Hyrje
Në fund të leximit të Fatihasë mund të shqiptohet fjala "amin", e cila nga aspekti juridik nuk ka ndonjë peshë të theksuar, së paku jo aq shumë sa është folur në këto dy dekada në vendin tonë. Të gjithë jemi dëshmitarë se pas luftës së vitit 1999 lëvizjet e ndryshme në vend bënin thirrje nga më të ndryshmet, që sulmonin mënyrën e faljes tradicionale konform medhhebit hanefi, duke shkuar deri në skajin më banal të mundshëm, të parashtrimit të pyetjeve se a lejohet falja pas imamit hanefi? Në mesin e atyre kundërshtimeve që bëheshin haptazi, dhe që po vazhdojnë të bëhen, është edhe çështja e njohur e Aminit, e cila nuk luan ndonjë rol të madh në namaz, sepse nuk është nga pjesët përbërëse të namazit e as nga obligimet detyruese të tij. Madje, namazi edhe pa të është i plotë dhe juridikisht i pranuar. Krijimi i një zhurme të panevojshme nëpër xhamitë e vendit tonë nga disa të rinj ka qenë hap i pamatur, tejet i ngutshëm, fetarisht i paarsyeshëm dhe që ka krijuar ndarje e përçarje mes besimtarëve, me theks të veçantë mes gjeneratave të vjetra dhe atyre të reja.
Shqiptimi i Aminit dhe norma e tij
Se thënia "amin" në fund të Fatihasë nuk ka ndonjë peshë të madhe dhe nuk është e domosdoshme ka shtyrë një pjesë të dijetarëve që të deklarohen se namazfalësi nuk duhet ta thotë atë fare, pa marrë para sysh a është imam apo xhemat që falet pas imamit. Madje, edhe në shkollën hanefite ka mendimtarë e dijetarë që kanë një mendim të tillë. Ndonëse, mendimi zyrtar brenda shkollës hanefite parasheh shqiptimin e Aminit në fund të Fatihasë, si nga imami, ashtu edhe nga xhemati, si dhe nga ai që falet vetëm.(1) Maliku parasheh që shqiptimi i fjalës "amin" të bëhet vetëm nga xhemati, e jo nga imami e as nga ai që falet vetëm, ndërsa sipas një opinioni tjetër ai parasheh që fjala "amin" duhet të bëhet edhe nga imami, por në hesht je. Sa i përket normës apo dispozitës që ka Amini në namaz, dihet mirë se shqiptimi i tij në fund të Fatihasë është sunet.
Amini shqiptohet pa zë (në heshtje)
Në shkollën juridike hanefite shqiptimi i fjalës "amin" në fund të Fatihasë bëhet në heshtje, e jo me zë. Këtë e potencon edhe nxënësi i Ebu Hanifes, Muhamedi, i cili në librin e tij "El-Asl", thotë: "...pasi të përfundojë nga leximi i Fatihasë (imami) thotë: "Amin", e po ashtu edhe ata që falen pas tij (xhemati). Të gjithë (ima mi e xhemati) e thonë dhe e fshehin atë (fjalën amin)."(2) Shqiptimi i Aminit bëhet në vetvete, aq sa dëgjohet vetja, por jo me zë të lartë, për arsye se shqiptimi i Aminit është lutje, e lutjet bëhen në vete.(3)
Fshehja apo leximi pa zë i Aminit brenda namazit është në kuadër të disa gjërave që shqiptohen në vete dhe jo me zë të lartë, siç është Istiadheja, Besmeleja, Ami ni, Teshehudi dhe fjalët "Rabbena ve leke-l hamd". Ebu Jusufi, në librin e tij "El-Athar", transmeton opinionin e Ibrahim Nehaiut, i cili thotë: "Katër gjëra i fsheh imami: Istiadhen, Besmelen, Subhaneken dhe Aminin."(4)
Sipas transmetimeve këto që na përcillen nga sahabë të njohur, si Abdullah bin Mesudi, Omeri e Aliu r.a., duhet shqiptuar në heshtje, aq sa e dëgjon vetveten, por jo me zë të lartë.(5)
Sipas hanefinjve dhe disa dijetarëve të tjerë Amini duhet të shqiptohet pa zë dhe në heshtje, e këtë me dim e ka edhe Maliku(6) dhe shumica e pasuesve të tij, i cili krahas haditheve në këtë çështje merr për bazë edhe traditën e banorëve të Medinës.
