Kazaja e Preshevës gjatë periudhës osmane


(shtrirja dhe ndarja e saj në tapitë osmane)


Presheva është qyteti që ka qenë nikoqir i civilizimeve më të vjetra botërore, duke filluar nga ai ilir - dardan, "Kaza" në kohën e Perandorisë Osmane, qyteti që në gjirin e tij ka rrugën që lidh dy kontinentet më të vjetra - Evropën dhe Azinë, dhe gjithmonë urë lidhëse dhe pikë bashkimi për kombin shqiptar. Kur themi se është urë në mes kontinenteve, kemi për synim edhe urën që bashkon tërë botën jo vetëm për lidhje tregtare, po njëkohësisht faktin që pikërisht në këtë qytet gjithmonë janë realizuar lidhjet për bashkimin ushtarak dhe politik mbarëbotëror, që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Falë kushteve të mira klimatike dhe afërsisë që kishte me kryeqytetin e vilajetit të Shkupit dhe të Kosovës - Shkupin, Presheva gjithmonë ka pasur një forcë të madhe civilizuese, akademike, shkencore dhe ushtarake të popullit, që më pas i ka mundësuar që të japë personalitete me famë dhe krenari të veçantë, shkencëtarë, akademikë, komandantë dhe prijës të ndryshëm, për ta dalluar këtë qytet nga të tjera.


Presheva gjatë periudhës së Perandorisë Osmane


Rëndësia dhe vlera që ngërthen ky vend, përfshirë dhe pozitën gjeostrategjike, kanë bërë që ky vend dhe ky popull asnjëherë dhe në asnjë periudhë nuk i kanë bërë dëm askujt, por më shumë kanë qenë të dobishëm për të gjithë. Mjerisht, ndodh shpesh që, edhe nëse nuk i bën askujt dëm, të tjerët të të bëjnë dëm sa herë të kenë pikësynim interesin e tyre, për të shkatërruar edhe civilizimin shumëvjeçar që është krijuar me shekuj. Kur themi kështu, me shumë keqardhje konstatojmë që, meqë popujt e tjerë për shkaqe të përfitimeve të veta, morën lirinë e ndërgjegjes dhe të përparimit në këto troje, tërë kjo më pastaj ndikoi që të shkatërrohej i tërë civilizimi i dhjetëra shekujve. Tani, shohim me dhimbje civilizimin e shkatërruar të njëzet shekujve - civilizim për të cilin dikur ishin shumë krenarë qytetarët për edukatën dhe dobinë e përgjithshmer për tërë shoqërinë, dhe asnjëherë vetëm për individët.
Sikur në të gjitha periudhat e tjera, edhe gjatë periudhës së Perandorisë Osmane Presheva pësoi ndryshime nëmënyrën e jetës dhe në strukturën që kishte më parë, në sferën e diturisë, humanitetit -njerëzores, arkitekturës, tregtisë, në doke e zakone si dhe në segmente të tjera. Në administratën dhe strukturën e institucioneve shtetërore osmane, për një kohë të shkurtër Presheva do të mun dohej të krijonte zhvillimin e saj të mundshëm qytetërues për të ushtruar ndikimin edhe në aspektin e etikës dhe ngritjes së popullatës së kësaj ane…
Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, në saje të lidhjeve të afërta kulturore dhe tregtare me kryeqytetin - Shkupin, Preshevës do t'i mundësohej të krijonte një taban kulturor më të qëndrueshëm, gjurmët e të cilit do të trashëgohen brez pas brezi. Presheva e periudhës osmane paraqet kohën kur burrat quheshin efendinj "zotërinj" e gratë quheshin hanëme "zonja"; kur ekzistonte ligji ose nizamnameja për njerëz dhe për kafshë; kur kontrolli ishte shumë i përpiktë; kur gjithashtu ndodheshin gurë dhe vende të posaçme për dhënien e lëmoshës për ndihmë ndaj njerëzve, atëherë kur në Preshevë endeshin poshtë e lart pajtonët me pajtonxhinjtë që quheshin "arabaxhi"; kur ekzistonte vetëm një rrugë, sadopak e rregulluar, për qarkullimin e këtyre mjeteve dhe kur, udhëtimet e largëta bëheshin vetëm me tren nëpër "karaudhë - binarë". Ajo kohë përbën një civilizim të posaçëm për Preshevën, që do një analizë dhe qasje edhe më serioze. Prandaj, të jesh nga Presheva ose të jesh preshevar apo preshevare, nuk nënkupton vetëm lindjen ose jetën në këtë vend, po në të njëjtën kohë edhe njohurinë dhe prirjen që kanë njerëzit e këtij vendi, rregullat, veçoritë dhe sistemin jetësor të këtij vendi, e që në të vërtetë përmban një kulturë në vete, që nuk shpjegohet dot pos që jetohet dhe mësohet duke u trashëguar- kur rritesh dhe jeton një kohë në këto troje. Dihet shumë mirë se në Preshevë, që nga periudha ilire e deri tek ajo osmane, ka pasur popuj me fe dhe kombësi të ndryshme, por qyteti është shquar gjithmonë për ndjekjen e rregullave dhe të mirësjelljes ndaj fqinjëve dhe njerëzve të huaj "jabanxhinj", për respektimin e të drejtave të të huajve, atyre fqinjësore dhe njerëzore në përgjithësi, dhe gjithmonë në këtë qytet ka pasur një kulturë me një toler ancë të madhe, që rrallëkund tjetër do ta gjeje.


Forca për të bërë punë të mëdha


Gjatë hulumtimit për përpilimin e punimit shkencor "Presheva gjatë Periudhës Osmane" u fokusova në pjesën e vjetër të këtij qyteti, duke marrë në vështrim Kalanë e Preshevës, Xhaminë e Ibrahim pashë Bushatliut të Shkodrës ose Xhami-i Atik, siç quhej atëherë, medresenë "Shems-e Hatun", e njohur si "Medreseja Hatunije", Teqenë e drejtimit Halveti dhe Semahanen - bujtinën e Sheh Maksud Efendisë - delegat në Lidhjen e Prizrenit, gjithashtu Çarshinë dhe Hykymet Konakun - Kuvendin Komunal ose Beledijen e atëhershme dhe Xhaminë e Poshtme ose Xhami- Xhedid, pra Xhaminë e Re, Çezmat e Xhamisë dhe çezmat e tjera të vjetra brenda qytetit. Për të studiuar këtë periudhë, duhet të ndalesh në këto "trung je" të vjetra. Këto gjurmë të vjetra, të cilat i kanë dhënë antikitet, lashtësi po dhe hijeshi e pamje të mirë qytetit sot e kësaj dite, e për ata që kanë jetuar në to, ka pasur një lezet të veçantë që nuk përshkruhet përveçse përjetohet.
Këto janë objekte që gjatë secilës stinë dhe festë përmbajnë urtësinë dhe bukurinë e tyre shpirtërore, që unë vetë, sa herë që afrohem, i shikoj dhe i kujtoj me kërshëri e ndjenja të veçanta. Është detyrë jona kombëtare dhe shpirtërore që roli dhe urtësia e këtyre objekteve të ruhen, të studio hen dhe të përcillen duke u ruajtur dhe kultivuar edhe më tej tek gjeneratat tona të ardhme; kjo është me rëndësi sidomos për këtë periudhë të pafavorshme, nëpër të cilën po kalon Presheva dhe popullata e saj. Të mos harrojmë: "Fëmija kur posedon njohuri për vendlindjen e tij dhe për gjyshërit e vet, do të gjejë më shumë forcë për të bërë punë më të mëdha".


Mëhallët e Preshevës të përshkruara në tapitë osmane


Mëhallët në Perandorinë Osmane njihen si organi themelor për vazhdimësinë e ecurisë dhe ndarjes së një qyteti. Në përgjithësi ato themeloheshin ose krijohesh in përreth xhamive ose çarshive kryesore. Banorët që jetonin nëpër mëhallë, mundoheshin të jetonin me një besim dhe sjellje të njëjtë, duke mos penguar njëri-tjetrin. Xhamitë e mëhallëve, shkollat, çezmat, sokakët e ngushtë, ndriçimi i tyre etj.. ndërtoheshin me veprën dhe mundin e banorëve të mëhallëve gjegjëse. Gjithashtu edhe lidhjet ndërfqinjësore, bisedat e gjata në burime çezmash dhe në kafehane, bisedat që bëheshin në shkollat e mëhallëve nga më të diturit dhe më të respektuarit e shtresës intelek tuale, shtonin edhe më shumë dashurinë, "ashkun" ndaj diturisë dhe shkencës. Nëpër mëhallë zhvillohej gjithash tu edhe aktiviteti i edukimit dhe mësimit, që ndryshonte nga edukimi që merrej në shkollë. Dituritë e reja nuk interpretoheshin nëpërmjet mësimit, pointerpretoheshin dhe mësoheshin drejtpërdrejt, nëpërmjet bisedave (muhabeteve). Kjo ndikonte në gjallërimin dhe vazhdimin e mëtejmë të jetës kulturore.Sipas tapive osmane, mëhallët e qytetit të Preshevës ishin mbi pesë mëhallë kryesore, duke përfshirë këtu edhe çarshitë dhe sokakët. Shteti osman që nga fillimi,e deri në përfundim, kishte një administratë shumë të fortë. Ata i emëronin mëhallët nëpër qytete "sehir", për t'u informuar dhe për t'u identifikuar më lehtë banorët e asaj lagjeje. Ashtu sikur në të gjitha qytetet e tjera, edhe në Preshevë mëhallët emëroheshin sipas xhamive, medreseve (shkollave), çeshmeve dhe çarshive, po emërimi i tyre në përgjithësi bëhej sipas emrit që mbante xhamia, që gjendej në qendër të mëhallës, e here herë një mëhallë merrte emrin sipas një zanati të caktuar që ushtrohej në rrugën kryesore të asaj mëhalle. Mëhallët e Preshevës në tapitë osmane janë këto:
1. Mëhalla e Xhamisë së Vjetër - Xhami-i Atik - mëhalla përreth Xhamisë Ibrahim pasha të Shkodrës, e cila përsh kruhet në më se 76 vende - pronarë në Defterë të tapive përafërsisht me 338 prona.
2. Mëhalla e Xhamisë së Re (të Poshtme) Xhami-i Xhe did - e cituar diku rreth 42 vende - pronarë përafërsisht me 137 prona.
3. Mëhalla e Rekës - Dere Mahallesi, e cituar në më se 90 vende - pronarë përafërsisht me 460 prona.
4. Mëhalla Hamidije - Hamidije Mahallesi.
5. Preshevë - Nefs-i Presova.
6. Në Preshvë - Nefs-i Presova'da.
7. Qyteti - Nefs-i kasaba.
8. Në qytet - Kasaba'da.
9. Në Preshevë - Presova'da.
Gjersa isha fëmijë u rrita mbi kalldrëmin osman i cili do t'i përcillte kujtimet e mia gjatë gjithë jetës sime. Edhe sot kur hyj në brendi të çarshisë, xhamisë, teqesë, oborrit të Hykymet Konakut -Komunës, ku jam rritur, nuk shoh më atë gjallëri, thuaja se të gjithë flenë, shihen vetëm nga dy njerëz nëpër rrugë. Ndoshta edhe hapat e tyre nuk dëgjohen, meqë mungojnë njerëzit dhe hapat e tyre të rëndë tek shkelnin kalldrëmin e dikurshëm, të cilët i kujtoj me shumë nostalgji. Shtëpitë që dikur më dukeshin të larta, tani nuk më duken ashtu. E ndiej brenda një lot të shteg timit, turmat e njerëzve që shtegtuan dhe po shtegtojnë, po më dhembin në shpirt. Tani këto ditë i kujtojmë vetëm si ditë të gjallërisë dhe të së kaluarës së ëmbël, gjithmonë me shprehjen se a do t'i kthehet ajo gjallëri dhe ai reputacion edhe njëherë vendlindjes sime?! Për ne që jemi rritur, kemi shkelur në këto troje, janë kthyer në formë të gjuhës së gojës, e cila, edhe pse nuk shihet, posedon vend të veçantë, të merituar dhe të pazëvendësueshëm për tërë trupin e njeriut. Thënia korçare: "Duaj atë e duaj nënë, po më shumë duaje atdhenë" - qenka shumë e vërtetë!


 



Dr. Hatixhe Ahmedi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Mbahen garat republikane të njohurive fetare (VIDEO)