Adhurimet për nga koha dhe vendi janë të përcaktuara prej Allahu xh.sh.. Meka, vendlindja e Muhamed Mustafasë a.s., është vendi në të cilin gjendet Qabeja e bekuar, vend ky në të cilin bëhet umreja dhe pjesa qendrore e ritualit të haxhit. Pavarësisht cilin nga këto adhurime dëshironi t'i bëni, ju duhet të pajiseni me ihram. Me ihram kuptojmë nijetin me shprehje të caktuara, në vend dhe kohë të caktuar, me një veshje të veçantë për meshkujt, me qëllim të kryerjes së ritualit të haxhit apo umres.
Sikurse edhe veprimet plotësuese të adhurimeve të tjera, njashtu edhe ihrami, si kusht plotësues i haxhit apo umres, përbëhet prej kushteve, gjërave të preferuara para, gjatë dhe pas hyrjes në të.
Përgatitja për ihram
Veprat para hyrjes në ihram janë të rëndësishme, ato përgatisin besimtarin, fizikisht, psiqikisht dhe emocionalisht, që ky adhurim të jetë sa më i lehtë dhe të ndikojë edhe në gjendjen shpirtërore, individuale dhe shoqërore.
Andaj, besimtari para se të hyjë në ihram, preferohet që të shkurtojë dhe rruaj qimet e tij, të bëjë prerjen e thonjve, të pastrohet me shampon apo sapun, të lirohet nga ndikimi intim bashkëshortor nëse është i martuar, të zhvishet nga çdo rrobë(1) dhe preferohet të parfumohet etj., vepra këto të cilat janë të ndaluar pasi që haxhiu apo umrexhiu (personi që bën umren) të hyjë në ihram.
Që përkushtimin e besimtarit të mos e pengojë pjesa emocionale dhe fizike, paraprakisht preferohet të lirohet nga çdo gjë që mund të atakojë përkushtimin e tij shpirtëror. Zhveshja nga rrobat e zakonshme dhe veshja e petkut të bardhë, do të ndikojë apo stimulojë që besimtari të distancohet nga çdo gjë që e dëmton bardhësinë e shpirtit. Përmes ihramit, shfaqet varfëria, barazia dhe dorëzimi absolut para krijesave, por edhe nevoja jonë e barabartë për mëshirën e Mëshiruesit.
Hyrja në ihram
Forma e hyrjes në ihram mësohet nga definicioni i ihramit. Paraprakisht duhet që të hiqen të gjitha veshjet dhe mbathjet e zakonshme, pastaj burrat të veshim rrobën apo petkun e ihramit, i cili është një lloj çarçafi apo bezi i bardhë i përbërë nga dy pjesë të ngjashme, njëra mbulon pjesën e avretit, nga beli e poshtë dhe pjesa tjetër vendoset krahëve dhe arrin deri nën bel. Pasi që besimtari është pastruar dhe ka veshur petkun e ihramit, falë dy rekate sunet të ihramit në xhaminë apo vendin e caktuar. Në fund të dy rekateve të ihramit, i drejtuar nga kibla, pa lëvizur nga vendi, me zemrën dhe gjuhën e tij, bën nijet hyrjen në ihram, duke e potencuar ihramin për umre apo për haxhin që dëshiron ai. Fjalët apo shprehjet e hyrjes në ihram mund të jenë të ndryshme, por me rëndësi është të përfshijnë qëllimin e ihramit dhe duanë lutjen drejtuar Allahut xh.sh., që t'i pranojë dhe ndihmojë, si p.sh.: O Zot, për Madhërinë Tënde vendosa të hyjë në ihram për të bërë umre-haxh, të lutem o Zot, lehtësoje dhe pranoje nga unë!
