Xhamia historike e Krusziany, në garë për “Mrekullinë e Polonisë”

 


Një nga monumentet më të veçanta të trashëgimisë islame dhe tatare në Poloni është nominuar në edicionin 2026 të konkursit "Cuda Polski" ("Mrekullitë e Polonisë"), të organizuar nga National Geographic Traveler Polska.
Xhamia prej druri në Kruszyniany, në verilindje të Polonisë, është një nga tre të nominuarat e rajonit Podlaskie në konkursin që synon të promovojë destinacionet me vlera të veçanta kulturore, historike dhe natyrore.
E ndërtuar në shekullin XVIII, xhamia është një nga dy xhamitë historike prej druri të komunitetit tatar në Poloni. Ndërtesa dallohet për arkitekturën e saj karakteristike prej druri, ngjyrën e gjelbër dhe minaret e kurorëzuara me gjysmëhëna. Brenda saj ndodhen mihrabi dhe minberi, ndërsa hapësira është e ndarë në pjesën për burra dhe gra.
Pranë xhamisë ndodhen varreza myslimane tatare, duke formuar së bashku një kompleks të rëndësishëm historik dhe fetar.
Kruszyniany është një prej qendrave më të njohura të trashëgimisë tatare në Poloni. Prania e këtij komuniteti në Podlasie daton prej shekujsh dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë shumëkulturore të vendit.
Në konkursin "Cuda Polski 2026", xhamia përfaqëson rajonin Podlaskie së bashku me dy destinacione të tjera: shtegun natyror "Suchary" dhe zonën e Liqenit Hańcza, liqeni më i thellë i Polonisë.
Përfshirja e Krusziany-t në listën e National Geographic e vendos edhe një herë në vëmendje këtë monument të rrallë, i cili ndërthur historinë islame, trashëgiminë tatare dhe arkitekturën tradicionale polake.