Komentimi i kaptinës “Edh-Dharijat” - (9)

 


Ndëshkimi i popullit të Salihut a.s. dhe Nuhit a.s.


"Edhe te fisi Themud (ka mësim), kur u tha banorëve të tij: "Kënaquni njëfarë kohe!" Ata u treguan mendjemëdhenj ndaj urdhrave të Allahut, pastaj i goditi rrufeja, ndërsa e shihnin, por nuk mundën as të ngriheshin, as të mbrohesh in nga dënimi. (Mësim ka) Edhe te populli i Nuhut, (që e shkatërruam) shumë kohë më parë. Vërtet ai ishte popull i pabindur! (Edh-Dharijat, 43-46)


Koment:


Rrëfimi i Salihut a.s


43. Edhe te fisi Themud (ka mësim), kur u tha banorëve të tij: "Kënaquni njëfarë kohe!" 44. Ata u treguan mendjemëdhenj ndaj urdhrave të Allahut, pastaj i goditi rrufeja, ndërsa e shihnin... 45. ...por nuk mundën as të ngriheshin, as të mbroheshin nga dënimi.


Përgjatë historisë pati popuj të shumtë që nuk pranuan udhëzimin e Allahut, por ndoqën rrugën e shejtanit të mallkuar, i cili ua zbukuronte veprat e tyre të shëmtuara. Njëri prej këtyre popujve ishte edhe populli "Themud", te të cilët Allahu xh.sh. kishte dërguar Salihun a.s. si pejgamber.
Nga ajetet e Kuranit famëlartë, nga historia dhe nga gjurmët arkeologjike, mësojmë se populli Themud gdhendnin shtëpitë e tyre nëpër kodra gurësh. Ishin mjaft të fuqishëm nga trupi, ndërkohë që Allahu ua kishte hapur krah e krah dyert e rrizkut.
Mirëpo, fatkeqësisht edhe këta, sikur populli Ad, në vend të Allahut adhuronin idhujt, prandaj Salihu a.s. i kishte ftuar haptazi të linin adhurimin e kotë të idhujve dhe ta adhuronin vetëm Zotin e vërtetë të kësaj ekzistence: "O populli im, adhurojeni Allahun, ju nuk keni ndonjë zot tjetër pos Tij!" (Hud, 61)
Edhe përkundër çiltërsisë të thirrjes së Salihut a.s., populli i tij nuk i besoi. Ata dyshonin në thirrjen e tij, duke menduar se ishte magjepsur nga ndonjë magji. Madje i kishin kërkuar një mrekulli mbinatyrore, që të vërtetonte se ai ishte i dërguar nga Allahu. Ishte dëshira dhe vullneti i Allahut të Plotfuqishëm që t'u përgjigjej kërkesës së tyre, me qëllim që t'i vinte në sprovën e besimit. Pas shumë vitesh thirrje të Salihut a.s. që të besonin, ky popull mëkatar kërkuan nga ai që nga një shkëmb i madh që ishte pranë tyre të dilte, aty për aty, një deve mbarsë, e cila menjëherë do ta lindte të voglin e saj. Këtë kërkesë e kishin bërë me qëllim të talljes dhe përqeshjes, duke qenë të bindur se një gjë e tillë ishte e pamundur të ndodhte. Por, për fatin e keq të tyre, Alla hu iu përgjigj lutjes dhe kërkesës së robit të Vet, Salihut a.s., dhe mrekullia ndodhi. Shkëmbi u ça, e deveja doli nga ai shkëmb dhe menjëherë lindi të voglin e saj.
Mirëpo, edhe pas kësaj mrekullie, dëshmitarë të së cilës ishin i madh e i vogël, Allahu xh.sh. nëpërmjet Salihut a.s. ua tërhoqi vërejtjen dhe i urdhëroi popullit Themud që kurrsesi të mos e preknin devenë, ta sulmonin apo ta vrisnin atë. I kishte urdhëruar ta linin të lirë të kulloste në tokën e Allahut, e të mos i bënin keq asaj. Ua kishte tërhequr vërejtjen se po të zgjatnin duart e tyre nga deveja, për ta dëmtuar, ata do t'i priste një ndëshkim i tmerrshëm hyjnor.(1)
Deveja vazhdoi të jetonte e qetë për një kohë në mesin e popullit të Salihut a.s., mirëpo jobesimtarët, të inatosur dhe në shenjë të urrejtjes ndaj Salihut a.s. dhe devesë, filluan të thurnin komplote për mbytjen e tyre. Një natë, derisa deveja flinte, duart gjakatare të këtij populli mëkatar u zgjatën mbi devenë e bekuar dhe të voglin e saj, duke i mbytur mizorisht.
I Dërguari i Allahut-Salihu a.s., kur e pa devenë e mbytur, i mllefosur dhe i hidhëruar doli para popullit të tij dhe tha: "A nuk ua tërhoqa vërejtjen, o të marrë, që të mos i bëni keq devesë?!"
Ata, duke u krekosur, thanë: "Ne e kemi mbytur atë, e ti nëse ke mundësi na e sill dhe na e shpejto dënimin dhe ndëshkimin me të cilin na ke kërcënuar gjatë tërë këtyre viteve."
Salihu a.s., me një lutje që buronte nga thellësia e shpirtit të tij, iu lut Allahut të Madhëruar që ta ndëshkonte këtë popull mizor. Përgjigjja hyjnore erdhi menjëherë: "...përjetoni në vendin tuaj tri ditë, ky është caktim jo i rrejshëm!" (Hud, 65)
Meqë caktimi i Allahut për shkatërrimin e këtij populli të prishur tashmë kishte ardhur në formë të prerë, Salihu a.s. e braktisi popullin e tij, duke u larguar prej tyre me një pakicë të vogël besimtarësh që i kishin besuar Allahut të Plotfuqishëm.
Përgjatë këtyre tri ditëve populli i Salihut vetëm ishin tallur duke "pritur" ndëshkimin nga qielli, e në agun e ditës së katërt qielli ishte çarë nga një ushtimë e vetme dhe e tmerrshme. Kjo ushtimë përfshiu pllajat dhe kodrat, duke shkatërruar çdo gjë të gjallë. Toka u dridh me aq fuqi saqë la të vdekur çdo gjë të gjallë mbi të. Ishte vetëm një britmë e tmerrshme, dhe të gjithë jobesimtarët nga populli i Salihut a.s. kishin rënë përn jëherë të vdekur përdhe. Ata nuk patën mundësi as të ngriheshin në këmbë, e as që patën mundësi ta ndalnin ndëshkimin e Allahut ndaj tyre.(2)
Allahu xh.sh. thotë: "Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia! Ne lëshuam kundër tyre një ulërimë-britmë, e ata u bënë si shtrojë vathi. (Mbeturinë e ushqimit të kafshëve që u shtrohet)." (El Kamer, 30-31) Perdet e historisë së një populli mëkatar ranë, për të qenë paralajmërim për çdo popull pas tyre, që të mos tallen me fenë e Allahut, përndryshe dënimi nga qielli do të jetë i pashmangshëm.


