Të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve drastike që shoqëria jonë po përjeton për sa i përket mënyrës së të jetuarit, të menduarit, të folurit...
Influencat e gjithanshme që po përjeton kombi ynë përkitazi me ajrosjen që mori nga çlirimi pas gjysmë shekulli bunkerizim, na bën të themi që ka arritur të tjetërsojë paraqitjen e tërësisë zakonore familjare e shoqërore, si në rang individi ashtu edhe më gjerë. Për të vërejtur më saktë një dukuri të tillë, mund të përmendim një aspekt thelbësor, atë çka paraqitet të jetë elementi kryesor dallues i individit dhe i shoqërisë prej nga vjen, pra, gjuha. Të flasësh mbi përdorimin e gjuhës letrare shqipe, do të thotë të prekësh mbi një nerv të lënë zbuluar në ndërgjegjen e shqiptarit sot.
E perceptuar thellë dhe gati gati e hyjnizuar në mendjen e shqiptarit, gjuha shqipe vërehet të trajtohet si një element thelbësor i identitetit kombëtar të tij. Rol ky që me të drejtë e ka karakterizuar dhe shoqëruar atë përgjatë rezistencës së natyrshme kundrejt asimilimit të popullit tonë në periudha të ndryshme kohore në sfonde delikate gjeo-politike fqinjësie. Trajtimi i saj shkencor vërehet të jetë bërë tashme në dy etapa kryesore historike për Shqipërinë, njëra lidhet ngushtë me veprimtarinë e rilindësve, ndërsa e dyta përkon me studimet dhe përpunimet e saja pas përcaktimit të shqipes standarde. Ndaj, dhe periudha post komuniste që na karakterizon këtu e 20 vite demokraci na gjen me një shqipe të kultivuar, të strukturuar në norma standarde të lëvrimit të saj, të cilat janë përcaktuara qartë dhe gjer në një farë pike të pa diskutueshme paçka zërave që janë ngritur vitet e fundit për nevojën ose jo të një rishikimi të saj duke përfshirë në të element të dialektit Gegë. Në këtë mënyrë, në një masë të konsiderueshme gjuha shqipe standarde është e mbrojtur nga barbarizmi pikërisht për shkak të konsolidimit të saj në rang shkencor dhe akademik. Ruajtja dhe përçimi i saj i mbetet institucioneve të cilat përçojnë dije dhe kulturë në popull për ta përhapur në mënyrë sa më të shëndetshme gjuhën standarde shqipe në mënyrë që të përthithet dhe kapilarizohet nëpër shtresat e popullsisë edhe në brezat në vijim.
Procesi i hapjes me botën jashtë kufijve shqiptar, i bën të pa evitueshme ndërhyrjet dhe ndikimet në gjuhën popullore. Fjala vjen, është e thjeshtë për një shqiptar mësimi i një morie gjuhësh të huaja, madje ne në përgjithësi shquhemi për këtë prirje, kjo natyrshëm na ka çuar në përfshirjen e elementeve të tyre te gjerë në leksikun dhe zhargonin e përditshëm. Një element që ndikon në prurje në gjuhën shqipe mund të konsiderohet dhe ndikimi i globalizimit të informacionit nëpër mediat vizive dhe të shkruar si dhe internetit. Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe elementi i emigracionit, përgjatë komunikimit më të dendur me familjarët apo te afërmit që ndodhen jashtë shtetit, dashje pa dashje përcjellin element nga gjuha e përditshme e tyre. Ajo çka gjithmonë më ka bërë përshtypje, është ndjesia që përcjell gjuha shprehëse e një emigranti shqiptar kur kthehet me pushime në atdhe. Bashkatdhetarët të pa mësuar me lëvrimin e disa fjalëve që ato përdorin rëndom, natyrshëm lind ndjesia e refuzimit të tyre shoqëruar me një ndjenjë aspak të pëlqyeshme. Këtë më duhet ta them duke u gjendur pikërisht në kahun e kundërt të kësaj situate: një emigrante e cila në vendin e migrimit gjendet në vështirësi gjuhësore për shkak të lëvrimit në mënyrë të njëkohësishme të të dyja gjuhëve, pashmangshmërisht e gjen veten të shkrijë në mënyrë krejt të natyrshme dhe të pa vullnetshme leksikun e përditshëm duke mos bërë ndonjë ndryshim drastik në pastrimin e gjuhës në ato pak ditë të qëndrimit të përkohshëm në atdhe. Gjithsesi, këto element të përmendura më lart dëshmojnë për pamundësinë e bllokimit të prurjeve të huazimeve nga gjuhë të ndryshme, qoftë edhe për shkak të natyrës së vetë gjuhës si një mjet komunikimi popullor i cili në kushtet e sotme është e pa mundur t’i vihet një kafaz si në kohën e regjimit totalitar.
Do të isha e mendimit se shtjellimet shkencore të çështjeve gjuhësore, natyrisht që duhet tu lineh rangjeve akademikeve ekspertët e së cilës përçojnë masave rezultatet e përfundimeve te tyre studimore. Një gjë e tillë ndodhi nën regjimin komunist i cili i la vend të rëndësishëm studimeve gjuhësore me anë të publikimeve të vazhdueshme të revistave shkencore shtetërore në të cilat shtjelloheshin problemet gjuhësore si dhe lista të posaçme mbi fjalët e konsideruara si të huaja të cilat duheshin zëvendësuar me fjalë të zgjedhura nga ligjërimi popullor apo dhe nga përpunimi gjuhësor shkencor. Kjo edhe në kuadër të udhëzimeve politike të detyruara për kohën kur u bë njehsimi i gjuhës standarde në vitin 1972 duke arritur në zgjedhjen dhe zhvillimin e dialektit Toskë. Kështu nisi në vitet 80 një lëvizje thellësisht puriste karshi gjuhës. Përpjekja shkencore për eliminimin e çdo huazimi nga gjuhet e huaja u institucionalizua dhe u përhap në masë të gjerë në popull duke krijuar në të vetëdijen se ato duheshin zhdukur për hir të pastërtisë gjenetike të gjuhës sonë amtare. Një lëvizje e tillë, e drejtuar natyrisht nga parime politike dhe jo thellësisht gjuhësore ka krijuar perceptimin se çdo huazim nga gjuhët e huaja duhet eliminuar dhe konsideruar si “armik” i integritetit të shqipes standarde edhe sot e kësaj dite.
Natyrisht që një mendim të tillë nuk e ndajnë shumë studiues të cilët pohojnë se shpesh herë huazimet e fjalëve nga gjuhët e huaja arrijnë ta pasurojnë atë me terma apo fjalë të reja që gjuha shqipe nuk i zotëron, të tilla mund të jenë fjalë që kanë lidhje me zhvillimet ekonomike apo teknologjike si për shembull fjalët : kompjuter, mp3, çat etj. Në këtë kuadër edhe kahja që po merr zhvillimi i leksikut popullor sidomos tek të rinjtë me pasurimin e gjuhës së përditshme me shprehje të reja dhe prurje nga jashtë, duket në pamje të parë se përbën një problem për integritetin dhe ruajtjen e saj. Natyrisht, që gjuha standarde shqipe është kultivuar studiuar dhe shqyrtuar në imtësi nga specialistët në këtë lëmi, me studimin e saj nëpër shkolla edhe nga institucionet e shpërndarjes së kulturës dhe informacionit në popull qëllimi i ruajtjes së saj mund të arrihet pa ndonjë vështirësi. Duhet të kihet parasysh se gjuha, për sa i përket përbërjes apo pasurimit të saj me fjalë të reja është një resurs për popullin.
Pra duhet të bëhet dallimi midis asaj çka përbën prurje e fjalëve të reja dhe përshtatja e tyre në gjuhën shqipe si resurs dhe pasurim i vazhdueshëm i saj karshi ndërhyrjeve që mund t’i bëhen strukturës se fjalisë apo dhe rregullave gramatikore të cilat janë ngurtësuar tashmë që nga përcaktimi i tyre si norma standarde të detyrueshme për t’u respektuar zyrtarisht. Aspekti i parë, pra ai i pasurimit të gjuhës, vërehet të jetë një element që në fakt paraqitet të jetë i nevojshëm dhe jo i rrezikshëm. Natyrisht që ky proces domosdoshmërisht duhet mbikëqyrur nga ekspert gjuhëtar përgjegjës për përshtatjen e saktë të tyre sipas normave përkatëse gjuhësore. Këtu do të përmendja faktin se lind nevoja që ajo të pasurohet me fjalë të reja të cilat ne tashmë i zotërojmë në gjuhët dialektore dhe krahinore, pra, të vështruarit kah zgjedhjes së fjalëve me burim nga ligjërimi popullor duke e perceptuar atë si mjet komunikimi që ndërtohet duke respektuar natyrën dhe qëllimin e saj komunikues. Ndaj dhe mund të pohohet se gjuha është një organizëm i gjallë në zhvillim të vazhdueshëm dhe të pa ndërprerë i cili i ka rrënjët në leksikun dhe ligjërimin popullor duke u zyrtarizuar e standardizuar kështu pa ja humbur natyrën e saj burimore që është populli.
Gjuha dhe identiteti fetar
Gjuha e unifikuar simbolizon unitetin e kombit, bashkimin e tij në një grup të vetëm të dallueshëm lehtë nëpërmjet simboleve dhe tipareve të tij karakterizuese, element këto të një shteti modern. Në këtë kuadër, edhe gjuha luan një rol thelbësor në përcaktimin e qartë të identitetit të një kombi, ndaj dhe shumë shtetformues i kanë dhënë rëndësi jetësore unifikimit përcaktimit dhe zhvillimit të saj. Për sa i përket subkulturave, edhe ato mund të zhvillojnë element gjuhësor të cilat dalin jashtë kornizave të gjuhës letrare por gjithmonë për përdorime specifike dhe të brendshme. Në këtë paraqitje të gjuhës si një element mjaft të rëndësishëm në përcaktimin e identitetit dhe theksimin e përkatësisë së individëve në një grupim njerëzish e gjejnë veten edhe muslimanet si pjesë përbërëse e komuniteteve ku bëjnë pjesë. Kjo vërehet në rëndësinë që islami i ka dhënë ruajtjes dhe lëvrimin e gjuhës arabe si simbol mjaft të dashur për muslimanët, pikërisht me pohimin se gjuha e banorëve të Xhennetit (Parajsës) do të jete gjuha arabe, apo edhe ajete Kuranore që përcaktojnë atë si gjuhe të përkryer të një stili të lartë si dhe thelbësore për kuptimin e Kuranit aq sa të konsiderohet çdo përkthim i tij si i mangët dhe përçues jo i plotë i shenjtërisë se Kuranit Bujar, kjo në një farë mënyrë kthehet në pjesë të identitetit gjuhësor të muslimanit i cili në mënyre të pashmangshme në jetën e tij të përditshme ka element mjaft të fortë të gjuhës arabe si për shembull praktikimin e tyre në adhurimet e shenjta. Në këtë mënyre, muslimani në veçanti e ka të pa shmangshme huazimin e elementëve të një gjuhe të huaj nga shqipja në jetën e tij të përditshme. Kjo është një dukuri normale për sa kohë që individi bie në kontakt me veprimtari që lidhen ngushtë me një mënyre jetese të caktuar. Të njëjtën gjë mund të themi për huazimet e përftuara nga italishtja anglishtja apo frëngjishtja, të lidhura ngushtë me mënyrën e jetesës që një pjesë e shoqërisë shqiptare kërkon të përqafojë në kuadër të ngarendjes së saj drejt perëndimit dhe perceptimin e tij për jetën. Është e natyrshme që lëvizje e tillë të perceptohen si subkulture dhe për pasojë të arrije në një zhvillim me vete të procesit të formimit të elementëve të shtuar gjuhësor së një bashkësie të caktuar. Kjo nuk pengon aspak përdorimin privat të tyre karshi përdorimit zyrtar të shqipes standarde. Kohezioni dhe bashkëjetesa e tyre mund të jetë krejt e natyrshme.
*Thënie nga Viktor Hygo”