Trajnimi i imamit dhe sfidat e kohës

„Në kushtet e sotme të jetës, zotëron ky ligj absolut: Ajo racë që nuk i vlerëson talentet e vet, ajo është e dënuar në shkatërrim…Sot ne e çojmë përpara jetën tonë, por nesër shkenca do të shkojë edhe një hap më përpara, e për fatin e njerëzve analfabetë nuk do të ketë mëshirë.“ (Alfred North Witehead)

Hyrje

Është me rëndësi të potencojmë që në fillim të këtij referati që arsimimi në përgjithësi është një komponentë shumë e rëndësishme e kulturës islame të punës dhe strategjisë së saj. Progresi në arsim mund të çojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së myslimanëve në Evropë. Ai gjithashtu mund të ndihmojë në përshtatjen e tyre më të mirë në mjedisin ku jetojnë, duke u mundësuar atyre që të japin një imazh pozitiv të islamit. Kjo fushë ka një rëndësi të veçantë kur është fjala për çështjen e trajnimit të imamëve dhe mësuesve të ardhshëm. Kjo është e qartë, sidomos kur e kemi parasysh se ata janë fuqia motorike e integrimit dhe bartësit më të rëndësishëm shpirtëror dhe kulturor të islamit.
Tema e trajnimit të imamëve ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin, integrimin dhe afirmimin e komunitetit mysliman në Evropë. U përcaktova në trajtimin e kësaj teme me qëllim që të jap kontributin tim modest në rishikimin e mundësive për një përparim edhe më të madh të punës së imamit dhe për të kuptuar tërë kompleksitetin e rolit të tij bashkëkohor dhe të sfidave me të cilat ai ballafaqohet në ditët e sotme.


Roli i imamit në Evropë

Më lejoni, të nderuar pjesëmarrës të kësaj konference, që fillimisht të përgjigjëm në pyetjen kush është imami dhe cili është roli tij në shoqërinë bashkëkohore.
Në traditën islame, termi Imam ka një kuadër të gjerë referencash, ai është përdorur për t'iu referuar udhëheqësit suprem, siç është halifja, por edhe një lideri të thjeshtë siç është prijësi i namazit me xhemat. Për të bërë dallimin ndërmjet këtyre dy roleve, juristët të parin e quajnë si Al-Imam Al-udhma (Imami i madh) dhe këtë të dytin si Al-Imam Al-sughra (Imami vogël). Brenda këtyre dy referenca të spektrit të gjerë shtrihet roli i imamëve brenda shoqërive myslimane.
Është me rëndësi të bëjmë diferencimin ndërmjet këtyre dy titujve të Imamit si udhëheqës i komunitetit dhe Imamit si udhëheqës i namazit me xhemat (Vorbeter). Ky i fundit është një person i emëruar nga bashkësia vetëm për të udhëhequr faljen e namazit, gjë që në parim mund ta bëjë çdo mysliman që di t’i recitojë drejtë disa sure të Kur’anit. Ndërsa, imami si udhëheqës i komunitetit është një dijetar fetar i trajnuar, i cili ka të drejtën dhe është i autorizuar për udhëheqjen e lutjeve rituale (namazeve), për predikimin e ditës së xhuma dhe në fushën fetare teologjike është veçanërisht i kualifikuar. Një udhëheqës i namazit (Vorbeter) nuk është patjetër të jetë edhe imam, ndërsa imami është gjithmonë edhe një udhëheqës i namazit (Vorbeter)
Sot nuk është më e mjaftueshme që imamët të jenë liderët shpirtëror të bashkësive të tyre, por duhet të plotësojnë edhe role tjera që kërkohen prej tyre. Imamët duhet të jenë përfaqësues dhe zëdhënës të bashkësive myslimane. Duhet të jenë të aftë të debatojnë me mediet dhe gazetarët. Prej tyre kërkohet të komunikojnë me udhëheqësit e feve tjera. Imamët duhet të jenë organizator, intermediatorë të shkathët. Duhet të jenë oratorë, mësues, trajnerë të mirë dhe multiplikatorë të zellshëm. Një imam i xhamisë është një model, drejtues dhe përfaqësues i komunitetit të tij. Ai është personi kyç kur është fjala për problemet e individëve, familjeve dhe shoqërisë. Ai dallohet nga mjedisi i tij nëpërmjet njohurive të jashtëzakonshme dhe arsyes. Me fjalë tjera, në këtë botë moderne, imamëve u duhet të përdorin metodat moderne me anë të cilave do t’i drejtohen botës bashkëkohore dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë që mesazhi i vërtetë dhe i pashtrembëruar i islamit të mund të dëgjohet. Gjëja më e rëndësishme është që imamët, të cilët vijnë nga jashtë Austrisë, të jenë mirë të informuar, nëse nuk janë të trajnohen me kurse dhe seminare me qëllim që të kenë sa më shumë njohuri mbi vendin në të cilin mendojnë të punojnë dhe të arsimojnë. Të kenë informacione mbi historikun e atij vendi dhe pozitën e tij gjeografike. Po ashtu, është shumë e rëndësishme ta njohin gjuhën e popullit të cilit do t’i shërbejnë. Është e nevojshme ta kuptojnë traditën e tyre, zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës.


