Rëndësia dhe disa kritere të therjes së shtazëve/shpezëve

 


"Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet E adhuroni Atë". (En-Nahl, 114) (1)


Nuk ka dyshim se nga dhuratat më të shtrenjta me të cilat na ka begatuar Allahu, është ushqimi (ushqimi dhe pija). Këto dy elemente janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, prandaj duhet pasur kujdes që të fitohen në mënyrë të lejuar dhe të mos jenë në grupin e ushqimeve të ndaluara. Ushqimi i ndaluar (haram), i fituar në mënyrë të ndaluar apo që gjendet në grupin e ushqimeve të ndaluara, përveç të tjerash, dëmton edhe ibadetin (adhurimin) dhe imazhin e njeriut të mirë dhe të drejtë.
Sipas parimit universal të gjitha ushqimet janë të lejuara dhe lejohen të konsumohen, përveç atyre që janë të ndaluara drejtpërdrejt me ajet kuranor ose me hadith autentik. Islami u rekomandon njerëzve të hanë atë që është e lejuar dhe e mirë.
"Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet E adhuroni Atë". (En-Nahl, 114)(1)
Të ushqyerit vetëm me gjëra të lejuara (hallall) e të mira dhe heqja dorë nga gjërat e ndaluara, është falënderim ndaj Allahut xh.sh. për të mirat që ka dhuruar. Zgjedhja e ushqimit të lejuar ndihmon në pastrimin e anës shpirtërore dhe asaj materiale.
Allahu u ka lejuar njerëzve të konsumojnë ushqimin që është i lejuar dhe i mirë. Që të jetë ushqimi i lejuar (Hallall) për konsumim, duhet t'i plotësojë këto kritere:
1. Ushqimi duhet të fitohet në mënyrë të lejuar,
2. Ushqimi duhet të jetë konform me Ligjin Islam mbi ushqimet.
Që të jetë ushqimi "i mirë", siç është përmendur në ajetin kuranor, duhet t'i plotësojë këto kritere:
3. Ushqimi duhet të jetë i shëndetshëm dhe kalorik
4. Ushqimi duhet të jetë i sigurt për konsumim.(2)
Ushqim hallall janë ushqimi dhe pijet, komponentet e të cilave janë të lejuara sipas ligjeve të Sheriatit dhe që plotësojnë këto kushte(3)
a) Që, sipas ligjit të Sheriatit, nuk përmbajnë asnjë pjesë a produkt të shtazëve që janë të ndaluara - haram, dhe nuk përmbajnë asnjë pjesë a produkt të shtazëve që nuk janë therur sipas rregullave të Sheriatit;
b) Që, sipas ligjit të Sheriatit, nuk përmbajnë asgjë nga ajo që konsiderohet e papastër-nexhes;
c) Që janë të sigurta për konsumim, johelmuese, jointoksikuese dhe të parrezikshme për shëndetin;
d) Që, sipas ligjit të Sheriatit, nuk janë përgatitur, proceduar apo ambalazhuar, duke përdorur pajisje të kontaminuara e të ndyra- nexhes;
e) Që nuk përmbajnë asnjë pjesë të trupit të njerëzve apo sosh që dalin nga njerëzit, të cilat janë të ndaluara/haram, e nuk janë të lejuara sipas ligjeve të Sheriatit dhe
f) Që, sipas ligjit të Sheriatit, gjatë përgatitjes, procedimit, bartjes, paketimit, deponizitimit dhe shpërndarjes, ushqimi është fizikisht i ndarë nga ushqime të tjera, të cilat nuk i përmbushin kriteret e cekura tek a), b), c), d) dhe e) ose nga gjëra që janë të njohura si të ndyra- nexhes.


E Ndyrë /Nexhes/Haram


2.4.1 Të ndyra- nexhes, sipas ligjeve të Sheriatit, konsiderohen:
a) Derri dhe pasardhësit e tij;
b) Ushqimi hallall, që është kontaminuar me gjëra të ndaluara - haram;
c) Ushqimi hallall, që është në kontakt drejpërdrejt me gjëra që janë të ndaluara -haram;
d) Çdo lëng a materie që del nga kanalet e njerëzve a të shtazëve, siç janë: urina, gjaku, të vjellët, qelbi, placenta, jashtëqitja, sperma dhe vezoret e derrave e të qenve, përveç spermës dhe vezoreve të shtazëve të tjera që janë hallall;
e)Ngordhësirat apo shtazët që janë hallall, por nuk janë therur sipas rregullave të Sheriatit; dhe
f) alkooli apo ushqimi dhe pijet, të cilat përmbajnë ose janë të përziera me alkool.