Më pas, preferohet të lexohet shprehja, telbija madhëruese ndaj Allahut xh.sh., të cilën na e ka mësuar Muhamedi a.s.:
(Lebejk Allahume lebejk, lebejke la sherike leke lebejk. Innel Hamde ve niëmeteh leke vel Mulk la sherike lek).(2)
Kuptimi i së cilës është: Të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi, të përgjigjemi sepse Ti nuk ke ortak (shok). Pa dyshim se falënderimi, dhuntia dhe i tërë pushteti, të takon vetëm Ty, Ti nuk ke ortak!
Nga ky moment, fillon leximi i telbijes, e cila për ihramin e umres përfundon me fillimin e tavafit, ndërsa për ihramin e haxhit përfundon me fillimin e gjuajtjes së guralecëve të parë.(3) Pas telbijes, që është dëshmi e njëshmërisë dhe madhërimit të Zotit xh.sh., preferohet thënia e salavateve për Pejgamberin, Muhamed Mustafanë a.s., dhe të luteni çfarëdo që dëshironi, për vete, familjen dhe besimtarët, kështu vepronin dhe shtonin lutjet e tyre shokët e Muhamedit a.s..(4)
Normat juridike islame që ndërlidhen me ihramin
Normat juridike të çdo vepre, ashtu edhe të ihramit, janë të ndryshme, kategorizohen në shkallë të ndryshme, filluar nga ato pa të cilat nuk konsiderohet fare vepra, që ne i quajmë farze, e në ihram farzi i vetëm është nijeti i ihramit, i cili plotësohet me shprehjen e caktuar.
Pastaj pasojnë, vaxhibet, të cilat ndërlidhen me thelbin e veprës. Vepra pranohet pa vaxhibe, por shpërblimi i saj është i mangët, rrjedhimisht edhe ndikimi i asaj vepre në jetën e besimtarit do të jetë i cunguar. Sunetet i plotësojnë vaxhibet, respektivisht, plotësojnë jetësimin dhe shpërblimin e veprës. Ndërsa mekruhet janë e kundërta e suneteve. Mustehabet perfeksionojnë veprën, ato ndikojnë në absorbimin e tërë shpërblimit të veprës, njëkohësisht pamundësojnë dëmtimin e saj. Ndërsa, mubahatet janë gjëra që lejohen të veprohen, veprimi apo largimi nga ato, nuk dëmton dhe as nuk e shpërblen më shumë vepruesin e tyre. Andaj normat juridike që ndërlidhen me ihramin janë:
Farzi i ihramit, që është nijeti, i cili plotësohet me shprehjen e caktuar e cila përcakton qëllimin e ihramit.
Vaxhibet e ihramit
Të jetë nga mikatet - vendveshjet e ihramit, vende këto të cilat nuk lejohen të kalohen pa ihram, për të gjithë ata që synojnë Mekën. Në rast të kalimit të këtyre stacioneve, të cilat janë kufiri apo mundësia e fundit e pranuar për veshjen e ihramit, duhet të kthehemi dhe të pajisemi me ihram.
Kufijtë në të cilët nuk lejohet të kalohen pa ihram, na i ka treguar Muhamedi a.s.,(5) e të cilët janë:
Dhul Hilejfeh, nga drejtimi i Medinës, 450 km larg Mekës,
El Xhuhfetu, nga drejtimi i Shamit, 183 km larg Mekës,
Karnul Menazil, nga drejtimi i Nexhdit, 75 km larg Mekës,
Jelemlem, nga drejtimi i Jemenit, 92 km larg Mekës,
Dhate Irk, nga drejtimi i Irakut, 94 km larg Mekës,(6)
Distancimi nga gjërat të cilat nuk duhet të veprohen gjatë të qenët në ihram:
Ndalohet në ihram intimiteti bashkëshortor, dhe çdo vepër apo fjalë e cila konsiderohet si parapërgatitje intime,
Veshja e ihramit pas kalimit të mikateve-vendveshjeve,
Shkulja e qimeve, pavarësisht formës së eliminimit, përmes shkurtimit, rruajtjes, nxjerrjes etj.,
Veshja apo mbathjet në formën e zakonshme të veshjes. Ndërsa hedhja e batanijeve, pëlhurave apo rrobave mbi trup, duke mos i veshur si zakonisht, p.sh.: duke mos i vendosur duart në mangët e setrës, por duke e hedhur atë mbi krah, një gjë e tillë lejohet, sepse kjo është bartje apo mbulim dhe jo veshje.(7)
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Mos vishni këmisha, çallma, pantallona, kapela, meste, përveç nëse nuk gjeni shapka, le të mbathë këpucët apo meste, mirëpo t'i pres ato deri poshtë kyçeve të këmbëve dhe mos vishni rroba që janë parfumosura me zafran dhe as me parfume me ngjyrë."(8)
Ndalohet mbulimi i fytyrës dhe kokës,
Ndalimi i çdo parfumosje.
Gjithashtu ndalohet lyerja e panevojshme me vajra apo kremra pas hyrjes në ihram, Gjuajtja e gjahut të tokës, dhe çdo ndihmë që i ofrohet gjahtarit për gjah,
Prerja e pemëve të Haremit, shkulja e tyre etj..(9)
Sunetet e ihramit
Sunetet e ihramit sigurojnë dhe plotësojnë veprën. Lënia e suneteve pa arsye është e papëlqyer, por nëse lënia e tyre ndodh për ndonjë arsye, nuk konsiderohet fare që ka ndodhur ndonjë lëshim. Prej gjërave që preferohen, që janë sunet veprimet e tyre në ihram do të veçojmë:
Preferohet që haxhilerët të hyjnë në ihram gjatë muajve të haxhit, respektivisht, prej ditës së Fitër Bajramit.
Veshja e ihramit nga vendlindja, nëse vendi i lindjes është përtej vendveshjes - mikateve.
Gusli apo larja e tërë trupit para veshjes së ihramit.
Veshja e rrobës së ihramit të përbëhet nga dy pjesë për burrat, ndërsa gratë veshin rrobat e zakonshme,
Parfumosja dhe lyerja me aroma para veshjes së ihramit, mirëpo duke mos mbetur shenjat e parfumit apo vajit gjatë të qëndruarit në ihram ose që ndikimi i tyre të jetë i pa theksuar.
Falja e dy rekateve namaz nafile të ihramit.
Vazhdueshmëria e këndimit të telbijeve të transmetuara në hadithe, cilado që këndohet, preferohet që të përsëritet tri herë, burrat të këndojnë telbijet me zë të lart, ndërsa gratë nuk e ngrenë zërin.(10)
Mekruhet e ihramit
Mekruhatet e lehta të ihramit, konsiderohen ato vepra të cilat nuk preferohen të bëhen gjatë të qenët në ihram. Mekruhet e dëmtojnë nivelin e shpërblimit të ihramit, nëse bëhen qëllimisht, por nuk e obligojnë therjen e kurbanit, dhe as nuk kërkohet ndonjë shpagim material si kompensim i lëshimeve të tilla. Ndër mekruhatet e ihramit veçojmë:
Mos praktikimi i suneteve, lënia e suneteve qëllimisht është e papëlqyer, mekruh,
Eliminimi i papastërtive pas veshjes së ihramit, pastërtive të cilat nuk ndikojnë në saktësinë e adhurimeve,
Larja e kokës, mjekrës dhe trupit me shampon apo sapun pa nevojë, edhe nëse janë pa aromë,
Krehja e flokëve, pasi që gjatë krehjes është shumë evidente këputja apo shkulja flokëve,
Kruarja e flokëve dhe trupit me forcë, si rezultat i së cilës mund të ketë këputje të qimeve,
Veshja e ihramit të parfumosur, ndikimi apo shfaqja e të cilit parfum vazhdon edhe pas hyrjes në ihram,
Mbulimi i mjekrës, hundës dhe fytyrës në forma të ndryshme.(11)
Mustehabet e ihramit
Mustehabet, janë ato vepra të cilat janë të dëshiruara veprimi i tyre. Lëshimi i mustehabeve nuk shkakton pasojë në mangësi të adhurimit. Mustehabatet apo veprat e pëlqyera gjatë ihramit janë shumë, do të veçojmë disa prej tyre:
Eliminimi i papastërtisë para pastrimit të tërë trupit, si p. sh. pastrimi i papastërtive nën thonj,
Veshja e ihramit të përbërë prej dy pjesëve të reja dhe të bardha, ose të paktën të lara mirë,
Bërja nijet për guslin e ihramit, gusli është sunet, ndërsa nijeti për gusël është mustehab,
Mbathja e çapkave, me kusht që të mos mbulojnë ashtin e shputës së këmbës,
Bërja nijet për hyrjen në ihramin e haxhit apo umres, menjëherë pas kryerjes së namazit të ihramit.