Imami – autoritet dhe lider në komunitet

Imami në cilësinë e dijetarit islam është trashëgimtar i Profeti (s) dhe atë në bazë të hadithit, i cili thotë: “Ulematë janë trashëgimtar të profetëve të Zotit”. Prandaj roli i imamit sa është i ndershëm dhe privilegj, po aq është i përgjegjshëm para njerëzve të cilët ia kanë besuar këtë detyrë. Kështu, që të ketë sukses në misionin e tij dhe që të jetë i mirëpritur dhe i mirëpranuar në xhemat dhe bashkësi imami duhet t’i kushtojë kujdes disa udhëzimeve dhe kritereve të cilat janë të rëndësishme në ushtrimin e misionit të tij. Me këtë rast, më lejoni t’ju ofroj disa mendime dhe reflektime për të parë se kush është dhe çfarë do të duhej të ishte një punonjës në detyrën e imamit:
- në radhë të parë dhe para se gjithash besimi i fuqishëm dhe siguria e brendshme janë kuintesenca e cilësive tjera pasuese;
- nëse imami dëshiron ta jetë i respektuar nga xhemati, ai duhet së pari ta respektojë atë;
- imami duhet të jetë i ndershëm, i besueshëm dhe duhet të punojë në ekip;
- mendjet e vogla janë të parët që i kritikojnë idetë e mëdha;
- mendja më së miri mprehët përmes dialogut;
- gjëja më e vështirë është ta hapësh mendjen e mbyllur;
- imami duhet të jetë i vetëdijshëm për rolin e tij dhe qartë t’i definojë qëllimet dhe qëndrimet e veta;
- imami duhet të ofrojë zgjidhje e jo t’i përshkruajë problemet;
- imami nuk i kritikon njerëzit për shkak të gabimeve, por ju flet mbi problemet;
- imami nuk i gjykon njerëzit por i këshillon;
- imami duhet të mësohet të dëgjojë atë që nuk dëshiron ta dëgjojë;
- imami duhet të këshillohet me xhmatlinjët, por para se gjithash ai duhet të dëgjojë çfarë kanë për të thënëata;
- imami duhet të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj punës së vet;
- imami nuk i sundon njerëzit, veç se i udhëzon ata në rrugë të drejtë;
- imami çdo sukses e ndan me xhematin e tij;
- ndjenja për punën e imamllëkut vjen nga zemra e jo nga librat;
- imami jep atë çfarë dëshiron të merre;
- imami duhet t’i dëgjojë xhematlinjët çfarë kanë për të thënë, sepse duhet ta ndjejnë se edhe ata mund të ndikojnë në çështjet e udhëheqjes së xhematit;
- imami është një person që u sjell besim dhe shpresë njerëzve;
- imami duhet ta bëjë, vërtet, me kënaqësi punën e tij. Ai çdo ditë zgjohet duke e falënderuar All-llahun që i ofroi edhe një mundësi që edhe një ditë të bëjë punën e imamllëkut duke i shërbyer islamit, myslimanëve dhe njerëzve në përgjithësi.


Organizatat islame – imami dhe sfidat përballë tyre

Për sa i përket mendimit tonë parimor, por edhe qëndrimi i shoqatave lidhur me çështjen trajnimit dhe arsimimit të imamëve në Universitetet Evropiane në përgjithësi dhe të Austrisë në veçanti, është i lidhur ngushtë me njërën ndër sfidat e mëdha me të cilën ballafaqohen të dyja këto institucione. E ajo është sfida intelektuale. Më lejoni të nderuar zonja dhe zotërinj që shkurtimisht të shpalos mendimin tim lidhur me atë se ç’është sfida intelektuale për institucionet tona duke filluar nga imami deri tek Universiteti.
Sfida intelektuale është njëra nga sfidat më serioze, sepse superioriteti i Evropës dhe i Perëndimit, burimisht, është intelektual. Me qenë se po jetojmë në Evropë dhe e konsiderojmë vetëm myslimanë evropian, nuk mund t’i lejojmë vetës luksin që të mos i njohim themelet e civilizimit evropian dhe institucionet e manifestimet e saja themelore. Që të konkurrojë islami me sukses në tregun e lirë evropian të idesë së shpëtimit në garën për shpirtin e njeriut, është e domosdoshme të bëhet një dallim i qartë në mes asaj që është autentike islame dhe asaj që është traditë dhe interpretim. Duhet specifikuar në mënyrë të qartë minimumin e asaj që është obligative dhe e ndaluar nga ajo që është e pëlqyeshme dhe e qortuar. Pastaj, përgjigjet, të cilat jepen në emër të islamit duhet të jenë realiste, të zbatueshme në këtë mjedis duke pasur parasysh gjuhën e kohës. E gjuha, të cilën e kupton gjenerata e sotme e Evropianëve është gjuha e lirisë, të drejtës, humanizmit. Përgjigjet e pamenduara mirë dhe zgjidhjet jorealiste, të tilla si ato që kanë të bëjnë me pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri, bashkëjetesën me jomyslimanët dhe demokracinë, e dobësojnë kredibilitetin e islamit si streha e fundit e njeriut bashkëkohor. Si askund në botë në Evropë është e nevojshme që islamin ta afirmojmë si feja e rrugës së mesme, feja e lehtësimeve, tolerancës, universalizmit dhe emancipimit shpirtëror.
Ja, pra kjo është ajo arsyeja e madhe përse ne mbështesim idenë mbi“trajnimin dhe arsimimin e imamëve” në Universitetet shtetërore anekënd Evropës dhe sidomos në Austri. Ky është mendimi ynë dhe, të paktën i shoqatave dhe xhematëve të nacionalitetit shqiptarë në Austri, përfaqësues i të cilëve jam vet. Mirëpo, edhe nëse ekzistojnë individë, imamë apo shoqata të caktuara, të cilët nuk e mbështesin këtë ide, është detyrë e jonë, në këtë rast e nismëtarëve të këtij projekti që të ngrenë shkallën e ndërgjegjësimit, të vetëdijes dhe sensibilizimit të tyre. Kjo bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta në mes shoqatave dhe universiteteve. Ky është për mendimin tim hapi i parë në krijimin e një atmosferë të përshtatshme për të filluar implementimin e këtij projekti infrastrukturor si për islamin, po ashtu edhe për myslimanët në Austri. Hapi i dytë në këtë rrugë, do të ishte fillimi i trajnimit të imamëve ekzistues që veprojnë dhe punojnë tashmë sa vite nëpër shoqatat apo bashkësitë islame nacionale. Kjo do të realizohej më së miri nëpërmjet Organizatave kupolë (Dacverband) në secilën bashkësi islame nacionale, natyrisht në bashkëpunim edhe me BI të Austrisë. Dhe hapi i tretë, do të ishte fillimi i implementimit të projektit mbi arsimimin e më tejshëm të imamëve në Universitete duke hapur degën e teologjisë islame në to. Një përvojë e dëshmuar janë edhe fakultetet teologjike islame në shtetet që nuk janë larg Evropës perëndimore sikurse është Turqia, Bosnja, Fakultetet teologjike ne Kosovë dhe Maqedoni, nga përvoja e të cilëve mund të përfitojmë edhe ne këtu në Austri.
Ndërsa për sa i përket bashkëpunimit të shoqatave islame me Universitetet, ato përfshijnë një gamë të gjerë veprimtarish e aktivitetesh që kanë të bëjnë, jo vetëm me trajnimin e imamëve, por edhe me funksionimin dhe përmirësimin më kualitativ të shoqatave, të cilat i janë lënë vetvetes dhe nuk merret kush me to. Ky bashkëpunim konsiston në format e ndryshme të organizimit të kurseve të trajnimit dhe seminareve periodike duke u ofruar atyre mundësinë e zotërimit të gjuhës gjermane dhe zgjerimin e kompetencave kulturore. Pastaj, nëpërmjet seminareve, konferencave, simpoziumeve, panel-diskutimeve dhe vorkshopeve të ndryshme, të trajtohen temat si për shembull: Historia e Austrisë dhe Evropës; Hyrje në demokraci, sekularizmi dhe të drejta e njeriu; Roli i imamit në Evropë – Sfidat dhe shanset; Krishterimi, Hebraizmi dhe religjionet e bashkësitë tjera fetare; menaxhimi dhe udhëheqja e komuniteteve (shoqatave) islame, pedagogjia dhe didaktika në mësimin fetar në xhami; në fushën e veprimtarisë botuese: literatura islame për fëmijë, revista për edukim dhe arsimim etj. etj.


