Haxhi dhe dispozitat e tij


Muhamedi a.s.thotë: "Haxhi është i obliguar vetëm një herë, ndërsa ai që e kryen disa herë, kjo është nafile"


Në kuptimin etimologjik, fjala Haxh nënkupton: vendim për t'u nisur drejt së madhërishmes. ndërkaq, në kuptimin terminologjik, Haxhi nënkupton: vizitën e Qabesë për të kryer ceremoni të caktuara në kohë të caktuar dhe në kushte të caktuara. Haxhi është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Obligimi i tij është përcaktuar nga fundi i vitit nëntë hixhri. ky obligim është vërtetuar me Kur'an e hadidh dhe me qëndrimin unanim të mbarë Ymetit. Në Kur'an thuhet: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo". (Ali Imran, 97).
Ndërsa Muhamedi a.s. thotë: "Islami bazohet në pesë shtylla: prej tyre kryerja e Haxhit". (Buhariu dhe Muslimi). Kryerja e Haxhit është obligim vetëm një herë gjatë jetës, ndërsa kryerja e tij më shumë se një herë është nafile. Muhamedi a.s.thotë: "Haxhi është i obliguar vetëm një herë, ndërsa ai që e kryen disa herë, kjo është nafile".(1)


Kushtet e obligueshmërisë së Haxhit


Këto janë kushte të cilat bashkërisht e bëjnë Haxhin të obliguar për dikë. nëse mungon vetëm njëri prej tyre, njeriu nuk do të jetë i obliguar për ta kryer Haxhin. Që dikush të obligohet për Haxh, duhet t'i plotësojë kushtet vijuese:


Islami-të jetë mysliman.


Ta dijë se Haxhi është obligim-ky kusht vlen vetëm për personin që jeton në vendet e jobesimtarëve. Nëse këtë person e njoftojnë dy burra ose një burrë dhe dy gra se kryerja e Haxhit është farz, konsiderohet se personi në fjalë e ka ditur që Haxhi është farz. Ky kusht nuk vlen për atë që jeton në mesin e myslimanëve. Për të mosnjohja e dispozitave themelore të Islamit nuk mund të jetë kurrfarë arsyetimi. Pjekuria-të jetë në moshën madhore. Të jetë i shëndoshë psikikisht. Të jetë i lirë dhe të ketë mundësi. Mundësia tek hanefitë nënkupton: mundësi udhëtimi - të jetë i shëndoshë fizikisht, rruga të jetë e sigurt si dhe pajisje materiale gjatë kohës së qëndrimit në Haxh, dhe këto të jenë jashtë nevojave esenciale, përfshirë këtu edhe borxhin, nëse ka, dhe duke u siguruar atyre ndaj të cilëve ka detyrim të kujdeset - ushqim, vendbanim dhe veshmbathje, derisa të kthehet. Gruaja të ketë mahrem dhe të mos jetë në idet-pritje nga shkurorëzimi ose vdekja e burrit.(2) Koha e obligueshmërisë së Haxhit është menjëherë, si të plotësohen kushtet e lartpërmendura. Shtyrja për vitin tjetër është mëkat.


Shtyllat-farzet e Haxhit


Shtyllat-farzet e Haxhit, sipas medhhebit hanefi, janë dy: qëndrimi në Arefat dhe Tavafu zijare- i Haxhit ose, siç njihet ndryshe, Tavaful ifada (gjegjësisht katër sjelljet-rrotullimet e para - nga shtatë sa janë, kurse të tjerat janë vaxhib). Ndërkaq, Ihrami i cili te tri medhhebet e tjera është farz, tek hanefitë është kusht i vlefshmërisë së Haxhit. Po ashtu lëvizja prej Safasë në Merve, që është farz tek të tjerët, tek hanefitë është vaxhib. Meqë me hyrjen në ihram nënkuptohet marrja e vendimit për kryerjen e Haxhit dhe hyrje në obligimet e tij, në fillim do të përmendim, në pika të shkurtra, rregullat dhe dispozitat e ihramit.


Ihrami


Ihram d.m.th. veshje e dy petkave të bardha për Haxhiun, që janë të njohura në mes nesh, me njërën (pjesë) të mbulohet avreti dhe tjetra të vihet mbi supe, natyrisht për meshkujt, kurse mbajnë veshjet e tyre. Për veshjen e ihramit ka vend të caktuar dhe kohë të caktuar. Për sa i përket kohës, është e njohur qysh nga koha e Ibrahimit dhe Ismailit a.s., pra muaji Sheval, Dhul kade dhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul hixheh. në Kur'an thuhet: "Haxhi është në muajt e caktuar". (El Bekare, 197). Ndërkaq, për sa u përket vendeve, ato janë të caktuara dhe quhen Mikat; ato haxhiu nuk bën t'i kalojë pa ihram.


Ç'kërkohet prej haxhiut para dhe pas hyrjes në ihram


Para se të hyhet në ihram, është e pëlqyer prerja e thonjve. Shkurtimi i mustaqeve, prerja e flokëve ose rregullimi i tyre po ashtu janë të pëlqyera. Pastrimi apo marrja abdes, para se të hyjë në ihram, është synet i fortë. Para ihramit është e pëlqyer parfumosja e trupit, si dhe falja e dy rekateve namaz (jashtë kohëve në të cilat ndalohet namazi) - është synet. Pas hyrjes në ihram, haxhiut i ndalohen disa gjëra si: marrëdhëniet intime dhe çdo veprim tjetër që mund të sjellë në këtë akt, si puthja, ledhatimi, përqafimi dhe prekja me epsh. ndalohet marrja nëpër këmbë e çdo dispozite të Sheriatit. Edhe grindja me njerëz. Allahu i Lartësuar thotë: "Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) Haxhin në këta muaj, nuk duhet t'i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje". (El Bekare, 197). ndalohet gjuetia tokësore. në kur'an thuhet: "kurse gjahu tokësor u është ndaluar sa të jeni në ihram" (El Maide, 96). ndalohet përdorimi i parfumit në rroba ose trup. ndalohet prerja e thonjve. Mashkullit i ndalohet të veshë çfarëdo rrobe të qepur, si këmishë etj.. ndalohet mbulimi i kokës dhe i fytyrës me çfarëdo petku. Qethja ose rruarja e flokëve ose prerja e çdo qimeje të trupit, si dhe lyerja e flokëve ose e trupit me yndyra që përmbajnë erë parfumi.(3)


Qëndrimi në Arefat


Qëndrimi në Arefat është prej shtyllave të haxhit tek të gjitha medhhebet. Qëndrimi në Arefat, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, është farz. koha e qëndrimit në Arefat fillon prej kur dielli gjendet në zenit (drekë) ditën e nëntë të muajit Dhul hixheh e deri në agimin e ditës së nesërme. Ai që nuk qëndron në Arefat brenda kësaj kohe, qoftë për pak kohë dhe pavarësisht nëse qëndron në këmbë apo ulur, zgjuar a në gjumë, ai nuk e ka kryer Haxhin. ndërkaq, ai që ka dalë në Arefat që nga dreka, e ka obligim (vaxhib) të qëndrojë aty deri në perëndim të diellit, se përndryshe, nëse shkon në Muzdelife më herët, duhet të therë kurban. Gjatë qëndrimit në Arefat, është synet që haxhiu të pastrohet ose të jetë me abdes, që imami-prijësi t'i mbajë dy hytbe-ligjërata, të bashkohet namazi i drekës me të ikindisë, haxhiu të mos jetë agjërueshëm, të jetë me abdes, të bëjë dua-lutje sa më shumë që të jetë e mundur etj…


Tafavu zijare-ifada


Prej shtyllave-farzeve të Haxhit është tavafu zijare i Haxhit, që quhet edhe tavaful ifada, gjegjësisht katër rrotullimet/sjelljet e para të tij, ndërsa tri të tjerat janë vaxhib. ky tavaf kryhet pas qëndrimit në Arefat. Allahu i Madhërishëm thotë: "Dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë". (El haxhxh, 29). koha e këtij tavafi fillon prej agimit të ditës së parë të bajramit (pas Arefatit), e nëse nuk kryhet në Ejamun-nahr, nuk anulohet obligimi po gjithsesi duhet të kryhet më pastaj, sepse koha e tij është pa limit, mirëpo është kusht të kryhet në muajt e njohur të Haxhit - Sheval, Dhul kade dhe Dhul hixheh. Nëse haxhiu qëndron në Arefat dhe nuk e kryen tavaful ifada-n në muajin Dhul hixheh, tavafin duhet ta bëjë në këta muaj në vitin e ardhshëm.


Mënyra e kryerjes së këtij tavafi


Është vaxhib të fillohet nga haxherul esvedi; nëse nuk e fillon haxhiu aty, obligohet ta përsërisë tavafin edhe një herë përderisa është në Meke, e nëse kthehet dhe nuk e përsërit, duhet të therë kurban. Tavafi duhet të kryhet në atë mënyrë që haxhiut Qabeja t'i mbetet nga ana e majtë e tij. Trupi dhe rrobat e tij të jenë të pastra - është synet i fortë. veshja adekuate-mbulimi i avretit është vaxhib gjatë kryerjes së tavafit, edhe pse në esencë mbulimi i avretit është farz, mirëpo këtu me vaxhib kuptohet se, nëse haxhiu nuk mbulon avretin gjatë tavafit, Haxhi i tij nuk prishet (është i vlefshëm, por haxhiu është mëkatar), mirëpo duhet të përsëritet tavafi ose të theret kurban. Sasia e avretit, siç dihet është nëse zbulohet një e katërta e ndonjë gjymtyre - vendit të trupit e më shumë. Tavafin ta bëjë vetë duke ecur, sepse përndryshe, nëse e bart dikush pa ndonjë arsye, duhet ta përsërisë ose të therë kurban. Po ashtu nuk lejohet autorizimi i dikujt tjetër për kryerjen e tavafit pa ndonjë arsye. Pas tavafit të falë dy rekate namaz te mekami Ibrahim, është vaxhib.(4)


Vaxhibet e Haxhit vaxhibet bazë të Haxhit janë pesë:


Sa'ji-vrapimi në mes të kodrave Safa dhe Merva.


Sa'ji-vrapimi duhet të fillojë prej kodrës Safa dhe deri në kodrën Merve, që konsiderohet një sjellje, dhe kështu duhet të veprojë shtatë herë. Sa'ji duhet të kryhet patjetër pas tavafit.


Qëndrimi në Muzdelife


Muzdelifja është një vend në mes Arëfatit dhe Mines, ku haxhiu ka obligim (vaxhib) të qëndrojë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Personit të sëmurë dhe atij që është i dobët dhe që ka frikë për shëndetin nga grumbullimi i njerëzve, - i lejohet të mos qëndrojë aty. koha e qëndrimit në Muzdelife është prej agimit, ditën e Bajramit, e deri në lindje të diellit.


Hedhja e guralecëve në Mine


Guralecët së pari hidhen në ditën e parë të Bajramit të kurbanit në Xhemretul Akabe (guri i madh), kurse në dy ditët e tjera hidhen në të tri Xhemeratet. në Xhemren e parë duhet të hidhen shtatë guralecë një nga një. Koha e hedhjes në këtë Xhemre fillon prej sabahut-pas lindjes së diellit të ditës së Bajramit deri në agimin e ditës së dytë. në ditën e dytë dhe të tretë hidhen guralecët në tri Xhemeratet nga shtatë duke filluar nga i vogli tek i mesmi dhe në fund në Xhemretul Akabe. Koha e hedhjes në dy ditët e tjera fillon prej dreke dhe është mirë të hidhen para perëndimit të diellit.


Rruarja ose prerja e flokëve


Rruarja ose prerja e flokëve po ashtu është prej vaxhibeve të Haxhit. Dijetarët thonë se rruarja është më e pëlqyer për meshkuj, ndërsa gruaja duhet vetëm t'i shkurtojë flokët. Koha e rruarjes ose e prerjes së flokëve është gjatë ditëve të Bajramit, kurse vendi i tyre është haremi.


Tavaful veda


Ky është tavafi lamtumirës që është vaxhib për secilin haxhi që nuk jeton në Mekë. nëse dikush largohet nga Meka pa e kryer këtë tavaf (me përjashtim të grave që janë me menstruacion ose shtatzëna), duhet të kthehet dhe ta bëjë, sepse përndryshe duhet të therë kurban.(5)


Synetet e Haxhit


Synetet e haxhit janë: Tavaful kudumi - për ata që banojnë jashtë Mekës.
Qëndrimi dhe fjetja në Mine natën e Arefatit.
Bujtja në Muzdelife.
Shkuarja në Mine prej Muzdelifes para lindjes së diellit.
Qëndrimi në Mine gjatë gjuajtjes së guralecëve etj…


Prishja e Haxhit


Haxhi prishet për këto arsye:
1. Për shkak të mosqëndrimit në Arefat në kohën e caktuar, që u përmend më lart.
2. Për shkak të kontaktit martesor para Arefatit haxhi prishet, e haxhiu duhet t'i vazhdojë ritet e tjera, të therë një kurban dhe ta kompensojë atë në vitin e ardhshëm. kontakti martesor pas Arefatit dhe para rruarjes ose prerjes së flokëve - nuk e prish Haxhin, mirëpo haxhiu duhet të therë kurban një kafshë të trashë-deve.(6)
3. Për shkak të Ihsarit-pamundësisë. nëse haxhiu hyn në ihram dhe vendos ta kryejë Haxhin, mirëpo sëmuret ose i del ndonjë pengesë, haxhi i tij prishet dhe ai detyrohet të therë një kurban dhe ta kompensojë Haxhin vitin e ardhshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "E kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) ç't'ju vijë më lehtë prej kurbanëve". (El Bekare, 196)(7).


____________________________________________
(1) Shih:kaptinën e haxhit në Sahihun e Muslimit.
(2). Shih: kitabul fikh alel medhahib el-erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el xheziri, f.355-356, bot.1.2001, Dar ibn hazem, Bejrut. Dhe: El-fikh el Islami ve ediletuhu, prof.dr.vehbet Ez-zuhejli, f.2076-2084, bot.4.2002, Darul fikr, Dimeshk.
(3). kitabul fikh alel medhahib el-erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el-xheziri, f.360-362.
(4). Shih: kitabul fikh alel medhahib el-erbeatu, f.366-372.
(5). Shih:El-fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.vehbet Ez-zuhejli, f.2206.
(6). Po aty. f.2307 2308.
(7). Shih: kitabul fikh alel medhahib el-erbeatu, Abdurrahman bin Muhamed el-xheziri, f.377-378, dhe shih: El-fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.vehbet Ez-zuhejli, f.2353-2354.


 


Dituria Islame 279


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë