Maksimat ligjore dhe lidhshmëria e tyre me financat islame

 


Pejgamberi a.s. thotë: Barra për të sjellë dëshmi rëndon mbi atë që akuzon, ndërsa betimi është për atë që e mohon akuzën.


Maksimat ligjore janë rregulla të përgjithshme, të cilat u adresohen të gjitha detajeve me të cilat kanë të bëjnë. Ato janë një grup i çështjeve të jurisprudencës nën disa rregulla të përgjithshme, nga të cilat secila zgjedh apo i përgjigjet një numri të madh të pyetjeve. Mustafa Zerka, njëri nga dijetarët bashkëkohorë më të famshëm maksimat ligjore i përkufizon si parime të përgjithshme të fikhut (jurisprudencës islame), të cilat janë prezantuar në një format të thjeshtë, të përbërë nga rregullat e përgjithshme të Sheriatit në një lëmë të caktuar në lidhje me të. Funksionimi i maksimave ligjore është për të ndihmuar të kuptuarit se si mund të përdoren problemet dhe parimet për të arritur në përfundimin e rregullave të shumta të fikhut. Maksimat ligjore janë formuluar duke u bazuar në evidencë nga Kur'ani apo Syneti. Për shembull, thënia e Pejgamberit a.s.: "Barra për të sjellë dëshmi rëndon mbi atë që akuzon, ndërsa betimi është për atë që e mohon akuzën". (Tirmidhiu) Përveç evidencës së drejtpërdrejt nga Kur'ani apo Syneti, maksimat ligjore formulohen gjithashtu duke u bazuar në parime primare dhe të përhershme, që janë parime të drejtësisë së pastër apo ligj natyral, mbi të cilat mbrohet interesi i njeriut. Këto parime janë themeluar si ligje të mira edhe para ardhjes së Muhamedit a.s.. Ato janë parime universale dhe të përhershme të drejtësisë, të cilat nuk dallojnë nga një shoqëri tek tjetra dhe në përgjithësi këto parime janë të konfirmuara edhe nga Sheriati. Juristët në historinë e Ligjit islam në shkrimet e tyre kanë vlerësuar rëndësinë e maksimave ligjore. Që nga koha e shokëve të Muhamedit a.s., këto maksima janë vërejtur në ixhtihadin e tyre. Omeri r.a., kur e dërgoi Abu Musa Eshariun si guvernator, e porositi: Njihi të ngjashmet me ngjasimet dhe sistemoji çështjet sipas meritave (në gjykim). Përgjatë historisë juristët kanë zhvilluar maksima ligjore islame të ndryshme për të zgjidhur shumë çështje. Disa nga maksimat ligjore janë të gjera dhe përfshijnë gati të gjitha çështjet me aplikimin e tyre të përgjithshëm, ndërsa disa të tjera janë të aplikueshme vetëm në disa lëmenj dhe disa çështje brenda atyre fushave specifike. Maksimat ligjore, të bazuara në rregullat e përgjithshme të fikhut, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në bankim dhe financa islame të kohës së tanishme. Çështjet moderne rreth financave islame që paraqiten kohë pas kohe e që nuk kanë ndonjë shembull për t'u krahasuar në tekstet klasike, duhet të gjejnë mbështetje në ligjin islam. Zgjidhja e këtyre çështjeve mund të gjendet në aplikimin e maksimave ligjore duke zhvilluar parametrat dhe parimet themelore të bankimit dhe financave islame. Në përgjithësi, janë pesë maksima ligjore që konsiderohen si më të pranueshmet, që përfshijnë shumicën e çështjeve të fikhut. këto shpjegohen shkurtimisht në vijim:


I. Çështjet vlerësohen sipas qëllimit (El-Umuru bi mekasidiha)


Kjo maksimë bazohet në hadithin e famshëm, në të cilin raportohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Punët gjykohen sipas qëllimit dhe secili person gjykohet sipas qëllimeve të tij". (Buhariu) Kjo maksimë sugjeron se punët a fjalët e një personi duhet të interpretohen sipas qëllimit të fjalëve dhe punëve të tij. Fjalët dhe punët shërbejnë vetëm si manifestim i qëllimit. Sipas kësaj rregulle, vetëm fjalët dhe veprimet e njerëzve që kanë burimin nga qëllimi i vepruesit, konsiderohen si të tilla, kurse fjalët që nuk burojnë nga qëllimi, nuk mund të konsiderohen si të tilla. Si rrjedhojë, pasi të përfundojnë, të gjitha punët e njerëzve duhet të vlerësohen në përputhshmëri me qëllimin e tyre. Prandaj, çdo transaksion duhet të bëhet në ujdi me qëllimin e rënë dakord për transaksion. Qëllimi i palëve në një kontratë a transaksion, është i përshtatshëm në përcaktimin e efektit ligjor.


Qëllimi dhe shprehja e dukshme


Maksima nxjerr në pah disa pyetje, të cilave u duhen dhënë përgjigje, me rastin e dallimit në mes të asaj që është synuar dhe asaj që është shprehur në marrëveshje. Në raste dallimi ndërmjet radhitjes së fjalëve dhe kuptimit të tyre, përparësi duhet t'i jepet kuptimit të synuar dhe jo kuptimit fjalë-për-fjalë të fjalisë. Nëse ka mospërputhje ndërmjet qëllimit dhe asaj që është shprehur në marrëveshje, atëherë përparësi do të ketë kuptimi që nxirret nga leximi i tyre. Ekziston një hadith, i cili shpjegon këtë situatë: "Në gjykojmë në bazë të asaj që është e dukshme, Allahu gjykon qëllimet e brendshme".


Aplikimi i maksimës


Rregullat që nxirren nga kjo maksimë, janë aplikuar nga dijetarët e hershëm në raste të ndryshme:
Obligimi i një personi, i cili i gjen në rrugë gjërat e dikujt tjetër dhe i merr ato, varen nga qëllimi i tij, pse i ka marrë ato gjëra. Nëse qëllimi i tij ka qenë që t'ia kthejë ato pronarit të tyre, duke i lajmëruar të tjerët për gjetjen e tyre, ai konsiderohet si kujdestar dhe, nëse prishen ato gjatë kohës sa kanë qenë në përkujdesje të tij, ai nuk obligohet t'ia kompensojë pronarit. Mirëpo, nëse ai i merr ato gjëra dhe nuk e lajmëron askënd për gjetjen e tyre, ai konsiderohet si një uzurpator dhe, nëse prishen ato, obligohet t'i kompensojë.
Një veprim i njeriut gjykohet nga këndi i qëllimit që synon të arrijë. Kjo do të thotë që, për t'i dhënë vëmendje ndonjë veprimi a transaksioni të veçantë, duhet të jetë në ujdi me qëllimin që e nënkupton atë veprim apo transaksion.


Kjo maksimë mund të aplikohet në interpretimin e kontratave


Në kontrata, vëmendje i kushtohet qëllimit e kuptimit dhe jo fjalëve dhe formave. Për shembull, është e njohur se kontrata për shfrytëzimin e ndonjë gjëje quhet kontratë e qiradhënies (lizing), nëse pagesa është përcaktuar në përputhshmëri me shfrytëzim të këtij lloji.
Nëse dy persona bëjnë një kontratë dhe është e dukshme që ata kanë caktuar një shumë për qira, kontrata trajtohet si një kontratë e qiradhënies, ashtu siç tregon kuptimi real i saj dhe jo si një kontratë e kredidhënies, edhe nëse fjalët e kontratës mund të kenë kuptim kredidhënie.
Një shembull tjetër, një person kultivon dhe u shet rrush konsumatorëve apo prodhuesve të alkoolit, një punë e cila, për nga veprimi, është e njëjtë, por dallon për nga qëllimi, shitja konsumatorëve të ndryshëm është e lejuar, por shitja prodhuesit të alkoolit është e ndaluar. Në këto raste, është qëllimi që përcakton punën e një personi që të jetë e lejuar apo e ndaluar.


II. E sigurta nuk duhet të anulohet nga e dyshimta (el-jekinu la juzalu bishek)


Kjo maksimë sjell udhëzim për rregullin që duhet të adaptohet për t'i trajtuar çështjet që rrjedhin si rezultat i ekzistimit të dyshimit lidhur me një çështje të caktuar. Në esencë, rregullat që janë themeluar bazuar në fakte të vërtetuara, mbesin të aplikueshme dhe të përshtatshme që të punohet me to, ato mund të zëvendësohen apo të anulohen me ligje të tjera, të cilat kanë argumente më të forta se ato. Këto ligje nuk mund të anulohen apo të vihet në pikëpyetje ligjshmëria e tyre thjesht për shkak të dyshimeve të ndonjë personi rreth fakteve me të cilat është themeluar ky ligj. Ligji mbetet në fuqi dhe praktikimi i tij do të zbatohet derisa të vërtetohet e kundërta. Kjo është për arsye se baza e dyshimit, në krahasim me bazën e asaj që është vërtetuar me fakte, është në pozitë më të dobët, dhe nuk ka mundësi ta anulojë të vërtetën që është themeluar me fakte të vërtetuara.


Evidenca dhe domethënia e maksimës


Kjo maksimë është zhvilluar dhe formuluar bazuar në disa ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit a.s.. Disa prej tyre janë: "Shumica prej tyre veprojnë vetëm sipas hamendjes. Me të vërtetë hamendja nuk ka vlerë në krahasim me të vërtetën. Allahu, pa dyshim di mirë atë që punojnë ata". (Junus, 36).Ky ajet tregon dhe nënvizon se jobesimtarët vazhdojnë të mbesin në gjendje të dyshimit. Dyshimi që ata përjetojnë, nuk mund ta tejkalojë të vërtetën. Prandaj, ata që ndjekin të dyshimtën, nuk do të jenë kurrë të suksesshëm dhe nuk do t'i udhëzojë ata në rrugë të drejtë. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nëse tek ndonjëri prej jush paraqitet harresa gjatë namazit, dhe jeni në dyshim apo nuk jeni të sigurt nëse keni falur 3 apo 4 rekate, duhet të llogaritni se keni falur vetëm 3 rekate dhe ta plotësoni rekatin e katërt sipas rregullave. Ky hadith është bazë e maksimës se e vërteta nuk anulohet nga dyshimi. Në rastin e përmendur, personi është i sigurt se i ka falur së paku tri rekate; dyshimi i tij është për rekatin e katërt. Ky hadith nënvizon se nuk ka vend për dyshime dhe, nëse një person është në dyshim për ndonjë gjë, ai duhet të lërë anash dyshimet dhe të bazohet në atë që është e sigurt rreth asaj me se ballafaqohet.


Kushtet e maksimës


Elementi i sigurisë që ka ekzistuar në çështjen me të cilën ballafaqohet një person, në të vërtetë është element më i fortë se dyshimi, meqë dyshimi rreth një pune paraqitet normalisht si një ndodhi pasuese apo sekondare. Elementi i vërtetësisë që ka ekzistuar në një çështje të caktuar, nuk eliminohet për shkak të dyshimit, dhe njëkohësisht vendimet duhet të mbështeten në gjëra të vërtetuara.


Aplikimi i maksimës


Maksima është e aplikueshme në mënyrë të drejtpërdrejt në adhurim dhe në çështje të tjera:
• Në rastin e abdesit, maksima nënvizon se statusi i abdesit që merr një person, konsiderohet me vlerë derisa të mos vërtetohet e kundërta. Gjendja e abdesit e atij personi nuk do të ndërpritet si me vlerë për shkak të dyshimit të ngritur. Vendimi për pavlefshmërinë e tij duhet të mbështetet me fakte të vërtetuara.
• Në rastin kur një person ka dyshime për numrin e rekateve të falura gjatë namazit, Pejgamberi a.s. ka treguar se çështja duhet të zgjidhet bazuar në fakte dhe vërtetësi. Personi duhet të pranojë numrin e rakateve të falura, që ai beson se i ka falur kurse duhet të plotësohen ato për të cilat nuk është i sigurt.
• Në rast të një kontrate të borxhit, personi konsiderohet se ka borxh ende ndaj huadhënësit nëse ai nuk është në gjendje të sigurojë dëshmi për pagesën e bërë. Është fakt i ditur se kontratat e financimit a huazimit nga institucionet financiare, mbështeten me dokumente dhe evidenca të shkruara. Në rast mospajtimi rreth shlyerjes së borxhit, borxhliu duhet të ofrojë dëshmi pagese ose, përndryshe, borxhi, duke u bazuar në këtë rregull, konsiderohet i papaguar.
• Në lidhje me kontratën e martesës, marrëdhëniet në mes burrit dhe gruas mbesin të ligjshme përderisa nuk ka evidencë të fortë, për deklarim të divorcimit të tyre.


III. Dëmi duhet të largohet


Kjo maksimë e ka origjinën në thënien e Pejgamberit a.s.: Dëmi nuk duhet të ekzistojë dhe as të imponohet. Kjo maksimë është njëra nga shtyllat e jurisprudencës islame. Rregulli formon bazën e ligjit të zgjedhjes, kthimin e mallrave me defekte, kompensimin dhe dëmshpërblimin. Është e nevojshme që qeveria të detyrojë me ligj dhe ta menaxhojë në atë mënyrë që do të regjistronte gjërat që janë të dëmshme, dhe të regjistrojë në listë të zezë tregtarët që përfshihen në aktivitete ilegale dhe antishoqërore. Një rregull tjetër që është i ngjashëm me këtë maksimë ligjore, është 'gjërat e palejuara duhet të ndalohen pa marrë parasysh përfitimin'. Ka situata kur një veprim parashihet të ketë përfitime të ndryshme, mirëpo shkakton dëm dhe padrejtësi në shoqëri. Në këtë situatë, sipas sheriatit, ky veprim duhet të ndalohet, edhe pse ekonomikisht mund të jetë i arsyeshëm. Tregtimi me gjëra të ndaluara dhe fitimi me metoda të ndaluara mund të rrisin punësimin dhe të sjellin të hyra, mirëpo gjërat e palejuara duhet të eliminohen, sepse eliminimi i dëmit ka prioritet në krahasim me përfitimet që sjell ky veprim. Bixhozi mund të jetë një aktivitet efektiv për grumbullim të fondeve, por, pa marrë parasysh përfitimet ekonomike, duhet të ndalohet, sepse, sipas mësimeve të sheriatit, përfitimet ekonomike kanë më pak rëndësi se mbrojtja e popullit nga korrupsioni dhe çoroditja.


Aplikimi i maksimës


Kjo maksimë aplikohet për të sanksionuar opsionin e defektit, që synon mbrojtjen e blerësit nga dëmi. Nëse personi A blen një veturë apo ndonjë makineri tjetër dhe e zbulon se ato janë me defekte të mëdha ai ka të drejtë ta ndërpresë kontratën. Por ekziston supozimi sipas rregullave të Sheriatit se blerësi e ka kryer kontratën e blerjes me kusht se objekti i shitjes nuk ka qenë me defekt.


VI. Vështirësia/vuajtja sjell lehtësi


Kjo maksimë bazohet në Kur'anin famëlartë: "... Ai, ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka bërë ju në fe kurrfarë vështirësie...". (El Haxh, 78).
Vuajtje për personat fizikë është definuar një situatë në të cilën veprimi sipas një vendimi të Sheriatit, mund të shkaktojë humbje jete apo shpie në një punë të ndaluar. Kjo maksimë ka të bëjë me domosdoshmëri. Dijetarët kanë bërë dallime në mes të asaj që është darura (e domosdoshme) dhe haxhe (e nevojshme). Darura është një kërkesë e domosdoshme që, nëse nuk plotësohet, mund të shkaktojë vështirësi të mëdha, që mund të rezultojnë me humbje jete. Haxhe, në anën tjetër, është një nevojë që, nëse nuk plotësohet, nuk shkakton vështirësi të mëdha. Një maksimë tjetër që ka të njëjtin kuptim, thotë kështu: "domosdoshmëria i bën gjërat e ndaluara të lejohen".


Kushtet e maksimës


Përballja me vështirësi mund të jetë për shkak të detyrimit, fatkeqësisë dhe vuajtjeve të përgjithshme, paaftësisë fizike, injorancës, harresës, sëmundjes dhe udhëtimit, por duhet të zotërojnë këto kushte:
• Domosdoshmëria nuk duhet të jetë spekulative a imagjinare;
• Për personin në nevojë nuk ka ndonjë alternativë të ligjshme, përveçse kërkohet për lehtësim;
• Zgjidhja nuk duhet të cenojë të drejtat e të tjerëve duke i uzurpuar pasuri, duke shkaktuar vdekje apo gjëra të tjera të padrejta;
• Duhet të ketë arsye të fortë, siç është mbrojtja e jetës ose e ndonjë pjese të trupit, për të lejuar ngrënien a pirjen e diçkaje të ndaluar ose veprimin e ndonjë pune të ndaluar;
• Sipas ekspertëve, duhet të jetë zgjidhje e vërtetë dhe duhet të jetë opsioni i vetëm, pa ndonjë alternativë të lejuar.


V. Tradita është bazë për gjykim


Kjo maksimë ligjore tregon se praktikat e traditës së një shoqërie për nga fjalët dhe punët, vlerësohen dhe njihen nga Sheriati si rregull, me të cilin duhet të punohet nëse nuk ka ndonjë tekst hyjnor që e ndalon atë. Për t'u konsideruar tradita bazë për gjykim, duhen plotësuar këto kritere:
• Tradita nuk duhet të jetë në kundërshtim me parimet e Sheriatit;
• Tradita duhet të jetë e aplikueshme në shoqëri në mënyrë të vazhdueshme;
• Tradita duhet të ketë qenë e njohur në momentin kur është ndërmarrë aktiviteti a transaksioni;
• Të dy palët kontraktuese duhet të mos kenë rënë në ujdi me ndonjë kusht, i cili është ndryshe nga tradita. Nëse palët janë pajtuar ndryshe nga tradita, atëherë aplikimi i traditës nuk njihet si rregull për të gjykuar me të. Kjo maksimë është formuluar duke u bazuar në ajete kuranore dhe në disa hadithe. Prej tyre është edhe hadithi në vijim. Raportohet nga Aisheja r.a. se Hindi (nëna e Muavijes) i kishte thënë Pejgamberit a.s. se burri i saj ishte shumë dorështrënguar, a është gabim nëse i marr para atij në mënyrë sekrete? Pejgamberi a.s. i kishte thënë: "Merr aq sa është e nevojshme për veten tënde dhe fëmijët e tu, sipas traditës (mjaft sipas traditës)". (Buhariu) Në një hadith tjetër, Ibn Mesudi transmeton: "Ajo për se Myslimanët pajtohen se është e mirë, është e mirë tek Allahu". (Ahmedi).
Duke iu referuar transaksioneve bashkëkohore të financave islame, ka shembuj të mirë, për të cilët dijetarët myslimanë kanë rënë dakord rreth implementimit të produkteve bankare duke i aprovuar dhe duke i modifikuar ato, që të jenë në shërbim të popullit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.


 


 


Dituria Islame 275


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Njihuni me hafëzin fitues që e vendosi Kosovën numër 1 në garat ndërkombëtare të Kuranit