Shtetasi gjerman Andreas Lemke, i cili përqafoi fenë islame dhe mori emrin Umar, ka nisur një udhëtim të jashtëzakonshëm në këmbë nga Berlini drejt Mekës për të kryer Haxhin.
Pas 88 ditësh ecjeje, ai mbërriti në qytetin Babaeski, në provincën e Kërklarelit, në veriperëndim të Turqisë.
Sipas agjencisë turke të lajmeve İhlas Haber Ajansı (İHA), Lemke ndaloi në Babaeski për të pushuar dhe për të vizituar xhaminë historike Cedit Ali Paşa, ku fali namazin e drekës përpara se të vazhdonte udhëtimin.
Lemke bëri të ditur se udhëtimi i tij mund të zgjasë edhe pesë deri në gjashtë muaj të tjerë, dhe se shpreson të arrijë në vendet e shenjta brenda kësaj periudhe.
Pas ndalesës në Babaeski, ai vazhdoi rrugën në këmbë, duke iu afruar synimit për të mbërritur në Mekë dhe për të kryer Haxhin.
