Vendet që deri më tani mund të kenë qenë mono fetare, dalëngadalë po bëhen multi fetare, dhe kjo po ndodh si në "botën" islame, ashtu edhe në "botën" jo islame. Të dyja këto "botë" tanimë u nënshtrohen njësoj ndikimeve të jashtme fetare dhe kulturore.
Çfarë tha Muhammedi a.s. për këtë aleancë?
Megjithëse ishte i ri, vetëm 20 vjeç, kur mori pjesë në themelimin e saj, këtë e ruante të freskët në kujtesën e tij jo vetëm si akt themelimi, por edhe rolin dhe funksionin që luajti ajo më vonë. Për këtë arsye, me siguri në periudhën pas hixhretit në Medine, Muhammedi a.s. do të thotë: "Si i ri kam qenë bashkë me xhaxhallarët e mi i pranishëm në betimin e "të parfumosurve" (ka pasur për qëllim Hilfu'l-fudulin). Nuk do ta kisha shkelur këtë betim edhe sikur të më jepnin deve të kuqe".(15)
Ai po ashtu ka thënë: "Kam qenë dëshmitar i një betimi (aleance) në shtëpinë e Abdullah bin Xhud'anit, të cilën (aleancë) nuk do ta kisha ndërruar edhe me një duzinë devesh të kuqe. Edhe sikur tani në kohën e Islamit të ftohesha në të, do t'i isha përgjigjur ftesës." (16)
Në këto dy hadithe shihet qartë qëndrimi jo vetëm pozitiv, por edhe proaktiv i Muhammedit a.s. ndaj një aleance, lige, pakti, shoqate a organizate të këtillë. Ai thotë se angazhimin e tij personal në një aktivitet të këtillë nuk do ta kishte zëvendësuar me asgjë, madje thotë: "Edhe sikur tani në Islam të ftohesha në një besatim a aleancë të tillë, do t'i isha përgjigjur pozitivisht".**
Këtë fjali të fundit duhet ta analizojmë e studiojmë mirë. Ajo që ndofta na bie në sy të parë është gatishmëria e Muhammedit a.s. për të vepruar dhe për të qenë aktiv për shoqërinë. Mirëpo, këtu fshihen edhe disa sekrete të tjera që jo çdokujt i bien në sy, e ato janë se Mu-hammedi a.s. shpreh gatishmërinë për të bashkëpu-nuar me njerëz që nuk janë muslimanë, sepse kur u lidh Hilfu'l-fuduli askush nuk ishte musliman, të gjithë ishin mushrikë (politeistë) dhe vetë Muhammedit a.s., që ishte i mbrojtur nga shirku/politeizmi, akoma nuk i kishte ardhur Shpallja nga Zoti, dhe këtë angazhim të tij ai nuk e kufizoi vetëm për të mirën e muslimanëve, porse për mbarë shoqërisë.
Mesazhet e Hilfu'l-fudulit sot
Hilfu'l-Fuduli dhe gatishmëria e Muhammedit a.s. për të marrë pjesë sërish në një organizim të tillë përbën bazën e angazhimit të përbashkët të njerëzve me fe e besime të ndryshme për të bashkëpunuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave humane. Ky lloj uniteti dhe bashkëveprimi mund të paramendohet në nivele të ndryshme, nga ai lokal tek ai rajonal, nga ai rajonal tek niveli kombëtar madje edhe ndërkombëtar. Është e vërtetë se disa muslimanë që nuk e tolerojnë madje as edhe përshëndetjen për dore të muslimanëve me jo-muslimanët, mund të zhgënjehen nga kjo ide dhe ata mund të dalin kundër kësaj, edhe atë në emër të "ruajtjes" së kauzës "islame". Mirëpo Hilfu'l-fuduli dhe qëndrimi i Muhammedit a.s. ndaj tij edhe pas ardhjes së pejgamberisë, duhet të na shërbejë si mostër se si një bashkëpunim i këtillë mund t'i afrojë njerëzit e feve dhe bindjeve ideologjike të ndryshme për të mirën e përbashkët të njerëzimit.
