Ahmet Efendi Hasani - Myftiu i Ferizajt, shiti tokën për të mos e mbyllur mejtepin


(Mulla Ahmet Efendiu ishte i njohur për ndarjen e drejtësisë në rajonin e Ferizajt)


Ahmet Efendi Hasani, i lindur në vitin 1886 në fshatin Balaj të Ferizajt, për sa qe gjallë ishte personi më i nderuar në qytetin e tij të lindjes. Duke qenë se ishte shumë i etur për dije, Ahmet Efendi Hasani qysh i ri udhëtoi drejt Stambollit, ku përfundoi Mdresenë, për të vazhduar pastaj edhe me angazhimet në fushën e teologjisë përgjatë gjithë jetës, në vendin e tij, Ferizajn. E veçantë e tij është fakti se është i pari myfti në Ferizaj, kur në krejt Kosovën, nën kryesinë e Kryemyftinisë së Prishtinës, ekzistonin vetëm edhe dy Myftini të tjera: ajo e Gjilanit dhe e Skënderajt. Ndërsa, gjatë punës së tij si myfti, për shkak të aktivitetit patriotik dhe fetar, ai u bë halë në sy për pushtetin serb, për çka e arrestojnë dhe ia ndalojnë aktivitetin fetar. Zgjuarsia e hoxhë Ahmetit kapërcente parashikimet e pushtuesve. Duke qenë se ia ndaluan të shkonte tek qytetarët për të mbajtur ligjërata fetare dhe kombëtare, hoxha kërkoi leje që qytetarët ta vizitojnë, gjë që i pranohet si kërkesë. Kështu, oda e tij bëhet vendtakim për çdo qytetar të Ferizajt, si për ligjërata, aktivitet kombëtar, ndarje të drejtësisë, por edhe për kryerje të shërbimeve administrative: kurorëzime dhe shërbime të tjera.


Arrestimi dhe burgosja e hoxhë Ahmet Efendi Hasanit


Me dekretin nr. 16, data 15 janar 1944, të Këshillit të Ylemave të Komunitetit të Myslimanëve të Tiranës, Ahmet Efendi Hasani nga Ferizaj emërohet myfti në qytetin e tij, Ferizaj. Punën si myfti do ta fillojë vetëm pas një muaji, përkatësisht me 15 shkurt 1944, pas kërkesës që ia dërgon Kryemyftinisë së Prishtinës, ku pos tjerash thuhej:
"Tue qen se kam të drejt dhe mbassi i zotnoj të gjitha të drejtat e parapame prej ligjit e rregulloreve lutem asaj P.T. Kryemyftinije të ket mirësin e të më emnoj si Myfti në zonën e Ferizajt. Po ash tu të baj damarshimet e duhuna në vendet kompetente për sa kërkohet ma naltë që të më lëshohet dekreti përkatës. Jam gadi me paraqitun gjithë dokumentat që do të nevo jiten për emnimin tem dhe tu bindem gjithë urdhnave e statutit fetar e zyrtar në fuqi. Besoj dhe jam i sigurt se këjo lutja e ime do të meret në konsiderat të favorshëm dhe do të demarshohet në vendet kompetente sa ma parë. Me nderime e respekt. Prishtinë, me 18/XII/943. Ahmet Hasani, d. v²".
Ngjaret më të veçanta në jetën e hoxhë Ahmet Efendiut nga Ferizaj ndodhin pasi ai bëhet myfti i këtij qyteti. Sipas rrëfimeve nga dy nipërit e hoxhë Ahmetit, Shefshet Ahmetit (që mbiemrin e kishte ndërruar për nder të hoxhës Ahmet Efendiut), dhe Ahmet Sadikut, hoxha, për sa kishte qenë gjallë, kishte qenë njeriu më i respektuar në qytet. "Kur hoxha shkonte për ta vizituar ndonjë mik në ndonjë fshat në rrethinë të Ferizajt, ndalej në largësi dhe thirrte me za: "A ka bujrum, o filan!?". E kur i thojshin: "Bujrum!", ai shkonte mrena. Deri masi mbarojke darka askush nga kusherinjtë e nikoqirit apo fshatarët nuk vinte, sepse ka qenë kohë e varfnisë e s'ka pas as bukë për krejt. Po kur u kryke darka, vijshin deri në 40-50 katunarë për me e ngu hoxhën se çka po kallxon", kujton ditë nga jeta e hoxhë Ahmetit nipi i tij, haxhi Shefsheti.
Për shkak të këtij aktiviteti, ku hoxha ligjëronte dhe e vetëdijesonte popullin për rëndësinë e shkollimit, lirisë, fesë dhe atdheut, pushteti serb iu përvesh pas derisa e arrestoi më 1945, për ta mbajtur në burgun e Ferizajt për dy javë, i cili burg ishte në vendin ku sot gjindet biblioteka e qytetit "Sadik Tafarshiku". Pas dy javësh burg hoxha Ahmet Efendiu transferohet në burgun e Prizrenit, në muajt korrik-gusht, kur edhe ishte nxehtësi e madhe. Sipas Jakup Shefkiut, një i ri në atë kohë, shok i burgut me Ahmet Efendiun, ndërsa tani 87 vjeçar, si ushqim gjatë kohës në burg u jepnin një gjellë të prishur, të cilës ia hidhnin dy kovë ujë dhe dy kacia (lopata) kripë, në mënyrë që të burgosurit të e shtoheshin sa më shumë. "Hoxhë Ahmetin e kanë pas burgos veç se ka qenë myfti dhe ka qenë njeri me personalitet. Kur e morën me e çu për Prizren na mendum se janë tu e çu me e vra, po nuk e kishin pas vra po e kishin pas liru pas nji kohe", thotë shoku i tij i burgut, Jakup Shefkiu nga Ferizaj.


Shet tokën për ta mbajtur odën hapur


Ndërprerja e kativitetit për hoxhë Ahmet Efendiun ishte ndëshkimi më i madh. Sikur zogut t'i lidhësh krahët. Mirëpo duke qenë vizionar, hoxha kërkon nga autoritetet t'i lejojnë që në shtëpinë e tij të presë qyte tarë, pasi të kundërtën, vizitën tek qytetarët nga ana e hoxhës veç ia kishin ndaluar. Duke mos qenë vigjilentë, pushtuesit e aprovojnë kërkesën e hoxhës, ndërsa ky fillon aktivitetin e tij të njësojtë, por tash në odën e tij.
"Vinin qytetarë nga të gjitha anët e vendit dhe e vizitonin hoxhën. Rrinin me ditë e me net. Hoxha veç priste e përcillte mysafirë e hallexhinj, ndërsa më nuk ishte myfti se aktiviteti i tij zyrtar veç kish përfunduar. Për këtë arsye hoxha edhe nuk paguhej, ndërsa shpenzimet që bëheshin nga ardhja e qytetarëve tek oda e hoxhës veç rriteshin", kujton nipi tjetër i hoxhë Ahmet Efendiut, haxhi Ahmet Sadiku.
Nipi tjetër i hoxhë Ahmetit, haxhi Shefsheti, tregon se si hoxhës i erdhën punët shumë ngushtë, sa më nuk kishte asnjë mundësi tjetër për ta mbajtur odën hapur.
"Në odë hoxha u jepte çaj kujtdo që vinte. Po..., ai nuk punonte, dhe kështu u detyru me ba një zgjidhje. E shiti tokën për me u dhanë çaj mysafirëve dhe për me e mbajt odën hapur", thotë nipi i tij, haxhi Shefshet Ahmeti, familja e të cilit sot për mbiemër e mban emrin e hoxhë Ahmetit.
Sa ishte e rëndësishme oda e hoxhë Ahmet Efendi Hasanit tregon edhe faksimili i një fletëkurorëzimi të vitit 1948, ku hoxha kishte kurorëzuar në aspektin fetar një çift ferizajas.
Ahmet Efendiu la pas pesë djem: Mustafanë, Idrizin, Musliun, Rrahimin dhe Rifatin, dhe një vajzë: Xhemilen. Tradita e edukimit fetar në këtë familje është trashëguar nga brezi në brez dhe, edhe sot kjo familje ka dy teologë, stër-stër nipër të hoxhë Ahmet Efendiut, përkatësisht hoxhë Mubekir Sadikun dhe hoxhë Mustafë Ahmetin.


 


Besnik Jaha


Artikulli i kaluar
Mulla Xhemajl ef. Ali Ukaj
Nuk ka artikull pas ketij.