Ibrahimi a.s. ishte i gatshëm të bënte kurban djalin për hir të Allahut të Plotfuqishëm

 


"Ai (Ismaili) tha: - O baba, vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh, - nëse do Allahu, se unë jam i durueshëm."


Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin famëmadh thotë: "(Ibrahimi) tha: 'Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë. O Zoti im, dhuroma një fëmijë të mirë (e të ndershëm)!' Dhe Ne e sihariquam atë me një djalë të urtë.
Dhe kur djali u rrit aq sa t'i ndihmojë në punë, Ibrahimi i tha: 'O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të pres, çka mendon ti?' - O baba, - tha: 'vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh, - nëse do Allahu, se unë jam i durueshëm'. Pasi e pranuan që të dy urdhrin, e rrëzoi (djalin) në krah, Ne e thirrëm: 'O Ibrahim, ti madje e realizove ëndrrën. E, Ne, me të vërtetë, kështu i shpërblejmë bamirësit.'" (Es-Saffat, 99-105)


* * * * *


Thuhet se shkaku i therjes së Ibrahimit djalin e tij Ismailin (a.s.) është se ai i kishte prerë kurban 1000 dele, 800 lopë dhe 100 deve për hir të Allahut dhe kur u çuditën njerëzit dhe engjëjt, Ibrahimi (a.s.) kishte deklaruar: "Krejt kjo që kam sakrifikuar tek unë nuk ka kurrfarë peshe. Betohem në Alla hun, se sikur të kisha djalë, do ta sakrifikoja dhe do ta bëja kurban për hir të Tij!"
Pas kësaj deklarate të Ibrahim it (a.s.) kaloi një kohë e gjatë dhe ky e harroi këtë zotim. Kur erdhi në tokën e shenjtë, iu lut Allahut për një djalë, lutje kjo të cilën Ai ia pranoi dhe e përgëzoi me një djalë, i cili më pas edhe i lindi.
"Dhe kur djali u rrit aq sa t'i ndihmojë në punë", d.m.th. kur i mbushi 7 vjet, e thuhet 13 vjet, iu tha në ëndërr: "Përmbushe premtimin!"
Ibn Abbasi (r.a.) ka thënë: "Kur ra për të fjetur në natën e 'tervijes', pa në ëndërr ku i thuhej: "O Ibrahim, përmbushe premtimin!" Kur u zgjua, filloi të mendojë - meditojë (jeterevva); se a është kjo prej Allahut, apo prej djallit? Andaj dhe u quajt kjo ditë 'jevmut-tervijeh'.(1) Kur u ngrys, përsëri e pa në ëndërr. Kur u gdhi e njohu-kuptoi ('arefe') se kjo ishte prej Allahut, andaj dhe kjo ditë u quajt 'jevmu arefe',(2) kurse ai vend u quajt Arafat. Pastaj, edhe në natën e tretë e pa ëndrrën e njëjtë. Kështu e kuptoi se duhet të pres kurban ('nehr'), andaj dhe u quajt 'jevmun-nehr."(3)
Ibrahimi (a.s.) kur vendosi të shkojë me Ismailin (a.s.) për ta bërë kurban, i tha nënës së Ismailit - Haxheres: "Vishe me rrobat më të bukura që ka, sepse me te dua të shkoj në një gosti." Dhe nëna e tij e veshi, e zbukuroi dhe ia krehu flokët.
Ibrahimi (a.s.) mori me vete një litar dhe një shpatë dhe shkoi me të në një pjesë të vendit të quajtur Mina.
Iblisi i mallkuar, prej kur e ka krijuar Allahu i Plotfuqishëm, kurrë nuk ka qenë më i mërzitur e më i shqetësuar se sa atë ditë. Ismaili a.s. shkonte para babait të vet. Iblisi erdhi dhe i tha babait të tij: "A nuk po e shikon sa trup të drejt e të bukur që ka dhe sa me elegancë që po ec?!" Ibrahimi (a.s.) tha: "Po, por unë jam urdhëruar për këtë!" Pasi u zhgënjye me këtë, Iblisi shkoi te Haxherja dhe i tha: "Qysh po rri ulur ti këtu, ndërsa Ibrahimi shkoi me djalin për ta prerë atë!" Haxherja tha: "Mos më gënje mua, ku ke pa ti që babai ta presë djalin e vet?" Ai i tha: "Për këtë arsye ai edhe e ka marrë litarin dhe shpatën!" Haxherja i thotë: "E përse ta pres atë?" Tha: "Po pohon se gjoja atë e ka urdhëruar Zoti i tij." Ajo tha: "Pejgamberi nuk urdhërohet për keq, edhe unë për urdhrin e Allahut e sakrifikoj edhe shpirtin tim, pra edhe djalin tim!" Iblisi kur u zhgënjye edhe prej saj, pastaj shkoi te Ismaili (a.s.) dhe i tha: "Ti po gëzohesh dhe po luan, ndërsa babai yt e ka litarin dhe shpatën me vete dhe do të të presë." Ismaili (a.s.) i tha: "Mos më gënje, përse të më pres mua babai im?" Tha: "Po pohon se gjoja atë e ka urdhëruar Zoti i tij!" Ismaili (a.s.) i tha: "Ne i nën shtrohemi me bindje dhe respekt urdhrit të Allahut!" Kur Iblisi dëshiroi të vazhdojë të flasë, Ismaili (a.s.) e mori një gurë nga toka dhe me të e gjuajti, madje edhe ia qorroi syrin e majtë. Kështu, Iblisi shkoi i dështuar dhe i humbur. Në këtë mënyrë, Allahu i Plot fuqishëm na e bëri detyrë gjuajt jen e gurëve në këtë vend, për ta përzënë djallin dhe për ta ndjekur rrugën e Ismailit (a.s.), djalit të të dashurit të Zotit. Kur erdhën në Mina, Ibrahimi (a.s.) i tha të birit: "O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të pres, çka mendon ti?", dmth. më sqaro çka po mendon ti, a do të durosh për ta kryer urdhrin e Zotit, apo do të kërkosh falje para veprës? Ky ishte provim i Ibrahimit (a.s.) për djalin e tij se a do t'i përgjigjet me bindje dhe respekt apo jo? "Ai tha: - O baba, vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh, - nëse do Allahu, se unë jam i durueshëm.", dmth. në atë që je urdhëruar për të më prerë. Kur i dëgjoi Ibrahimi (a.s.) fjalët e djalit të vet, e kuptoi se Allahu iu paska përgjigjur lutjes së tij që e kishte bërë me fjalët: "O Zoti im, dhuroma një fëmijë të mirë (e të ndershëm)!"- dhe e falënderoi Allahun shumë. Pastaj Ismaili (a.s.) i tha Ibrahimit (a.s.) po të porosis disa gjëra;- të m'i lidhësh duart që mos të lëvizi e të të jap ty mundim;- të ma kthesh fytyrën kah toka që të mos më shikosh në fytyrë e të të vijë keq; - të mi largosh prej meje rrobat t'ua që mos të bie në to ndonjë pikë gjaku prej meje, pastaj më zvogëlo het shpërblimi, si dhe kur t'i sheh nëna ime hidhërohet; - ta mprehësh briskun dhe të ma kalosh në fyt me shpejtësi që të preje më lehtë, sepse vdekja është e rëndë; - që këmishën time t'ia çosh nënës le ta ketë për kujtim prej meje; - bëri selam nënës prej meje dhe thuaj të bëjë durim në urdhrin e Allahut;- mos i trego se si më ke prerë dhe si m'i ke lidhë duart; - mos të vijnë fëmijët te nëna ime sepse ia përtërijnë hidhërimin për mua;- kur të shohësh ndonjë djalë si unë, mos e shiko sepse përmallohesh dhe mërzitesh për mua. Ibrahimi (a.s.) tha: "Sa ndihmesë e mirë je ti o biri im për ta kryer urdhrin e Allahut të Plotfuqishëm!" "Pasi e pranuan që të dy urdhrin e Zotit", dmth. u bënë gati për kryerjen e tij "dhe e rrëzoi (djalin) në krah", dmth. e vuri në pozitë të therjes sikur që vihet delja për ther je.
Thuhet se ia kishte bërë me shenjë që ta kthejë fytyrën kah toka që mos ta shohë reagimin e tij gjatë kryerjes së urdhrit të Zotit xh.sh. Kjo po ndodhte te një gurë në Mina, e thuhet kjo ishte në një vend të ngritur të saj. Ai e vuri shpatën në qafën e djalit të vet dhe i mëshoi me forcë dhe shpejtësi, por nuk mundi ta presë.
Me atë rast Allahu i Plotfuqishëm ua hoqi perden prej syve engjëjve të qiejve dhe të tokës, dhe kur e panë se Ibrahimi (a.s.) po e bënte kurban djalin e tij, Ismailin (a.s.), u përulen dhe ranë në sexhde.
Allahu i Plotfuqishëm u tha: "Shikoni robin tim se si godet me shpatë në qafën e djalit të vet vetëm për ta arritur kënaqësinë Time, ndërsa kur u thash: "Unë do të caktojë përfaqësuesin në tokë" - ju patët thënë: "A do të jetë përfaqësuesi yt ai që në të do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak? Na të madhërojmë e të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty." (el-Bekare, 30)