Sot njerëzit anekënd botës - nga vende të ndryshme, nga bindje fetare dhe nga kultura të ndryshme - janë të ndërlidhur ngushtë me njëri-tjetrin, ndoshta si kurrë më parë. Vendet që deri më tani mund të kenë qenë mono-fetare, dalëngadalë po bëhen multi-fetare - dhe kjo po ndodh si në "botën" islame ashtu edhe në "botën" jo-islame. Të dyja këto "bota" tanimë u nënshtrohen njësoj ndikimeve të jashtme fetare dhe kulturore. Kjo po i shkërmoq muret me të cilët ishin të rrethuar për shekuj të tërë. Tanimë nuk shihet si e domosdoshme që një pakicë fetare të asimilohet në shoqërinë shumicë dhe kështu ta humbasë besimin dhe identitetin. Në një atmosferë ku toleranca dhe respekti i ndërsjellë po rritet vazhdimisht, njeriu tanimë mund ta mbajë besimin dhe kulturën e vet dhe në të njëjtën kohë të punojë bashkë me njerëz të besimeve të tjera për të mirën e përbashkët. Vërtet ka disa përjashtime në këtë drejtim, mirëpo këto nuk e prishin rregullin.
Në botën e sotme ka një sërë problemesh të cilat e bëjnë të domosdoshëm një bashkëpunim të këtillë dhe një veprim të unifikuar të njerëzve me besime dhe ideologji të ndryshme. Këtu mund të numërojmë vetëm disa prej tyre: varfëria endemike, ngrohja globale, gara bërthamore, shkretimi ekologjik, imoraliteti i papërmbajtur, kriza në institucionin e familjes, terrorizmi etj. Këto probleme nuk janë specifike vetëm për një bashkësi apo komb. Përkundrazi, ato janë bërë fenomene globale. Ato thjesht nuk mund të zgjidhen në mënyrë efektive pa angazhimin e përbashkët të të gjitha komuniteteve dhe kombeve. Në mungesë të një uniteti dhe bashkëveprimi të këtillë, zor se mund të ndalet gara e njerëzimit drejt shkatërrimit. Disa njerëz mund të mendojnë se një bashkëveprim i këtillë është një ëndërr qesharake, mirëpo ne thjesht nuk kemi zgjedhje tjetër përpos se ta shikojmë këtë ëndërr dhe të mundohemi ta realizojmë atë.(17)
Meqë në Islam drejtësia njihet si një vlerë universale dhe si një e drejtë elementare e të gjitha qenieve njerëzore, pa marrë parasysh racën, fenë, gjininë apo prejardhjet tjera, si e tillë kjo vlerë përbën njërin prej synimeve fundamentale të së drejtës islame. Ibni Kajjimi thotë: "All-llahu xh.sh. e ka bërë të qartë se qëllimi apo synimi (final) në ligjin (sheriatin) e Tij është vendosja e drejtësisë dhe e korrektësisë midis njerëzve. Kështu që, cilado rrugë që të çon te drejtësia dhe korrektësia, quhet pjesë e fesë dhe ajo kurrë nuk e kundërshton atë".(18) Krejt ky bashkëveprim natyrisht se bëhet në frymën e shumë ajeteve kur'anore, në veçanti të ajetit 2 të sures el-Maideh: "Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut".
Antony T. Sullivan, një njohës i mirë i raporteve të Perëndimit me Lindjen e Mesme, ndaj edhe me botën islame, në trajtesën e tij mbi formën dhe mënyrën e demokratizimit të botës arabe dhe islame, del kundër imponimit të këtij procesi nga ana e SHBA-ve dhe e Perëndimit në përgjithësi me mjete të bezdisshme politike dhe ushtarake. Ai insiston që ky proces në këto vende të mbështetet dhe avancohet sidomos duke e afirmuar traditën dhe kulturën e gjerë e të hershme para-islame dhe islame, e cila përbën një bazë të shën-doshë për ndërtimin e mendimit liberal atje. Hilfu'l-fudilin ai e cilëson si traktatin e parë publik në histori që garanton të drejtat njerëzore. Ndër të tjera ai thotë: "Në jetën e tij profeti Muhammed ka qenë dëshmitar i një numri të madh të iniciativave për krijimin e një baze ideale mbi të cilat liberalët bashkëkohorë arabë dhe muslimanë mund t'i ndërtojnë institucionet që e mbështesin lirinë. Për shembull, në vitin 590 Muhammedi i ri, plotë 20 vite para se të fillonte t'i shpalleshin mesazhet e Kur'anit, ka qenë dëshmitar i ratifikimit të një aleance që quhej Hilf el-Fudul. Ky pakt është lidhur në afërsi të Mekkes nga fise të zgjedhura arabe. Kjo aleancë ka qenë traktati i parë publik i këtij lloji që garantonte të drejtat njerëzore. Hilf el-Fuduli është një dokument i jashtëzakonshëm".(19)
Mendimtari bashkëkohor Tarik Ramadan në veprën e tij "Hapave të Pejgamberit a.s." e përmend admirimin që Muhammedi a.s. e ka shprehur ndaj këtij pakti edhe atë vite më vonë pasi kishte nisur t'i shpallej Kur'ani fisnik dhe vetë ky nxjerr këto konkluza nga ky qëndrim i Muhammedit a.s. ndaj Hilfu'l-fudulit: "Pejgamberi a.s. jo vetëm që e ka theksuar veçantinë e kushteve të këtij pakti, i cili i kundërshtonte aleancat e këqija fisnore që mbisundonin në atë kohë, por ai ka shtuar se madje edhe si bartës i mesazhit të Islamit - madje edhe si musliman - ai akoma e pranonte substancën e këtij pakti dhe se nuk do të hezitonte të merrte pjesë sërish në një të tillë. Kjo deklaratë ka një rëndësi të veçantë për muslimanët nga e cila mund të nxirren më së paku tri mësime kryesore. Ne kemi parë se Muhammedi a.s. dinte të përfitonte pozitivisht nga e kaluara e tij, mirëpo këtu reflektimi shkon akoma më tej: Muhammedi a.s. e njeh një pakt që ishte lidhur para fillimit të shpalljes (së Kur'anit) dhe i cili pakt zotohej se do ta mbronte drejtësinë në mënyrë të prerë dhe se do ta kundërshtonte shtypjen që ushtrohej mbi të varfrit dhe të dobëtit. Kjo nënkupton faktin se akti i nxjerrjes së këtyre parimeve është bërë para Islamit dhe se këto nuk janë pronë vetëm e Islamit, ngase në fakt Islami dhe mesazhi i tij kanë ardhur ta konfirmojnë substancën (thelbin) e një kontrate të cilën vetëdija njerëzore tanimë e kishte formuluar në mënyrë të pavarur. Këtu, Pejgamberi a.s. qartë e njeh vlefshmërinë e parimit të drejtësisë dhe mbrojtjen e të shtypurit, të përcaktuar në një pakt të kohës para-islame.
Mësimi i dytë nuk është më pak esencial: në një kohë kur mesazhi zhvillohej dhe shtjellohej akoma gjatë shpalljes së Kur'anit dhe përvojës së Muhammedit a.s., ai e njohu vlefshmërinë e një pakti të lidhur nga jo-muslimanët që kërkonte drejtësinë dhe të mirën e përbashkët të shoqërisë së tyre. Deklarata e Pejgamberit a.s. në vetvete është një refuzim i zëshëm i prirjes së mendimeve që janë shprehur herë pas here përgjatë historisë së mendimit islam - madje edhe sot e kësaj dite - sipas së cilës një zotim a aleancë mund të jetë e vlefshme për muslimanët vetëm nëse ka një natyrë të pastër islame ose/dhe nëse është lidhur midis muslimanëve. Po e themi përsëri, pika kyç është se Pejgamberi a.s. qartë e njeh vlefshmërinë e respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të mbrojtjes së të shtypurve, pa marrë parasysh se nga vijnë këto parime, nga brenda Islamit ose prej jashtë tij.
Mësimi i tretë është një rezultat i drejtpërdrejtë i këtij reflektimi: mesazhi i Islamit në asnjë mënyrë nuk është një sistem i mbyllur vlerash që bie ndesh me sistemet tjera të vlerave. Që nga fillimi, Pejgamberi a.s. nuk e konceptoi përmbajtjen e këtij mesazhi si shprehje të një diçkaje krejt tjetër kundrejt asaj që e prodhuan arabët ose shoqëritë tjera në kohën e tij. Islami nuk krijon një univers të mbyllur të referimit, përkundrazi mbështetet në një sërë parimesh universale që mund të përkojnë me bazat dhe vlerat e besimeve dhe traditave të tjera fetare (madje të krijuara edhe nga një shoqëri politeiste, siç ishte ajo e Mekkes në atë kohë). Islami është një mesazh i drejtësisë që shkakton rezistencën ndaj shtypjes dhe mbrojtjen e dinjitetit të të shtypurit dhe të varfrit, andaj muslimanët duhet ta njohin vlerën morale të një ligji a të një kontrate që e kushtëzon këtë kërkesë, pa marrë parasysh se kush janë autorët dhe pa marrë parasysh se cila shoqëri e prodhon këtë, një shoqëri islame apo jo-islame. Larg ndërtimit të një bindjeje ndaj Islamit në të cilën njohja dhe lojaliteti janë ekskluzive për komunitetin fetar, Pejgamberi a.s. është përpjekur ta zhvillojë ndërgjegjen e besimtarëve përmes ndjekjes së parimeve që i tejkalojnë besnikëritë e mbyllura, pra që mbështeten në lojalitetin primar ndaj vetë parimeve universale. Mesazhi i fundit nuk i sjell asgjë të re afirmimit të parimeve të dinjitetit njerëzor, të drejtësisë dhe të barazisë: ai thjesht i rikujton dhe i konfirmon ato. Jo vetëm te vlerat morale, por këtë intuitë e shohim edhe atëherë kur Pejgamberi a.s. flet për cilësitë e individëve para Islamit dhe në Islam: "Më të mirët prej jush (kur janë në pyetje cilësitë njerëzore dhe morale) gjatë kohës para Islamit (xhahilijjetit) janë edhe më të mirët në Islam, nëse ata e kuptojnë atë (Islamin)".(20) Vlera morale e një qenieje njerëzore e tejkalon përkatësinë ndaj një bote të caktuar të referimit; brenda Islamit ajo kërkon njohuri dhe kuptim shtesë në mënyrë që ta rrokë tamam atë që e konfirmon Islami (parimin e drejtësisë) dhe atë që e kërkon të reformohet (të gjitha llojet e adhurimit të idhujve).(21)
Thënë shkurt, T. Ramadani nxjerr tri parime nga Hilfu'l-fuduli:
1. Islami i përqafon vlerat e nxjerra nga ndërgjegjja njerëzore, qoftë të vijnë këto edhe nga një traditë tjetër fetare jashtë Islamit. Kjo nga arsyeja se Muhammedi a.s. e njohu një pakt të krijuar para Islamit.
2. Islami e njeh drejtësinë e jo-muslimanëve. Në rastin e Hilfu'l-fudulit jo-muslimanët (mushrikë, politeistë madje) e kanë mbrojtur drejtësinë dhe të shtypurit.
3. Islami, në vend që të ndërtojë besnikërinë ndaj një bashkësie të mbyllur, kërkon besnikërinë ndaj parimeve universale. Mesazhi i Islamit nuk është një sistem i mbyllur vlerash, e as që është në kundërshtim a konflikt me sistemet e tjera të vlerave.
Përmbyllje
Sado që një shoqëri të jetë e shthurur dhe e çorientuar, aty sërish dhe domosdo gjenden elemente që i mbrojnë, i kultivojnë dhe u dalin zot vlerave universale si drejtësia, korrektësia, ndershmëria, mos-mashtrimi, mos-shtypja etj. Bashkëpunimi i muslimanëve me elementë që u dalin zot këtyre vlerave jo vetëm që është e lejuar nga aspekti islam, por për më tepër, përbën thelbin e mesazhit të Islamit, e me këtë kjo shihet edhe si imperativ i domosdoshëm në ngritjen e një shoqërie të shëndoshë.
Le të na shërbejë shembulli i Hilfu'l-fudulit sidomos ne muslimanëve që jetojmë në Perëndim që të participojmë në shoqëri, të marrim pjesë në ngritjen dhe ruajtjen e vlerave universale, vazhdimisht duke mbetur musliman.
Përkryerja e identitetit musliman nënkupton shprehjen dhe manifestimin e besimit përmes sjelljes së arsyeshme. Të jesh musliman do të thotë të veprosh në përputhje me mësimet islame pa marrë parasysh mjedisin dhe s'ka asgjë në Islam që e shtyn muslimanin të largohet nga shoqëria në mënyrë që të jetë më afër Zotit. Është në fakt e kundërta, "realizimi i besimit" në Kur'an ndërlidhet me mirësjelljen, me "bamirësinë".(22) Pejgamberi a.s. vazhdimisht e ka theksuar këtë dimension të identitetit musliman. "Më i dashuri te Allahu është ai që është më i dobishmi për njerëzit".(23)
Besimin individi duhet ta shprehë përmes veprimeve koherente. Ai mund të veprojë para Zotit, por kjo nuk i mjafton, ai e ka për detyrë të përpiqet të përzihet me njerëzit, gjë e cila e shpreh qartë idenë e komunikimit me të tjerët, të bashkëveprimit me bashkëqytetarët. Duket qartë se përkufizimi i identitetit musliman është i hapur, dinamik, i bazuar në parime, por në ndërveprim të vazhdueshëm me mjedisin ku jeton.
________________________
(15) Ahmed bin Hanbeli, Musned, "El-Asheratu'l-mubeshsheratu bi'l-Xhenneh", 1609.
(16) El-Bejhekiu, Es-Sunenu'l-Kubra, "el-Vesaja", 12 110.
** Muhammedi a.s. në një hadith ka thënë: لَا حِلْفَ فِي الْإِسْلَامِ وَأَيُّمَا حِلْفٍ كَانَ فِي الْجَاهِلِيَّةِ لَمْ يَزِدْهُ الْإِسْلَامُ إِلَّا شِدَّةً - "Nuk ka Hilf (betime) në Islam. Çdo lloj Hilfi që ishte në kohën e xhahilijjetit (para Islamit) Islami vetëm se e ka përforcuar" (Muslimi, Sahih, "Fedailu's-Sahabeh", 4595). Ibn Haxher el-Askalani si dhe Imam Neveviu thonë që me këtë hadith nuk ndalohen betimet apo paktet, aleancat e këtilla për të mirën e njerëzimit dhe për përforcimin e drejtësisë, porse ndalohen ato që bëhen në emër të së keqes dhe ndalohet trashëgimia midis anëtarëve të këtyre aleancave, siç praktikohej në kohën para Islamit. (Fet'hul-Bari dhe Sherhu'n-Nevevij).
(17) Waris Mazhari, "Need for a New Hilf al-Fudul", në www.islamicvoice.com.
(18) Ibni Kajjim el-Xheuzijjeh, Et-Turuk el-Hikmijjeh, 1/13.
(19) Antony T. Sullivan, "Islam, America, and the political economy of liberty" Modern Age 49, nr. 2 (2007), f. 130-138.
(20) Këtë hadith e përmend Ibni Hibbani në Raudatu'l-Ukala': خِيَارُكُمْ فِي الْجَاهِلِيَّةِ خِيَارُكُمْ فِي الإِسْلامِ إِذَا فَقِهُوا
(21) Tariq Ramadan, In the Footsteps of the Prophet - Lessons from the Life of Muhammad, Nju Jork 2007, f. 21-2.
(22) Tarik Ramadan, Të jesh mysliman evropian, Shkup 2011, f. 281-283.
(23) Taberaniu, Bejhekiu etj.: أَحَبُّ النَّاسِ إِلَى اللهِ أَنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ
Dituria Islame 315