Në vend të përmbylljes

Situata nëpër të cilën po kalon islami dhe myslimanët sot në botë dhe në Evropë tregon për domosdoshmërinë e sigurimit të trajnimit të Imamëve për të gjithë udhëheqësit e ardhshëm fetarë në komunitet. Përpjekjet që po bëhen kohet e fundit në këtë aspekt vënë në dukje ndikimin e madh që kanë udhëheqësit fetarë në një komunitet. Zhvillimi i trajnimeve për lidership dhe arsimimi profesional për Imamët do të rezultonte me të komunikuarit dhe të kuptuarit më të mirë të vlerave islame dhe mënyrës së të jetuarit. Është thelbësore për Imamët që të kenë akses dhe ta njohin teknologjinë bashkëkohore të arsimit dhe me sukses e kreativitet te dinë t’i shfrytëzojnë mjetet teknike moderne (sikurse janë kompjuteri, interneti, audio-video aparatet, projektorët etj.), pastaj të pajisen me doracakë, mjete të vlerësimit, vorkshope për lidership, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të angazhohen me studiues nga fetë dhe organizatat tjera. Trajnimi për kompetencë lideshipi për imamët do të përmirësonte dialogun ndërkulturor dhe do të ngushtonte hendekun që ekziston mes liderëve islamikë dhe komunitetit më të madh.
Më sa u tha më lartë kuptojmë së është më së e nevojshme që të ngritën institucione tëtilla të arsimit, edukimit dhe kulturës, të cilat do të merreshin seriozisht në frymën e mësimeve të islamit me arsimimin e imamëve, njëkohësisht duke respektuar të gjitha segmentet e arsimit teologjik, pedagogjiko-psikologjik dhe humanist.


Referencat:

1. Dzemal Salihspahic, Imam, Sarajevo, 1991
2. Islam in Europe, Graz, 2003
3. Österreichische Imame –Konferenz, Wien, 2006
4. Khurram Murad, Da’wah among Non-Muslims in the West, some conceptual and Methodological Aspects, UK.
5. Osman Sinanovic, Ovisnost o drogaman-multidisciplinarni pristup, Tuzla, 2001.
6. Novi Muallim, Zeitschrift für Bildung und Erziehungnr, nr. 33 • 21. rebiu-l-evvel 1429. / 29. mart 2008
7. www.salaminstitute.org/Leadership_Training_for_Imam.
8. www.islamskazajednica.org/)
9. www.islam-penzberg.de
10. www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001_2005
11. www.znaci.com _ Sarajevo-BiH _ 2001_2009
12. www.bosanskialim.com
13. www.strategicdialogue.org
14. www.islamicity.com
15. www.isesco.org.ma/english/publications/strategy
16. www.iiim.info/newiiim
17. www.igbd.eu
18. www.rijaset.ba/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi