Tëhuajësimi i gjuhës shqipe dhe kompleksi inferioritetit

 


Asgjë më shumë se sa gjuha nuk i zbulon të fshehtat e karakterit të njeriut, e as nuk rrëfen për diturinë, kulturën, orientimin, idetë dhe preferencat e tij në këtë jetë. Prandaj, tkurrja e rolit të gjuhës, thjesht si mjet komunikimi, duke nëpërkëmbur këtë gamë të gjerë rolesh të tjera, është varfërim i skajshëm i saj. 
E, në perspektivën kuranore, llojllojshmëria e gjuhëve nuk është një rastësi historike, por një shprehje e drejtpërdrejtë e madhështisë dhe urtësisë së Krijuesit. Allahu vë në dukje këtë fakt përmes një aksiome të fuqishme, ku thotë: "Dhe njëri prej argumenteve të Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, dhe llojllojshmëria e gjuhëve tuaja dhe ngjyrave tuaja (racave). Me të vërtetë, në këtë ka argumente për të diturit." (Err Rrum, 22).
Në dritën e këtij ajeti, pluraliteti gjuhësor, ku pa dyshim bën pjesë edhe gjuha e ëmbël shqipe, përbën një provë hyjnore të madhërisë së Krijuesit tonë, po aq madhore sa vetë arkitektura e qiejve, tokës dhe diversiteti i racave njerëzore.
Në të njëjtën frymë, ndonëse nga një perspektivë e rilindjes kombëtare, ideologu i madh Sami Frashëri do të zbërthente rëndësinë ekzistenciale të këtij amaneti në veprën e tij të mirënjohur "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet", (Bukuresht, 1899), kur thotë:
"Gjuha është e para shenjë e një kombi; pa gjuhë nuk mund të ketë komb... Perëndia e ka bërë njerëzinë me shumë gjuhë, se ashtu ka qenë urtësia e Tij... Kushdo që lë gjuhën e vet dhe merr një gjuhë të huaj, ai mohon dhe prish kombin e tij."
Përputhja e vizionit të Rilindjes sonë me parimin hyjnor na tregon se mbrojtja e shqipes nga tëhuajësimi nuk është thjesht një detyrë kulturore, por është edhe fetare, meqë është një përmbushje e vullnetit universal të Krijuesit që synon ta ruajë diversitetin si pasuri të njerëzimit.
Ta marrim në konsideratë një fakt historik, që idealistët shqiptarë e ruanin gjuhën shqipe duke hapur shoqata e forume gjithandej ku ata jetonin nëpër mërgatë, e nga atje botoheshin edhe revista dhe gazeta me karakter kombëtar. E, sot pa asnjë trysni e duke jetuar në liri, të krenohemi që kemi arritur ta braktisim gjuhën tonë dhe të krekosemi me ato pak fjalë që fëmijët tanë mund t'i flasin në cilëndo gjuhë të huaj, kjo vërtet është një paradoks i dhimbshëm dhe tregues i një inferioriteti të thellë. Në fakt asimilimi i një kombi nis me ndjenjën e inferioritetit që fillon ta ketë ndaj fesë, traditës, kulturës, e sigurisht dhe ndaj gjuhës që flet. Kur dikush mendon se të flasësh një gjuhë të huaj e ta nëpërkëmbësh tënden është arritje dhe është shenjë civilizimi, aty në fakt fillon edhe rruga e asimilimit të tij.
Duke e ndier këtë rrezik edhe Fishta në poemën e tij "Gjuha shqipe" përdorë një kritikë të ashpër për ata që krenohen me gjuhën e huaj. Ai ndër të tjera thotë:


Pra, mallkue njai bir Shqyptari, 
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi ngjuhë t'huej, kur sasht nevoja,
flet e t'veten e len mbas dore.


E prijësit fetarë myslimanë, hoxhallarë e myderrizë, dhe jo vetëm, nuk u është dashur as dikur as tani që të stisen për të treguar dashuri e respekt për gjuhën shqipe, ndërkohë që ata predikonin Islamin në gjuhën shqipe. Ajo është një dashuri e natyrshme dhe një besnikëri ndaj asaj që e kemi trashëguar. Shqiptarët gjithnjë kanë mësuar gjuhë të huaj, për shkencë e zgjerim kulturor, por kjo nuk i ka bërë ata që të harrojnë gjuhën e vet, e në familje të flasin të huajën.
Sot në botë fliten rreth 7,000 gjuhë, por gjuhëtarët parashikojnë se nëse ky ritëm i imperializmit kulturor dhe asimilimit gjuhësor vazhdon, deri në fund të këtij shekulli, më shumë se 50% e gjuhëve të botës do jenë zhdukur plotësisht.
Andaj, trendi i krenarisë sonë me gjuhë të huaja nuk na bënë kozmopolitë e as më të emancipuar, thjesht na radhit në listën e atyre që mund të vetëasimilohemi në kohë paqeje, e pa asnjë trysni.


 


Editorial
Dituria Islame 428


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë