Dashuria për vendin dhe koncepti i shtetësisë

 


Islami edhe rrënjosi në vetëdijen e besimtarit ndjenjën e përgjegjësisë për të avancuar vendin e vet kah përparimi, si shtytje për të kontribuuar në zhvillimin e tij.


Në një çast tejet të prekshëm, natën e emigrimit, në një kodër në periferi të Mekës, u ndal Pejgamberi ynë i bekuar që t'i jepte lamtumirën vendlindjes së tij. Nga tregu i qytetit "Hazvere" ktheu shikimin drejt Mekës me sy të mallëngjyer dhe me zemër të thyer tha: "Ah, sa vend i mirë dhe i dashur që je për mua! Po të mos më dëbonin, nuk do të banoja vend tjetër"(1) Ishin këto fjalët që dolën natyrshëm me plotë dashuri për vendlindjen dhe shprehën përkatësinë që ndiente për të.
Nisur nga kjo thënie dhe të tjera e konsiderojmë të drejtë konstatimin e imam Dhehebiut kur ndër gjërat më të dashura për të Dërguarin, paqja dhe mëshira qofshin me të, përmend dashurinë për vatanin.(2)
Madje, i Dërguari ynë alejhisselam ka porositur të mos qëndrojmë larg atdheut, saqë këshillonte haxhitë të përshpejtonin kthimin në vendlindje menjëherë pas përfundimit të ceremonive të Haxhit. Ai u thoshte atyre: "Sapo të kryej ndonjëri prej jush Haxhin, ta përshpejtojë kthimin në familje, se kjo ia rrit shpërblimin".(3)
Me "familje" këtu mund të nënkupto het vendlindja, sepse përfshihen me këtë udhëzim edhe ata haxhi që nuk kanë gra e as fëmijë.
Dashuria e njeriut për kombin dhe ndjenja e përkatësisë për vendin, janë emocione të natyrshme njerëzore dhe vlera morale, si të tilla Islami i inkurajoi këto lloj ndjenjash dashurie.
Por jo vetëm kaq, Islami edhe rrënjosi në vetëdijen e besimtarit ndjenjën e përgjegjësisë për të avancuar vendin e vet kah përparimi, si shtytje për të kontribuuar në zhvillimin e tij. Prandaj, me të drejtë thuhet ajo që është përcjellë me fjalë të ngjashme edhe nga halifi Umer se "me motivin e dashurisë ndaj vendit, janë ndërtuar shtetet"(4), nga vetë fakti se njerëzit nuk janë të lumtur për diçka tjetër të lindur më shumë sesa për përkatësinë e tyre ndaj vendit.


"Dashuria për vatanin është prej imanit"


Përndryshe, nëse tërheqim një analogji mund të themi: nëse gjidhënësja gëzon tretmanin mëmë, atëherë edhe vendlindja meriton tretmanin mëmëdhe. Kështu merr kuptim edhe fraza e të parëve: "Dashuria për vatanin është prej imanit",(5), ngase një dashuri aq sa është e natyrshme është edhe fetare në të njëjtën kohë.
Ndërkaq shtetësia, si koncept bashkëkohor, është partneritet mes bijve të një shteti, që i bashkon ata në qëllime dhe në sfida, përfitime dhe arritje, në të drejta dhe obligime. Dhe, shembulli ynë në këtë vend, duhet të jetë si ai i trupit, me të cilin i përngjasonte i Dërguari alejhis selam besimtarët dhe për të cilin thoshte: "Kur ankon një pjesë e tij, i tërë trupi alarmon me pagjumësi e temperaturë".(6)
Është iluzion të mendohet se arritja e interesave individuale që shkon në llogari të së mirës së përgjithshme siguron lumturinë, kjo s'ka ndodhur e as që do ndodhë ndonjëherë, se nuk ka egoizëm në vatan, në tryezën e tij të gjithë jemi të barabartë, ajo që mund të bën dallimin është vetëm zelli në dije dhe shkathtësia për punë. Vetëdijesimi ynë në kuptimin e drejtë të shtetësisë stimulon hapjen me të gjitha kategoritë e shoqërisë, për t'u njohur dhe për të bashkë- punuar me një çiltërsi të ndërsjellë për mirësi (virtyt) dhe drejtësi. Andaj, lutem të jemi prej atyre që në veprimtarinë e tyre kanë parasysh fjalën e të madhit Zot: "Bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri e jo në të këqija e armiqësi".(7)


____________________________
1. Transmeton Tirmidhiu, El Xhamiul Kebir, El Menakib, Fadli Mekke, nr. 4024, dhe e saktësoi. Dhe hebiu ndër gjërat e dashura për të Dërguarin përmend dashurinë e tij për vatanin.
2. Dhehebiu, Sijeru A'lamin Nubela, Muesseturr-Rrisale, 15/393.
3. Transmeton Hakimi, El Mustedrek, El Menasik, nr 673, dhe e saktësoi sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Me të u pajtua edhe Dhehebiu.
4. Bejhekiu, El Mehasinu el Mesavi, Darul Mearif, fq. 286.
5. Sekhavi, El Mekasidul Hasene, hadithi nr. 375.
6. Trasmeton Buhariu nr. 6011 dhe Muslimi nr. 2586. 7. El Maide: 2.


 


 


Dituria Islame 328