Therja/Prerja


Këshilli i akademisë islame të fikhut ka mbajtur sesionin e 10 në Xhedë (Xhidde, Arabia Saudite) më 28 qershor 1997.
Pasi u dëgjuan hulumtimet e përgatitura rreth 'sakrifikimit (therjes) të shtazëve dhe rregullat e Sheriatit rreth therjes së tyre dhe pas diskutimeve rreth kësaj teme të përgatitur nga studiuesit e fikhut, mjekëve dhe nutricisteve, ka vendosur si më poshtë:


I: Therja, për t'u konsideruar e ligjshme, duhet të bëhet në një prej mënyrave në vijim:
1. Prerja e qafës së shtazës (Dhabh) është prerja që ndërpret kanalin e frymëmarrjes, kanalin në të cilin kalon ushqimi, arteriet kryesore dhe venat, të cilat bartin oksigjenin në kokë, për të shkaktuar gjakderdhjen dhe vdekjen e shtazës. Kjo mënyrë preferohet për therjen/prerjen e lopëve, deleve, dhive dhe shpezëve.
2. Therja (Nahr) bëhet duke e therur kafshën me thikë në qafë. Kjo mënyrë preferohet për therjen e deveve dhe shtazëve të ngjashme.
3. Dëmtimi/lëndimi ('akr) bëhet duke lënduar shtazën, kur nuk ka zgjidhje tjetër, në cilëndo pjesë të trupit. Kjo mënyrë praktikohet për shtazët e egra në gjueti, të cilat janë të lejuara për t'u ngrënë, ose për shtazët shtëpiake që janë bërë shumë të rrezikshme dhe është e pamundshme therja normale e tyre. Mjeti i lëndimit duhet të shkaktojë patjetër gjakderdhje dhe gjakderdhja të jetë shkak i vdekjes së shtazës ose shpezës. Nëse shtaza kapet derisa të jetë ende gjallë, duhet të theret ne qafë sipas rregullave të përmendura.


II: Prerja Hallall e shtazës duhet të plotësojë edhe këto kushte:
1. Personi që e ther/pret kafshën, duhet të jetë i rritur dhe mendërisht i shëndoshë, duhet të jetë mysliman ose t'i takojë njërës prej feve të shpallura (ehlul kitab).
2. Prerja/therja duhet të bëhet me një mjet të mprehtë, prej hekuri apo ndonjë metali tjetër, i cili është në gjendje të shkaktojë gjakderdhje të madhe. Dhëmbët, fildishi dhe thonjtë nuk mund të përdoren për prerje.
3. Është e ndaluar ngrënia e mishit të një shtaze që mbytet nga ngulfatja, apo që është qëlluar me ndonjë objekt (gur, dru etj.) ose është mbytur prej rrëzuarjes nga lart apo është therur nga brirët e ndonjë shtaze tjetër. Por, nëse shtaza kapet ende e gjallë dhe theret sipas rregullave të përmendura më lart, edhe pse lëndimi është bërë nga ndonjë prej kategorive të përmendura, lejohet për t'u ngrënë.
4. Personi që bën therjen, duhet të përmendë emrin e Allahut, Bismillah - Allahu Ekber, në fillim të këtij akti. Por, nëse personi harron të përmendë emrin e Allahut po këtë nuk e bën me qëllim, mishi është i lejuar për t'u ngrënë.


III: prerja e shtazës duhet të bëhet në mënyrë korrekte sipas rregullave të Sheriatit, si p.sh. të tregohet mëshirë dhe të sillen mirë me shtazën para, gjatë dhe pas prerjes. Mprehja e thikës nuk duhet të bëhet ndër sy të shtazës dhe shtaza nuk duhet të pritet në prani të shtazëve të tjera. Është e ndaluar mbytja e shtazës me ndonjë mjet jo të mprehtë. Shtaza që do të theret, nuk duhet të torturohet, nuk lejohet t'i këputet ndonjë pjesë e trupit, t'i hiqet lëkura ose të futet në ujë të valë, para se të vërtetohet se tashmë nuk është e gjallë.


IV. shtaza që do të theret, duhet të mos jetë e prekur nga ndonjë sëmundje e cila depërton në mishin e saj, dhe dëmton shëndetin e konsumatorit. Plotësimi i kritereve sanitare është domosdoshëm në lidhje me mishin.


Për mënyrat e tjera të therjes së shtazëve dhe shpezëve do të diskutohet në një shkrim në numrin e ardhshëm. (vijon)


_________________________________________
(1) Citatet e Kur'anit janë marrë nga përkthimi i Hasani I. Nahit, botimi i 3-të, i rishikuar dhe i korrigjuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, 2006.
(2) Mohammad Mazhar Hussaini, Islamic Dietary Concepts and Practices (Bedford Park: The Islamic Food and Nutrition Council of America, 1993) f. 21.
(3) Islam Hasani, Ushqimi Hallall: Prodhimi, Përgatitja, Menaxhimi dhe Deponimi, (Prishtinë: Dituria Islame, 2012), f. 5.


 


 


Dituria Islame 272


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë