"Vërtet, ti je në një moral të lartë!" (El Kalem, 4)
Kurani i Madhërishëm është libër hyjnor i udhëzimit për mbarë njerëzimin, sipas përkufizimit të Vetë Zotit të Lartësuar, i Cili e ka zbritur atë: "Muaji Ramadan, që në të filloi të shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz." (El Bekare, 185).
Kurani gjithashtu është sistemi moral i besimtarëve, ose "rend moral", që nënkupton tërësinë e parimeve, virtyteve dhe normave, që udhëheqin sjelljen e besimtarit sipas mësimeve të Kuranit. Këtë e bën të qartë fjala e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: "Unë jam dërguar për të përsosur moralin e lartë."(1) Ndërtimi i këtij sistemi kishte filluar qysh nga Ademi a.s. dhe u përkrye me Muhamedin a.s., si tullë e fundit e kësaj strukture. Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar të Dërguarin e Tij a.s. për moralin e tij të lartë, duke thënë: "Vërtet, ti je në një moral të lartë!" (El Kalem, 4).
Po ashtu, Ai e ka urdhëruar atë me virtytet më të bukura, duke thënë: "Andaj, (të keqen) ktheje me mirësi, se atëherë ai, mes teje dhe të cilit ka armiqësi, do të bëhet (si) mik i afërt)." (Fusilet, 34). Kështu, morali nuk është vetëm një kod rregullash, por një pasqyrë e shpirtit që e njeh Zotin dhe i bindet Atij me dashuri. Çdo pejgamber është dërguar për ta ngritur moralin në mesin e njerëzve. Apo, siç përkufizohet troç në shumë hadithe të Pejgamberit a.s.: "Ai që është më i dashur për mua është ai që ka karakterin më të mirë."
(Transmetuar nga Buhariu); "Vërtet, ndër më të mirët prej jush janë ata që kanë moralin më të mirë."(2); "Besimtari më i përsosur në iman është ai që ka moralin më të mirë. Dhe më të mirët prej jush janë ata që sillen më mirë me gratë e tyre."(3)
Kurani na mëson se morali përfshin të gjitha dimensionet e jetës: drejtësinë, mëshirën, ndershmërinë, përmbajtjen, durimin dhe faljen. Zoti thotë: "Vërtet, Zoti urdhëron për drejtësi, për bamirësi dhe për ndarjen me të afërmit, e ndalon nga imoraliteti, e keqja dhe padrejtësia." (En Nahl, 90). Ky ajet përmbledh kodin e plotë të jetës morale, ku besimi dhe veprimi janë të pandarë.
Turpi, po ashtu është pjesë e pandashme e besimit në Islam. Kuranin e gjejmë të ndërlidhë konceptin e turpit me pastërtinë shpirtërore dhe ndershmërinë, si në tregimin e vajzës së Shuajbit që foli me Musain me ndrojtje: "Njëra prej tyre erdhi tek ai duke ecur me turp." (El Kasas, 25). Ky shembull tregon se turpi është shenjë e moralit të lartë dhe e karakterit të pastër. Turpi nuk është dobësi, por forcë morale, që e mbron njeriun nga devijimet dhe nga mëkatet. Kështu, në Kuranin fisnik dhe në mësimin profetik, turpi dhe morali janë dy koncepte të ndërthurura, njëri është ndjenja, tjetri veprimi; njëri rrënja, tjetri fryti i besimit të sinqertë. Pa turp nuk ka moral, dhe pa moral, turpi bëhet i pakuptimtë.
Dijetari i mirënjohur, që jetoi në shek. V hixhri, El Maverdi, në librin e tij "Edebu Dunja ve Din", ka përmendur se turpi te njeriu është i ndarë në tri lloje:
Turpi nga Allahu i Lartësuar - Ky është turpi më fisnik dhe më i rëndësishëm. Ai qëndron në zbatimin e urdhrave të Tij dhe përmbajtjen nga ndalesat e Tij. Maverdiu rrëfen se e kishte parë në ëndërr të Dërguarin e Allahut a.s. dhe i kishte thënë: "O i Dërguari i Allahut, më këshillo!" Ai i kishte thënë: "Kij turp nga Allahu i Madhëruar me turpin që i takon." Pastaj kishte shtuar: "Njerëzit janë ndryshuar!" Maverdiu e pyeti: "Si është kjo, O i Dërguari i Allahut?" Ai tha: "Dikur e shikoja fëmijën dhe shihja në fytyrën e tij dritë dhe turp, kurse sot e shoh dhe nuk e gjej më këtë ndjenjë në fytyrën e tij."
Turpi nga njerëzit - Ky lloj tregon mirësjelljen dhe moralin e lartë, që shfaqet përmes largimit nga ofendimi dhe mosshfaqja e së keqes në publik. Ky lloj turpi është shenjë burrërie, si dhe edukatë e dëshirë për reputacion të mirë.
Turpi nga vetvetja - Ky është turpi i brendshëm, që lind nga ndershmëria dhe ruajtja e vetes në vetmi. Një prej dijetarëve ka thënë: "Kij më shumë turp nga vetja jote sesa nga njerëzit e tjerë." Ndërsa një tjetër ka thënë: "Kush bën fshehurazi atë që do të turpërohej ta bënte hapur, ai nuk e vlerëson veten e tij." Ky lloj turpi është pasqyrë e pastërtisë së shpirtit dhe fisnikërisë së brendshme.
Në përfundim, kur njeriu arrin t'i plotësojë këto tri lloje të turpit, atëherë në të janë bashkuar të gjitha shkaqet e mirësisë dhe janë zhdukur të gjitha shkaqet e së keqes. Ai bëhet i njohur për virtyt dhe përmendet për vepra të bukura.(4)
Pejgamberi a.s., ka thënë: "Lëre, sepse turpi është nga besimi."(5)
Ibën Kutajbe ka thënë: "Kuptimi i hadithit është se turpi e ndalon njeriun nga mëkatet, ashtu siç e ndalon imani, prandaj është quajtur 'besim', sepse qëndron në vend të tij."(6)
Kurani fisnik, në suren El Araf, e ka shprehur ndjenjën e turpit (el-haja') me termin "veshja e devotshmërisë", siç thuhet në fjalën e Allahut të Lartësuar: "O bijtë e Ademit! Ne ju kemi zbritur veshje për t'ju mbuluar pjesët tuaja të turpit dhe për zbukurim, por veshja e devotshmërisë është më e mira." (El Araf, 26). Imam Ebu Hamid el Gazaliu, ka thënë: "Veshja e devotshmërisë" do të thotë turpi."(7)
Pra, sipas Gazaliut, turpi është veshja shpirtërore që mbulon mangësitë e njeriut dhe e ruan atë nga mëkati, dhe nga sjellja e pahijshme, që nuk përshtatet me etiken islame, ashtu siç e mbulojnë rrobat trupin fizikisht.
Edhe këtu në këtë ajet, turpi është përmendur me një sinonim tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, e nuk turpërohen prej Allahut." (En Nisa, 108).
Me këtë sinonim i është drejtuar edhe Pejgamberit a.s.: "...dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që t'i frikësohesh Allahut." (El Ahzab, 37). Pra, po ki turp nga njerëzit.(8)
Turpi është mënyrë jetese. Pejgamberi a.s. e ka bërë turpin një mënyrë jetese dhe një kriter me të cilin njeriu i rregullon veprat dhe sjelljet e tij. Ebu Mesud el Ensarij el Bedriju r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Një nga fjalët e profetësisë së hershme që njerëzit i kanë trashëguar është: "Nëse nuk të vjen turp, bëj ç'të duash." (Transmeton Buhariu).
Ky hadith përmbledh disa kuptime të rëndësishme, ndër to: Ai të cilit i është hequr turpi, nuk i intereson se çfarë bën: hallall apo haram, mirë apo keq, a është vepra e ndershme apo e ulët, sepse ai nuk ka turp nga Allahu dhe nuk i jep asnjë vlerë mendimit të njerëzve. Një i tillë është i guximshëm në veprat e neveritshme dhe i prirë drejt mangësive.
Nëse duam një shoqëri të shëndetshme që personaliteti i qytetarëve të udhëhiqet nga karakteri, e jo nga ligji, atëherë çdonjëri nga ne duhet të kemi karakter të pastër dhe ndërgjegje të dëlirë. Dhe, për t'u arritur kjo, duhet të nisemi nga vetja, nga edukimi i zemrës me turp dhe moral, përndryshe çdo reformë që nuk fillon nga shpirti le për të dëshiruar apo është e dënuar të dështoj. Këto të dyja, "turpi dhe morali", kur bashkohen, krijojnë njeriun që më tepër udhëhiqet nga to se sa nga ligji.
Në një botë që njeriu vrapon pas formës dhe harron përmbajtjen, atëherë telashet e saj nuk kanë të përfunduar, ato presin zgjidhje vetëm nga ligji. Kurani famëlartë na kujton se bukuria më e madhe është bukuria e shpirtit. Dhe kjo bukuri lind nga turpi, rritet me moralin dhe përmbyllet me dashurinë për Zotin dhe krijesat e Tij. Në lidhje me këtë, Allahu thotë: "Vërtet, ai që e pastron shpirtin, ka shpëtuar, dhe ai që e ndot, ka humbur." (Esh Shems, 9-10).
Kështu, turpi dhe morali mbeten dy fenerë të përjetshëm në udhën e njeriut që kërkon dritën.
Për komentin e këtij ajeti, Imam Ahmed ibën Omeri, ka thënë: "Ka shpëtuar ai që e ka pastruar (shpirtin e vet)" (Esh Shems, 9), pra, kush e pastron veten nga cilësitë e ulëta që burojnë nga prirjet e errëta trupore, dhe e stolis atë me virtyte të mira që lindin nga forcat shpirtërore të ndriçuara.(9)
Ibën Kethiri, gjatë tefsirit të këtij ajeti, ka thënë: "Kuptimi i mundshëm i këtij ajeti është se: ka shpëtuar ai që e ka pastruar veten e tij, pra, duke iu bindur Allahut, ashtu siç ka thënë Katadeh, dhe duke e pastruar atë nga moralet e ulëta dhe veset e këqija. Një kuptim i ngjashëm përcillet nga Muxhahidi, Ikrime dhe Seid ibën Xhubejri. Ky kuptim përforcohet edhe nga fjala e Allahut në suren El Ala, ajetet: 14-15: "Ka shpëtuar ai që është pastruar (nga mëkati), që ka përmendur emrin e Zotit të tij dhe ka falur namaz."(10) Në anën e adhurimeve, të cilat janë ligjësuar në Islam dhe konsiderohen shtylla të besimit, siç thotë shejh Muhamed el Gazali, janë ato ushtrime të përsëritura për ta mësuar njeriun të jetojë me morale të drejta dhe të qëndrojë i palëkundur në këto vlera, pavarësisht se si ndryshojnë rrethanat përreth tij.(11)
Morali në Islam nuk bazohet në teori ideologjike, në interesa personale apo në faktorë mjedisorë, që ndryshojnë sipas rrethanave. Ai buron nga burimi i besimit, drita e të cilit ndriçon brenda shpirtit dhe jashtë tij. Morali nuk është një grup virtytesh të ndara nga njëra-tjetra, por unaza të lidhura të një zinxhiri të vetëm: besimi është moral dhe ligji hyjnor është moral; nëse myslimani e shkel njërën prej tyre, ai ka dëmtuar vetë besimin e tij.
Pejgamberi a.s., ka thënë: "Kur mëkatari bën amoralitet, ai nuk është besimtar në atë çast; kur pi alkool, nuk është besimtar; dhe kur vjedh, nuk është besimtar." (Transmeton Buhariu).
Për fund, themi se Kurani famëlartë ka përmbledhur me një ajet anën praktike të moralit në Islam, kur thotë: "Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah Lindja ose Perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, Librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit." (El Bekare, 177).
____________________________________________________
- Suhejb Abdulxhbar, "El Xhamiul Sahih lis Suneni vel Mesanid", vëll. 9, f. 494.
- Hadith muttefekun alejhi, i përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi.
- Transmeton Tirmidhiu, i cili ka thënë: hadith hasen sahih.
- El Maverdi, Ali ibën Muhamed ibën Muhamed (v450h), Edebu Dunja ve Din, (Meltebetul Hajajt, 1986), f. 248-250.
- Sahihul Buhari, Elhajau minel Ijman, nr. 23.
- El Kadi, Husejn ibën Muhamed el Mehdi, Sajdul efkari fil Edebi vel Ahlaki vel Hikemi vel Emthal, (Jemen: Vezaretu Thekafe, Darul Kitab, 2009), vëll. 2, f. 91.
- Ebu Hamid, Muhamed ibën Muhamed, (v505h), Ihja' Ulum ed Din, (Bejrut: Darul Mearifeti, 1987), vëll. 1, f. 5.
- El Muntaheb mine Tefasir, Legjnet Kuran ve Sunne, (Kajro: Muesesetul Ahram, 1995), f. 628.
- Nexhmudin, el Imam Ahmed ibën Omer, (v618h), Et Tefsir el Ishari, vëll. 5, f. 234.
- Ibën Kethir, Ismail ibën Omer, (v774h), Tefsirul Kuranil Adhim, (Bejrut: Darul Kutub el Ilmije, 1998), vëll. 8, f. 400.
- Muhamed el Gazali, Hulukul Muslim, f. 7.
Dituria Islame 421