Mesazhi hyjnor është përmbyllur me Pejgamberin e fundit, Muhamedin a.s.. Atij, Zoti xh.sh., ia zbriti shpalljen përmbyllëse, për të gjitha kohërat dhe vendet, udhëzim për mbarë njerëzimin. Pasi që Zoti xh.sh. nuk do të dërgonte më pejgamberë, nevojën e dërgimit të tyre e zëvendësoi me ruajtjen e autencitetit apo origjinalitetit të shpalljes, kjo padyshim që ishte garanci hyjnore.
Shpallja hyjnore është realizuar përmes zbritjes tekstuale, fjalës së Allahut xh.sh., e shkruar në Mus'haf, dhe përmes haditheve, të shprehura në fjalë, vepra, pëlqime dhe veti të Muhamedit a.s.. Andaj, kur flasim për ruajtjen e haditheve, për qëllim kemi ruajtjen e atyre haditheve, të cilat kanë për tematikë aspektin fetar, apo janë esenciale për kuptimin e fesë. Muhamedi a.s.. ka thënë: "...ju jeni më kompetentë për çështjet e kësaj bote."(1) Duke pasur parasysh që kemi hadithe të sakta, të dobëta dhe hadithe të shpikura, këtu do të ndërhyjë vullneti i Zotit, duke krijuar rrethana të cilat do të pamundësojnë ndërhyrjen e dorës së njeriut për të shtuar apo larguar diçka nga shpallja hyjnore, e cila përbëhet nga Kurani dhe Suneti.
Sigurinë për pamundësinë e ndërhyrjes së njeriut në ndryshimin e shpalljes, e ka garantuar Zoti xh.sh. në Kuran ku thotë: "Sigurisht, Ne e kemi zbritur shpalljen, dhe sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (El-Hixhër, 9). Padyshim se në shpallje përfshihet shpallja në Kuran dhe ajo në hadithe. Allahu xh.sh. thotë: "...Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur, me shpresë që të meditojnë." (En-Nahël, 44); "Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij." (En Nexhm, 3,4). Teksti është i përgjithshëm, që do të thotë se, tërë atë që e përcjell Muhamedi a.s. është shpallje. Andaj, si do të kuptohet tërësia e fesë dhe kuptimi i Kuranit pa hadithe? Si do të kuptohet numri i namazeve dhe forma e faljes së tij pa hadithe? Pa hadithe, si do të kuptohet vlerat e zekatit, i cili është kusht i Islamit? Nëse nuk mund të realizohet një obligim pa një parim, ai parim duhet të jetë obligim dhe i pandarë me të. Ky kuptim duhet të jetë sikurse preambulë apo parim i pa kontestuar. Çdo pretendim që atakon këtë parim, duhet refuzuar. Askush nuk mund të sfidojë apo thyej dëshirën, respektivisht garancinë e Zotit xh.sh., për të ruajtur shpalljen e fundit, pavarësisht a gjendet ajo në Kuran apo hadith. Sigurisht, sahabët ishin ata që përcollën Kuranin, dhe po të njëjtit i transmetuan edhe hadithet, andaj besnikëria e tyre në transmetimin e Kuranit, detyrimisht duhet të jetë edhe në transmetimin e haditheve.
Ata që gjykojnë apo pretendojnë se hadithet nuk janë ruajtur, përveçse një pjesë, e cila gjithashtu është e kontestuar, duhet të verifikojnë qëndrimet e tyre në dritën e këtyre parimeve, argumentet e të cilave janë të shumta dhe të pa kontestuara.
Pretendimi për humbjen e haditheve, bazuar në deklaratat e shumë dijetarëve, se atakanë ditur apo memorizuar qindra mijëra hadithe, numër i cili arrin deri në miliona, është argument i mjaftueshëm për të kon statuar humbjen e shumë haditheve, sepse këto shifra aspak nuk përputhen me numrin e haditheve në literaturën islame, numri i tërë haditheve nuk tejkalon pesëdhjetë mijë. Andaj, pas humbjes së shumicës së haditheve, detyrimisht duhet ta pranojmë vetëm Kur anin. Këtë e shprehin, kinse me qëllim që të mos devijohet mesazhi hyjnor, 'ngase ata janë të shqetësuar për fatin e Islamit'.
Për ta kuptuar realitetin e këtij pretendimi apo "shqetësimin" e atyre që lobojnë për dobësinë e argumenteve përmes haditheve, rrjedhimisht për distancimin nga çdo gjë që vije nga Muhamedi a.s., do të sjellim dhe shpjegojmë argumentet të cilat do të shfaqin realitetin e këtyre pretendimeve. Patjetër që pyetjet e sinqerta janë të mirëseardhura, pavarësisht burimit të tyre, pasi që feja islame është e ndërtuar mbi parime shkencore të paluhatshme.
Dijetarët apo përfaqësuesit e shkencave islame, Zoti xh.sh. i bekoi me të arritura shkencore të pashembullta në historinë e njerëzimit. Ata, krahas sinqeritetit dhe angazhimit të tyre, memorizuan aq shumë tekste, që ndërlidhen me trashëgiminë apo burimet islame. Niveli shpirtëror dhe shkencor i atyre dijetarëve shkëlqen ndër shekuj. Patjetër që të arriturat e tyre ndër shekuj, paraqesin krenarinë e besimtarëve me të kaluarën e tyre, njëkohësisht, me dëshirën e Zotit, ata ishin akterë të realizimit të premtimit të Zotit xh.sh. për ruajtjen e shpalljes.
Imam Buhariu ka thënë: "Kam të memorizuara njëqind mijë (100.000) hadithe të sakta, dhe dyqind mijë (200.000) hadithe të pasakta."(2) Imam Muslimi ka thënë: "Librin Sahih e kam përzgjedhur nga treqind mijë (300.000) hadithe."(3) Është transmetuar se Imam Ahmed ibën Hanbeli ka memorizuar një milion hadithe.(4) Këto dhe shumë tekste të tjera janë dëshmi të qarta për numrin e madh të haditheve që kanë qenë në mendjen dhe zemrën e shumë dijetarëve.
Elementi apo parimi qenësor, për të kuptuar se çfarë synohet me numrin e haditheve që i kanë ditur apo memorizuar dijetarët dhe numrit të teksteve të hadithit që janë në dis pozicionin tonë, është të kuptuarit e përdorimit të fjalës "hadith".
Në mendjen e besimtarëve, me fjalën ha dith, përgjithësisht synohet apo vije ndër dije se për qëllim është definicioni terminologjik i hadithit, se çdo gjë që i atribuohet Muhamedit a.s. quhet hadith. Termi hadith përdoret edhe për tekstet që transmetohen nga sahabët, shokët e Pejgamberit a.s., ndërsa në terminologjinë e shkencës së hadithit quhet hadith mevkuf. Por, edhe tekstet e transmetuara nga tabiinët quhen hadithe, ndërsa në precizitetin shkencor të hadithit, quhen hadith maktu. Andaj, çdo tekst që vije nga Pejgamberi a.s., sahabët dhe tabiinët, në fushën e transmetimeve, dijetarët i quanin hadithe. Përdorimi i fjalës hadith, zakonisht përdoret në këtë kuptim, përveç nëse pasohet me fjalën vijuese, si: merfu, mevkuf apo maktu etj.. Imam Ahmed ibën Hanbeli ka thënë: "Është vërtetuar saktësia e shtatëqind mijë e ca haditheve." Në lidhje me këtë, Imam Bejhakiu thotë: "Për qëllim janë transmetimet e sakta prej haditheve nga Muhamedi a.s., fjalëve të sahabëve dhe tabiinëve."(5)
Nëse shfletojmë literaturën e gjeneratave të para, do të gjejmë shumë transmetime nga sahabët dhe tabiinët, të cilat i kanë quajtur hadithe. Imam Muhamed ibën el Hasan esh Shejbani, në librin e tij, "El Huxheh Ala Ehl-il Medineh", ka thënë: "Ka ardhur në hadith nga Ali ibën Ebi Talibi, i cili ka thënë: "Vdekja është borxhliu më i pa dëshiruar."(6) Fjala e sahabiut, në këtë rast e Aliut r.a. është quajtur hadith. Pas përshkrimit të një pjese të formës së namazit të frikës, nga Imam Ibrahim en-Nahiu, përfundon përshkrimi i transmetimit duke thënë: "Vazhdon teksti i ha dithit..."(7) Imam Ibrahim en-Nahiu është tabiin, ka lindur në vitin 47 h. dhe ka vdekur në vitin 96 h..(8) Fjalën apo qëndrimin e tij, Imam Muhamedi e quan hadith.
Kur t'i numërojmë fjalët, veprat, pëlqimet dhe cilësitë e Muhamedit a.s.; fjalët, gjykimet, mendimet e dijetarëve të përcjella nga njëqind e katërmbëdhjetë mijë sahabë, por edhe fjalët e tabiinëve, do të kuptohet se si tërësi numri kaq i madh i haditheve është real dhe i logjikshëm..
Në numërimin e këtyre haditheve merret në konsideratë çdo ndryshim në zinxhirin e transmetimit. Nëse një transmetues ndryshon, do të numërohet një hadith më shumë. Dijetarët e hadithit nuk kanë numëruar hadithet vetëm për nga teksti (metni) i hadithit, por për çdo ndryshim në zinxhir të transmetimit, kanë llogaritur hadith të veçantë.
Këtë do ta ilustrojmë me hadithin vijues: "Veprat shpërblehen sipas nijetit..."(9), versionin e njohur e transmeton Omeri r.a., prej tij Alkameh ibën Vekasi, nga ky Ibrahim et Tejmiju, prej të cilit transmeton Jahja ibën Said ... deri këtu numërohet një hadith, nëse në një transmetim tjetër nga të njëjtit transmetues hasim në ndonjë ndryshim në tekst (metën), numërohet hadith i ndarë nga ai paraprak. Ebu Ismail el Ensari el-Heraviju ka thënë: "Këtë hadith e kanë transmetuar nga Jahja ibën Seidit shtatëqind nxënës të tij, dhe numërohen shtatëqind hadithe. Kur kemi parasysh që në numërimin e haditheve përfshihet çdo rrugë e transmetuar, e cila ndryshon me ndryshimin e transmetuesve, kuptojmë se sa shumë janë hadithet nga Pejgamberi a.s., sahabët dhe tabiinët. Numërimi bëhet për çdo ndryshim në zinxhir të transmetimit dhe të metnit. Saktësia e tyre është fazë tjetër. Imam El-Xhevzekiu ka thënë: "Kam numëruar hadithet dhe rrugët e tyre në sahihun e Buhariut dhe Muslimit, dhe kam gjetur rreth njëzetë e pesë mijë hadithe (25.000)."(10) Kushtet e këtyre autorëve në librat e tyre janë të nivelit të lartë, megjithatë përmes ndryshimeve të rrugëve të transmetimit arrin shifrën (25.000). Ndërsa numri i teksteve (mutuneve), përafërsisht është rreth dhjetë mijë (10.000). Nëse numërohen të gjitha hadithet në tërë literaturën islame, sa do të jetë totali i numrit të tyre? Megjithatë, numri i teksteve të transmetimit mbetet i kufizuar, kjo për shkak se objektivë e transmetimeve ishin hadithet bazike të rregullave apo normave fetare.
Fillimisht duhet të konstatojmë se, të gjitha hadithet të cilat janë të nevojshme që feja në tërësinë e saj të jetë e plotësuar, janë transmetuar dhe ekzistojnë edhe sot. Përndryshe do të përgënjeshtrojmë ajetin që Zoti xh.sh. ka siguruar se e ka plotësuar dhe garantuar këtë fe, konkretisht shpalljen përfundimtare.
Dijetarët kanë shkruar hadithet kryesore në çdo temë. Zakonisht kanë shkruar dy apo tri hadithe, të cilat janë më kuptimplote në çështjen përkatëse. Imam Ebu Davudi ka thënë: "I kam shkruar pesëqind mijë (500.000) hadithe, por i kam përzgjedhur vetëm ato që janë në librin, "Es Sunen". (11) Suneni i Imam Ebu Davudit konsiderohet njëri ndër librat më përmbledhës dhe më i lehtë për nxjerrjen e normave. Sikurse Ebu Davudi, vepruan thuajse të gjithë dijetarët islam. Duke transmetuar hadithet më të sakta dhe përmbledhëse të secilës temë, realizohej një element tjetër i rëndësishëm, shkurtimi apo kujdesi që numri i haditheve të mos jenë voluminozë, në mënyrë që hadithet të mësohen sa më lehtë, respektivisht, të mos vështirësohet kuptimi i fesë.
Vëmendje: Mos shkrimi i disa haditheve, kuptimi i të cilave është i ngjashëm, nuk do të thotë se ka humbur apo munguar diçka nga feja. Me anulimin e disa ajeteve të Kuranit, nuk do të thotë që Kurani nuk është i plotë. Ngjashëm sikurse që Muhamedi a.s. ka ftuar shumë njerëz që ta besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, por vetëm disa nga ato versione janë përshkruar në literaturën islame, sepse ishte e panevojshme shkrimi i të gjitha rasteve të ftesave të tij për në Islam. Ndër argumentet kryesore për shkrimin e haditheve dhe saktësinë e koleksioneve veçojmë: Në literaturën e jurisprudencës islame, gjatë argumentimit gjejmë të gjitha hadithet që janë referencë për argumentim, ndërsa, shprehja apo teksti mund të jetë në versione të ndryshme, pasi që kuptimi i tekstit është objektivë e juristëve.(12) Prandaj, shumica e haditheve janë transmetuar kuptimisht. Situatë e ngjashme është në literaturën e historisë islame, tefsirit, akaidit etj.. Sigurisht rregullat apo kushtet e transmetimit nuk janë të ngjashme me të muhadithëve. Ata fokusin e kanë në fushat përkatëse. Këto janë argumente për saktësinë e haditheve në librat e hadithit, që për tematikë kanë temat e këtyre fushave, të cilat i transmetuan dijetarët e tyre.
Vlen të potencohet se saktësinë e literaturës së hadithit, e vërtetojnë edhe dijetarët e mëvonshëm të po të njëjtës shkencë. Disa nga dijetarët shkruan hadithe të cilat paraprakisht i kanë transmetuar disa dijetarë në koleksionet e tyre, por përmes rrugëve (senedeve) të tyre, duke mos përmendur në zinxhirin e transmetimit autorin e librit, hadithet e të cilit autor i transmeton përmes rrugës apo zinxhirit personal të transmetimit, duke u takuar me ndonjë nga transmetuesit e haditheve të autorit të atij libri. Kjo tregon për saktësinë e atyre koleksioneve, për numrin e haditheve, respektivisht transmetuesve, si dhe për fleksibilitetin e shprehjeve në tekstet e tyre. Këto libra quhen "El Musta hrexhate".(13) Kemi shumë El Mustahrexhate të njohura, si p.sh.:
- Mustahrexhi i Ebu Avames, - Jakup ibën Is'hak el-Isfraini (316 h.), botuar nga shtëpia botuese "El Mearifeh" në Bejrut, 1998, dhe nga "El Xhamia El Islamie" në Arabinë Saudite, në këtë "El Mustahrexh" transmetohen hadithet e Imam Muslimit në Sahihun e tij dhe gjenden (11882) hadithe.
- Mustahrexhi i Imam Ebu Nuajmit ndaj Sahihut të Muslimit, - Ahmed ibën Abdullah en-Nejsaburit, Liban, botoi: "El Kutub El Ilmije", 1996. Ky botim përmban (3516) hadithe.
Ndërsa El Mustedrekatet janë libra të cilat transmetojnë hadithet sipas kushteve të autorit të ndonjë libri paraprak, në to gjenden hadithe të cilat transmetohen në ndonjë libër të caktuar të hadithit, duke i zbatuar kushtet apo rregullat të cilat autori i atij librit ka vendosur që t'i zbatojë në librin e tij, dhe të cilat nuk i ka sjell autori, edhe pse ato hadithe i plotësojnë rregullat apo parimet e tyre,(14) si p.sh.: "El Mustedrek ala es-Sahihajn", i Imam el-Hakimit, Ebu Abdullah, Muhamed iben Abdullah ibën Muhamed en-Nejsaburi, i botuar disa herë, dhe përmban rreth (8800) hadithe. Secili hadith konsiderohet hadith i ndarë nga të tjerët, përderisa në rrugën transmetuese ndryshojnë transmetuesit. Sikurse hapësira e shpjegimit të ishte e mjaftueshme, do të shpjegonim dhe argumentonim me shembuj praktikë. Por, nga kjo që paraqitem, do të kuptojmë mrekullinë e ruajtjes së shpalljes, konkretisht, hadithit.
__________________________
1 Muslim, ibën El Haxhaxh en-Nejsaburi, Sahih Muslim, (Bejrut, Dar Ihja Et Turath El Arabij) vëll.4, faq. 6381, nr. 3632.
2 El Begavij, Ebu Muhamed, el Husejn ibën Mesud ibën Muhamed ibën el-Ferra, Mesabih Es Suneh, (Liban, Bejrut: Dar El Marifeh Litibaë ve En Nesher ve Et Tvziaë, 1987), vëll.1, faq.60.
3 Ebu El Abas, Ahmed ibën Tahir ed-Dani, El Imeu Ila Atraf Ehadith Kiteb El Muvata, recensoi Ebu Abdulbari, Rida Ebu Shameh el-Xhezairi, (Saudi, Riad: Mektebetu El Mearif li En Nesher ve Et Tevziu, 2003), vëll.1, fq. 263.
4 El Makdisij, Ali ibën el Mufadal ibën Ali ibën Muferrixh, El Errbaine El Muratebetun Ala Tabekat El Errbai, recenzoi: Muhamed Salim ibën Muhamed el-Abadi, (Saudi, Riad: Dar Edvau Es Selef li En Nesher ve Et Tevzië 1414 h), vëll.1, fq. 256.
5 Ebu Zurah err-Rrazi, Ubejdullah ibën Abdulkerim ibën Jezid, Ed Duafe Li Ebi Zurah fi Exhvibetihi Ala Esileti El Berdhiij, punoi temë shkencore në këtë libër, Sadij Mehdi el-Hashim, ( Saudi, Medineh El Muneverah: Amedetu El Bahth el Ilmij Bilxhamia el Islamije, 1982), vëll. 1, fq. 207.
6 Esh Shejbani, Ebu Abdullah, Muhamed ibën el Hasan ibën Ferkad, El Huxheh Ala Ehl El Medineh, recensoi, Mehdi Hasan el Kejlani el-Kadirij, (Bejrut: Dar Alim El Kutub, 1403), vëll.2, faq.716.
7 Referenca paraprake, vëll.1, fq. 344.
8 Ibën Sead, Muhamed ibën Sead ibën Muniaë, Et Tabekat El Kubra, recensoi: Muhamed Abdulkader Ata, (Bejrut: Dar El Kutub El Ilmije, 1990), vëll.6, fq. 291.
9 El Buhari, Muhamed bin Ismail, Sahih El Buari, (Dar Tuk En Nexhah, 1422 h.) Vëll.1, faq.6, nr. 1.
10 El Iraki, Zejnudin Abdurrahim ibën el-Hasan, Sherh Et Tebsiratu Et Tedhkirah -Elfijetu El Iraki, (Bejrut, Dar El Kutub El Ilmijeh), vëll. 1, fq. 297.
11 Sadruddin el-Bekri, El Hasan ibën Muhamed ibën Muhamed ibën Amruk, El Errbain min El Errbain an El Errbain, recensoi: Muhamed Mahafudh, (Tunis: Dar El Garb El Islami) vëll.1, fq.62.
12 Ibën Rexheb, Zejnudin Abdurrahman ibën Ahmed bin Rexheb ibën el Hasen, Sherh Ilel Et Termidhij, recensoi dr. Hemam Abdurrahman Seid, (Jordan, Mektebetu El Menar Ez Zerka 1987), vëll.1, fq.188.
13 Ez Zerkeshij, Bedrudin Muhamed ibën Abdullah, En Nuket Ala Mukadimet Iben Es Salah, recensoi dr. Zejnulabidin ibën Muhamed, (Arabia Saudite, Riad: Edva Es Sele, 1998), vëll.1, fq.229.
14 Ibën Es Salah, Utham ibën Abdurrahman, Marifetu Envaë Ulum El Hadith, recenzoi: Abulatif el Hemim dhe Mahir Jasin el Fahel, (Bejrut: Dar El Kutub El Ilmije, 2002), vëll.1, fq.88.
Dituria Islame 394