Leximi i Aminit
Hadithet që transmetohen rreth Aminit pas mbarimit të Fatihasë janë shumë, dhe është e pamundur të paraqiten të gjithë këtu. Megjithatë, ne këtu do t'i paraqesim disa prej tyre, që flasin për këtë tematikë, duke filluar nga hadithi i Ebu Hurejres:
"Na ka treguar Abdullah bin Jusufi, dhe thotë: "Na ka treguar Maliku, nga Ibën Shihabi, e ky nga Seid bin El Musejebi dhe nga Ebu Selemeh bin Abdurrahmani, të cilët tregojnë nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Alla hut kishte thënë: "Kur imami të thotë: "Amin", thoni edhe ju ashtu, ngase nëse Amini i tij përputhet me të engjëjve, i falen mëkatet e tij të kaluara."(7)
Shprehja "idha emmenel imamu", e ardhur në këtë hadith dhe në shumicën e haditheve të kësaj tematike, në përkthim të lirë dhe në kuptim parësor mund të përkthehet si: "kur të thotë imami "amin". Mirëpo, sipas dijetarëve shprehja ka edhe këtë kuptim: "kur të arrijë deri te pjesa e Aminit (gajril magdubi alejhim ve led-dal-lin). Në këtë kontekst shprehja "ahreme" ka për qëllim arritjen në vendin e shenjtë (Qabe). Këtë kuptim e ka edhe ky tekst: "Kur imami të thotë: "Ga jril magdubi alejhim ve led-dal-lin", ju thoni: "Amin", dhe vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet bashkimi i këtyre dy haditheve."(8)
Nxënësi i Ebu Hanifes, Muhamedi, në transmetimin që i bën librit të Malikut "Muveta"-së, pasi sjell had ithin e lartshënuar, thotë: "Kërkohet që pasi imami ta mbarojë leximin e Fatihasë të thotë "amin", e gjithashtu edhe ata që falen pas tij të thonë "amin", dhe asnjëri prej tyre të mos e thotë me zë të lartë. Ndonëse Ebu Hanife thotë: "Ata që falen pas imamit të thonë "amin", por jo edhe imami."(9)
Gjithashtu nga Ebu Hurejre përcillet hadithi tjetër në këtë çështje, i cili është në koleksionin e Buhariut: "Na ka treguar Abdullah bin Meslemeh, nga Maliku, e ky nga Sumejji, e ky nga Ebu Bekri, e ky nga Ebu Salih Es Semani, e ky nga Ebu Hurejre, se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Kur imami të thotë: "Gajril magdubi alejhim ve led-dal-lin", ju thoni: "Amin", sepse atij që i përputhet fjala e tij (Amini) me thënien e engjëjve, do t'i falen mëkatet e kaluara."(10)
Ky hadith i transmetuar nga Ebu Hurejre ka shtyrë shumë dijetarë të potencojnë se imami nuk thotë "amin", por vetëm xhemati që falet pas tij, sepse hadithi i Ebu Hurejres sinjalizon për një gjë të tillë.(11)
Amini shqiptohet aq sa e dëgjon vetveten
Çështja e Aminit ka krijuar debate të mëdha mes dijetarëve të ndryshëm, e sidomos se a duhet të shqipto het me zë të ulët apo të lartë. Shkak i debatit është edhe hadithi i transmetuar nga Vail bin Huxhri, që në rrugën e transmetimit që përcillet nga Shubeh përmendet se Amini në fund të Fatihasë është bërë pa zë, ndërsa në rrugën e transmetimit që përcillet nga Thevriu përmendet se është bërë me zë të lartë. Pra kemi dy kolosët më të mëdhenj të shkencës së Hadithit, që transmetojnë ndryshe nga njëri-tjetri, dhe si rrjedhojë kemi një grup dijetarësh, gjegjësisht edhe dy shkolla juridike, - hane fite dhe malikite, që mendojnë se Amini shqiptohet pa zë, pra në heshtje, përderisa kemi një grup dijetarësh tjerë dhe dy shkollat tjera, - shafiite dhe hanbelite, që mendojnë se Amini duhet të bëhet me zë të lartë.
Pa u lëshuar në debat po sjellim hadithin e Vailit, rreth të cilit është krijuar një debat i madh: "Na ka treguar Jahja bin Muhamed bin Said, na ka treguar Ebu-l Eshath, na ka treguar Jezid bin Zureji, nga Sele meh bin Kuhejl, e ky nga Huxhr Ebi-l Anbes, e ky nga Alkameh, e ky nga Vaili, e ky nga Vail bin Huxhri, i cili thotë: "Jam falur me të Dërguarin e Allahut, e unë e dëgjova atë kur thoshte: "Gajril magdubi alejhim ve led-dal-lin", thoshte edhe: "Amin", dhe fshihte zërin e tij (e tha në heshtje)..." Edhe Shubeh tha njësoj: "Dhe fshehu zërin e tij."(12)
I njëjti hadith i transmetuar nga Vaili, por që përcillet nga Thevriu, përmend se Amini është bërë me zë të lartë. Hadithi është në koleksionin e Ebu Davudit: "Na ka treguar Muhamed bin Kethiri, na ka treguar Sufjani nga Selemeh, e ky nga Huxhr Ebi-l Anbes El Hadremij, e ky nga Vail bin Huxhri, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut, kur lexonte "Gajril magdubi alejhim ve led-dal lin", thoshte: "Amin", dhe e ngrinte zërin e tij."(13)
Në mesin e zinxhirit transmetues është edhe (Mu hamed bin) Selemeh, që Sufjani përcjell prej tij, siç është rasti në këtë hadith, ndonëse Muhamed bin Selemeh është i dobët.(14)
Kam shqyrtuar edhe hadithet që flasin për Aminin me zë, e megjithatë shumë nga ata janë të dobët, madje disa që edhe janë popullarizuar. Sa për ilustrim po sjellim vetëm dy prej tyre. I pari është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, që është në koleksionin e Ibën Maxhes dhe Ebu Davudit: "Na ka treguar Muhamed bin Beshar, na ka treguar Safvan bin Isa, na ka treguar Bishër bin Rafi, nga Ebu Abdullah bin Ami, e ky nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "I Dërguari i Allahut, kur thoshte: "Gajri-l magdubi alejhim ve le-d dal-lin, - thoshte: "Amin", derisa zërin e tij e dëgjonin i tërë safi (rendi) i parë, e nga ai zë ushtonte xhamia." (Ibën Maxheh në Sunen, nr. 853; Ebu Davudi në Sunen, nr. 934). Senedi i këtij hadithi është i dobët, për shkak të Bishër bin Rafit, i cili është i dobët në hadith. Bishër bin Rafin e konsiderojnë të dobët Buhariu, Tirmidhiu, Ne saiu, Ahmedi, Ibën Meini dhe Ibën Hibani. Ky hadith, përveç atij transmetuesi, ka edhe një tjetër problema tikë, sepse në vargun e transmetuesve është edhe Ebu Abdullahu, i cili në shkencën e Hadithit cilësohet si i panjohur, ngase nuk dihet asgjë për gjendjen e tij. Ky hadith transmetohet edhe përmes rrugëve të tjera të transmetimit, si nga Ishak bin Ibrahim bin El Ala Ez Zubejdi, (Ibën Hibani në Sunen, nr. 1806), mirëpo edhe ky person nuk është i pranuar nga hadithologët, për shkak të gabimeve të tij. (Zejleiu, Nasbu-rr Rrajeh, v. I, f. 496-497). I dyti hadith është ai që e transmeton Taber ani, në Muxhemu-l Kebir, dhe Ishak bin Rahevejh në Musnedin e tij: "Na ka treguar En Nadru bin Shumejl, nga Harun El Aver, e ky nga Ismail bin Muslimi, ky nga Ebu Ishaku, ky nga Ibën Umi-l Husajn, e ky nga nëna e tij, e cila ishte falur pas të Dërguarit të Allahut dhe e kishte dëgjuar atë duke thënë: "Maliki jevmu-d din", e kur ai lexoi "ve le-d dal-lin", tha: "Amin", e ajo e dëgjoi atë ndonëse ishte në safin (rendin) e grave." (Ishak bin Rahevejh në Musned, nr. 2396). Hadithi është i dobët, për shkak se në vargun e transmetuesve është Ismail bin Muslimi.
Sidoqoftë, të dy variantet janë të njohur për mys limanët, dhe në bazë të tyre edhe veprohet. Ajo që duhet theksuar këtu është fakti se sahabët e hershëm si Abdullah bin Mesudi, Aliu dhe Omeri mendonin se Amini shqiptohet në heshtje, përderisa sahabët e mëv onshëm si Ebu Hurejre dhe Vail bin Huxhri mendonin se ai shqiptohet me zë të lartë. Ulemaja e shkollës hanefite janë të mendimit se hadithet që sinjalizojnë për shqiptimin e me zë të lartë kanë qenë për informimin (mësimin) e masës, e kjo është bërë në fillim, përderisa çështjet ende nuk ishin stabilizuar, e kur u stabilizuan u urdhërua që të lexohet në heshtje.(15)
Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre, e që është në Sunenin e Nesaiut, që e cituam edhe më sipër, thuhet: "Na ka informuar Ismail bin Mesudi, dhe thotë: "Na ka treguar Jezid bin Zureji, dhe thotë: "Më ka treguar Mameri, nga Zuhriu, e ky nga Seid bin Muse jebi, e ky nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "Ka thënë i Dër guari i Allahut: "Kur të thotë imami: "Gajril magdubi alejhim ve led-dal-lin", ju thoni: "Amin", - sepse edhe engjët thonë: "Amin", - e gjithashtu edhe imami thotë: "Amin", ngase atij që i përputhet fjala e tij (amini) me thënien e engjëjve, do t'i falen mëkatet e kaluara."(16)
Tehaneviu, por edhe Serahsiu, në lidhje me këtë hadith janë të mendimit se sinjalizon qartë se imami e thotë Aminin pa zë, përndryshe nuk do ta përmendte veprimin e imamit të thotë "amin". Gjithashtu fjala: "Kur të thotë imami: "Gajril magdubi alejhim ve led dal-lin", është sinjalizim se ai që falet pas imamit nuk e lexon fare Fatihanë, përndryshe i Dërguari i Allahut do të thoshte: "Kur çdonjëri nga ju..."(17)
Amini nuk është pjesë e Kur'anit
Duhet theksuar se Amini, me konsensus të dijetarëve, nuk është pjesë e Kuranit, dhe nuk lejohet të shkruhet në Kuran (mushafe). Pra, edhe kërkohet që leximi i tij të jetë ndryshe nga leximi i Kuranit.(18)
Amini është lutje
Duhet përmendur se Amini është lutje, dhe se lutjet zakonisht bëhen në vetvete. Në "Enciklopedinë e Fikhut" rreth Aminit thuhet: "Amini është lutje (dua), ngase ai që e thotë atë kërkon nga Allahu që t'i përgjigjet lutjes."(19)
Samerkandi, në lidhje me këtë, thotë: "E vërteta është ajo që kemi thënë ne, se ai (Amini) është pjesë e duasë, dhe se baza në dua është thënia e saj në vetvete, pa zë."(20) Për këtë i Madhërishmi në Kuranin famëlartë thotë: "Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje...!"(El Araf, 55) Gjithashtu thotë: "Ti përmende Zotin tënd në vetvete (heshtas), me respekt e me drojë, jo me shprehje të larta...!" (El Araf, 205)
Kashmiri, pasi që e trajton këtë tematikë dhe sjell argumentet se lutja bëhet në vete, më pas thotë: "Ky është suneti i lutjes (duasë), të cilin e kemi mësuar nga Kura ni, e po të dinim ndonjë hadith, qoftë edhe merfu, apo ndonjë urdhër që i ka urdhëruar të tjerët të thonë me zë (amin), apo të ketë vazhduar ashtu, atëherë sigurisht se ne do ta merrnim një gjë të tillë si sunet, ngase do ta favorizonim argumentin e veçuar (po të kishte ndonjë hadith) ndaj argumenteve të përgjithshme (të Kuranit). Mirëpo, përderisa neve nuk na ka ardhur asgjë, madje as nga hadithet merfu..., atëherë punuam me argumentet e përgjithshme që kanë ardhur në lidhje me të."
Mesazh për fund
Kashmiri, në shpjegimin që i bën Sahihut të Buhariut, pasi që e trajton tematikën e Aminit, shprehet: "Nga ajo që kam vërejtur unë, është vërtetuar se i Dërguari i Allahut e ka shqiptuar me zë (Aminin), mirëpo jo si metodë të sunetit, por si metodë informimi (lit-ta'lim)... Gjithashtu shumica e selefëve (gjeneratave të para) e thoshin atë (Aminin) pa zë. Kështu thuhet në "El Xhevheru-n Nekij", ku përcillet opinioni i Ibën Xher ir Et Taberiut, që thotë: "Shqiptimi me zë (i Aminit) është i lejuar, ndërsa pa zë (në heshtje) është sunet."(21) Turkmani, në librin e tij madhështor "El Xhevheru-n Nekij", thotë: "...Omeri dhe Aliu nuk e shqiptonin me zë as Besmelen e as Aminin, e Taberiu në këtë çështje ka transmetuar se Abdullah bin Mesudi, Nehaiu, Shabiu dhe Ibrahim Tejmij e lexonin në vete (heshtas), ndonëse e vërteta është se, si shqiptimi me zë ashtu edhe shqiptimi në vete janë transmetime autentike, dhe ashtu kanë vepruar grupe dijetarësh. E nëse dëshiron të përzgjedhësh, atëherë ule zërin (gjatë shqiptimit të fjalës amin), sepse shumica e sahabëve dhe tabiinjve kanë vepruar ashtu."(22) (Vijon)
______________________________________________________
(1) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha. Bot. II-të, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, Bejrut-Liban, 1414-1994, v. I, f. 132.
