Dukuritë devijante te të rinjtë


Hyrje

Që me paraqitjen e njeriut të parë në sipërfaqen e tokës, filluan edhe tentativat për ta devijuar atë dhe për ta shndërruar në mjet për shfryrjen e mllefit të djallit ndaj tij, i frustruar nga të qenit e tij shkak për mallkimin e djallit dhe anatemimin e tij nga mëshira e Zotit.
Njeriu, vazhdimisht ka qenë cak i sulmeve të forcave destructive, të prira nga djalli, të cilat kanë synuar devijimin dhe sfidimin e tij moral, edukativ, kulturor, ideor etj. Këto sfidime të vazhdueshme të njeriut si individ dhe të shoqërisë, në koncepcionin fetar, janë rezultat i përkushtimit demonian për të përmbajtur premtimin e dhënë në eternitet se do të bëjë çmos, për ta deformuar rrjedhën normale të jetës së njeriut dhe zhvillimin e saj në parametra të shëndosha morale dhe materiale, si që e konfirmon këtë verseti Kur’anor, i cili dëfton se djalli ka thënë: "Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit Tu" (Sad: 82,83).

Shtrimi i problemit

Metodologjia shthurëse dezintegruese moraliste dhe sociale demoniane, fokusohet në shpikjen e formave të ndryshme të devijimit, varësisht prej karakterit të njeriut, rrethanave mbretëruese dhe prioriteteve të përcaktuara në periudhën përkatëse, që në vokabularin fetar njihen me termin unik: mëkate apo gjynahe, e që ndryshe mund të formulohen edhe si dukuri devijante të cilat janë të destinuara për ta bërë njeriun mëkatar dhe shkelës të ndalesave që Krijuesi ia obligoi njeriut, përmes shpalljes dedikuar llojit njerëzor gjatë gjithë periudhave të ekzistimit të kësaj qenie.
Në konceptin bazë të funksionit të saj deformues, forca e sherrit-e së keqes, nuk bën seleksionim thelbësor të gjeneratave në drejtim të zbatimit dhe jetësimit të programit devijant, por marrë parasysh fuqinë dhe vitalitetin e rinisë dhe senzibilitetin e kapacitetet kreative të kësaj mase, të përcaktuarit për cak sulmi dhe instalimit të dukurive negative, rinia paraqitet prioritet strategjik dhe funksional. Së këndejmi, shohim se mu rinia është ajo shtresë shoqërore ku livritin gjuetarët e lumturisë, dilerët e drogës, prostitucionit, alkoolizmit, misionarët e filozofisë së domosdoshmërisë së përjetimit të rinisë kohën e vetë, që në fakt nënkupton shkeljen në çdo teren që ia ka ëndja pa diktuar në këtë drejtim kritere dhe norma morale apo ideologjike, brokerët e lojërave të fatit, të cilat e kanë zhvendosur në mënyrë domethënëse vëmendjen e rinisë nga të përkushtuarit mësimit, që jep fryte edhe materiale në një afat më të gjatë, në vjeljen e të mirave materiale me automatizëm dhe procedurë të përshpejtuar të vënies së iksave, njishave e dyshave në fletët e aranzhmaneve sportive, të botuara e sponsoruara nga bastoret sportive. Për këtë, nuk është çudi që ma tepër sot gjen të rinj të interesuar për ndeshjet futbollistike, se sa për emisione edukative, arsimore e shkencore, meqenëse në krahasim me serialet latino-amerikane, të parat, në mediat tona janë modeste.
Elaborimet e ndryshme nënvizojnë elemente të caktuara të inicimit apo shpërndarjes së dukurive negative në shoqëri dhe në mesin e rinisë në veçanti, ndërkaq ne, shprehur me gjuhën fetare themi:Këto janë mekanizma frymëzimi për keq. A thua mund të pritet që në shkollat tona, mos të paraqiten dukuri devijante te nxënësit dhe studentët, nëse në intervale të ndryshme gjatë ditës, nga disa mediume, i ofrohen seriale që temë boshte kanë dashurinë, tradhtinë në dashuri, gabimet në dashuri, frustrimet nga marrëdhëniet jo korrekte në dashuri, etj, dhe nën ndikimin e rrymave latino amerikane, me presion të lartë kulturor, ndodh që për momente të caktuara të ndodh transi te të rinjtë ashtu që për moment ndjehet se është në ambiente të Karakasit apo Meksikos, në një rrëfim të dhimbshëm të dashurisë, ndërkaq ai realisht gjindet në orën e matematikës dhe gjatësive e objekteve gjeometrike.
Po qese do ta rrumbullaksonim këtë me disa fjalë, do të thonim se: Të shumtë janë faktorët që kanë hise në ambientimin e dukurive devijante te të rinjtë, duke nisur nga edukata e dobët familjare, mos kontrolli familjar, problemet familjare, mediat dhe programet e pa kontrolluara, apo nëse mund t’i quajmë tallava programe, kordinimi i dobët familje shkollë, vetëdija e ulët fetare, mbytja e mendjes së brezit të rij me materializëm të shfrenuar, apstrahimi i konceptit mbi mbikëqyrjen e Zotit dhe përgjegjësinë e njeriut për veprimet e veta, etj.

Qëndrimi i Islamit ndaj këtyre dukurive

Mirëpo, pyetja është:çka më tutje, do të thotë para këtij realiteti të këtillë, a thua duhet të dorëzohemi, dhe a thua rinia mund të jetë vetëm faktor i absorbimit të të keqes dhe aktore e roleve negative-devijante?
Jo assesi. Fetarisht është i ndaluar dorëzimi para së keqes dhe humbja e shpresës në arritjen e rezultateve në drejtim të avancimit të së mirës.
Po qese i kthehemi Kur’anit, do ta shohim se rinia përmendet në Kur’an në kontekst pozitiv, gjegjësisht lavdërohet i riu dhe tregohet si simbol i rezistimit të suksesshëm ndaj sfidave të së keqes.
Kur’ani na flet për të rinj të suksesshëm të cilët arritën t’i përballojnë sfidat morale dhe ideologjike. Kështu, njëri është i riu Jusufi, i cili nuk ra në mëkat të amoralitetit, kur atij iu ofrua mundësia për një vepër të këtillë, dhe shembulli i dytë janë djelmoshat e shpellës, të cilët nuk u indoktrinuan dhe as u nënshtruan ideologjikisht nga mbreti tiran, i cili kërkonte konvertime të çuditshme dhe alogjike ideologjike të kredos. Pra, edhe Jusufi edhe djelmoshat që u mbyllën në shpellë, kanë qenë të rinj, të cilët nuk ranë nën ndikimin e së keqes dhe nuk pranuan të ndikohen e të jenë bartës të dukurive devijante, që duhet të paraqesë burim serioz frymëzues e motivues për të punuar me rininë në drejtim të ngritjes së saj dhe luftimit të dukurive devijante, që apriori e kërcënojnë atë.

Metodologjia Islame e evitimit

Pra, pasi tash kalojmë në një pikë tjetër të rëndësishme kur flitet për dukuritë devijante, atë të evitimit të tyre, duhet theksuar se feja Islame ka një qëndrim kategorik ndaj devijimeve shoqërore, dhe kjo argumenton funksionin socializues të fesë Islame në shoqëri. Islami në këtë drejtim ka ndjekur rrugën preventive dhe represive.
Për ata që bëjnë shkelje, Islami ka miratuar ndëshkime ligjore, që në fakt është një bazë e fortë për eliminimin e këtyre dukurive.
Nga ana tjetër, në planin preventiv, Islami është përqendruar në edukimin dhe formimin e personalitetit të shëndoshë të besimtarit.
Para se të kalojmë në trajtimin më të seleksionuar të formave të luftimit të dukurive devijante, duhet theksuar në veçanti rolin e familjes, i cili paraqet shtyllë kryesore të konceptit islam të ndërtimit të individit dhe shoqërisë, por që sot për fat të keq, është neglizhuar dhe si duket dita ditës humb në peshë në shoqërinë islame, apo edhe tjetërsohet nga natyra e vetë duke marrë tipare të atij perendimor.I dërguari i Allahut, paqa dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë:”Çdo fëmijë lind me natyrë të pastër të besimit të vërtetë. Por, prindërit e tij e devijojnë duke e bërë o hebrej, o krishter o zjarputist”. E për në këtë kohë, vazhdo dhe thuaj:O ateist, të shthurur moralisht, materialist, të zvetënuar, të korruptuar, etj.

a) Sanksionimi fetar:

Kështu, këto dukuri negative, në vokabullarin fetar quhen mëkate dhe vepra të ndaluara harame, ndërkaq besimtari i vërtetë detyrimisht duhet t’u largohet harameve dhe mëkateve.Se përndryshe, e prêt dënim dhe e shkakton hidhërimin e Zotit. Krahas kësaj, Kur’ani i quan këto vepra edhe punë të ndyra dhe të flliqta, që është një mesazh i qartë se prej tyre duhet larguar nëse duam shpëtim dhe afrim te Zoti.Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)? Bindjuni Allahut dhe bindjuni të dërguarit e kini kujdes (mos kundërshtoni). E nëse refuzoni, atëherë pra, dine se obligim i të dërguarit Tonë është vetëm komunikimit i qartë” (El-Maide, 90-92).

b) Edukata:

Marrë parasysh se përhapja e dukurive devijante, është rezultat i edukatës së dobët, Islami kësaj i ka kushtuar rëndësi të veçantë . Por, sa mund të edukojë një prind, që vetë nuk është i edukuar. Së këndejmi, islami jep instruksione të qarta për martesë, gjegjësisht i dërguari i Allahut na mëson që kur të martohemi, ta zgjedhim gruan për nga morali, karakteri, besimi dhe sjellja e saj, sepse ajo nesër do të jetë edukatore e parë e fëmijëve. Fëmiu i një nëne të edukuar, rëndë mund të jetë tokë pjellore e dukurive devijante. Në këtë drejtim janë edhe fjalët e h.Aliut, i cili thotë: Fëmiu edukohet njëzet vjet para se të lind. Ka për qëllim, edukimin e prindërve të fëmiut dhe mbrojtjen e tyre nga gjërat e ndaluara.
Mësimet islame vënë theks të veçantë në edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, që e motivon prindin të kujdeset për frytin e vetë. Kështu, në Kur’an thuhet: ”O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar” (Et-Tahrimë, 6).
Ndërkaq mbrojtja nga zjarri do të thotë mbrojtja e tyre prej mëkateve në këtë botë, gjegjësisht dukurive devijante. E kjo mund të arrihet me një punë permanente dhe të përkushtuar në edukimin e fëmijëve dhe korrigjimin e sjelljeve të tyre të pahijshme. Transmetohet se dërguari i Allahut, paqa e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: ”Gjëja më e vlefshme që prindi mund t’ia len fëmijës së vetë, është edukata e mirë”.
Në një hadith tjetër thotë: ”Kur vdes njeriu i ndërpriten të gjitha punët, me përjashtim të tre punëve: Lëmoshës së rrjedhshme, diturisë së dobishme që ka lënë për njerëzit dhe fëmiu i edukuar e i mirë, i cili do të lutet për prindin e vetë”.

c) Materializimi i luftimit të së keqes:

I dërguari i Allahut thotë: ”Kush e sheh prej jush një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij, nëse nuk mundet, atëherë me fjalë, e nëse nuk mundet edhe me këtë, atëherë le ta urrejë me zemër. Por, kjo është besimi më i dobët”.

ç)Angazhimi shoqëror:

Angazhimi shoqërorë për çrrënjosjen e së keqes dhe eliminimin e dukurive devijante nga shoqëria, paraqet një nga përcaktimet permanente të muslimanit dhe element thelbësor të metodologjisë Islame për luftimin e së keqes. Pejgamberi i Allahut,në shumë hadithe të tij, ka vënë në spikamë luftimin e së keqes nga shoqëria, dhe mos shuajtjen para dukurive të tilla, apo mos denoncimin e protagonistëve të së keqes. Kështu, në një hadith thotë: ”Kur e shohin njerëzit një të keqe, dhe nuk e luftojnë atë, është shumë afër që Allahu t’i dënojë me diçka për atë gjë”, edhe pse ata të gjithë ndoshta nuk e bëjnë atë të keqe.
I dërguari i Allahut vë theksin në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, dhe na tërheq vërejtjen se nëse nuk e bëjmë këtë, e kemi rrezikuar veten. Ai thotë: ”O do të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja, o do ta meritoni me këtë që Allahu shpejt tu çojë një dënim. Pastaj ju do t’i luteni, e Ai nuk do ta pranojë lutjen tuaj”.
Me gjuhën e kohës, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, nënkupton vënia në shërbim e mekanizmave ekzistues komunikues-mediatik për ta ngritur vetëdijen e njerëzve për rrezikun e dukurive deivijante dhe domosdoshmërinë e kultivimit të së mirës.
Parandalimi i kriminalitetit tek të miturit është i pandashëm dhe element thelbësor i parandalimit të krimit në shoqëri. Duke u inkuadruar në veprimtari të ligjshme dhe të dobishme për shoqërinë dhe duke treguar një prirje humaniste ndaj shoqërisë dhe ndaj jetës, të rinjtë mund të paraqesin faktor konstruktiv dhe të zhvillojnë qëndrime jo kriminogjene.
Që të parandalohet me sukses kriminaliteti tek të rinjtë, duhen përpjekje prej gjithë shoqërisë për të siguruar zhvillimin harmonik të adoleshentëve, duke kalitur dhe nxitur zhvillimin e personalitetit të tyre që nga fëmijëria e hershme.
Në këtë kontekst duhet theksuar nevojën e vënies së strategjisë nacionale gjithëpërfshirëse përkitazi me delikuencën e të miturve dhe luftimin e dukurive devijante te të rinjtë. Me këtë rast, duhet të ketë një kooperim të mjaftueshëm mes organizatave qeveritare dhe jo qeveritare në këtë fushë.
Bashkëpunim i ngushtë ndërdisiplinor dhe i frytshëm ndërmjet qeverisjeve shtetërore dhe vendore me përfshirjen e përfaqësimit qytetar të sektorit privat për t'i shërbyer bashkësisë dhe agjencive të punës, përkujdesjes për fëmijët, edukimit shëndetësor, shoqëror dhe agjencive të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit duke ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e kriminalitetit tek të miturit dhe të rinjtë.

