"Dituria Islame”- katër dekada konsekuencë ndaj dijes e të vërtetës


Fundshekulli i kaluar kishte ruajtur për shqiptarët ndryshime të mahnitshme, nga ato që edhe ëndërrimtarët më idealistë e kishin vështirë t'i përfytyronin se do t'iu ndodhnin mbi truallin e vet.
Aspirata e kahershme për ta jetësuar mëvetësinë e tokës së trashëguar nisi të artikulohej, jo më thjeshtë si një ëndërr e largët, por si një projekt dhe detyrim historik i patejkalueshëm që përgjëronte me ngulm ndërgjegjen kolektive të kombit tonë. Një vrojtim i kujdesshëm i ndryshimeve në kapërcyell të shekullit që lamë pas, do të na rrëfente se sa më shumë që i shtrëngohej laku në fyt këtij populli të shumëvuajtur, aq më shumë edhe do të vezullonte në horizontin e tij drita e shpresës, se mizorisë mbase po i vinte fundi. Në këtë vorbull të frikshëm, të furtunave ciklonike, që sihariqonin shkuljen e rendit të errët monist gjithandej nëpër botë, prijësit fetarë myslimanë të Kosovës, po nxirrnin në skenë edhe një zë kumbues, i cili përvijonte shtigjet e besimit të drejtë, lirisë së merituar e mëvetësimit pa kushte.
Në qershorin e vitin 1986, si një ag i shumëpritur pas një nate të gjatë, doli në dritë revista që mori si amanet ta mbante të gjallë shpresën për liri dhe ta shpërndante besnikërisht dritën e diturisë. Ishte pra "Dituria Islame" që po lindte me një detyrë fisnike, po aq sa ishin fisnikë edhe ideatorët sypatrembur të saj, dhe me një mision krejt të dëlirë: që të mbante të ndezur fanarin e dijes, e ta çelikoste aspiratën për liri, në një popull që furtunat historike e aspiratat gllabëruese të armiqve të pa mëshirë, kishin goditur gjer në molisje bijtë dhe bijat e tij.
Me bindjen se fjala e shkruar ka fuqinë mahnitëse që t'i flasë njeriut për çdo kohë e në çdo kohë, pareshtur e gjer në amshim, lapsat e guximshëm të shkollarëve myslimanë të këtyre trojeve gravonin urtësisht porositë e Zotit në fletat e një reviste që i rezistonte valëve goditëse të popullit tonë anembanë.
"Dituria Islame" fliste sikur populli, ëndërronte guximshëm sikur patriotët e tij dhe rezistonte me pietet po sikur heronjtë e tij. Ajo tregoi më së miri së populli ynë, intelektualët e mirëfilltë të saj nuk durojnë mospërfilljen dhe i rezistojnë guximshëm tentativave mjerane të gjithë atyre që përpiqen padrejtësisht ta shuajnë zërin e tij.
Rrallëherë emërtimi i një reviste, siç thuhet, përkonte plotësisht me qëllimin e saj, por revista, e denjoi emrin e vet, dhe për katër decenie me radhë besnikërisht e përhapi diturinë, sublimoi rolin e bartësve të saj, dhe për më tepër rrënjosi në mendësinë e shqiptarëve faktin se çdo dituri e mirëfilltë në të vërtetë ishte dhe mbetet e mishëruar për Islamin. Ata penëdashës s'bënin asgjë më shumë, vetëm se synonin që të fiksonin idenë se ngritja e një individi, e sigurisht edhe e një populli duhet t'i ketë dy shtylla: besimin e drejtë dhe dijen e mirëfilltë. Niseshin nga premisa e fjalës së Allahut të Lartëmadhëruar ku tha në Kuran: "Allahu do t'i lartësojë në shkallë ata që besojnë dhe ata që janë pajisur me dije." (El Muxhadele, 11).
Megjithatë, nëse misioni i saj në të kaluarën ishte të mbillte farën e dijes, të ruante identitetin fetar e kulturor të kombit tonë dhe të formësonte vetëdijen e brezave në kohë sfiduese, atëherë misioni që e pret në të ardhmen është po aq fisnik edhe hiç më pak i rëndësishëm. Në një kohë kur zhurma e mendimeve rrezikon të mbysë zërin e së vërtetës, dhe kur trendi i relativizmit moral dhe rrymat zhvlerësuese të virtyteve të trashëguara tentojnë të bëhen sipërore në shoqërinë tonë, "Dituria Islame" do të vazhdojë të jetë tribunë e mendimit të kthjellët, e dijes autentike islame dhe pararendës i orientimit të shëndoshë intelektual, moral e shpirtëror te bijtë e brezave në vijim.
Prandaj, 40-të vjetori i "Diturisë Islame" nuk është vetëm një kremtim i një historie të lavdishme, thjesht sa për të thurur elozhe për të kaluarën e ndritshme, por bartë te ne një testament të brezave të shkuar, që duhet ruajtur e ripërtërirë si një besëlidhje me fisnikërinë e etikën dhe si një mishërim me të vërtetën. Pa u zmbrapsur nga vizioni i saj fare, ky zë i kumbueshëm zotohet se do të mbrojë dinjitetin e njeriut përmes besimit, do ta ruajë shenjtërinë e moralit e të familjes. Ajo do të afirmojë kuptimësinë e shëndoshë përballë zbrazëtisë shpirtërore dhe do t'ua rikujtojë gjithsecilit se vlerat nuk janë sajesa e konstruksione kalimtare të një epoke, por dritë e përhershme që nuk vjetërsohen kurrë ngase kanë në themel të vetin udhëzimin hyjnor dhe të vërtetën absolute.


 


Editorial
Dituria Islame 427


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Njihuni me hafëzin fitues që e vendosi Kosovën numër 1 në garat ndërkombëtare të Kuranit