Pastaj Ismaili (a.s.) tha: "O babai im, mi zgjidh duart dhe këmbët që mos të më shohë Allahu të detyruar.", dmth. në nënshtrimin e urdhrit të Tij me detyrim, - "por ma vendos shpatën në qafë le ta dinë engjëjt se djali i mikut të Alla hut, po i nënshtrohet Allahut dhe urdhrit të Tij me dëshirë." Pastaj i shtriu duart dhe këmbët pa i lidhur fare dhe e ktheu fytyrën kah toka, pastaj e urdhëroi shpatën me gjithë forcën e tij, por shpata nuk e dëgjoi dhe nuk preu me urdhër të Zotit. Ismaili (a.s.) i tha babait të vet: "O baba, të është dobësuar forca për shkak të dashurisë ndaj meje e nuk po mundësh të më presësh." Kur i ra me shpatë gurit, guri u nda në dy gjysma. Atëherë Ibrahimi (a.s.) tha: "E pret gurin e nuk e pret mishin!" Pastaj me fuqinë e Allahut, foli shpata e tha: "O Ibrahim, ti po më thua preje, kurse Zoti i botëve po më thotë mos e pre, andaj si ta kryej urdhrin tënd e ta kundërshtoj Zotin tënd!
Pastaj Allahu i Plotfuqishëm thotë: "O Ibrahim, ti madje e realizove ëndrrën" - atë që kishe parë në ëndërr, dhe u shfaqe para krijesave të Mia se ti e zgjodhe kënaqësinë Time mbi dashurinë ndaj djalit tënd, me çka u bëre prej të mirëve. "E, Ne, me të vërtetë, kështu i shpërblejmë bamirësit" dmth. ata që i nënshtrohen urdhrit Tim. "Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë", dmth. therja ishte sprovë e qartë me të cilën dallohet i sinqerti prej tjetrit, dhe një provim i rëndë, ngase nuk ka provim më të rëndë. "Edhe Ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh", prej xhenetit, e ky ishte dashi të cilin e kishte bërë kurban Habili dhe ishte pranuar prej tij, i cili ishte i gjallë në xhenet derisa u shpagua me te Ismaili (a.s.), ishte trupmadh. Këtë e solli Xhibrili (a.s.) në çastin kur Ibrahimi (a.s.) po tentonte me shpatë ta presë qafën e Ismailit (a.s.). Xhibrili (a.s.) në shenjë madhërimi për Allahun e Plot fuqishëm dhe për admirim ndaj Ibrahimit (a.s.) tha: "Allahu ekber, Allahu ekber" (Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi)! Ibrahimi (a.s.) tha: "La ilahe il-lallahu vallahu ekber!" (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Allahu është më i madhi)! Kurse Ismaili (a.s.) tha: "Allahu ekber ve lil-lahil hamd!" (Allahu është më i madhi dhe për Allahun është falënderimi)! Këto fjalë u pëlqyen nga Allahu i Plotfuqishëm dhe na i bëri obligim që t'i shqiptojmë gjatë ditëve të Bajramit të Kurbanit, duke ndjekur dhe përkujtuar kështu Ibrahimin dhe djalin e tij Ismailin (a.s.). Ibn Abbasi (r.a.) ka thënë: "Sikur të kryhej kjo sakrificë, do të bëhej sunnet për njerëzit prerja e djemve të tyre." Ebu Hanife (r.h.) me këtë ajet ka argumentuar çështjen e atij i cili zotohet për prerjen e djalit se duhet të presë një dele. Transmetohet se Ismaili (a.s.) i ka thënë babait të vet: "A ti je më bujar apo unë?" Ibrahimi (a.s.) i përgjigjet: "Unë"! Ndërsa Ismaili (a.s.) thotë: "Jam unë, sepse ti ke edhe djalë tjetër, kurse unë kam vetëm një shpirt! Allahu i Plotfuqishëm thotë: "Unë jam më bujar se ju të dy, sepse ju shpagova të dyve dhe të dyve ju shpëtova nga dënimi i prerjes." Transmetohet se engjëjt u çuditën me nderin dhe pozitën e Ismailit a.s. te Zoti i botëve, sepse e dërgoi dashin prej xhenetit në qafën e Xhibrilit si shpagim për të, dhe kjo ishte shpërblim për fjalën e tij: "O baba, vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh, - nëse do Allahu, se unë jam i durueshëm."


* * * * *


Thuhet se pasi e pa ëndrrën Ibrahimi (a.s.), së pari i zgjodhi 100 dele prej më të majmeve dhe i theri (kurban), por erdhi zjarri dhe i përpiu! Dhe mendoi se e kishte përmbushur premtimin.
Kur e pa ëndrrën për të dytën herë, kuptoi se ajo ishte prej Zotit, andaj i zgjodhi 100 deve prej më të majmeve dhe i theri (kurban), por erdhi zjarri dhe i përpiu! Dhe mendoi se e kishte përmbushur premtimin.
Mirëpo, kur e pa ëndrrën për herë të tretë, sikur i thoshte një zë: Vërtet Allahu i Plotfuqishëm të urdhëron që ta presësh djalin tënd Ismailin, i doli gjumi, e përkëdheli djalin fortë dhe nuk fjeti derisa u gdhi.


* * * * *


Thuhet se kur e zgjodhi Allahu i Plotfuqishëm Ibrahimin (a.s.) për të dashur të vetin ('halil'- mik), engjëjt i thanë: "O Zot, ai ka pasuri, ka djalë dhe bashkëshorte, si do të jetë i dashuri (miku) Yt, kur i ka gjithë këto preokupime?"
Allahu i Plotfuqishëm u tha: "Mos shikoni në pamjen e robit tim, as në pasurinë e tij, por shikoni në zemrën e tij dhe në veprat e tij. Në zemrën e të dashurit Tim nuk është askush tjetër pos Meje. Po të doni shkoni tek ai dhe provojeni."
Xhibrili (a.s.) i erdhi Ibrahimit (a.s.) në formë të njeriut.
Ibrahimi (a.s.) kishte 12.000 qenë për gjueti dhe për ruajtjen e deleve. Mund ta paramendojmë sipas kësaj edhe numrin e deleve. Çdo qeni në qafë ia kishte vu nga një qafore (varg) prej ari, për të bërë me dije se kjo botë është e ndyrë dhe ndyrësira nuk përkon përveç se me ndyrësirë!
Ibrahimi (a.s.) ishte në një vend të ngritur prej nga i shikonte delet. Erdhi Xhibrili a.s. i dha selam dhe i tha: "Të kujt janë këto dele?" Ibrahimi (a.s.) tha: "Të Zotit, por tash janë në dorën time." Pastaj i tha: "A ma jep një prej tyre?" Ibrahimi (a.s.) i tha: "Përmende Zotin dhe merre 1/3 e tyre!" Xhibrili (a.s.) tha: Sebbuhun, Kuddusun, Rabbuna ve Rab bul-melaiketi verr-Rruhi! (I Lartë suar, i Shenjtë, Zoti ynë dhe Zoti i engjëjve dhe i Xhibrilit). Pastaj tha: "Përmende për të dytën herë dhe merre 1/2 e tyre!" Ai përsëri tha: Sebbuhun, Kud dusun, Rabbuna ve Rabbul-me laiketi verr-Rruhi! Pastaj tha: "Përmende për të tretën herë dhe merri të gjitha delet bashkë me barinjtë dhe me qentë!" Dhe ky përsëri e përmendi si dy herët e para. Pastaj i tha: "Përmende edhe për herë të katërt, dhe unë po të bëhem rob!" Dhe ky e përmendi edhe për herë të katërt. Meqë rast, Allahu i Plotfuqishëm i tha: "O Xhibril, si t'u duk miku im?"
Xhibrili tha: "Sa mik i mirë që ishte o Zot!" Ibrahimi (a.s.) i thirri të gjithë barinjtë e deleve dhe u tha: "Shpi ni delet pas këtij pronari të tyre për ku të dojë, sepse ju tashmë jeni pronë e tij." Me atë rast Xhibrili (a.s.) iu zbulua Ibrahimit a.s. duke i thënë: "Unë nuk kam nevojë për këto, por vetëm kam ardhur për të sprovuar ty!" Ibrahimi (a.s.) tha: "Unë jam miku i Allahut dhe nuk e marr prapë dhuratën time prej teje." Allahu i Plotfuqishëm e inspiroi që t'i shesë ato dhe me ato mjete të blejë kopshte dhe tokë (ara) pune dhe t'i lë vakëf që prej tyre të ushqehen të varfrit dhe të pasurit deri në Ditën e Gjykimit.


* * * * *


Ai i cili posedon 85 gr. (një mithkal) ari, apo 640 gr (200 dërhem) argjend jashtë nevojave të tij elementare, ai është i pasur. Nëse pasuria e tij është tjetërfare nga ari e argjendi, ajo shikohet nëse është e barabartë me 200 dërhem argjend, ai është i pasur dhe e ka obligim të therë kurban. Nëse nuk ka aq pasuri, nuk e ka obligim therjen e kurbanit.
Dhe, për pronarin e kopshteve thuhet, nëse vlera e kopshtit është e barabartë me 200 dërhem, e po ashtu pronari i vreshtes nëse vlera e saj është 200 dërhem, ata dy, pa diskutim janë të pasur dhe duhet të therin kurban, nga se vreshta është për shëtitje e jo për nevojë të domosdoshme, sepse njeriu mund të jetojë edhe pa pemë


__________________________________________________
1. Është dita e tetë e muajit dhul-hixhxhe, me të cilën fillon ceremoniali i haxhxhit në Mekke.
2. Siç dihet, kjo është dita e nëntë e muajit dhul-hixhxhe, në të cilën detyrimisht të gjithë haxhinjtë qëndrojnë në Arafat.
3. Dita e 10 e muajit dhul-hixhxhe, është dita e parë e Bajramit të Kurbanit, në të cilën theren kurbanet.


 


Marrë nga libri: "Durretun-nasihin fil va'dhi vel-irshadi", fq. 192-188
Uthman bin Hasen bin Ahmed Esh-Shakir El-Huberi
Përktheu: Miftar Ajdini


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Mbahen garat republikane të njohurive fetare (VIDEO)