Muzeu në Mekë ekspozon materialet me të cilat u shkrua Kurani në kohën e Muhamedit (a.s.)

 


Ekspozita në Distriktin Kulturor Hira prezanton mjetet që përdoreshin nga shokët e Profetit për të shkruar shpalljen hyjnore
Muzeu i Kuranit në Distriktin Kulturor Hira në Mekë u ofron vizitorëve një udhëtim të veçantë në historinë e hershme të Islamit, duke prezantuar materialet që u përdorën për shkrimin e ajeteve të Kuranit gjatë jetës së Profetit Muhamed (a.s.).
Në ekspozitë paraqiten kopje të lëkurës së përpunuar, degëve të palmës, copave të drurit, gurëve dhe kockave të kafshëve, materiale që përdoreshin nga sahabët, të cilët kishin detyrën e shkrimit të shpalljes hyjnore. Përpara se Kurani të përmblidhej në një mushaf të vetëm, ajetet shkruheshin në këto materiale sipas mundësive dhe mjeteve që ishin në dispozicion në atë kohë.
Një vend të veçantë në ekspozitë zë lëkura e përpunuar, e njohur në arabisht si "edim" (adeem), e cila konsiderohej ndër materialet më të përshtatshme për shkrim. Falë qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të ruajtur tekstin për një kohë të gjatë, ajo ishte një nga mjetet më të përdorura për regjistrimin e ajeteve të Kuranit në periudhën e hershme islame.
Përveç materialeve të ekspozuara, muzeu ofron edhe informacione të detajuara për secilin prej tyre, duke shpjeguar mënyrën e përdorimit, karakteristikat dhe arsyet pse u zgjodhën për shkrimin e shpalljes. Kjo u mundëson vizitorëve të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi përpjekjet e bëra për ruajtjen dhe transmetimin e Kuranit në formën e tij origjinale.
I vendosur pranë malit Nur, ku ndodhet shpella Hira, muzeu konsiderohet një nga atraksionet më të rëndësishme kulturore në Mekë. Ai prezanton historinë e Kuranit, shkencat që lidhen me të dhe etapat e shkrimit e përmbledhjes së tij, duke përdorur teknologji moderne dhe ekspozita edukative për vizitorët nga e gjithë bota.





Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë