Si të kuptohemi më mirë ndërmjet veti


(Pengesat në rrugën e mirëkuptimit, besimit dhe pajtimit)

Hyrje

Në jetë ekzistojnë disa konstanta të mentalitetit tonë të cilat tregohen si pengesa për mirëkuptimin, besimin dhe pajtimin ndërmjet popujve, feve dhe kulturave. Këto modele të fuqishme të mendimit, besimit dhe mirësjelljes janë tradicionalizmi, mentaliteti autoritar, jo/kultura politike, antiintelektualizmi, paragjykimet dhe mosekzistimi i opinionit kritik, kurse të cilat historiani i njohur francez Fernan Brodel[1] do t’i quaj si nocione me jetëgjatësi të madhe.
Meqë secili nga këto terma ngërthen në vete thesar të pasur interpretimesh, në vazhdim do të fokusohemi vetëm në gjerat më relevante.


I. Konstanta e parë

Historia.- Trajtimi i historisë imponon bërjen e dallimit të rreptë ndërmjet këtyre tri nocioneve: të kaluarës, traditës dhe tradicionalizmit.
Ç’është e kaluara? E kaluara është çdo gjë që ka ndodhur, e cila vetvetiu nuk nënkupton se e tëra ajo është pozitive dhe e pranueshme. Prandaj edhe identifikimi me tërë të kaluarën tonë do të thotë të identifikohemi edhe me fitoret edhe me humbjet, edhe me shpresat edhe me pësimet. Mirëpo, ndjenja e humbjes, e pësimit dominon dhe na shtyn që të kaluarën ta verifikojmë në mënyrë kritike. Këtë e thotë diç më ndryshe sociologu francez Robert N. Belah[2]: “Vetëm nëpërmjet ndjenjës së tragjedisë ka mundësi të mësohet diç nga e kaluara”, për të vazhduar të qortojë se “fryma jonë e sëmurë e kohës sonë nuk ka as raport të drejtë ndaj të kaluarës as qëndrim korrekt ndaj të ardhmes”. [3]
Ç’është tradita?[4] Traditë quajmë të gjitha gjerat e vlefshme për mësim dhe kujtesë që i kemi zgjedhur nëpërmjet kritereve bashkëkohore të nacionalitetit dhe humanitetit. Po ashtu, traditë është çdo gjë e mirë që është thënë dhe vepruar, e që është në vetëdijen e brezit aktual. Traditë është çdo gjë nga shkenca, historia, filozofia dhe arti kalimtar merret për të konstituuar rend të qëndrueshëm kundrejt kalueshmërisë ditore. Kjo më së shumti ruhet në traditën e folur, atë të gjuhës, e të cilën Martin Hajdegeri[5] e quajti “Tradita është ajo që është mjaft e vjetër për të qenë amshueshëm e re” [6], sepse të mendosh prapthi është kujtesë dhe të mendosh para është shpresë. Nga kujtesa prapthi kërkojmë të gjitha të vërtetat, të mirat, të bukurat dhe të shenjtën për t’i shërbyer të tashmes dhe të ardhmes.
Ç’është tradicionalizmi? Tradicionalizëm quajmë ideologjinë e cila pasardhësve ua imponon idetë, bindjet, vlerat dhe normat e të parëve të tyre, pa diskutime e pa kundërshtime, pa marrë parasysh ndryshimet mjedisore apo përvojën e brendshme. Këtë Gj. Shushnjiqi e quan si “vetëdije të mbyllur” dhe “pengesë të vështirë drejt komunikimit të suksesshëm”, si me të kaluarën vetjake ashtu edhe me popujt dhe kulturat e tyre.[7] Pikëpamja e tillë i ngjason atij që udhëton prapthi nëpër kohë, duke u ngatërruar me kalimtarët. Në histori ky perceptim i botës, d.m.th. kur ideja për vlerën ekskluzive të traditës së vet kalon në normë, atëherë kemi të bëjmë me tradicionalizmin si ideologji.


II. Konstanta e dytë

Ç’është mentaliteti autoritar? Brezi i njerëzve që jetoi gjatë shekullit XX pjesërisht jetoi në atmosferë autoritare familjare e pjesërisht në atë autoritare shtetërore, si organizatë politike e shoqërisë, e ka të vështirë që brenda natës ta orientojë veten në të menduarit dialogues, demokratik në aspekt të të përsiaturit, bindjeve dhe mirësjelljes. Nëse kjo kategori njerëzish më shumë u beson liderëve se sa ligjeve,a therë sërish ekziston rreziku që ata t’i bashkëngjiten ndonjë lideri në gjendje të caktuar politike e shoqërore kundër të tjerëve dhe atyre që janë ndryshe neve. Për fat të keq, në nënqiellin tonë, edhe pushteti por edhe opozita janë të frymës dhe vetëdijes autoritare. Konsekuenca e kësaj është se të tillët nuk mund të udhëheqin dialog e komunikim të shëndosh e të pjekur brendashoqëror në fushën e të menduarit, besimit dhe mirësjelljes, sepse ai tjetri dhe ajo ndryshe nuk kuptohet si plotësim e vlerë, por si armiq e kundërshtar.


III. Konstanta e tretë

Ç’është jo/kultura politike? Pengesa e tretë për të cilën përplasen tentimet e të kuptuarit, besimit dhe pajtimit është jo/kultura politike, e cila është shprehi mjaft rezistuese dhe ekziston vetëm për ose kundër, sepse të tillët nuk kanë edhe alternativën e tretë: ndërmjet, në mes. Kjo mundësi e tezës ose antitezës është e rrezikshme, sepse nuk lë hapësirë për ndërmjetësim, por i ashpërson antipodet për dhe kundër në konflikt. Kjo është periudhë e zhurmaxhinjve në mungesë të urtakëve.
Antiintelektualizmi. Pak shoqëri kemi që kanë pasur simpati për njerëzit e ideve, edhe pse idetë kanë qenë forca lëvizëse e shoqërisë. Njerëzit e idesë zakonisht janë kalbur nëpër errësira burgjesh, deri sa njerëzit e jo/idesë madhërojnë veten; të parët në pakicë absolute, të dytët në masa të jashtëzakonshme. Elita shoqërore përbën 1% të shoqërisë, kurse 99% e përbëjnë njerëzit me ide fisnore, racore, klasore dhe nacionale, me besim dhe vlera[8], dhe synimi i shumicës nuk është zbulimi i të vërtetës por realizimi i dobisë, çfarë ndodh me shtetet agresive.[9] Urtakët e mëvonshëm nuk e ndoqën Sokratin, por Platonin. I pari iu kundërvu shtetit, kurse i dyti bashkëpunoi, sepse “e vërteta është e fuqishme sipas qëllimit, por e pafuqishme sipas veprimit: prania e saj në botën aktuale duket e rastit.”
Paragjykimet.[10] I huaji zakonisht shihet si i dyshimtë dhe, natyrisht, i paragjykuar. Ekzistojnë paragjykime ndaj individit, grupit, racës, gjinisë, popullit apo fesë. Paragjykimi ndaj tjetrit dhe atij ndryshe nuk hiqet ndryshe pos me njohjen e njëri-tjetrit, sepse nuk janë rezultat i njohjes racionale por i njohjes emocionale. Ai është elementi i fortë, stabil dhe rezistues në ndryshimet e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndërfetare. Prandaj, nevojitet shumë pak motiv për t’i nxitur kundërshtimet dhe konfliktet e rrezikshme nacionale, fetare dhe kulturore.
Opinioni kritik. [11] Përqindja e atyre që mendojnë me kokën e tyre është e ulët, kundrejt atyre që përbëjnë masën e shoqërisë por janë pa koka. Kjo klimë është rezultat i klasës sunduese, të cilët formojnë opinion të tillë që di të duartrokasë e bërtasë por jo të mendojë. Opinioni kritik nuk dëgjohet më, por ai sajohet. Realitetin nuk e përkufizojnë më të mençurit por sunduesit, prandaj edhe ato janë në aspektin psikologjik superiore, por gnoseologjik të pavlera. Me rëndësi sipas tyre është të sundohet sipas vullnetit të tyre dhe pa ndihmën e të vërtetës. Identiteti po ndrydhet në dobi të identifikimit, i cili në këtë rast do të thotë identifikimi i individit me grupin shoqëror në të cilin jeton, pa qëndrim kritik ndaj ideologjisë që e përvetëson. Me këtë hap ai bënë veprim tradhtie ndaj vetes dhe veprim servilizmi ndaj grupit.


Në vend të përmbylljes

Pengesat e pranishme nuk duhet të krijojnë frymë defetiste në kokat tona se duhet hequr dorë nga përpjekjet për ndryshimin e ideve, bindjeve dhe vlerave që populli i ka krijuar me shekuj, si rrjeta në të cilat janë gjuajtur individët, grupet dhe shoqëritë e tëra. E qartë, çdo tentim për përmirësim nuk ka sukses, por pa tentim nuk ka sukses. Për të pasur reforma sukses kërkohet çiltërsia si fillim, individi i zhvilluar si bartës, bota si partner, të drejtat dhe liritë njerëzore si standarde të tij, demokracia si milje politik i tij.” [12]

________________________________________
[1] Fernand Braudel, u lind më 24 gusht 1902 dhe vdiq më 27 nëntor 1985. Historian i njohur dhe lider i Shkollës së Analeve. Shih gjerësisht për të:http://en.wikipedia.org/wiki/Fernand_Braudel.
[2] Robert N. Belah, u lind më 23. 2. 1927 në ShBA, sociolog i religjionit civil (civil religion). Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Robert_Neelly_Bellah dhe Ali Pajaziti, Fjalor i sociologjisë, Shkup,. 2009, fq. 179-180.
[3] Djuro Susnjic, Prepreke na putu razumevanja, poverenja i pomirenja, në: Vera, znanje, mir, Beograd, 2005, fq. 104.
[4] Tradita, traduicionalizmi, sipas: Ali Pajaziti, po aty, fq. 746 e tutje.
[5] Martin Hajdeger, u lind më 1889 në Gjermani dhe vdiq më 1976. Bënë pjesë ndër filozofët më të mëdhenj gjerman dhe në përgjithësi gjatë shekullit XX.
[6] Djuro Susnjic, po aty, fq. 104.
[7] Djuro Susnjic, po aty, fq. 105.
[8] Samuel Huntington, Përplasja e qytetërimeve, Shkup, fq. 62-63.
[9] Jovan Duçiq (1871-1943), poeti, autori dhe diplomati serb thotë: “Serbi ka tendencë natyrore që të gjithë njerëzit e vet të mëdhenj ose vrasë ose t’i përçmojë, e që pastaj t’i këndojë në dhjetëshen e vet si heronj të kombit, dhe më në fund t’i shpalli shenjtorë të kishës.” Sipas: Djuro Susnjic, po aty, fq. 108.
[10] Paragjykimet, sipas: Ali Pajaziti, po aty, fq. 471.
[11] Opinioni kritik, sipas: Ali Pajaziti, po aty, fq. 461.
[12] Sipas: Djuro Susnjic, po aty, fq. 111.


Ky shkrim është botuar në të përmuajshmen "Shenja", Shkup, nr. 1/2011, fq. 383-41.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi