Ministria e Haxhit dhe Umres në Arabinë Saudite ka prezantuar një vizë të re për Umre me hyrje të shumëfishta, e cila u mundëson pelegrinëve të vizitojnë kët vend disa herë brenda një viti.
Viza e re u mundëson pelegrinëve të hyjnë dhe të dalin nga Arabia Saudite disa herë brenda një periudhe prej 12 muajsh, duke ofruar më shumë fleksibilitet për ata që dëshirojnë të kryejnë Umren ose të vizitojnë vendet e shenjta në Mekë dhe Medinë.
Autoritetet Saudite kanë theksuar se iniciativa është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të modernizuar shërbimet për vizitorët dhe për të lehtësuar procedurat e udhëtimit. Masa gjithashtu mbështet objektivat e Vizionit 2030 të Arabisë Saudite, i cili synon të rrisë numrin e vizitorëve dhe pelegrinëve që vizitojnë Arabinë Saudite çdo vit.
Sipas rregullave të reja, mbajtësit e vizës mund të planifikojnë udhëtime të shumta gjatë vitit pa pasur nevojë të aplikojnë për një vizë të re për çdo vizitë. Kjo pritet të sjellë lehtësi të konsiderueshme për besimtarët nga vende të ndryshme të botës, veçanërisht për ata që dëshirojnë të kryejnë Umren më shumë se një herë brenda vitit.
Programi i ri është pjesë e transformimit dixhital të shërbimeve të Haxhit dhe Umres, ku autoritetet Saudite kanë investuar në platforma elektronike, procedura më të shpejta aplikimi dhe shërbime më efikase për vizitorët.
Me këtë vendim, Arabia Saudite synon të forcojë pozicionin e saj si destinacioni kryesor i pelegrinazhit islam, duke ofruar më shumë mundësi dhe komoditet për miliona myslimanë në mbarë botën.