Në fund të muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të agjërimit dhe sakraificës shpirtërore e materiale të besimtarit, vijnë edhe shpërblimet për ata që e kanë kaluar këtë muaj konform porosive të Atij që e bëri farz agjërimin-Allahut të Madhërishëm.

Në fund të këtij muaji, apo me lindjen e hënës së re të muajit vijues të Hënës, muajit Sheval, lindin edhe përjetimet e reja të besimtarëve të përkushtuar në zabtimin e asaj që ua ka urdhëruar Krijuesi i tyre, ndjenja për të shijuar frytin e punës së vet, të ndërtuar e sforcuar nga mëshira dhe bujaria e Zotit të Madhërishëm, i Cili robit të Vet, për një vepër të mirë që e bën, i jep shpërblim të shumëfishtë.
Po, janë këto ndjenja të pritjes së shpërblimit dhe mirënjohjes ndaj Allahut që na mundësoi ta kryejmë këtë obligim madhor, në ndërkohë që gjatë Ramazanit kanë dominuar ndjenjat e të qenit të përpiktë në adhurime dhe përkujdesit maksimal që çdo moment i këtij muaji të shfrytëzohet deri në pikën e fundit. Janë këto ndjenja që lindin nga thënia e të Dërguarit të Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se umetit-popullit të tij i janë dhënë pesë gjëra në Ramazan, që nuk i janë dhënë popullit të asnji pejgamberi para tij, e në mes tyre është edhe shpërblimi që e marrin në fund të këtij adhurimi.
Po, janë këto ndjenja të fitores së madhe të shpirtërores ndaj materiales, vlerave mbi antivlerat, devotshmërisë mbi pacipësinë, kontrollit mbi anarkinë, humanitetit mbi egoizmin, paqës mbi dhunën, durimit mbi euforinë, maturisë mbi azhuritetin, etj., etj., të gjitha këto të mishëruara në adhurimet që besimtari i ka bërë në këtë muaj të bekuar. Me këtë, njeriu e kthen besimin në vetvete se ai vërtetë është qenia ma madhështore e Allahut, dhe këtë pozitë duhet ta ruaj me devotshmëri dhe përkushtim, ngase devijimi dhe nënshtrimi ndaj djallit dhe pasioneve, e nxjerr nga natyra e të qenit qenie me vlerë të veçantë dhe krijesë e dalluar në tokë.
Janë këto ndjenja që burojnë nga të kuptuarit e nënshtrimit, përuljes, modestisë dhe thellësisë shpirtërore, ngritje dhe avansim në piedestalet më të larta, dhe lartësim në pozita te i Gjithëmëshirshmi.
Janë këto ndjenja të shijimit të mundit personal dhe asaj që e fituam me punën tonë, falë mëshirës së Allahut, e jo të asaj që tjerët e bënë për ne. Pikërisht ky është fokusi i festës në Islam dhe koncepti më i lartë i të festuarit. Besimtari në ditën e Bajramit, qoftë Fitër Bajrami apo Kurban Bajrami, e feston atë që e ka bërë vetë personalisht, e feston rezultatin e djersës dhe mundit të vet, e jo rezultatin e mundit dhe djersës së tjetrit. Besimtari kur e feston Bajramin, e feston përfundimin e adhurimit në momentin përkatës, e jo përfundimin e adhurimit nga dikush tjetër në një kohë tjetër. Me këtë, Islami dha mesazh të qartë se muslimani, për të festuar, duhet të punojë vetë, e jo të zbrapset në punë dhe në jetë në përgjithësi, dhe një ditë gjatë vitit të ngritet e të feston atë që kanë bërë tjerët.
Por, ky bajram, jo se tjerët kanë qenë shumë më ndryshe, na vjen si një festë e lartë në lotë të ndjenjave të përziera, lotë që dalin nga gëzimi, shpresa dhe fitorja, dhe lotë që dalin nga dhimbja dhe pikëllimi.
Nga njëra anë, në këtë Bajram të Madh, si që e quajmë ne muslimanët e Ballkanit, rrjedhin lotë gëzimi për fitoren historike të popullit mbi tiranët, lirisë mbi diktaturën, arsyes mbi çmendurinë, përparimit mbi stagnimin dhe ngjitjes në maje të zhvillimit të gjithmbarshëm mbi thellimin në humnerën e dekadencës. Janë këto lotët e rrënimit të diktatorëve gjakpirës arabnë, që aq gjatë e dhunuan dhe e nënçmuan popullin e tyre. Vullneti dhe forca e popullit të shtypur, mposhti çdo tentativë për të mbijetuar diktatorët me fuqinë e pushtetit dhe shtypjes. Sot, në këtë ditë bajrami, muslimanët në vendet arabe frymojnë shlirshëm dhe janë krenarë që u dhanë grusht diktatorëve të egër, nga më të mbrapshtit që ka njohur historia e re e njerëzimit. Ata fillojnë të shkruajnë një histori të re të këtij rajoni, e si rrjedhojë e kësaj, edhe të gjithë botës islame.
Por, në këtë ditë bajrami, rrejdhin edhe lotë pikëllimi dhe dhimbje për ata viktima që ranë nga çmenduria e diktatorëve të pangopur me pushtet dhe dhunë mbi popullin, për abuzimin me të mirat dhe resurset e trollit të tyre, me djersën dhe pasurinë e popullit, që ata të mbrapshtë, pa fije mëshire e bënë.
Rrjedhin lotë dhimbje për viktimat që ende po bien nga dora e gjakësorëve që nuk kanë arsye të marrin mësim nga përfundimi i kolegëve të tyre diktatorë. Ende plaga e ndryshimit dhe rikthimit të lavdisë së umetit kullon gjak në disa pjesë të trupit të umetit islam. Megjithatë, sado që të zgjat nata, agimi patjetër do të vjen.
Rrjedhin lotë pikëllimi dhe krenarie për trimin që sakrifikoi jetën në mbrojtje të tërësisë së tokës tonë të Kosovës, që i tha lamtumirë rinisë, për mos të lënë që dheu ynë të njolloset nga kriminelët që decenie me radhë na shtypën, por kurrën e kurrës nuk na gjunjëzuan. Në fund, ëndra u bë realitet, u thirr ezan në Kosovën e lirë.
Rrjedhin lotë pikëllimi për gjendjen e rëndë dhe urinë e etjen që i ka kapluar vëllezërit tanë në Somali, dhe gjetiu, e muslimani, pas Ramazanit, ma mirë se çdo kush tjetër e kupton dhimbjen dhe ndjenjat e të urriturve dhe të eturve. Njëkohësisht, Ramazani duhet të jetë një shtytje dhe stimuls që dita e Bajramit të shndërrohet në aksion të madh humanitar mbarëislam për t’i ndihmuar të urriturit dhe të eturit, skamnorët dhe hallexhinjtë që pësojnë nga uria dhe thatësia. Pikërisht për këtë, në Ramazan, jo vetëm që agjërohet, por jepet edhe ndihmë materiale, e që njihet me emrin „fitre“, e destinuar apriori për skamnorët.
Shpresojmë që Bajrami të jetë jetësim i mesazhit madhor të humanitetit dhe solidaritetit që na dha Ramazani.
O Zot, shndërroi lotët e pikëllimit në lotë gëzimi.
Për hajër na qoftë Fitër Bajrami.


Artikulli i kaluar
Kadri, nata e dritës

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi