U mbajt në Stamboll Samiti Ndërkombëtar i Botuesve Islamë, pjesëmarrëse edhe “Dituria Islame” nga Kosova

 


Në Stamboll u mbajt Samiti Ndërkombëtar i Botuesve Islamë, një ngjarje ndërkombëtare që mblodhi përfaqësues të botimeve islame nga 67 shtete, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave dhe mundësive që po sjellin zhvillimet e reja në fushën e botimeve.
Aktiviteti u zhvillua më 25-27 shtator, në Universitetin Istanbul Sabahattin Zaim, nën organizimin e Unionit Ndërkombëtar të Botuesve Islamë, me mbështetjen e institucioneve turke, ndër të cilat Dijaneti, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe TIKA. Në këtë takim morën pjesë më shumë se 250 përfaqësues, duke e shndërruar Stambollin në një pikëtakim të rëndësishëm për botues, studiues dhe përfaqësues institucionesh të lidhura me fushën e botimeve islame.
Në këtë ngjarje ndërkombëtare dhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Botuesve Islamë mori pjesë edhe Shtëpia Botuese "Dituria Islame" nga Prishtina, si përfaqësuesja e vetme nga Kosova. "Dituria Islame" u përfaqësua nga drejtori Ramadan Shkodra, së bashku me kolegët Tanseli Rogova dhe Dr. Besir Neziri. Pjesëmarrja në këtë forum ndërkombëtar përbënte një mundësi të rëndësishme për prezantimin e veprimtarisë së botimeve islame në Kosovë, si dhe për krijimin e kontakteve të reja dhe vendosjen e bashkëpunimeve me shtëpi botuese dhe përfaqësues të botimeve nga vende të ndryshme.
Një nga momentet e rëndësishme të takimit ishte Asambleja e Përgjithshme e Unionit Ndërkombëtar të Botuesve Islamë, ku u zhvilluan punimet për aktivitetet e Unionit, objektivat dhe planet për të ardhmen. Gjatë Asamblesë u zhvilluan edhe procedurat për zgjedhjen e Këshillit Drejtues, kryetarit të Këshillit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Unionit, duke përcaktuar kështu strukturat e tij drejtuese për periudhën e ardhshme.
Gjatë tri ditëve të samitit u zhvilluan diskutime të shumta mbi çështjet më të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e botimeve islame. Në fokus ishin bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet botuesve, të drejtat e autorit, përkthimet, botimet digjitale, zhvillimi i inteligjencës artificiale, ruajtja e trashëgimisë.