Injoranca dhe gabimi pa dashje në çështje të besimit (1)


"Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët". (Et-Tevbe,128).


Një grup dijetarësh janë të mendimit se kush e kundërshton ndonjë çështje të akides, të adhurimit, dispozitave juridike dhe shpjegimin juridik islam (fetvanë), konsiderohet jobesimtar. Ndërsa një grup tjetër dijetarësh janë të mendimit se kush e kundërshton ndonjë çështje të akides, është jobesimtar, kurse, nëse ndodh që të mos pajtohet në çështjet e dispozitave juridike a me dispozitat e adhurimit, ai nuk konsiderohet jobesimtar dhe as mëkatar, po konsiderohet një muxhtehid që i pranohet arsyetimi, ngase, edhe nëse nuk ia qëllon çështjes, ai shpërblehet për shkak të qëllimit të tij.
Ndërkaq, një grup prej dijetarësh janë të mendimit se myslimani nuk bëhet jobesimtar dhe as bëhet mëkatar, nëse shpreh ndonjë mendim, për shkak të injorancës, në çështje të akides a për dispozitat juridike ose për çështje të adhurimit, ngase çdokush që bën ixhtihad, do të arrijë të marrë shpërblim, pavarësisht nëse ia qëllon apo gabon, nëse ia qëllon shpërblimin e ka të dyfishtë, e nëse gabon, merr vetëm një shpërblim. Ky është mendimi i Ibn Ebu Lejles, Ebu Hanifes, Shafiut, Sufjanit (Thevriut) dhe i Davud bin Alij bin Hazmit r.a..
Është obligim që të mos konsiderohet jobesimtar askush që ka thënë një mendim, përveç nëse me atë mendim kundërshton ndonjë çështje për të cilën është e saktë se e ka thënë Allahu a i Dërguari i Tij, pra shpreh një mendim në kundërshtim me Allahun dhe me të Dërguarin e Tij. Pavarësisht nëse ky kundërshtim ka të bëjë me çështje të besimit, të dispozitave apo me shpjegime juridike (fetva). Dhe pavarësisht nëse është vërtetuar tek ai kjo prej kohës së të Dërguarit a.s. duke u transmetuar në mënyrën mutevatir (nga shumica) apo në mënyrë individuale (ahad). Përveç nëse ky e kundërshton konsensusin e prerë dhe të qartë në saktësinë e tij, atëherë ky doemos do të konsiderohet jobesimtar, sipas unanimitetit të të gjithëve, sepse njohja e konsensusit dhe mohimi i tij konsiderohen dalje prej besimit.
Argumenti që vërteton fjalën tonë, është Fjala e Allahut të Madhërishëm: "Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht. (En-Nisa, 65). 
Ky ajet kuranor është i qartë dhe nuk ka nevojë të sqarohet dhe nuk ka asgjë që mund të ngatërrojë kuptimin e tij të kthjellët, ngase nuk ka ardhur asnjë argument që ta bëjë kuptimin e tij të specifikuar në disa aspekte të besimit.
Ai që mund të nxjerrë një dispozitë që është në kundërshtim me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, sipas tekstit të këtij ajeti, ai nuk është besimtar.
Dispozita e fesë mund të jetë: ndalesë, obligim, lejim i përgjithshëm, vepër e urrejtur, ose të jetë vepër që ka drejtë të zgjedhjes së veprimit a të mosveprimit.
Nuk ka çfarë të diskutohet për atë që vepron të kundërtën e asaj që ka caktuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, si në çështjet e besimit, të adhurimit, të dispozitave juridike dhe shpjegimeve juridike (fetva).
Mirëpo, për sa i përket atij për të cilin nuk janë argumente dhe nuk i është bërë e qartë se nuk lejohet të kundërshtohet ajo që është caktuar prej Allahut dhe të Dërguarit, ai nuk konsiderohet jobesimtar përderisa të vijë ndonjë tekst për një vendim të tillë, e një herë veprohet sipas vendimit të ajetit. Kur ndodh që dikujt që është larg t'i përmendet i Dërguari i Allahut, e ai më nuk interesohet për të dhe nuk e beson atë, atëherë ai konsiderohet jobesimtar.
Nëse ndokush dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, po pastaj thotë: Nuk e di nëse ky (Muhamedi) është i vdekur apo i gjallë, nuk e di ndoshta ai është i pranishëm para meje apo është dikush tjetër, nuk e di nëse është prej fisit Kurejsh apo prej fisit Temim, apo mos është persian, apo nuk e di nëse është prej Gadishullit Arabik apo prej Horasanit. Nëse ai që e thotë këtë, është injorant dhe nuk ka njohuri për historinë e të Dërguarit a.s.,. , kjo nuk e dëmton asgjë. Në këtë rast është obligim që t'i jepen mësime rreth kësaj çështjeje dhe, pasi t'i jepen shpjegime, nëse ky shpreh kokëfortësi duke mos besuar, atëherë ky është jobesimtar dhe duhet të gjykohet si renegat.


