Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, është institucioni më i lartë edukativo arsimor i Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili filloi punën e tij nga fundi i vitit 1992.(1)
Në mbledhjen e 7 qershorit 1992 të Kuvendit të Bashkësisë Islamike të Kosovës, dr. Rexhep Boja, në emër të Komisionit Amë, të formuar nga dr. Pajazit Nushi, mr. Ismail Ahmeti, mr. Qemajl Morina, Isa Bajqinca, Jashar Jashari, Miftar Ajdini dhe Naim Tërnava, paraqiti synimet lidhur me ngritjen e Fakultetit të Studimeve Islame. Njëkohësisht ishin hartuar Statuti dhe plan-programet e tij. Në bazë të plan-programit përfshiheshin 23 disiplina, nga të cilat 2/3 e zinin lëndët fetare, kurse pjesa tjetër përbëhej nga lëndët e kulturës së përgjithshme. Ky fakultet gjeti miratimin edhe të rektorit të Universitetit të Prishtinës, dr. Ejup Statovcit. Mbi këtë bazë, me 7 dhjetor 1992, Fakulteti i Studimeve Islame hapi dyert e tij. Dekan i këtij Fakulteti u zgjodh nga Meshihati i Kosovës dr. Rexhep Boja, ndërsa zëvendës dekan u zgjodh mr. Qemajl Morina.(2)
Misioni i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë është edukimi dhe përgatitja e kuadrove profesionale e shkencore për nevojat e Bashkësisë Islame, të institucioneve dhe organeve të saj edukativo-arsimore, në frymën e parimeve shkencore dhe të vlerave bashkëkohore nga fusha e studimeve islame.(3)
Është fakulteti i vetëm në Kosovë që ofron studime në fushën e Teologjisë Islame, dhe i gjithë procesi bazohet mbi kriteret dhe standardet e procesit të Bolonjës. Vlen të ceket se Fakulteti ka filluar të zbatoj procesin e Bolonjës qysh nga viti 2001, atëherë kur edhe ka filluar të zbatohet ky proces në Kosovë. Po ashtu, menaxhmenti i fakultetit është i përkushtuar të vazhdojë dhe të avancojë me implementimin e procesit të Bolonjës, duke qenë të përkushtuar në avancimin e cilësisë duke respektuar Ligjin mbi Arsimin e Lartë të Kosovës, objektivat që dalin nga deklarata e Bolonjës, Standardet Evropiane për Siguri të Cilësisë, standardet të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe gjithmonë duke synuar hapësirën evropiane të arsimit të lartë.(4)
Fakulteti ka për qëllim që të sigurojë kushte për arsimimin e kuadrove shkencore mësimore; të zhvillojë kushtet për hartimin e literaturës shkencore mësimore për nevojat e mësimit, të zhvillojë kushte për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, t'u ofrojë shërbime profesionale e shkencore organeve dhe institucioneve të Bashkësisë Islame dhe institucioneve të tjera, të zhvillojë bashkëpunim me fakultetet simotra teologjike dhe me institucione e asociacione të tjera shkencore-arsimore në vend dhe jashtë.(5)
Avancimi i cilësisë, ndërkombëtarizimi, zhvillimi i punës shkencore, mësimdhënia dhe nxënia kane qenë dhe vazhdojnë të janë për Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë aspekte kyçe të zhvillimit të fakultetit, komunitetit dhe shoqërisë.(6)
Në kuadër të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë funksionojnë dy programe të studimit: programi në nivelin Bachelor(7) dhe programi në nivelin Master.(8)
Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, më 06 korrik 2012 është akredituar për tri vjet, dhe kjo është puna dhe arritja më e madhe që është realizuar por, hiq më pak e vlefshme për kah pesha dhe rëndësia që ka, nuk mbetet as çështja e inkorporimit të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë si njësi e veçantë në kuadër të Universitetit publik të Prishtinës. Realiteti është se më 28 shtator 2012, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim për inkorporimin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë si njësi e barabartë akademike në kuadër të Universitetit publik të Prishtinës.(9)
Përmes marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit janë arritur bashkëpunime në fushat e shkëmbimit dhe komunikimit te fakultetit, stafit akademike dhe studentëve me institucione të tjera. Kjo me qëllim të arritjes së standardeve më të larta në fushën e mësimdhënies, nxënies, hulumtimeve, por edhe të shërbimeve administrative. Është krijuar edhe zyra/zyrtari për marrëdhënie me jashtë, i cili funksionon tanimë krahas zyrës për sigurim të cilësisë.(10)
Në aspektin e zhvillimit të cilësisë në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë është fokusuar në avancimin e proceseve dhe mekanizmave të vlerësimit si të stafit akademik ashtu edhe të studentëve dhe cilësisë në përgjithësi. Involvim më gjithëpërfshirës i stafit akademik, studentëve, administratës, por edhe tregut të punës në proceset e zhvillimi të cilësisë. Rishqyrtimi dhe zhvillimi i mekanizmave adekuatë për zhvillimin dhe vlerësimin e programeve të studimit përfshirë këtu edhe mekanizmat e monitorimit.
Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë përveç synimit që ka të avancojë punën kërkimore shkencore te stafi akademik, gjithashtu është i përkushtuar që të avancojë në përfshirjen e studentëve në punën kërkimore shkencore dhe atë duke i stimuluar studentët përmes punimeve që ndërlidhen ngushtë me nevojat dhe interesin publik. Fokusi i fakultetit është orientuar edhe në zhvillimin e hulumtimeve, posaçërisht, në studimet Master, ku kandidatët e studimeve Master do të inkurajohen që punën e tyre ta prezantojnë në forumet shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe atë në bashkëpunim të ngushtë me mentorin apo profesorin përkatës. Në zhvillimin dhe reformimin e kurikulave, procesit të mësimdhënies dhe mësim-nxënies si dhe procesin e vlerësimit në konsulta, debate dhe analiza do të përfshihen përveç stafit akademik, administrative, menaxhmentit dhe studentët, edhe anëtarët e tregut të punës.(11)
_____________________________
1 Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës, Buletini 1, (Prishtinë: 2010) 5.
2 Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, AIITC-Tiranë, (Tiranë: 1997), 66.
3 Vedat Shabani & Besnik Fetahu (PhD), "Procesi i Bolonjës: Sfidat e Fakultetit të studimeve islame rreth sigurimit të cilësisë", Buletini 4, Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës, (Prishtinë: 2016) 217.
4 Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, Plani strategjik i Fakultetit të Studimeve Islame 2021-2025, shkarkuar nga ueb faqja: https://fsi-edu.net/wp-content/uploads/2024/11/Plani Strategjik-2021-2025.docx, më: 18.04.2025.
5 Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës, Buletini 2, (Prishtinë: 2012) 6.
6 Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, Plani strategjik i Fakultetit të Studimeve Islame 2021-2025, op. cit.
7 https://fsi-edu.net/planprogramet-ba/.
8 https://fsi-edu.net/planprogramet-ma/.
9 Qazim Qazimi, "Akreditohet Fakulteti i studimeve islame dhe inkorporohet në kuadër të Universitetit të Prishtinës", Buletini 2, Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës, (Prishtinë: 2012) 5.
10 Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, Plani strategjik i Fakultetit të Studimeve Islame 2021-2025, op. cit.
11 Po aty.
Dituria Islame 418