(2) Muhamed bin El Hasen Esh Shejbani, Kitabu-l Asl (i njohur si El-Mebsut), me koment dhe recenzurë nga Ebu-l Vefa El Afgani, bot. I-rë, 1401-1981, Daru-l Mearif En Numanijetu, Lahore-Pakistan, v. I, f. 11.
(3) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, I, f. 132.
(4) Ebu Jusuf, Kitabu-l Athar, f. 21-22.
(5) Shenkiti, Kevtheru-l Meani-d Derarij fi keshfi Habaja Sahih el-Buhari, bot. I-rë, Muesesetu-rr Rrisaleh, Be jrut-Liban, 1415-1995, v. IX, f. 246.
(6) Maliku, sipas transmetimit të nxënësve të tij medinas, është i mendimit se Amini shqiptohet nga imami, por pa zë, pra në heshtje, kurse sipas transmetimit të nxënësve egjiptianë të Malikut, imami nuk e shqipton fare Aminin. Shih: Ebu Bekër bin El Arebij El Malikij, El-Mesaliku fi Sherh Muvetta Malik, bot. I-rë, Daru-l garbi-l Islamij, 1428-2007, v. II, f. 381. Ibën El Kasim përcjell mendimin e Malikut, se Amini bëhet nga xhemati e jo nga imami: Ibën El Mulekin Siraxhu din Ebu Hafs Omer bin Alij bin Ahmed, Et Tevdihu Lisherhi-l Xhamii-s Sahih, bot. I-rë, Daru-n Nevadir, Damask-Siri, 1429 2008, v. VII, f. 131.
(7) Buhariu në Sahih, nr. 780; Muslimi në Sahih, nr. 72 (410); Tirmidhiu në Sunen, nr. 250, thotë se hadithi është autentik; Ebu Davudi në Sunen, nr. 936; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 1583. Hadithi në fjalë është në gjashtë koleksionet e njohura të hadithit, dhe është autentik.
(8) Ebu Bekër bin El Arebij El Malikij, El Mesaliku fi Sherh Muvetta Malik, bot. I-rë, daru-l garbi-l Islamij, 1428-2007, v. II, f. 381.
(9) Malik bin Enes, Muvetta Malik birivajeti Muhamed bin El Hasen Esh Shejbani, me shpjegim dhe koment nga AbdulVehab Abduletif, bot. II-të, El Mektebetu-l ilmijeh, f. 65.
(10) Buhariu në Sahih, nr. 782; Ebu Davudi në Sunen, nr. 935; Albani në verifikimin e haditheve të Sunenit të Ebu Davudit, për hadithin në fjalë thotë se është autentik; Nesaiu në Sunen, nr. 929 etj.
(11) Për këtë çështje më tepër shih te: Ibën El Mulekkin Siraxhudin Ebu Hafs Omer bin Alij bin Ahmed, Et Tevdihu Lisherhi-l Xhamii-s Sahih, bot. I-rë, Daru-n Nevadir, Damask-Siri, 1429-2008, v. VII, f. 125.
(12) Darekutni në Sunen, nr. 1270; Taberani në Muxhemu-l Kebir, nr. 110; Ahmedi në Musned, nr. 18854. Verifikuesi dhe recensenti i haditheve të Musnedit të Ahmedit, Shuajb El Arnaut me grupin e tij, janë të mendimit se hadithi është i vërtetë, pa shtesën: "...dhe fshehu zërin e tij." E më pas thotë: "E, këtu ka gabuar Shubeh". Buhariu në këtë kontekst ka thënë: "Ka gabuar Shubeh në disa vende në këtë hadith; ai (Shubeh) në transmetimin e senedit të hadithit tha: "nga Huxhr Ebi-l Anbes", e duhet të jetë: "Huxhr bin Anbes. Po ashtu ai tha: "Nga Alkameh...", e duhet të jetë: "Nga Huxhr bin Anbes, ky nga Vail bin Huxhri..." Ndonëse ajo që thotë Buhariu te pika e fundit është diskutabile, ngase Shubeh nuk ka gabuar por është i sigurt se ashtu duhet të jetë; njëherit kjo është diskutabile mes dy hadithologëve më të mëdhenj të umetit islam, Shubes dhe Thevriut. Shubeh mendon se Huxhri transmeton nga Alkameh bin Vail, e ky nga babai i tij, përderisa Thevriu mendon se Huxhri transmeton nga Vaili. Njëherit mospajtueshmëria mes tyre në raport me senedin e hadithit reflekton edhe në metnin e hadithit, sepse, transmetimi i Thevriut sinjalizon Aminin me zë, përderisa i Shubes pa zë, dhe një pjesë bukur e madhe e dijetarëve favorizojnë transmetimin e Thevriut, dhe mendojnë se është më i saktë sesa transmetimi i Shubes. Zoti e di më së miri. Ahmed bin Muhamed bin Hanbel, Musnedu-l Imam Ahmed bin Hanbel, me recenzurë nga Shuajb El Arnauti, Adil Murshidi dhe të tjerët, bot. I-rë, Muesesetu-rr Rrisaleh, Bejrut-Liban, 1421-2001, v. XXXI, f. 146-147. Për hadithin në fjalë Hakimi thotë se është autentik, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit, ndonëse ata dy nuk e kanë nxjerrë këtë hadith, e me këtë vlerësim është pajtuar edhe Dhehebiu. Bedrudin El Ajniu, në komentin që i bën Sunenit të Ebu Davudit, në lidhje me këtë hadith shprehet: "Mjafton për këtë hadith vlerësimi i Hakimit, se hadithi është autentik, dhe opinioni i Darekutniut... Ka mundësi që të dy transmetimet (i Shubes dhe Thevriut) të jenë autentikë, dhe kjo ka shtyrë që shumë dijetarë të thonë: "E vërteta është se të dy këto transmetime, ku aludohet në fshehjen e Aminit dhe shqiptimin e tij me zë, janë autentikë, dhe sipas këtyre kanë vepruar grupe dijetarësh. E nëse do ta përzgjed hësh, atëherë ule zërin (gjatë shqiptimit të Aminit), ngase sahabët dhe tabiinjtë vepronin ashtu." Bedrudin El Ajni, Sherh Sunen ebi Davud, bot. I-rë, Mektebetu-rr Rrushd, Rijad, 1420-1999, v. IV, f. 192.
(13) Ebu Davudi në Sunen, nr. 932. Në koleksionin e Tirmidhiut ka ardhur: "E zgjati zërin e tij (ve medde biha savtehu).
(14) Muhamed bin Abdurrahman El Mubarekfuri, Tuhfetu-l Ahvedhij Sherh Sunen et-Tirmidhij, Daru-l Kutub el-Ilmijetu, v. II, f. 67.
(15) Ali bin Muhamed dhe Ebu-l Hasen Nuredin El Mula El Hervij El Karij, Mirkatu-l Mefatih Sherh Mishkati-l Mesabih, bot. I-rë, Daru-l Fikr, Bejrut-Liban, 1422-2002, v. II, f. 696.
(16) Nesaiu në Sunen, nr. 927. Hadithi është autentik. Edhe Albani jep të njëjtin vlerësim për këtë hadith.
(17) Tehanevi, I'lau-s Sunen, v. II, f. 246.
(18) Ali bin Muhamed dhe Ebu-l Hasen Nuredin El Mula El Hervij El Karij, Mirkatu-l Mefatih Sherh Mishkati-l Mesabih, v. II, f. 696.
(19) Vizaretu-l Evkaf vesh-shuun el-Islamijetu, El-Mev suatu-l Fikhijetu el-Kuvejtijetu, bot. II-të, Daru-s Selasil, Kuvajt, v. I, f. 111.
(20) Samerkandi, Tuhfetu-l Fukaha, I, f. 132.
(21) Muhamed Enver Shah Kashmiri, Fejdu-l Bari ala Sahihi-l Buhari, v. II, f. 363.
(22) Alaudin Ali bin Othman (i njohur si Turkmani), El-Xhevheru-n Nekij ala Suneni-l Bejhekij, daru-l fikr, Bejrut-Li ban, pa vit botimi, v. II, f. 58.
Dituria Islame 306