Kush e mohon këtë është jobesimtar sipas unanimitetit


Pra, kjo është një bindje e prerë. Vallë, a mos ka ndodhur që të transmetohet se i Dërguari a.s. nuk ka pranuar besimin e banorëve të një fshati, apo të banorëve të një lagjeje, apo të ndonjë njeriu, qoftë me status si i lirë apo si rob, - pa e pyetur për kuptimin e shehadetit dhe për kuptimin e shprehjeve "ilah, Rabb, ibadet dh ed-din", për kuptimin e monoteizmit, për rastet kur mund të bihet në politeizëm, për kuptimin e besimit err-rrububjeti, për kuptimin e autoritetit të marrjes së vendimeve vetëm nga Allahu, e të ngjashme me to? Vallë, a mos i ka pyetur i Dërguari a.s. ata nëse Kur'ani është i krijuar, nëse Allahu i Lartësuar sheh apo nuk sheh e të ngjashme prej çështjeve për të cilat kanë diskutuar dijetarët e akides, e të cilat i ka nxitur shejtani në mes tyre vetëm e vetëm që të fusë armiqësi dhe pezm?
Nëse dikush pretendon se i Dërguari i Allahut a.s. nuk ia ka pranuar hyrjen në Islam askujt pa i njohur këto shpjegime-koncepte, ai ka përgënjeshtruar konsensusin e myslimanëve të kësaj toke. Ose thotë - nuk dihet ndoshta dikush prej transmetuesve është gënjeshtar, duke pretenduar se të gjithë ashabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) janë marrë vesh në mes tyre që të fshehin një veprim të të Dërguarit a.s.. Kjo është e pamundur në aspektin e natyrshëm, ngase natyrisht që është e pamundur që me qindra e mijëra të merren vesh, dhe sidomos njerëzit më të ndershëm të kësaj toke, për të bërë ndonjë gënjeshtër dhe për të fshehur ndonjë çështje që është shumë e rëndësishme. Pretendimi për një gjë të tillë, shpreh atë se ashabët kanë bërë një vepër që të hedh në mosbesim, ngase ata merren vesh për të fshehur diçka pa të cilën nuk mund të bëhet mysliman përveçse me të.
Ky është një mohim i qartë nga ai që mendon kështu.
Askush nuk dyshon prej atyre që dinë diçka nga historia e myslimanëve, e çifutëve, e të krishterëve, e zjarrputistëve, e natyralistëve për atë se i Dërguari i Allahut a.s., qysh prej momentit të shpalljes, i ka ftuar vazhdimisht njerëzit në grupe për të besuar në Allahun e Lartësuar dhe në atë që ka sjellë ai, dhe se ai i ka luftuar ata që e kanë luftuar dhe janë shprehur kundërshtarë të tij. Për njerëz të tillë ka lejuar derdhjen e gjakut të tyre, robërimin e grave dhe fëmijëve të tyre, marrjen e pasurisë së tyre - vetëm për hir të Allahut. Po ashtu ka marr xhizjen dhe i ka nënshtruar ata, dhe ka pranuar secilin që ka besuar prej tyre, duke ndaluar shkatërrimin e pasurisë së tij, derdhjen e gjakut të tij, shkatërrimin e familjes dhe fëmijëve të tij, dhe e ka gjykuar dhe konsideruar atë si mysliman. në mesin e atyre që i ka pranuar si myslimanë, ka pasur edhe gra nomade, barinj e baresha, djelmosha të shkretëtirës e shumë të ngjashëm me këta, që kanë qenë të dobët në aspektin e kuptimit të çështjeve dhe injorantë, e asnjërit prej tyre i Dërguari a.s. nuk i ka thënë: Unë nuk e pranoj Islamin tënd dhe nuk të pranohet besimi pa e ditur kuptimin e shehadetit, kuptimin e asaj që Allahu është Krijues dhe Furnizues i vetëm (err-rrububijetu), kuptimin e asaj se vetëm Allahut i përket marrja e vendimeve, njohjen e cilësive dhe të emrave të Allahut etj..
Është e pamundur që myslimanët të besojnë që i Dërguari i Allahut a.s. të jetë treguar i pakujdesshëm në shpjegimin e atyre çështjeve që janë të domosdoshme për pranimin e Islamit. Nëse dikush supozon se njerëzit, që të gjithë, në kohën e të Dërguarit kanë kuptuar çdo gjë kur kanë shprehur shehadetin, supozimi i tillë është gënjeshtër dhe nuk ka argument që ta vërtetojë këtë. Përveç kësaj, ky supozim është në kundërshtim me transmetimet e sakta, që vijnë nga i Dërguari i Allahut a.s. dhe po ashtu është në kundërshtim me realitetin konkret.
Sipas transmetimeve të sakta, ata që kanë qenë në Nexhd, në Hixhaz dhe përreth tij gjatë kohës sa ka qenë gjallë i Dërguari a.s., ata që të gjithë nuk kanë qenë arabë, po në mesin e tyre kishte të arabizuar, etiopianë, romakë, persianë dhe të tjerë.
Është vërtetuar me transmetime të sakta se ka pasur edhe prej vetë arabëve që nuk i dinin kuptimet e shprehjeve "ilah, rabb, el-iabdetu dhe ed-din" dhe po ashtu ishin injorantë rreth kuptimit të tev'hidit. Pra, këtë e ka ditur edhe i Dërguari a.s.. Në një rast të tillë tek njerëzit ishte ngulitur hamendja dhe kuptimi i gabuar ndaj zotërisë Muhammed a.s..
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një numër i madh njerëzish të kenë pasur aftësi të njëjta në aspektin e të kuptuarit, të zgjuarsisë, të arritjes së njohurive dhe të arsyes. Në mesin e njerëzve gjithmonë ka pasur të atillë që të kenë pasur aftësi të kuptuarit dhe po ashtu ka pasur njerëz që të kenë qenë të dobët në aspektin e të kuptuarit. në këtë nënqiell ka të atillë që janë shumë të aftë dhe që kanë aftësi të mëdha në aspektin e arsyes dhe ka injorantë që nuk i kuptojnë gjërat fare, edhe të atillë që janë mesatarë në aspektin e të kuptuarit të çështjeve.
Ai që tregohet mendjemadh e kokëfortë dhe mundohet kot të mohojë realitetin konkret që është në mesin e të gjitha shoqërive, në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët...
Nuk ka nevojë për vërtetimin e ndonjë gjëje në mendje aq sa ka nevojë që të argumentohet paraqitja e ditës.
Është vërtetuar në mënyrë të prerë se injoranca ndaj normave të fesë nuk dëmton aspak shprehjen e shehadetit dhe nuk është pengesë që ai që e shpreh atë, të konsiderohet mysliman.
Një grup i njerëzve që kanë aftësi dhe njohuri për çështjet e fesë, e kanë obligim t'ua shpjegojnë të tjerëve të gjitha ato çështje që janë të domosdoshme, dhe ato nga të cilat duhet të ruhen, në mënyrë që të mos bien në politeizëm dhe në devijim nga rruga e drejtë. Ndërkaq, për sa u përket çështjeve që nuk janë të domosdoshme të njihen dhe me të cilat janë marrë dijetarët e akides, ato nuk duhet t'u shpjegohen atyre, ngase shejtani mund të fusë armiqësi dhe urrejtje në mesin e tyre, përveç nëse njerëzit kanë hyrë në ato çështje, atëherë duhet t'u shpjegohen çështjet sipas shpjegimeve të Kur'anit dhe Synetit. Mu për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni." (El Maide,8). 
E ai që bëhet kokëfortë duke kundërshtuar edhe pas shpjegimit të së vërtetës dhe sjelljes së fakteve, ai është jobesimtar, sepse nuk po vepron sipas urdhrit të të Dërguarit a.s. dhe nuk po i nënshtrohet gjykimit të të Dërguarit a.s..
Është më se e domosdoshme të meditojmë për argumentin që kemi përmendur, dhe ta vlerësojmë të vërtetën ashtu si duhet. Ky argument është vepra e të Dërguarit a.s.. Fjalët e të Dërguarit a.s. janë të atilla që nuk asnjë prej myslimanëve dhe jomyslimanëve që të kundërshtojë se ato janë shpjegim i Sheriatit, i cili duhet të ndiqet doemos. Ky është një argument i transmetuar deri tek ne nga shumica në mënyrën tevatur dhe ky argument është më i forti sipas konsensusit.
Të gjitha shpjegimet dhe veprimet e të Dërguarit a.s., që nga momenti i Shpalljes që i erdhi atij, ne i njohim nga transmetimi që i kanë bërë shokët e tij të njohur deri tek ne, gjeneratë pas gjenerate në mënyrën tevatur.
Ne jemi të bindur plotësisht në çdo shkronjë të Kur'anit që ka shqiptuar i Dërguari i Tij, ngase kjo na është bërë prej transmetimit që na e kanë bërë deri tek shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë) dhe se për këto kanë pasur konsensus të gjithë ata dhe kjo është transmetuar deri tek ne gjeneratë pas gjenerate.
Dyshimin për një transmetim të ardhur prej të Dërguarit a.s., i cili është bërë sipas konsensusit të ashabëve (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë), të cilët na i kanë përcjellë transmetimet deri tek ne gjeneratë pas gjenerate, e hedh poshtë argumenti se ajo që është ardhur prej Shpalljes që i erdhi atij, e që ka të bëjë me Kur'anin fisnik, është i saktë dhe nuk ka pësuar kurrfarë ndryshimi dhe zëvendësimi qysh preh shpalljes.


Argumenti tjetër:


Është vërtetuar nga i Dërguari a.s., i cili ka thënë se një njeri nuk kishte vepruar asnjëherë mirë, kur i ishte afruar vdekja, i kishte thënë familjes së tij: Kur të vdes, më digjni me zjarr e më pastaj, kur ndonjë ditë të ketë erë të fortë, hirin tim ma lini ta shpërndajë era, gjysmën e hirit hidheni në det e gjysmën tjetër shpërndajeni në tokë. Pasha Allahun, nëse Allahu e ka caktuar që të më dënojë mua, Ai do të më ndëshkojë me një dënim që nuk e ka dënuar askënd prej krijesave të Tij. Allahu i Lartësuar e kishte tubuar hirin e tij dhe e kishte ringjallur atë duke e pyetur: Çfarë të ka shtyrë të veproje kështu? Ai paska thënë: Frika prej Teje, o Zoti im. E Allahu i Lartësuar e fali këtë vetëm për këtë fjalë që tha) (Ibn Hazmi: El Faslu, v. 1 f. 20).
Ky njeri nuk e kishte ditur se, kur të vdiste, Allahu do të mund të mblidhte hirin e tij dhe ta ringjallte, e Allahu e kishte falur për shkak se kishte pranuar që kishte pasur frikë dhe kishte qenë injorant ndaj Tij. Është më se e saktë se ky njeri nuk e kishte njohur fuqinë e Allahut dhe se Allahu, për shkak të injorancës që kishte pasur ai njeri, e ka konsideruar njeri që ka arsyetim dhe që nuk ishte jobesimtar dhe as politeist. Allahu i Lartësuar ka thënë: "S'ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh". (En-Nisa, 48). 
Disa janë munduar të ndryshojnë kuptimin e këtij hadithi duke thënë se shprehja "nëse e ka caktuar Allahu për mua dënimin", ka këtë kuptim: "Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: "Zoti im më ka nënçmuar!" (El Fexhr, 16). 
Ky koment është i pasaktë dhe nuk merret si argument. Po, sikur të ishte i saktë ky shpjegim, atëherë pse njeriu të kërkonte të digjej trupi i tij dhe të hidhej hiri i tij. Mirëpo, ajo që është e saktë dhe për se nuk ka dyshim, është se ai kishte shfaqur atë kërkesë vetëm që të shpëtonte prej dënimit të Allahut dhe sepse atij nuk ia merrte mendja që Allahu ka mundësi të tubonte hirin e tij dhe ta ringjallte. Kjo ishte arsyeja pse ai kishte kërkuar të veprohej ashtu me trupin e tij.