Rrëfimi i Nuhit a.s 46.


(Mësim ka) Edhe te populli i Nuhut, (që e shkatërruam) shumë kohë më parë. Vërtet ai ishte popull i pabindur!


Rrëfimi i Nuhit a.s. me popullin e tij është një ndër rrëfimet që është trajtuar gjerësisht në shumë prej sureve kuranore. Madje, në nder të këtij të Dërguari të madh, të parit prej elitës pejgamberike - "UlulAzmi-Pejgamberët e vendosmërisë së lartë", edhe një sure kura nore është emërtuar me emrin "Suretu Nuh". 
Pas vdekjes së Ademit a.s. kishin ardhur e shkuar gjenerata të shumta. Fatkeqësisht, disa prej këtyre gjeneratave shejtani i mallkuar kishte arritur t'i devijonte nga rruga e drejtë e besimit në një Zot. Mendjet njerëzore kishin filluar ta humbnin kthjelltësinë e tyre, dhe tashmë ishin mjegulluar nga intrigat djallëzore. Është fakt i vërtetuar se kur njerëzit e lënë adhurimin e Allahut dhe fillojnë t'u luten e t'i adhurojnë idhujt, po në atë çast vdes shpirti i bukurisë në tokë, kurse në fron ngrihet e kurorëzohet e shëmtuara. Njeriu mposhtet shpirtër isht nga brenda, ndërsa mendja njerëzore turbullohet e çrregullohet. Si pasojë e kësaj shthurjeje jeta e njeriut shndërrohet në një skëterrë dhe ferr të vërtetë.
Në një kohë të tillë, me kontradikta aq të mëdha dhe botëkuptime të ndryshme rreth konceptit të besimit, Allahu xh.sh. dërgoi Nuhin a.s. me shpallje te populli i tij. Nuhi a.s. ishte mendja e vetme e kthjellët dhe vigjilente në mesin e asaj vorbulle njerëzish të çoroditur, që reflektohej në mënyrën më të shëmtuar të mundshme-adhurimin e dikujt tjetër pos Allahut xh.sh.
Allahu zgjodhi robin e Tij falënderues dhe e dërgoi si pejgamber dhe tërheqës të vërejtjes te populli i tij: "... o populli im, adhurojeni Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe!" (El Araf, 59)
Me këtë fjali të shkurtër e koncize Nuhi a.s. vuri popullin e tij para të vërtetës hyjnore dhe realitetit të ringjalljes. U bëri me dije se ekziston një Zot, një Krijues, I Cili është I Vetmi, dhe që meriton adhurimin. Ua bëri me dije gjithashtu se vdekja është e pashmangshme, pas së cilës do të pasojë ringjallja, e pas saj Dita e Gjykimit, një Ditë e Madhe në të cilën ekziston një dënim e ndëshkim i tmerrshëm.
Nuhi a.s. ia shpjegoi qartë popullit të tij se ishte e pamundur të kishte edhe ndonjë zot tjetër pos Allahut xh.sh., Krijuesit të Vetëm e të Pashoq. Ua bëri me dije se shejtani i kishte mashtruar për një kohë të gjatë, kurse tash kishte ardhur koha të ndërpritej ky mashtrim. Nuhi a.s. ndiente keqardhje për popullin e tij, por megjithatë ende nuk i kishte humbur të gjitha shpresat. Edhe pse për 950 vjet thirri në rrugën e Allahut, atë për asnjë çast nuk e kishte kapluar ndjenja e pesimizmit. Mirëpo, megjithatë më në fund erdhi dita kur Alla hu xh.sh. e lajmëroi, pra nëpërmjet shpalljes, se më askush nga populli i tij nuk do t'i