Fjalës së All-llahut, do të mësojmë se Vetë Ai, e ka shoqëruar Madhështinë e Tij zotëruese ndaj gjithçkaje me mëshirimin. Na mëson: "Mëshiruesi që qëndron mbi Arsh"[4]! Ai fare mirë mund të kishte cilësuar një tjetër prej 99 emrave a cilësive të Tij, por fakti është se All-llahu (xh.sh), në këtë rast, ka përdorur mëshirimin. Dhe kjo ka ndodhur në më të rëndësishmin dhe më delikatin komunikim të Madhështisë së Tij gjithëpërfshirëse. Ky ajet, me gjithë dimensionet e tij, duhet t'i shërbejë çdo kryefamiljari, çdo drejtuesi, çdo udhëheqësi e çdo njeriu që qëndron mbi dikë a një grup shoqëror, që të ndërtojë raportet dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët mbi baza mëshirimi, jo diskriminimi e përbuzje, jo kërcënimi e dhunimi të të drejtave njerëzore a vetë dinjitetit njerëzor. Ndër muslimanë, kjo marrëdhënie është esenciale, e kështu duhet të jetë!

Në thesaret e Traditës Profetike, shembujt e mëshirës dhe faljes së All-llahut, që na i ka mësuar Profeti (a.s) janë të shumtë. Në njërin prej tyre, tregohet se një burrë erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha: "I shkreti unë për gjynahet e mia!". Profeti (a.s) iu drejtua: "Lutu: All-llahumme falja Jote është më e gjerë se gjynahet e mia dhe Mëshira jote është më shpresëdhënëse për mua se punët e mia". Burri e tha këtë lutje, e Profeti i tha: "Përsërite" dhe ai e përsëriti. Profeti sërish i tha: "Përsërite", e ai e përsëriti për të tretën herë. Pas kësaj Profeti (a.s) i tha: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[5].

Sa madhështore është kjo fjalë: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[6]. Ajo na mëson të mos harrojmë moralin e faljes në mes nesh. Ajo na nxit të përhapim mesazhin e faljes në mes nesh. Ajo na udhëzon që të vishemi me moralin e lartë të udhëzimeve kur'anore dhe të traditës profetike: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[7], e të mos harrojmë se sado të mëdhenj që të dukemi e sado të lart që të mbërrijmë, përherë do të kemi nevojë të trokasim në dyert e pendimit e faljes. Me fjalë të tjera: Përherë jemi nevojtarë të mëshirës, e kush është nevojtar i mëshirës, mëshiron, fal dhe e hedh shikimin përtej situatave të një çasti a një momenti, sado delikat të duket ai, në pamje të parë!

All-llahu i Madhëruar, për të na e bindur zemrën se mëshira dhe falja e Tij janë të pakufishme, na sihariqon me lajmin e lutjes së melekëve të Tij të afërt, për faljen dhe mëshirimin tonë: "Ndërsa ata (melekët) që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, e lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten t'i falë ata që besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, prandaj fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën tënde dhe ruaji ata nga dënimi i xhehennemit!"[8] Kjo do të thotë, se Ai me Madhërinë e Tij, ka udhëzuar edhe melekët që të luten për ne. E ne duhet të jemi të sigurt se Ai (xh.sh) e pranon lutjen e tyre. Ai, s'i kthen pas lutjet e sinqerta. Ah, lutjet e sinqerta dhe sekreti i tyre…

Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë: "Kur All-llahu krijoi krijesat, shkroi në një libër pranë Tij, mbi Arsh: "Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"[9]

All-llahut i lutemi të na udhëzojë drejt mëshirës dhe faljes së Tij. Atij i lutemi të na drejtojë, sa herë që hutohemi, drejt mëshirës dhe faljes. Atij i drejtohemi, të na ruajë nga padituria në arsyetim, nga mos arsyetimi në dituri, nga mos falja në shoqëri e nga shoqëria e atyre që s'e kuptojnë faljen dhe mesazhet e saj.
"Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"[10]…




[1] Shejkh Abdull-llah Siraxhuddin, në "Et-tekarrubu ilall-llah", fq, 191.
[2] Kur'ani: 1:3.
[3] Kur'ani: 39:53.
[4] Kur'ani: 20:5.
[5] Transmetuar nga Muslimi.
[6] Transmetuar nga Muslimi.
[7] Transmetuar nga Muslimi.
[8] Kur'ani: 40:7.
[9] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[10] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi