Marrëdhënia me prindërit në Islam nuk kufizohet vetëm në bindje, por ndërtohet mbi mirënjohjen, mirësinë dhe përkujdesjen e vazhdueshme. Birr el-validejn e shndërron të drejtën e prindit në respekt, shërbim dhe ruajtje të dinjitetit të tij. Kjo përgjegjësi vazhdon edhe kur bindja ka kufij, madje edhe pas vdekjes së prindit.
Hyrje
Njeriu është qenie relacionale. Ai nuk e realizon qenien e vet jashtë marrëdhënies me Zotin, njerëzit dhe botën. Brenda këtij rrjeti lidhjesh, marrëdhënia me prindërit zë një vend të veçantë në arkitekturën morale të Islamit. Konceptet kuranore që e ndërtojnë këtë marrëdhënie lexohen si një lëvizje nga mirënjohja (shukr), te mirësia (ihsan) dhe prej saj te mirëbërësia (birr). Tri dimensione të së njëjtës vetëdije morale. Shukri është njohja e së mirës së marrë; ihsani është përgjegjësia ndaj saj me mirësi; ndërsa birr-i është kthimi i kësaj mirësie në një marrëdhënie të qëndrueshme me prindërit.
Pikënisja është shukri: "Më falëndero Mua dhe prindërit tu" (Lukman, 14). Shukri është të kujtosh dhe të pranosh të mirën që ke marrë nga prindërit: jetën, kujdesin dhe edukimin. Kjo mirënjohje shfaqet në ihsan, pra në fjalë të mira dhe vepra mirësie. Kur kjo mirësi bëhet e qëndrueshme, Kurani përdor gjuhën e birr-it. Për Jahjan dhe Isain a.s. thuhet se ishin (berr-en) ndaj prindërve të tyre (Merjem, 14, 32). Berr është ai tek i cili birr-i është bërë tipar i karakterit dhe i sjelljes së përditshme.
Kjo kornizë udhëheq analizën e 24 temave të para në "Al Edeb el Mufred". Në to, Buhariu e konkretizon normën kuranore në fjalë, shërbim, bindje dhe kufijtë e saj, mbrojtje të së drejtës dhe dinjitetit të prindit, pleqëri, dallim fetar, vdekje dhe lidhje që prindi lë pas. Njësia përfshin 46 transmetime: 29 merfu, 15 mevkuf dhe 2 maktu.(1)
Ato ndërthurin hadithin profetik me kuptimin dhe praktikën e sahabëve e të tabiinëve. Jo çdo transmetim i përfshirë në vepër ka të njëjtën shkallë hadithore. Prandaj, studimi dallon ndërmjet vlerës së transmetimit dhe rolit që ai luan brenda temës. Edhe një transmetim i kritikuar nga ndonjë muhadith(2) ka rëndësi për të kuptuar se si Buhariu ka përzgjedhur dhe organizuar materialin.
Pyetja qendrore e studimit është: çfarë kuptimi moral të marrëdhënies me prindërit del nga titujt, transmetimet dhe renditja e tyre? Për këtë qëllim analizohen titulli i temës, përmbajtja e transmetimit dhe vendi i tyre në renditje. Hipoteza është se kjo renditje, ndonëse jo rreptësisht lineare, shpalos një strukturë që lëviz nga themelimi i së drejtës së prindit te konkretizimi, mbrojtja, kufizimi dhe vazhdimësia e saj. Teza është se birr el validejn paraqitet te Buhariu si arkitektura e marrëdhënies fëmijë-prind, ndërsa edebi si inteligjenca e saj morale. Në këtë kuptim, birr el validejn është forma prindërore e edebit.
Hapja kuranore: norma para formës
Njësia e birr el-validejn hapet me fjalën e Allahut: "Ne e porositëm njeriun të sillet mirë (husn) me prindërit e vet." (El Ankebut, 8), e cila nxjerr një normë që i jep kuptim çdo sjelljeje. Lidhja biologjike krijon afërsi, ndërsa shpallja e njeh atë si të drejtë dhe e kthen në përgjegjësi. Fjala qendrore është mirësia - husni. Para se të përcaktojë format konkrete të sjelljes ndaj prindit, ajeti vendos cilësinë morale që duhet ta udhëheqë marrëdhënien. Prandaj, norma i paraprin formës.
