Mbreti Charles III vlerëson Xhaminë Qendrore të Kembrixhit për arkitekturën dhe modelin ekologjik

 


Mbreti Charles III ka vlerësuar arkitekturën, kujdesin në ndërtim dhe angazhimin ndaj mjedisit të Xhamisë Qendrore të Kembrixhit (Cambridge Central Mosque), gjatë vizitës së tij në këtë objekt, i cilësuar si xhamia e parë ekologjike në Evropë.


Gjatë vizitës së zhvilluar më 20 korrik 2026, mbreti britanik u njoh me karakteristikat e kësaj xhamie dhe zgjidhjet e saj të qëndrueshme mjedisore. Ai u prit nga besimtarë dhe qytetarë në zonën Mill Road të Kembrixhit, përpara se të takohej me drejtues të institucionit, përfaqësues lokalë dhe besimtarë brenda objektit.
Charles III u shpreh i impresionuar nga dizajni i xhamisë dhe vlerësoi punën e bërë për ndërtimin e saj.
"Jam shumë i impresionuar nga cilësia e dizajnit, nga gjithë kujdesi dhe vëmendja që është kushtuar këtij objekti", tha mbreti gjatë vizitës.
Ai theksoi gjithashtu se xhamia përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për komunitetin mysliman, por edhe për qytetin e Kembrixhit, duke vlerësuar rolin e saj në promovimin e bashkëpunimit mes besimeve të ndryshme.
"Uroj me gjithë zemër që të vazhdoni me sukses punën tuaj dhe të vazhdoni bashkëpunimin me besimet e tjera në këtë zonë, duke dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës fetare", u shpreh ai.
Xhamia Qendrore e Kembrixhit është projektuar mbi parime të qëndrueshmërisë ekologjike. Ndër zgjidhjet miqësore me mjedisin përfshihen pompat efikase të nxehtësisë, panelet diellore, mbledhja dhe ripërdorimi i ujit nga lavamanët dhe ujit të shiut, si dhe ndriçimi natyror përmes dritareve të mëdha në çati.
Objekti ka një kapacitet prej rreth 1 mijë besimtarësh dhe është konceptuar jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si një hapësirë komunitare për edukim, aktivitete sociale dhe dialog ndërfetar.
Gjatë vizitës, Mbreti Charles III hoqi këpucët përpara se të hynte në sallën e lutjeve, sipas traditës së vendeve të adhurimit mysliman. Ai gjithashtu u takua me nxënës shkollash dhe bëri shaka me ta, duke thënë se shpresonte të mos ua kishte "prishur shumë pushimet" duke i sjellë në takim.
Zeynep Coskun, administratore e xhamisë, e cilësoi vizitën e mbretit një nder të veçantë, duke thënë se ai ishte i sjellshëm dhe u interesua për rolin e secilit person të përfshirë në aktivitetet e xhamisë.







Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë