Kur shpata, pasuria dhe pena bien në duart e gabuara


Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:
"Nuk ka hajër - mirësi në një popull (komb) tek i cili shpata është në duart e frikacakëve, pasuria në duart e hajdutëve, ndërsa pena - lapsi në duart e munafikëve - hipokritëve."


Kjo nuk është vetëm një thënie e urtë nga kohët e lashta. Kjo është një diagnozë e një shoqërie të sëmurë, një paralajmërim për një popull të përgjumur dhe një pasqyrë në të cilën duhet të shikohet çdo bashkësi që ndien se liria e saj është e rrezikuar, pasuria e saj është plaçkitur dhe e vërteta e saj është errësuar.
Janë tri shtylla pa të cilat asnjë popull nuk mund të mbijetojë: aftësia për t'u mbrojtur, aftësia për t'i administruar drejt pasuritë e veta dhe aftësia për ta dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Imam Aliu këto tri shtylla i shënon me tri simbole: shpatën, pasurinë dhe penën.
Shpata nuk është thirrje për dhunë. Ajo është simbol i përgjegjësisë për sigurinë, lirinë dhe nderin e popullit. Pasuria nuk është vetëm para. Ajo është simbol i punës, besimit, së mirës së përbashkët dhe pavarësisë ekonomike. Pena nuk është vetëm mjet shkrimi. Ajo është simbol i dijes, ndërgjegjes, fjalës publike dhe kujtesës.
Nëse cilado prej këtyre shtyllave bie në duar të padenja, populli dobësohet. Nëse që të tria njëkohësisht bien në duart e frikacakëve, hajdutëve dhe hipokritëve, populli mund të mbetet pa shtet, pa dinjitet dhe pa të ardhme, pa e kuptuar këtë derisa të jetë tepër vonë.


Shpata në duart e frikacakëve


Fatkeqësia më e madhe e një populli nuk është fakti se ka armiq. Çdo popull i ka pasur dikur. Fatkeqësia më e madhe është kur sigurinë e tij e udhëheqin ata që i frikësohen përgjegjësisë, që janë trima vetëm ndaj më të dobëtve, ndërsa heshtin para dhunuesve.
Frikacaku nuk është domosdoshmërisht njeriu që ndien frikë. Frika është njerëzore. Trimëria nuk është mungesa e frikës, por aftësia që, pavarësisht nga frika, të bësh atë që është e drejtë. Frikacak është ai që, për hir të pozitës së vet, e braktis popullin pikërisht atëherë kur ai ka më së shumti nevojë për të. Ai është njeriu që heshtjen e vet e quan urtësi, tërheqjen diplomaci, ndërsa tradhtinë realizëm.
Kur shpata është në duart e frikacakut, ai nuk e ngre kundër dhunuesit, por e përdor për ta kërcënuar popullin e vet. Para armikut është i përulur, ndërsa para njerëzve të vet është mendjemadh. Është i fuqishëm ndaj të pafuqishmëve, por i pafuqishëm para të fuqishmëve.
Një popull që ka mbijetuar gjenocidin nuk ka të drejtë t'ia dorëzojë sigurinë e vet njerëzve që turpërohen nga sakrifica e tij, që kanë frikë ta thonë të vërtetën dhe që besojnë se mëshira e të tjerëve do ta mbrojë më mirë sesa vigjilenca dhe organizimi i tij. Ne e dimë shumë mirë se sa kushton bindja naive se e keqja nuk do të përsëritet. E keqja përsëritet pikërisht atëherë kur viktimat e saj e humbin kujtesën, ndërsa përfaqësuesit e tyre trimërinë.
Prandaj, shpata - pra përgjegjësia për lirinë, sigurinë dhe shtetin - duhet të jetë në duart e njerëzve trima, të matur dhe të ndershëm. Jo të atyre që janë luftënxitës, por të atyre që janë të përgjegjshëm. Jo të atyre që bëjnë thirrje për konflikt, por të atyre vendosmëria e të cilëve e largon dhunuesin edhe nga mendimi për ta nisur atë. Paqja nuk ruhet me frikë. Paqja ruhet me drejtësi, gatishmëri dhe dinjitet.


Pasuria në duart e hajdutëve


Një popull nuk është i varfër vetëm atëherë kur nuk ka para. Ai është edhe më i varfër kur ka pasuri, por ajo u përket një pakice që ia ka rrëmbyer të gjithëve.
Hajdut nuk është vetëm ai që natën ia thyen dikujt shtëpinë. Hajdut është edhe ai që, i veshur me kostum dhe kravatë, i mbrojtur nga funksioni dhe libreza partiake, e plaçkit të mirën publike. Hajdut është ai që buxhetin e shtetit e konsideron trashëgimi familjare, ndërmarrjen publike si plaçkë private, ndërsa pozitën si mundësi për t'u pasuruar.
Kur pasuria është në duart e hajdutëve, puna e ndershme bëhet poshtërim, ndërsa vjedhja bëhet e pranuar shoqërisht. Të aftët largohen, ndërsa të dëgjueshmit dhe të preferuarit përparojnë. Punëtori mezi ia del ta lidhë muajin me muajin, ndërsa përtaci shfaqet me pasuri, prejardhja e së cilës nuk dihet. Mësuesi, mjeku dhe minatori duhet ta dëshmojnë vlerën e çdo dinari të fituar, ndërsa tregtari politik brenda natës bëhet pronar i gjithçkaje që e kanë krijuar brezat.
Hajdutët nuk vjedhin vetëm para. Ata vjedhin spitalet që nuk janë ndërtuar, shkollat që nuk janë rinovuar, rrugët që nuk janë përfunduar dhe vendet e punës që nuk janë hapur. Ata vjedhin kohën e të rinjve, qetësinë e të moshuarve dhe shpresën e atyre që ende nuk kanë lindur.
Korrupsioni nuk është një shkelje e vogël dhe as thjesht një parregullsi administrative. Ai është një formë e dhunës ndaj popullit. Çdo markë e vjedhur mbart me vete një pjesë të ilaçit, bursës, pagës ose dinjitetit të dikujt. Prandaj, shoqëria që është pajtuar me vjedhjen nuk e humb vetëm pasurinë - ajo e humb edhe ndjenjën për hallallin dhe haramin, drejtësinë dhe turpin.
Nuk mjafton t'i mallkosh hajdutët. Duhet të ndalosh së votuari për ta, së arsyetuari veprimet e tyre vetëm pse janë "tanët" dhe së admiruari pasurinë e tyre. Hajduti nuk ka kombësi tjetër përveç plaçkës, nuk ka fe tjetër përveç interesit dhe nuk ka atdhe tjetër përveç xhepit të vet.


Pena në duart e hipokritëve


Ndoshta pjesa e tretë e mesazhit të Imam Aliut është më e thella. Sepse frikacaku mund ta dorëzojë vendin, hajduti mund t'ia plaçkitë pasurinë, por hipokriti, me penën e tij, mund ta bindë popullin se asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Pena e krijon kujtesën e një populli. Me të shkruhen librat dhe tekstet shkollore, ligjet dhe aktgjykimet, artikujt e gazetave dhe fjalimet politike. Me të ruhet e vërteta, por me të e vërteta mund edhe të fshihet. Pena mund të jetë një llambë ndriçuese, por edhe një perde. Ajo mund ta çlirojë ndërgjegjen, por edhe ta vërë në gjumë.
Hipokriti me penë nuk është një gënjeshtar i zakonshëm. Ai e njeh të vërtetën, por e përshtat atë sipas interesave të të fuqishmëve. Sot shkruan një gjë, nesër një tjetër; sot e lavdëron atë që dje e dënonte, ndërsa nesër do ta dënojë atë para të cilit sot përkulet. Fjala e tij nuk ka bindje, por çmim.
Një intelektual i tillë nuk pyet se cila është e vërteta, por kujt i shërben e vërteta. Ai nuk i shërben dijes, por pushtetit. Nuk e ngre zërin kur populli është në rrezik, por e ngre kur rrezikohen privilegjet e tij. Hipokrizinë e quan ekuilibër, indiferencën morale objektivitet, ndërsa heshtjen para krimit distancë akademike.
Më të rrezikshmit nuk janë ata që e sulmojnë hapur të vërtetën. Populli mund t'i njohë ata. Më të rrezikshëm janë ata që paraqiten si mbrojtës të saj, por nga brenda e gërryejnë. Ata flasin gjuhën e patriotizmit, ndërsa u shërbejnë interesave të huaja; thirren në fe, ndërsa e arsyetojnë padrejtësinë; betohen në emër të popullit, ndërsa e përçajnë atë mes vete.
Kur pena bie në duart e hipokritëve, viktima detyrohet të arsyetohet, ndërsa krimineli fiton të drejtën për "të vërtetën" e vet. Gjenocidi shndërrohet në "ngjarje tragjike", agresioni në "konflikt qytetar", krimi sistematik në "gabim të individit", ndërsa mbrojtja e atdheut në gjoja fajësi të barabartë. Kështu, fillimisht vriten faktet, pastaj kujtesa dhe, në fund, edhe mundësia që populli të nxjerrë mësim nga e kaluara e tij.


Tri aleatët e shkatërrimit


Frikacaku, hajduti dhe hipokriti nuk janë tri dukuri të ndara. Ata ushqejnë dhe mbrojnë njëri-tjetrin. Frikacaku e mbron hajdutin, sepse prej tij merr pozitë. Hajduti e paguan hipokritin që vjedhjen e tij ta paraqesë si sukses. Hipokriti, me penën e tij, e arsyeton frikacakun, duke e quajtur frikën e tij paqebërje dhe urtësi shtetërore. Kështu krijohet një rreth i mbyllur i shkatërrimit: frikacakët e dorëzojnë sigurinë; hajdutët e përvetësojnë pasurinë; hipokritët e rishkruajnë të vërtetën.
Ndërsa populli, i hutuar nga fjalimet e tyre, fillon të dyshojë edhe në sytë e vet. E sheh se si po i zhduket shteti, por dëgjon se ai kurrë nuk ka qenë më stabil. E sheh se si po largohen të rinjtë, por dëgjon se vendi po përparon. E sheh se si po lartësohen kriminelët, por e bindin se nuk ka arsye për shqetësim. E sheh se si po vidhet, ndërsa prej tij kërkohet të jetë i durueshëm. Kjo tashmë nuk është vetëm krizë e pushtetit. Kjo është krizë e gjykimit moral.


Mesazhi për popullin tim


Populli im, mos e lexo këtë thënie si dënim të disa njerëzve të largët! Lexoje si një pyetje drejtuar secilit prej nesh. Kujt ia kemi besuar sigurinë tonë? Kujt ia kemi dorëzuar pasurinë e përbashkët? Kujt i kemi lejuar ta shkruajë të vërtetën tonë?
Jo çdo njeri që mban uniformë është trim. Jo çdo njeri që administron pasurinë është kujdestar i denjë i saj. Jo çdo njeri që mban penën është i ditur dhe i ndërgjegjshëm. Pozita nuk e bën njeriun të denjë; karakteri tregon nëse njeriu është i denjë për pozitën.
Ne nuk kërkojmë luftëtarë të etur për luftë, por rojtarë të aftë për ta ruajtur paqen. Nuk kërkojmë të pasur, por kujdestarë që dinë se pasuria publike është amanet. Nuk kërkojmë shkrimtarë që bëjnë zhurmë, por njerëz, fjala e të cilëve nuk është në shitje.
Populli nuk shpëtohet nga një udhëheqës i vetëm, nga një parti e vetme apo nga një fjalim i vetëm. Ai shpëtohet përmes zgjedhjes morale të secilit individ: a do ta shpërblejë trimërinë apo frikacakërinë, ndershmërinë apo vjedhjen, të vërtetën apo hipokrizinë?
Armiku ynë më i madh nuk është vetëm ai që na kërcënon nga jashtë. Ata janë edhe heshtja jonë para frikacakëve, toleranca ndaj hajdutëve dhe naiviteti ynë përballë hipokritëve. Sepse asnjëri prej tyre nuk mbijeton i vetëm. Ata mbijetojnë falë frikës sonë, interesit tonë ose indiferencës sonë. Prandaj, duhet t'u kthehemi tri virtyteve: trimërisë, amanetit dhe së vërtetës.
Përballë frikacakut qëndron njeriu trim, i cili e di se siguria e popullit nuk është mjet për promovim personal, por obligim i shenjtë.
Përballë hajdutit qëndron njeriu i besueshëm, i cili e di se pasuria publike i takon edhe jetimit, edhe nxënësit, edhe të sëmurit, edhe punëtorit.
Përballë hipokritit qëndron dijetari dhe shkrimtari i ndërgjegjshëm, i cili nuk do ta shesë të vërtetën as për pozitë, as për para dhe as për pëlqimin e pushtetit.
Një popull që i ka njerëzit e tillë ende ka shpresë.
Prandaj, kjo thënie e Imam Aliut mund të plotësohet me një mësim për kohën tonë: Ka hajër - mirësi në një popull përderisa siguria e tij është në duart e trimave, pasuria e tij në duart e të ndershmëve, ndërsa pena e tij në duart e atyre që e duan të vërtetën dhe janë të besueshëm.
Shpata pa trimëri bëhet stoli ose kërcënim për vetë popullin. Pasuria pa ndershmëri bëhet plaçkë. Pena pa ndërgjegje bëhet armë vetëvrasëse e gënjeshtrës. Ndërsa një popull pa trimëri, amanet dhe të vërtetë pushon së qeni zot i fatit të vet.
Prandaj, populli im, zgjohu para se frikacakët të ta dorëzojnë lirinë, hajdutët të ta shesin atdheun, ndërsa hipokritët të shkruajnë se asgjë nga këto nuk ka ndodhur.


 


Dr. Mustafa Cerić
Nga boshnjakishtja: Esat Rexha


Nuk ka artikull pas ketij.