Vazhdimi i ajetit vendos edhe kufirin e bindjes: "Nëse ata përpiqen që të më shoqërosh Mua diçka për të cilën ti nuk ke dije, atëherë mos iu bind atyre." (El Ankebut, 8). Pra, e drejta e prindit nuk është e pakufizuar. Kur kërkesa bie ndesh me një të drejtë më të madhe, bindja ndalet. Ndërsa një ajet tjetër e plotëson këtë parim: "Mos iu bind atyre, por shoqëroji në këtë botë me mirësi." (Lukman, 15). Kështu, teksti kuranor bashkon kufirin e bindjes dhe vazhdimin e mirësisë. Bindja (ta'ah) është prej formave të birr-it, por nuk e përmbledh atë. Po ashtu, jo çdo mosbindje është ukuk, por vetëm cenimi i pajustifikuar i së drejtës së prindit.(3) Prandaj, kufiri i bindjes nuk është kufiri i mirësisë.
Konkretizimi hadithor: forma e normës
Renditja e Buhariut sugjeron se birr-i është konkretizimi i normës kuranore të husn-it në marrëdhënien prindërore. Në El Bekare, 177, birr-i përfshin besimin, dhënien e pasurisë, namazin, zekatin, besnikërinë dhe durimin, kurse në El Maide, 2, lidhet me takvanë: "Bashkëpunoni në birr dhe takva." Maturidiu e përkufizon birr-in si emër për çdo të mirë, ndërsa takvanë si largim nga çdo e keqe(4) Maverdiu e lidh me ihsanin dhe me silen - ruajtjen e lidhjeve ndërmjet njerëzve.(5)
Edhe Suneti e paraqet birr-in si vlerë të gjerë morale që rrjedh nga vërtetësia dhe shpie në Xhenet. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vërtetësia çon te birr-i, ndërsa birr-i çon në Xhenet.";(6) ndërsa në një formulim tjetër e përmbledh: "Birr-i është karakteri i mirë."(7) (Merjem, 14 dhe 32). Birr-i paraqitet si mënyrë e të qenit në marrëdhënie që përjashton arrogancën dhe vetëqendërsinë.
Prej këtej dallohen tri nivele të lidhura: birr - mirëbërësia; barr - njeriu që e ka përvetësuar këtë vlerë në karakterin e vet; dhe birr el validejn - zbatimi i saj në marrëdhënien prindërore.
Kuptimi gjuhësor, gjithashtu, e tregon gjerësinë e birr-it. Ragib el Isfahani e lidh atë me gjerësinë e së mirës, sikurse fjala berr, nga e njëjta rrënjë, emërton tokën e gjerë.(8) Për këtë arsye, në traditën islame kjo fjalë përdoret për një fushë të gjerë të së mirës.(9)
Në këtë studim, birr el validejn kuptohet si jetësimi moral i së drejtës së prindit, të cilën fëmija e njeh përmes vetëdijes për origjinën, kujdesin dhe sakrificën e tij dhe së cilës kujtese i përgjigjet duke e shndërruar mirënjohjen në respekt, përkujdesje, ruajtje të dinjitetit, shmangie të lëndimit, ndjeshmëri ndaj cenueshmërisë, respektim të kufirit moral të bindjes, përgjegjësi për pasojat dhe vazhdimësi të së mirës edhe pas vdekjes.
Brenda kësaj strukture dallohen katër nivele: edebi është inteligjenca morale e marrëdhënies; husn-i cilësia e saj; birr el validejn është realizimi prindëror i kësaj inteligjence dhe cilësie. Fjala e mirë, bindja, shërbimi, përkujdesja, moslëndimi dhe ruajtja e lidhjeve janë format konkrete të tij. Prandaj, birr el validejn është forma prindërore e edebit. Edebi i fëmijës jo vetëm çfarë të bëjë, por edhe si, kur, ku dhe përse ta bëjë.
Arkitektura e marrëdhënies fëmijë-prind
Vlera e përkufizimit të mësipërm provohet në organizimin e temave dhe transmetimeve. Këto tema trajtohet si një interpretim, jo vetëm si klasifikim tematik. Njësia lexohet jo vetëm sipas përmbajtjes së teksteve, por edhe sipas funksionit të secilit në strukturën e tërësishme. Kështu, transmetimi jep materialin, titulli përcakton këndin e leximit, ndërsa renditja e lidh me atë që e paraprin dhe e pason. Në këtë optikë, 24 temat shpalosin një arkitekturë të birr-it, e cila mund të lexohet përmes tetë boshteve:
• E drejta: Çfarë pozite dhe përparësie ka prindi?
• Kujtesa: Çfarë historie të marrëdhënies duhet të mbajë mend fëmija?
• Forma: Si shndërrohet birr-i në fjalë dhe veprim?
• Mbrojtja: Çfarë shmange që të mos cenohen e drejta dhe dinjiteti i prindit?
• Cenueshmëria: Si ndryshon përgjegjësia kur prindi dobësohet?
• Kufiri i bindjes: Deri ku shkon bindja ndaj prindit?
• Pasoja: Çfarë pasojash sjell sjellja e fëmijës në marrëdhënie?
• Vazhdimësia: Çfarë mbetet nga birr-i pas vdekjes së prindit?
Këto boshte janë model analitik dhe jo një klasifikim që i atribuohet Buhariut, si dhe nuk janë ndarje të mbyllura, prandaj një temë ose transmetim mund të prekë më shumë se një bosht.
E drejta: marrëdhënia fillon me njohjen
Marrëdhënia prindërore i paraprin vullnetit të njeriut. Para se të mund të jepte, ai ishte marrës i jetës, ushqimit, mbrojtjes dhe përkujdesjes. Edebi fillon kur njeriu mëson t'i përgjigjet moralisht një marrëdhënieje që nuk e ka krijuar vetë.
Tema e parë fillon me një hadith që e vendos birr-in në hierarkinë e veprave fetare. Kur Abdullah ibën Mesudi r.a. e pyet të Dërguarin a.s. për veprën më të dashur tek Allahu, ai përgjigjet: "Namazi në kohën e tij; pastaj birr-i ndaj prindërve; pastaj xhihadi në rrugën e Allahut."
Birr-i vendoset ndërmjet namazit, që strukturon marrëdhënien e përditshme me Allahun, dhe xhihadit, që kërkon sakrificë përtej vetes. Kujdesi ndaj prindit hyn kështu në hierarkinë e veprave përmes të cilave matet përgjegjësia fetare e njeriut. Hadithi korrigjon edhe prirjen për të kërkuar vepra të mëdha e të dukshme, duke lënë në hije detyrimet e heshtura ndaj të afërmve. Përkujdesja ndaj prindit të moshuar mund të mos ketë dukshmëri publike, por kërkon durim, kohë, kontroll të egos dhe shërbim të vazhdueshëm; pikërisht kjo e bën marrëdhënien shkollë të karakterit.
Parimin e thellon fjala e Abdullah ibën Omerit r.a.: "Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindit, ndërsa zemërimi i Zotit është në zemërimin e prindit." Brenda kufijve të së drejtës prindërore, trajtimi i prindit merr peshë në marrëdhënien e njeriut me Allahun. Kështu, transmetimi i parë përcakton rangun e birr-it, ndërsa i dyti peshën morale të së drejtës së prindit.
Vetëm pasi themelohet kjo e drejtë, Buhariu hap temën e dytë me nënën dhe të tretën me babanë.(10) Në pyetjen: "Kujt t'i bëj birr?", Pejgamberi a.s. përgjigjet tri herë: "Nënës sate" dhe vetëm më pas: "babait tënd". E drejta e të dy prindërve është e përbashkët në themel, por jo e barabartë në shkallën e përparësisë. Ibën Batali e lidh përparësinë e nënës me tri barrët e saj të veçanta: shtatzëninë, lindjen dhe gjidhënien.(11)
Këtë pozitë e thellon transmetimi për njeriun që kishte vrarë një grua dhe kërkonte rrugë pendimi. Ibën Abasi e pyeti: "A është gjallë nëna jote?" dhe më pas pohoi se nuk njihte vepër që e afronte njeriun tek Allahu më shumë se birr-i ndaj nënës.
Tri temat e para vendosin themelin: prindi gëzon të drejtën që buron nga prindëria; kjo e drejtë ka peshë para Allahut; dhe brenda saj ekziston një rend përparësie ndërmjet nënës dhe babait në birr, jo domosdoshmërisht në bindje. Juristët kanë qëndrime të ndryshme kur urdhërat e prindërve bien ndesh. Fëmija duhet të ruajë, sa të jetë e mundur, të drejtën e të dyve. Vetëm pasi themelohet kjo e drejtë, mund të flitet për format e realizimit të saj në temat vijuese.
Kujtesa: e drejta ka një histori
E drejta nuk lind në zbrazëti. Pas saj qëndron një histori. Kësisoj, marrëdhënia prindërore nuk mund të reduktohet në një llogari barazimi sipas logjikës "më dhe kaq, po të kthej po aq", sepse ndryshon konteksti emocional. Në fillimin e saj, njëra palë jepte duke uruar dhe pa pritur kthim, ndërsa tjetra nuk ishte ende në gjendje as të kuptonte se po merrte. Kjo del në pah veçanërisht në temën e gjashtë "Shpërblimi i prindërve". Pejgamberi a.s. ka thënë: "Fëmija nuk ia shpërblen dorën prindit të tij, përveçse nëse e gjen sllav, e blen dhe e liron." Këtë ide e bën të prekshme rrëfimi i burrit nga Jemeni që e barte nënën në shpinë gjatë tavafit. Kur e pyeti Ibën Omerin nëse ia kishte shpërblyer të mirën, ai iu përgjigj: "Jo, as edhe një fshamë të vetme (gjatë lindjes)." Fëmija mund ta bartë nënën në shpinë rreth Qabesë, por nuk mund ta kthejë kohën pas dhe të përjetojë dhimbjen me të cilën ajo e solli në jetë.
Këtu qëndron funksioni i kujtesës. Fëmija duhet të mbajë moralisht të pranishme një periudhë që vetë nuk mund ta kujtojë. Ai që sot ecën vetë, dikur është bartur; ai që sot ushqehet, dikur është ushqyer; ai që sot mund të lodhet nga nevojat e prindit, dikur ka jetuar përmes durimit të tij. Pra, e drejta e prindit ka një histori dhe birr-i kërkon që fëmija të mos e humbë kujtesën morale të saj.
Forma: si shndërrohet birr-i në sjellje?
Njohja e së drejtës dhe kujtesa e historisë së saj nuk mjaftojnë pa marrë formë në sjellje. Buhariu e hap temën e pestë, Butësia në të folur me prindërit, me këshillën që Ibën Umeri ia dha një burri prej havarixhëve, i cili kërkonte të shlyente veprat e këqija. Pasi mësoi se ai e kishte të gjallë vetëm nënën, i tha: "Nëse i flet butë dhe e ushqen, do të hysh në Xhenet, përderisa u shmangesh mëkateve të mëdha."
Fjala e butë dhe ushqimi vendosen pranë njëra-tjetrës: njëra prek botën emocionale të prindit, tjetra nevojën materiale. Birr-i, pra, nuk është vetëm ndjenjë dhe as vetëm përkujdesje praktike. Mund ta ushqesh prindin dhe ta lëndosh me tonin; mund t'i flasësh bukur dhe të mungosh kur ka nevojë.
Këtë kuptim e thellon etheri pasues i Urve bin Zubejrit, i cili fjalën e Allahut: "Dhe nga mëshira shtrije për ta krahun e përuljes", e shpjegon: "Mos lër pa bërë atë që ata e duan." Kërkesat e lejueshme të prindërve, pra, përmbushen me gatishmëri dhe butësi.
Në fund të njësisë, te transmetimi 44, Buhariu kthehet te hollësitë e formës. Ebu Hurejra r.a., kur sheh një burrë duke ecur me babanë e tij, i thotë: "Mos e thirr me emër dhe mos ec as mos u ul para tij." Tema e fundit, me transmetimet 45 dhe 46, trajton adresimin e babait me kunja, si shprehje e respektit në traditën arabe të ruajtur edhe në Islam. Në të parin, Salimi e thërret babanë e tij, Abdullah ibën Umerin, me kunjin Ebu Abdurrahman; në të dytin, Abdullahu e përmend babanë e tij, Umerin, me kunjin Ebu Hafs.
Kjo kthesë është domethënëse: njësia rishtas me normën e madhe kuranore dhe përfundon me mënyrën e të folurit, të ulurit dhe të ecurit, duke treguar se norma e madhe merr formë në gjestin e vogël.
Mbrojtja: çfarë duhet shmangur që prindi të mos cenohet?
Mbrojtja ka dy nivele: të mos e cenosh vetë prindin dhe të mos bëhesh shkak që cenimi t'i vijë nga të tjerët. Marrëdhënia nuk ndërtohet vetëm duke përcaktuar të mirën që duhet bërë; ajo mbrohet edhe duke përcaktuar dëmin që duhet shmangur.
Në temat 6-8 dhe 14-16, përmes transmetimeve 13-17 dhe 27-31, Buhariu shpalos hartën e plagëve që fëmija mund t'ua shkaktojë prindërve. Disa janë të drejtpërdrejta, të tjera mbërrijnë te ta tërthorazi. Atij që i kishte lënë prindërit duke qarë, Pejgamberi a.s. i tha: "Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin, ashtu siç i bëre të qajnë." Ibën Umeri e rendit shkaktimin e pajustifikuar të kësaj dhimbjeje ndër mëkatet e mëdha: "E qara e prindërve është prej ukuk-ut dhe mëkateve të mëdha."
Në transmetimin e Ebu Bekres r.a., Pejgamberi a.s. e rendit ukuk-un ndaj prindërve ndër mëkatet më të mëdha, pranë shirkut, për të treguar rëndësinë e tij. Në këtë kuadër, Buhariu nuk sjell vetëm ndalimin e mallkimit të prindërve, por edhe përgjegjësinë për t'u bërë shkak që ata të fyhen, si kur njeriu fyen prindin e tjetrit dhe ky ia kthen duke fyer prindërit e tij. Fjala e hidhur kundër tjetrit kthehet mbi shtëpinë prej së cilës ka dalë. Fëmija mban përgjegjësi jo vetëm për cenimin që kryen vetë, por edhe për atë që ua sjell prindërve përmes të tjerëve.
Fjala, toni, braktisja dhe përçmimi mund ta cenojnë thellë marrëdhënien edhe pa lënë plagë fizike. Kështu, cenimi nuk fillon vetëm kur fëmija ngre dorën apo zërin kundër prindit; ai fillon sa herë që bëhet shkak i lotit, pikëllimit, poshtërimit ose prishjes së imazhit të tij. Kjo nuk do të thotë se çdo lot ose pakënaqësi e prindit e bën fëmijën fajtor; përcaktues është shkaktimi i pajustifikuar i dhimbjes ose cenimi i të drejtës. Ukuk-u, kështu, është cenim i pajustifikuar i së drejtës dhe dinjitetit të prindit, jo çdo mosbindje.
Cenueshmëria: kur përgjegjësia rritet
Jo të gjitha fazat e marrëdhënies kërkojnë të njëjtën masë kujdesi. Nevoja, sëmundja, pleqëria e ndryshojnë ekuilibrin: ai që dikur mbante, tani mund të ketë nevojë të mbahet. Këtë përmbysje të roleve e shpreh tema 6, Shpërblimi i prindërve, veçanërisht transmetimi 14, në dialogun e Ebu Hurejrës me nënën e tij. Ai i thoshte: "Allahu të mëshiroftë, ashtu si më rrite kur isha i vogël." Ajo i përgjigjej: "Allahu të mëshiroftë, ashtu siç u solle mirë me mua kur u plaka."(12) Kujdesi i marrë në fëmijëri kthehet në përgjegjësi ndaj prindit në pleqëri.
Këtë kuptim e thekson drejtpërdrejt tema 10, Ai që i arrin prindërit, por nuk hyn në Xhenet, përmes transmetimit 21. Pejgamberi a.s. e qorton ashpër atë që e arrin pleqërinë e njërit ose të dy prindërve, por nuk e fiton Xhenetin përmes përkujdesjes ndaj tyre.
Kurani e lidh pikërisht këtë fazë me një kujdes të veçantë: "Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë pranë teje, mos u thuaj as 'uf'." (El Isra, 23). Fjala uf përfaqëson shenjën minimale të bezdisë. Nëse ndalohet ajo, çdo formë më e rëndë lëndimi ndalohet edhe më fort.
Dobësia e prindit nuk ia zvogëlon të drejtën, por ia rrit fëmijës përgjegjësinë. Dikur dobësia e fëmijës thërriste mëshirën e prindit; tani dobësia e prindit duhet të zgjojë mëshirën e fëmijës. Sa më e madhe nevoja e prindit, aq më shumë birr-i kalon nga respekti në përkujdesje aktive.
Kufiri i bindjes: deri ku shkon ta'ah?
Pesha e së drejtës prindërore shtron domosdoshmërisht pyetjen për kufirin e saj.
Tema 4, Birr-i ndaj prindërve edhe nëse bëjnë padrejtësi, përmban transmetimin 7 të Ibën Abasit. Meqë askedi tjetër nuk është i mbrojtur nga gabimi ose ligësia, tema ngre një pyetje thelbësore: a shuhet e drejta e prindit sapo ai sillet padrejtësisht? Përgjigjja më e qartë vjen nga parimi kuranor: edhe kur prindi kërkon atë që nuk lejohet, urdhri për shoqërim me mirësi mbetet. Pra, kuptimi i hadithit është i saktë: padrejtësia e prindit nuk e anulon birr-in ndaj tij. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se prej birr-it është edhe durimi i vetë padrejtësisë. Norma islame thekson qartë se "dëmi ndalohet", pavarësisht se kush e shkakton atë. Prandaj, fëmija e mbron veten prej padrejtësisë pa e shndërruar këtë në ukuk, përderisa ruan kufijtë e respektit dhe nuk kalon vetë në padrejtësi.
Përgjigjja më e qartë për kufirin e bindjes vjen nga tema 9, T'u bëhesh birr prindërve përderisa nuk ka mëkat, që përfshin transmetimet 18-20. Vetë titulli vendos kufirin: përderisa nuk ka mëkat. Brenda saj, urdhri profetik drejtuar Ebu Derdasë, "bindju prindërve", konkretizohet me dy transmetime vijuese. Ai që kishte lënë prindërit duke qarë për xhihad urdhërohet të kthehet dhe t'i bëjë të qeshin, ndërsa atij që kërkon vullnetarisht të marrë pjesë në xhihad i thuhet: "Tek ata bëje xhihadin tënd." Juristët e kanë zbatuar të njëjtin parim edhe te udhëtimi: ai që përmban rrezik serioz nuk ndërmerret pa lejen e prindërve, ndërsa udhëtimi i sigurt lejohet nëse fëmija nuk i lë pa përkujdesjen që u nevojitet.(13)
Ky dallim bëhet edhe më i qartë në raport me prindin jomysliman. Tema 12, përmes transmetimit 23, kufizon kërkimin e faljes prej Zotit për prindin e vdekur mushrik; ndërsa tema 13, përmes transmetimeve 24-26, ruan detyrimin e birr-it ndaj tij pavarësisht besimit. Dallimi fetar nuk e anulon mirësinë. Rasti i Sad ibën ebi Vekasit me nënën që e ndalonte nga feja e përmbledh këtë parim kuranor: "Mos iu bind atyre (në mëkat), por shoqëroji në këtë botë me mirësi." (Lukman, 15). Brenda një afati qëndrojnë së bashku dy urdhra: mosbindja në mëkat dhe vazhdimi i mirësisë. Të njëjtin parim e dëshmon edhe rasti i Esma bint Ebi Bekrit r.a. me nënën e saj mushrike, ku urdhërohet ta mbajë lidhjen me të. Këtë vijë e plotëson tema 18, ku Ebu Hurejra r.a. përpiqet ta ftojë nënën e tij të krishterë në Islam. Kur ajo thotë diçka që e lëndon për Pejgamberin a.s., ai nuk e ndërpret marrëdhënien me të, por kërkon prej Pejgamberit që të lutet për udhëzimin e saj. Pas lutjes së tij, ajo e pranon Islamin. Këtu shfaqet edhe një dimension tjetër i birr-it ndaj prindit, kujdesi për të mirën shpirtërore të prindit. Kështu, termat formojnë një vijë të plotë: nuk ka bindje në mëkat, por marrëdhënia, mirësia dhe kujdesi vazhdojnë. Kufiri i bindjes nuk është kufiri i mirësisë.
Prej këtej dallohen tri nocione: 1) ta'ah është bindja ndaj kërkesës së lejueshme të prindit brenda kufijve të së drejtës së tij; 2) birr është fusha më e gjerë e mirësisë, respektit dhe përkujdesjes; 3) ukuk është cenimi i pajustifikuar i së drejtës së prindit. Prandaj, jo çdo mosbindje është ukuk.
Nëse kërkesa përmban mëkat, dëm ose cenim të së drejtës së një pale tjetër, bindja nuk kërkohet. E drejta e prindit nuk e shfuqizon të drejtën e një pale tjetër, refuzohet kërkesa, jo marrëdhënia, sepse edhe mënyra e refuzimit mbetet nën normën e birr-it. Përmbushja e të drejtave të prindërve është farz ajn, por kjo nuk u jep atyre autoritet të pakufizuar mbi jetën e fëmijës. Bindja lidhet me kërkesat që burojnë nga të drejtat reale të prindit - si respekti, përkujdesja, mbështetja dhe shmangia e dëmit -, jo me çdo dëshirë ose preferencë të tij. Prandaj, kërkesat që kufizojnë zgjedhjet e ligjshme personale të fëmijës, pa mbrojtur ndonjë nevojë ose të drejtë reale të prindit, nuk janë vetvetiu detyruese. Bindja kërkohet për aq sa kërkesa është brenda së drejtës së prindit dhe nuk përmban mëkat, dëm të konsiderueshëm ose padrejtësi ndaj fëmijës apo të tjerëve.
Pasoja: marrëdhënia ka jehonë
Sjellja ndaj prindit nuk mbyllet në çastin kur kryhet, në strukturën e Buhariut ajo paraqitet si marrëdhënie me pasoja.
Tema 11 titullohet: Atij që u bën birr prindërve, Allahu sa shton jetën. Transmetimi nr. 22 ka synim të kritikojë dhe mbi të nuk mund të mbështetet i vetëm një pohim i tillë për zgjatjen e jetës. Megjithatë, vendosja e tij në këtë pozitë tregon idenë tematike se birr-i nuk paraqitet si veprim pa jehonë. Ana tjetër shfaqet në temën Ndëshkimi i ukuk-ut ndaj prindërve. Hadithi nr. 29 nuk e përmend drejtpërdrejt ukuk-un, por flet për padrejtësinë (bagj-in) dhe prerjen e lidhjeve farefisnore si mëkate, ndëshkimi i të cilave mund të përshpejtohet edhe në këtë botë. Transmetimi nr. 30 e përmend drejtpërdrejt ukuk-un në mesin e mëkateve më të mëdha. Edhe pse senedi ka vërejtje, kuptimi i hadithit mbështetet nga transmetime të tjera. Kjo tregon rëndësinë e dallimit ndërmjet funksionit tematik të një transmetimi dhe fuqisë së tij hadithore.
Një formë tjetër e pasojës shfaqet te lutja e prindit. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Tri lutje janë të pranuara, pa dyshim: lutja e të dëmtuarit, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit kundër fëmijës së tij." Buhariu e pason këtë me rrëfimin e Xhurejxhit, i cili nuk iu përgjigj thirrjes së nënës dhe u përball me pasojën e lutjes së saj.
Kështu, marrëdhënia fëmijë-prind ka pasoja morale dhe jetësore përtej momentit të veprimit.
Vazhdimësia: çfarë mbetet pas vdekjes?
Në pamje të parë, vdekja mund të duket si kufiri përfundimtar i marrëdhënies. Por, pikërisht këtu Buhariu hap një fazë tjetër të birr-it. Pyetja shtrohet drejtpërdrejt: "A ka mbetur diçka nga birr-i ndaj prindërve të mi pas vdekjes së tyre?"
Transmetimi nr. 35 përmend lutjen, istigfarin, përmbushjen e zotimeve, nderimin e miqve dhe ruajtjen e lidhjeve farefisnore. Meqë senedi është i kritikuar, këto kuptime nuk mbështeten vetëm në të. Transmetimet 36-39 japin mbështetje më të fortë për ngritjen e gradës së të vdekurit për shkak të istigfarit të fëmijës për të, për lutjen e fëmijës së mirë dhe sadakanë në emër të prindit. Pra, vdekja nuk e shuan birr-un, vetëm sa ndryshon format me të cilat ai vazhdon.
Buhariu e zgjeron vazhdimësinë e birr-it edhe përtej veprave që i drejtohen vetë prindit. Në temat 20-22 ai kalon te njerëzit që prindi ka dashur. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vërtet, prej formave më të larta të birr-it është që njeriu të mbajë lidhjet me njerëzit që babai i tij ka dashur." Meqë senedet e transmetimeve nr. 40, 42 dhe 43 janë kritikuar, ato mbeten me interes për të kuptuar shtrirjen tematike të njësisë, ndërsa pesha kryesore normative mbështetet në transmetimin nr. 41, kuptimi i të cilit vërtetohet edhe në Sahihun e Muslimit.(14) Më pas, Buhariu paralajmëron kundër ndërprerjes së këtyre lidhjeve dhe e përmbledh këtë vijë me tekstin domethënës: "Dashuria trashëgohet."
Kjo tregon se prindi nuk ka vetëm pasuri apo detyrime, por edhe një botë marrëdhëniesh. Miqtë, lidhjet dhe kujtimet janë pjesë e kësaj bote, të cilat fëmija thirret t'i ruajë.
Kështu, birr-i pas vdekjes së prindit vazhdon në tri rrafshe: shpirtëror, përmes lutjes dhe istigfarit; material, përmes sadakasë dhe përmbushjes së detyrimeve; dhe shoqëror, përmes ruajtjes së lidhjeve të prindit. Pra, vdekja nuk është fundi i birr-it; është ndryshimi i formës së tij.
Përfundime
Ky studim dëshmon se njësia birr el validejn në "El Edeb el Mufred" zotëron koherencë të plotë tematike. Titujt e temave, përzgjedhja e transmetimeve dhe renditja e tyre ndërtojnë një koncept të integruar të marrëdhënies fëmijë-prind. Nga analiza dalin këto rezultate shkencore:
• Titulli orienton mënyrën se si transmetimi lexohet dhe lidhet me tërësinë. Kjo e bën të nevojshëm leximin e titullit, transmetimit dhe renditjen si një strukturë të vetme.
• Tetë boshtet - e drejta, kujtesa, forma, mbrojtja, cenueshmëria, kufiri i bindjes, pasoja dhe vazhdimësia - janë modele analitike të nxjerra nga korpusi, jo një klasifikim i Buhariut.
• Birr-i është më i gjerë se bindja (ta'ah) dhe lidhet me kërkesën e ligjshme brenda së drejtës së prindit. Kur bindja ndalet për shkak të mëkatit, dëmit ose cenimit të një të drejte tjetër, birr-i vazhdon në formën e respektit, mirësisë dhe mospajtimit. Prandaj, ukuk-u nuk është çdo mosbindje, por cenimi i pajustifikuar i së drejtës së prindit. Mirësia vazhdon edhe kur bindja ndërpritet.
· Fuqia hadithore duhet dalluar nga funksioni tematik. Transmetimet me sened të kritikuar nuk përdoren të vetme për themelimin e normave juridike; megjithatë, vendosja e tyre mbetet relevante për analizimin e ndërlidhjeve që plotësojnë kuadrin etik dhe ilustrojnë zbatimin moral të birr-it, ndërsa kuptimet e tyre vlerësohen në dritën e teksteve më të forta.
· Birr el validejn është forma prindërore e edebit. Ai e shndërron njohjen e së drejtës në sjellje, mirënjohjen në përgjegjësi dhe lidhjen familjare në disiplinë morale që vazhdon edhe përtej jetës së prindit, sa kohë që mbetet e gjallë kujtesa dhe trashëgimia e tij.
________________________________________
1. Muhamed b. Ismail el Buhari, El Edeb el Mufred, red. Muhamed Fuad Abdulbaki, bot. 3 (Bejrut: Dar el Bashai'r el Islamijje, 1409/1989), nr. 1-46.
2. Muhamed b. Ismail el Buhari, El Edeb el Mufred, hadithet i verifikoi Muhamed Nasiruddin el Albani, bot. 2 (Dar es Siddik, 1421 h/ 2000), 13-29.
3. Ahmed b. Ali b. Haxher el Askalani, Feth el Bari bi sherh Sahih el Buhari, red. Muhibuddin el Hatib (Bejrut: Dar el Ma'rife, 1379 h.), 10:406; shih edhe Bedruddin Mahmud b. Ahmed el Ajni, Umdet el Kari sherh Sahih el Buhari (Bejrut: Dar Ihja et Turath el Arabi, pa datë), 22:86.
4. Abu Mansur bin Muhamed el Maturidi, Ta'vilatu Ehli's Sunne, red. Mexhdi Muhamed Baslum, 10 vëll. (Bejrut: Dar al Kutub al Ilmijje, 1426/2005), 3:444.
5. Ali b. Muhamed el Maverdi, Edeb ed Dunja ve ed Din, red. Mustafa es Sakka, bot. 4 (Bejrut: Dar el Kutub el Ilmijje, 1398/1978), 184-185.
6. Muhamed b. Ismail el Buhari, Sahih el Buhari, red. Muhamed Zuhejr b. Nasir en Nasir, 9 vëll. (Bejrut: Dar Tavk en Nexhat, 1422 h.), 8:25, nr. 6094; Muslim b. el Haxhaxh en Nejsaburi, Sahih Muslim, red. Muhamed F. Abd el Baki, 5 vëll. (Bejrut: Dar Ihja et Turath el Arabi, pa datë), 4:2012, nr. 2607.
7. Muslim b. el Haxhaxh en Nejsaburi, Sahih Muslim, red. Muhamed Fuad Abd el Baki (Bejrut: Dar Ihja et Turath el Arabi, pa datë), 4:1980, nr. 2553.
8. Err Rragib el Isfahani, Mufredatu Elfadhi el Kur'an, red. Safvan Adnan Davudi (Damask: Dar el Kalem; Bejrut: Dar ed Dab shamijje, 2009), 114.
9. Shih përdorimet kryesore të rrënjës b-r-r në Kuran, veçanërisht El Bekare, 177 dhe El Maide, 2; krahaso Ali Toksari, "BİRR," TDV İslam Ansiklopedisi, vëll. 6 (Stamboll: Türkiye Diyanet Vakfı, 1922), 204-205.
10. Në temën e dytë dhe të tretë, Buhariu sjell transmetime të ngjashme, por me dallime në sened dhe tekst që ofrojnë të dhëna me interes për studiuesit e hadithit, por analiza e tyre del jashtë kufijve të këtij studimi.
11. Ali b. Halef ibn Battal, Sherh Sahih el Buhari, red. Ebu Temim Jasir b. Ibrahim, bot. 2 (Riad: Mektebet er Rushd, 1425/2003), 9:189.
12. Dialogu është edhe në transmetimin 12, por me sened të kritikuar.
13. Alauddin Ebu Bekr ibn Mesud ibn Ahmed el Kasani el Hanefi, Bedaiu es sanai fi tertibi esh sherai, bot. 2 (Bejrut: Dar El Kutub el Ilmijje, 1406 h/1986), 7:98. Ai përcjell mendimin e disa dijetarëve hanefinj sipas të cilëve lejohet udhëtimi për dije edhe pa lejen e prindërve, përderisa rruga është e sigurt dhe nuk dëmtohen, por mund të përfitonë nga frytet e dijes së fëmijës. Për këtë arsye, një veprim i tillë nuk merr cilësimin e ukuk-ut.
14. Muslim b. el Haxhaxh en Nejsaburi, Sahih Muslim, red. Muhamed Fuad Abd el Baki (Bejrut: Dar Ihja et Turath el Arabi, pa datë), 4:1979, nr. 2552.