besonte, përveç atyre që vetëm se i kishin besuar më parë. Allahu xh.sh. e kishte njoftuar që të mos dëshpërohej e as të ndiente keqardhje për ta. Vetëm në këtë moment Nuhi a.s. iu lut Allahut Fuqiplotë që t'i shkatërronte jobesimtarët. Në Kuran thuhet: "E Nuhi tha: "O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë nga jobesimtarët! Sepse, nëse Ti i lë ata, robërit Tu do t'i humbin, dhe prej tyre nuk lindin tjerë vetëm se të prishur e jobesimtarë." (Nuh, 26-27)
Populli i Nuhit a.s. ishte ndër popujt e parë që devijuan nga e vërteta dhe e merituan ndëshkimin hyjnor. Allahu i Madhërishëm shpalli urdhrin dhe gjykimin e Tij hyjnor për shkatërrimin e tyre me përmbytje. "E Nuhit i qe shpallur: "Nuk do të besojë më askush nga populli yt, përveç atyre që kanë besuar (deri më tash), pra mos u brengos për atë që punojnë ata". E, mbaroje anijen nën mbikëqyrjen Tonë dhe me mësimin tonë, e mos m'u drejto Mua për ata që bënë zullum, ata gjithqysh janë të përmbytur." (Hud, 36-37)
Nuhi a.s. e ndërtoi anijen, ndonëse u ballafaqua me tallje e përqeshje nga paria e popullit të tij, por për asnjë çast nuk u thye shpirtërisht. Përkundrazi, ai ishte shumë i durueshëm. E dinte mirë se ndihma e Allahut dhe premtimi i Tij do të realizoheshin.
Momenti i shkatërrimit të popullit të tij me përmbytje erdhi. Ai i ngarkoi në anije të gjithë besimtarët dhe familjen e tij, përveç njërit djalë, që në momentet e fundit ia bëri me dije se nuk ishte besimtar. Uji gufoi nga toka, kurse nga qielli u derdhën shira aq të mëdha, të cilët toka kurrë më parë nuk i kishte përjetuar e as që do t'i përjetojë më. Përmbytja vazhdoi, dhe pas disa orësh nga fillimi i përmbytjes, çdo rebel ndaj urdhrave të Allahut u fundos dhe u përmbyt.
Ata që u ndëshkuan ishin njerëz që nuk e përfillën mesazhin e Nuhit a.s., dhe nuk hoqën dorë nga rebelimi e mosbindja. Ajetet që përshkruajnë këtë ngjarje janë mjaft të kuptueshëm. "Por ata e përgënjeshtruan Nuhin, kështu që Ne e shpëtuam atë bashkë me ndjekësit e tij në anije, dhe i mbytëm ata që mohuan shenjat Tona. Vërtet ata ishin një popull i verbuar." (El Araf, 64)
Mbi fytyrën e tokës nuk kishte mbetur asnjë krijesë e gjallë përpos grupit të vogël të besimtarëve të sinqertë brenda anijes së drunjtë, dhe natyrisht llojeve të gjallesave që ishin përzgjedhur me kujdes.
Përmbytja e popullit të Nuhit a.s., përveçqë është përmendur në Kuran, është përmendur edhe në Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re, ndërkohë që përshkrimi i përmbytjes është treguar në mënyrë të ngjashme edhe në dokumentet sumeriane dhe asiro-babilonase, në "Epin e Gilgameshit", pastaj në legjendat greke, në epikat indiane të Shatapathës, Brahmës dhe Mahabharatës, në disa legjenda të Uellsit, në Irlandën Veriore, në legjendat lituane, e madje edhe në disa histori tradicionale kineze.(3)


Porosia e këtyre ajeteve: (43-46)


- Shkatërrimi i popujve të Salihut a.s., dhe më parë i popullit të Nuhit a.s., ishin tërheqje e vërejtjes për kurejshët dhe idhujtarët arabë, që të largoheshin nga adhurimi i idhujve dhe ta adhuronin vetëm Allahun, Krijuesin e kësaj gjithësie. Përndryshe, shumë lehtë edhe idhujtarët mekas mund t'i godiste i njëjti fat, pra si i këtyre popujve të ndëshkuar, që gjurmët e disa prej të cilëve vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot e kësaj dite të paprekura nga dhëmbi i kohës.
- Allahu xh.sh. nuk e ka shkatërruar asnjë popull para se t'ia dërgojë ndonjë prej të dërguarve të Tij, që të ishte këshillues dhe tërheqës i vërejtjes.
- Rebelimi dhe mospërfillja e urdhrave të Allahut ka sjellë ndëshkimin hyjnor mbi popujt e shumtë përgjatë historisë, siç ishin populli i Nuhit, Hudit, Salihut, Shuajbit, Musait (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta!), etj.
- Llojet e ndëshkimeve nga ana e Allahut ndaj popujve të kaluar dëftojnë se Allahu xh.sh. është i Plotfuqishëm dhe mund të ndëshkojë e zhdukë edhe me faktorë që njihen si katër burimet e jetës: dhe, ujë, ajër dhe zjarri. Ai e ndëshkoi popullin e Lutit a.s. me dhe (gurë nga argjila); popullin e Nuhit a.s. dhe atë të Faraonit me ujë; popullin e Hudit a.s. me ajër (erë), dhe atë të Salihut a.s. me zjarr-rrufe apo ushtimë nga qielli.(4)


______________________________________
1) Dr. Zeki Muhammed Ebu Seri'ë, Et-Tefsiru-l mujesser li n-nashieti, Rijad, 1433h. vëll. II, f. 357.
2) Ebu-l-Lejthes-Samer kandi, BahrulUlum, Bejrut 1993, vëll. III, f. 279.
3) Harun Jahja, Popujt e zhdukur, Stamboll, 2003, f. 24.
4) Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVIII, f. 42.



Sabri Bajgora


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Akademia solemne për "Diturinë Islame", vlerësime për misionin e saj