Argumenti i tretë:


Ky argument është më i qartë, që është Fjala e Allahut të Lartësuar: "Dhe (kujto) kur Havarijjunët thanë: "Dhe (përkujto) kur Havarijjunët thanë: "O Isa, bir i Merjemes, Zoti yt a mund të na zbresë një tryezë nga qielli?" (Isai) tha: "Kini frikë All-llahun nëse jeni besimtarë!"(El Maide, 112) deri tek ajeti "dhe të na binden (edhe më shumë) zemrat tona". (El Maide,113), ata, Havarijjunët E kishin lavdëruar Allahun dhe nga mosdija i kishin thënë Isait a.s.: "Zoti yt, a mund të na zbresë një tryezë nga qielli"? dhe nga ky veprim nuk qe shkatërruar besimi i tyre.
Disa kanë dashur të shpëtojnë prej këtij argumenti duke thënë se ky ajet ka edhe një mënyrë tjetër leximi dhe fraza e ajetit të lexohet edhe kështu heltestetiu d.m.th. me (t) dhe që shprehja"rabbike" të lexohet"b" me "i" e që në këtë rast kuptimi i ajetit është: a të dëgjon ty Zoti yt nëse t'i kërkon prej Tij.
Edhe sikur të pranojmë vërtetësinë e leximit të fundit, gjen shprehjen rregulla që është e domosdoshme ndjekja e kësaj rregulle, pra rregulla është që, kur ajeti ka më shumë se një mënyrë leximi, duhet të ndiqet doemos secili lexim që është i saktë dhe që secili kuptim duhet marrë në vete. Derisa të gjitha leximet të jenë të sakta të transmetuara nga i Dërguari a.s., atëherë që të gjitha ato janë Kur'an të shpallura prej Allahut të Madhërishëm. Tjetër është çështja se asnjë lexim i saktë nuk mund të jetë më i mirë se leximi tjetër i saktë, por që të gjithë janë Kur'an.
Ai që mundohet t'i japë përparësi njërit lexim ndaj tjetrit, hedh poshtë një pjesë të Kur'anit. Por mënyra e parë e leximit është e saktë sipas unanimitetit dhe është e shkruar nëpër mus'hafet që i lexojnë njerëzit, është obligim të merret kuptimi i tillë dhe ajo që argumenton ai ajet.
Disa kanë shfaqur mendimin se ata që kanë kërkuar një veprim të tillë nga Isai a.s., nuk kanë qenë Havarijjunët, po njerëz të tjerë. Por, për ta hedhur poshtë këtë mendim, mjafton ajo që Allahu përmend se vetë Havarijjunët kishin kërkuar një veprim të tillë, për se Allahu i lartësuar thotë: "Dhe (kujto) kur Havarijjunët thanë:"...".
Argumenti i katërt: Buhariu shënon nga Enesi r.a., se ka thënë: "halla e Enes bin Malikut Err Rrebiatu i kishte thyer dhëmballën një robëreshe të Ensarëve, e populli kishin kërkuar të zbatohej kisasi (kthimi i dënimit me të njëjtën masë). Ata erdhën tek i Dërguari a.s., dhe ky kërkoi të zbatohej kisasi (d.m.th. t'i thyhej dhëmballa e saj). E xhaxhai i Enes bin Malikut r.a., Enes bin Nadër, tha: "jo, pasha Allahun, mos i thyej dhëmbin e saj, o i Dërguari i Allahut! Atëherë i Dërguari i Allahut a.s.,. i tha: "O Enes, në Librin e Allahut është caktuar obligimi i zbatimit të kisasit". Populli ranë dakord që të pranojnë kompensimin. E i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Vërtet ka prej robërve të Allahut që, kur të betohen në Allahun, zbatojnë betimin (Buhariu: v.2 f. 66).
(vijon)


Hasan el-Hudajbi Duatun La Kudatun.
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: mr.sci. Flamur Sofiu)


 


Dituria Islame 273


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Mbahen garat republikane të njohurive fetare (VIDEO)