Mubahatet e ihramit
Mubahate janë të gjitha veprat të cilat nuk preferohen të lihen dhe as të veprohen gjatë të qenët në ihram, si p.sh.:
Larja me ujë të natyrshëm, por edhe me sapun që nuk ka aromë, me qëllim të eliminimit të pluhurit apo freskisë,
Larja e rrobës së ihramit për të pastruar nga ndyrësirat,
Veshja e unazës, orës, syzave etj.,
Përdorja e rripit për të vendosur në bel, me qëllim të sigurimit të ihramit,
Qëndrimi nën hije, pavarësisht a është hija nga objekti, tenda, çadra etj., me kusht që ajo të mos e prek kokën.
Lyerja e plagëve të trupit.
Shitja apo blerja e produkteve të ndryshme, lejohet lidhja e çdo kontratë.(12)
Shpagimet e gabimeve në ihram
Kur njeriu hynë në ihram, përkushtohet në pjesën shpirtërore, zhvishet nga çdo gjë materiale dhe shpenzon nga pasuria e tij. Pasi që vishet me petkun e devotshmërisë, e dorëzon vetën dhe pasurinë e tij, zotohet që do të jetë qytetar paqësor.
Butësia dhe mirësia e tij do të sigurojë jetën, krenarinë dhe gjendjen e çdo njeriu, por edhe ekzistencën e çdo kafshe dhe bime. Megjithatë, njeriu prapë mund të gaboj, andaj, Allahu xh.sh. ka mundësuar përmirësimin e gabimit. Kështu që, nëse gjatë ihramit bëhen këto gabime duhet që në proporcion me nivelin e tyre të jetë edhe shpagimi.
Tejkalimi i vendveshjeve pa hyrë në ihram, duhet të kthehemi në vendin përkatës, përndryshe kërkohet therja e një kurbani, (dele apo dhi),(13)
Nëse gjatë të qenit në ihram prehen apo rruhen rreth ¼ ose më shumë e flokëve obligohet me therje të kurbanit. Ndërsa sasia e rruajtjes apo prerjes së flokëve është më pak se ¼ dhurohet sadakë - lëmoshë, objektiva e vlerës të së cilës është sa ushqimi i një njeriu të varfër,
Nëse prehen pesë thonjtë, obligohet therja e kurbanit të vogël,
Veshja e rrobave të rëndomta, në interval kohor, për një ditë apo natë të plotë, e të cilat rroba janë të qepura për gjymtyrë të trupit, duhet të prehet kurban, nëse ato vishen dhe nuk qëndrojnë gjatë, atëherë dhurohet sadaka,(14)
Parfumosja e trupit, apo një gjymtyre, me parfume, kremra dhe vajra që nuk përdoren për shërim, obligojnë prerjen e kurbanit,
Gjatë ihramit ndalohet çdo lloj aktiviteti apo edhe shqetësimi të gjahut, pavarësisht a është prej kafshëve apo shpezëve. Shpagimi për mbytjen apo lëndimin e gjahut gjatë ihramit është në proporcion me vlerën e tij apo të lëndimit që i është shkaktuar gjahut. Nëse gjahu ka qenë pronë e ndokujt, pronarit i kompensohet vlera e gjahut, dhe njëkohësisht, edhe jepet sadaka vlera e gjahut, kjo pasi që është vrarë apo lënduar pabesisht në vendin e besës dhe paqes. Andaj, ai gjah paguhet dy herë.(15)
Lirimi nga ihrami i haxhit
Varësisht prej adhurimit dhe fazës në të cilën gjendemi, kemi dy lloj lirimesh nga ihrami:
Lirimi i vogël, nëse haxhiu vepron të paktën dy nga këto vepra, gjuan guralecët në ditën e parë, therë kurbanin ose rruan apo shkurton flokët, lirohet nga të gjitha ndalesat e ihramit, me përjashtim të intimitetit bashkëshortor.
Lirimi i plotë nga ihrami. Realizohet kur haxhiu kryen veprat e lartcekura dhe tavafin e haxhit, Ez Zijarah.(16)
___________________________________________________
1 Ebu el Haxh, prof, dr. Sallah, El Minhaxh el Vexhiz fi Fikh ez Zekah ve el Haxh, (Jordan, Amman, Dar el Faruk, 2016), f. 97, 98.
2 Imam Buhariu, Muhamed bin Ismail, Sahihun i Buhariut, recensent Muhamed Zuhejr bin Nasir en Nasir, (Turuk en Nexhah, 1422 h.) nr. 1549, vëll. 2, f. 831.
3 Esh Shejbani, Muhamed ibën el Hasen, El Asel, el Maruf bi el Mebsut, recensoi: Ebu el Vefa el Afgani, (Pakistan, Keratshi, Idaratu el Kuran Vel Ulum el Islamije), 2/367.
4 Imam Muslimi bin el Haxhaxhi, Ebu el Hasan el Kushejri, Sahihu i Muslimit, recensent Muhamed Fuad Abdulbaki, (Liban, Bejrut, Ihjau et Turath, 1954), nr. 1184, vëll. 2, f. 148.
5 Sahih Muslim, nr. 1183, 2/841.
6 Musallari, Rushit, Fikhu Praktik, (Shqipëri, Tiranë, bot. Shoqata kulturore "Ardhmëria", 2016) f.516.
7 El Musilij, Abdullah bin Mahmud, El Ihtijar et Talil el Muhtar, recensoi: shejh Shuajb Arranauti dhe Abdulatif Hirzallah, (Bejrut, Dar err Rrisale el Alemijeh, 2009), 1/449.
8 Sahih Muslim, nr.1177, 2/834. 9 Ebu el Haxh, El Minhaxh el Vexhiz fi Fikh ez Zekah ve el Haxh, 106 108.
10 Burimi paraprak, 101-102.
11 Ebu el Haxh, El Minhaxh el Vexhiz fi Fikh ez Zekah ve el Haxh, 108 109.
12 Burimi paraprak, 103-104.
13 Ibën Mazah, Burhanudin Mahmud, El Muhit el Burhani fi el Fikhi en Numani, Fikh el Imam Ebu Hanifeh r.a., recensoi: Abdulkerim Sami el Xhundij, (Liban, Bejrut, Dar el Kutub el Ilmijeh, 2004), 2/436.
14 El Musilij, El Ihtijar et Talil Eel Muhtar, 1/502.
15 Arifi dhe Maqedonci, Driton dhe Ekrem, Fikhu 2, (Prishtinë, Printing Press, 2020) f.160, 163.
16 El Xhesas, Ahmed bin Alij, Sherh Muhtesar et Tahavij, (Bejrut, Dar el Beshair el Islamijeh dhe Dar es Seraxh, 2010), 2/537.
Dituria Islame 403