d) Ndalimi i imitimit:

Në funksion të formimit të personalitetit të shëndoshë dhe stabil e origjinal, larg çarjeve kulturore, ideologjike e morale, Islami ndërton qëndrim të qartë dhe kategorik ndaj imitimit, që flet për çiltërsinë e platformës islame në mbrojtjen e individit dhe shoqërisë.
Imitimi flet për ndjenjë të inferioritetit, humbje të personalitetit të individit, shkrirje të unit të tij, trazim të shpirtit e idesë, dhe sinjalizon qartë në të metat ideore dhe epistemologjike të personit përkatës.
Së këndejmi, Islami ndaloi të imitohen tjerët, dhe për këtë përdori një klasifikim të ashpër duke i quajtur njerëzit e tillë, pjesë përbërëse e atij grupi që e imiton. I dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë:”Kush i përgjason një populli, ai është si ata”.
Normalisht, imitimi ka të bëjë me çështjet kulturore që janë veçori religjioze të popullit përkatës, e nuk u referohet gjërave konstruktive që nuk bien ndesh me fenë dhe moralin Islam, si: teknologjia, administrate, strategjia ushtarake, etj.

Në këtë drejtim, duhet pasur parasysh edhe sa vijon:
Të shtohet numri i emisioneve kushtuar delikuencës së të miturve dhe dukurive devijante në mesin e rinisë, në veçanti në shkolla. Shtypi duhet inkurajuar të rinjtë duke i promovuar mundësitë për të rinjtë në shoqëri. Po ashtu, mediat, gjegjësisht televizioni, kinematografia, shtypi, duhet të jenë të tregojnë seriozitet në apstrahimin e pornografisë, dhunës, shfaqjeve përbuzëse dhe degraduese, në veçanti të fëmijëve dhe grave nga publiku. Duhet ta përdorë pushtetin që ka për parandalimin e përdorimit të drogës duke përcjellë mesazhe të qëndrueshme në një mënyrë të baraspeshuar. Duhen nxitur fushata ndërgjegjësimi efektiv mbi drogën në të gjitha nivelet.
Të organizohen debate publike, tryeza të rrumbullakëta e tribuna, për gjendjen e shkollave tona dhe rinisë në aspektin e dukurive devijante, sa janë prezente dhe sa luftohen. Të gjurmohet për mekanizmat më adekuat të luftimit të tyre.
Të forcohen shërbimet këshillëdhënëse në shkolla, dhe nxënësit vazhdimisht të përkujtohen për rrezikun dhe pasojat e dukurive devijante si: droga, prostitucioni, alkoolizmi, bixhozi, humbja e kohës etj.
Sistemet edukuese duhet të kushtojnë kujdes dhe vëmendje të veçantë të rinjve në rrezik shoqëror. Duhen krijuar dhe përdorur plotësisht programe të specializuara parandaluese dhe materiale edukative, programe mësimore, pikëpamje dhe mjetet përkatëse.
Përmes një larmie programesh edukative, mësuesit dhe të rritur të tjerë si dhe trupa studentore duhen sensibilizuar për problemet, nevojat dhe përfytyrimet e të rinjve.

Forcimi dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit prind-arsimtar

Këshillime me prindërit, për tejkalimin e problemeve familjare, me qëllim që mos ndikojnë drejtpërdrejtë në devijimin e fëmiut dhe lënien pas dore të edukimit të tij.
Kujdesi ndaj shoqërisë me të cilën shoqërohet i riu, dhe marrja e masave adekuate nëse ka rënë në shoqëri të keqe. Këtu vjen në shprehje bashkëpunimi prind-arsimtar.
Depërtimi i mësim besimit në shkolla, si faktorë kyç në luftimin e devijimeve.
Biseda ma e shpeshtë e prindërve me fëmijët e tyre për problemet që i preokupojnë.
Organizimi i kampanjave më të shpeshta nëpër shkolla, që do të kenë për objektiv vetëdijesimin e tyre dhe ngritjen morale.


Artikulli i kaluar
Bajrami, festë e lotë

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi