Më lejoni të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë që në kuadër të diskutimeve mbi arsimin fetar si një kontribut potencial për zhvillimin e shoqërisë multikulturore të Evropës së re, të jap mendimin tim personal lidhur me rëndësinë dhe arsyeshmërinë e inkuadrimit të mësimit të fesë në shkollat e Kosovës.
Inkuadrimi i mësimit fetar në sistemin shkollor të Kosovës, për të cilin besoj se një ditë do të realizohet, sikurse po ndodhë tashmë tre dekada në pjesën dërmuese të vendeve të Evropës, do të ishte ngjarja më e rëndësishme kulturoro-shpirtërore në historinë më të re të shkollës sonë. Ai përsëri do të ripërfshinte idenë e Zotit dhe vlerat themelore të fesë në arsim, dhe me këtë do t’i siguronte statusin e vlerës publike; do të fitonte një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e nxënësve për ekzistencën e njëmendësive jashtëshqisore e metafizike dhe do t’i kundërvihej reduktimit edhe ashtu fatal të diturisë në nivelin më të ultë të manifestimit fizik të Realitetit. Ai, (religjioni) po t’i kushtonim kujdes të mjaftueshëm, do të mund të ishte zëri i kuptimit shpirtëror, dëlirësisë morale, dashurisë dhe ndjesisë për tjetrin; do të mund të ishte kërkesë për një edukim dhe arsimim integral që do të mbështetej në vetëdijen që njeriu nuk është i lidhur vetëm për “errësirën” e tokës, por edhe për dritën e Qiellit, që është qenie e unitetit shpirtëror dhe trupor, d.m.th. unitetit të atyre vlerave pa të cilat nuk është i mundur plotësimi i njeriut si qenie njerëzore. Mësimi fetar, po ashtu ka rëndësinë më të madhe për ballafaqimin e nxënësit me vetveten, e kjo është në funksion të krijimit të premisës themelore për ballafaqim me të tjerët. Nuk ka rrugë për tek tjetri pa mbizotërimin paraprak të rrugës për tek vetja (...). Nëse kultura religjioze dëshiron të përgatitë nxënësin për takim dhe njohje me religjionet dhe traditat kulturore të popujve tjerë, mësimi fetar mund t’i ndihmojë që për këtë të sigurojë premisën e parë themelore.
Një nga elementet pozitive që del si përfundim i këtij studimi dhe që po bëhet gjithnjë e me e qartë dhe më e përhapur në këtë shekull është njohja e rëndësisë së trashëgimisë religjioze si një kodeks i domosdoshëm i kulturës, burim i vlerave etike, ofertë e horizonteve të kuptimit dhe të ardhmes; trashëgimi që duhet promovuar brenda institucionit shkollor; trashëgimi që mund t’i kontribuojë edukimit të qytetarisë së hapur dhe dialoguese kosovare, evropiane dhe botërore. Shembulli i vendeve ish-komuniste, si dhe diskutimi i hapur mbi konceptin e laicitetit në Francë, janë shumë të qartë dhe shumë domethënëse në këtë kuptim. Shkolla merr përsipër, më shumë se në vitet e fundit, detyra për të ofruar njohuri lidhur me fenë, me gjuhën e saj dhe simbolet e saja.
Formula për të cilën personalisht mendoj se mund ta ndihmojë shoqërinë kosovare dhe sistemin arsimor të saj është ajo që ofron vetë feja me potencialët e saja të pashfrytëzuara sa duhet deri më tani. Nëse ka ndonjë popull në botë që nuk duhet të ketë frikë nga feja dhe filozofia e saj vepruese, atëherë ata janë shqiptarët, sepse feja te shqiptarët nuk ka qenë asnjëherë problem, përkundrazi ka qenë pjesë e zgjidhjes. Të njëjtin rol ajo mund ta luaje edhe sot e gjithherë, duke thelluar dhe forcuar edhe më shumë harmoninë ekzistuese ndërfetare te fëmijët dhe rinia shqiptare. Misionin e saj historik të fisnikërimit të shpirtit të njeriut do ta transferojë edhe në shkollë duke u ndihmuar fëmijëve tonë të formojnë kompetencat e tyre ndërfetare dhe në të njëjtën kohë të ruajnë identitetet e tyre partikulare. Feja shpesh sot konsiderohet shkaktare e problemeve në shoqëritë kulturore. Mirëpo, potenciali i saj pozitiv për kohezion social dhe promovim të mirëkuptimit midis kulturave shpesh është minimizuar dhe nënvlerësuar. Me fillimin e mijëvjeçarit të ri dhe zhvillimeve të shoqërisë globaliste, u vërtetua edhe njëherë se religjioni është një fakt kulturor, po aq universal sa edhe ajri e uji. Se ai zotëron energji të mëdha që mundësojnë ruajtjen e identitetit dhe kontinuitetit fetar dhe kombëtar, metafizik e historik, shpirtëror e moral. Prandaj, mbi bazën e kësaj, studiuesit, sidomos sociologet e religjionit, ofruan një lloj definicioni (për aq sa ai mund të definohet) mbi funksionin e tij në jetën e njerëzve, i cili thotë: "Religjioni është një element integrues i kulturës, i cili duhet të luajë rolin e humanizmit të shoqërisë, krijimin e strukturave të solidaritetit dhe ruajtjen e dievrsiteteve."
Tashmë jam i bindur se feja do ta ketë vendin e vet dhe rolin e saj në shkollën e Kosovës së shekullit 21. Besoj se nuk ka vend për dyshime në këtë aspekt dhe kjo është e padiskutueshme, por shtrohet pyetja se çfarë modeli duhet të ndjek Kosova në aplikimin e fesë në shkollë. Në këtë pikëpamje, sot në Evropë janë të njohura tre modele të mësimit fetar. Modeli konfesional, multikonfesional dhe jo-konfesional. Mendoj se Bashkësia islame e Kosovës duhet të përcaktohet për modelin konfesional, prandaj, pa humbur kohë, më lejoni ta arsyetoj dhe ta argumentoj këtë.
Mësimi fetar konfesional
Përvoja e disa vendeve të mëdha me traditë të fortë edukativo-arsimore dhe shkollore, në të cilat është i pranishëm mësimi fetar i modelit konfesional "në kuadër të qëllimeve të shkollës" jo që nuk duhet neglizhuar, por atë duhet marrë në konsideratë dhe me seriozitet studiuar. Në shumicën e vendeve të Bashkimit evropian në shkollat shtetërore aplikohet mësimi fetar konfesional. Duke u mbështetur në hulumtimet e bëra kohet e fundit, del qartë në pah se rruga më e bazuar dhe më e përshtatshme për arsimin fetar brenda institucioneve shkollore publike, përveç se është treguesi më i mirë për nevojat e edukimit, është edhe një ofertë pluraliste, në të cilën si shtyllë mbartëse është mësimi konfesional (mundësia u ofrohet të gjitha bashkësive fetare në një hapësirë të caktuar). Krahas mësimit konfesional është mirë të jetë, për ata të cilët nuk duan të ndjekin atë, lënda filozofiko-etike në të cilën do të ketë vend dhe kontribut për tradita të ndryshme fetare të pranishme në një hapësirë të caktuar.
Në kërkim të modelit më të përshtatshëm konfesional shkollor, duhet marrë parasysh nevojën për të gjetur stilin dhe metodat që respektojnë pluralizmin. Në çdo rast, theksojnë autorët, duhet të shmangen qëndrimet dhe aktivitetet e papërshtatshme mësimore sikurse janë: sinkretizmi i cili shpie në përzierjen e religjioneve të ndryshme; paraqitja deskriptive dhe fenomenologjike e traditave të ndryshme fetare, simboleve të tyre, kodekseve dhe porosive; modeli komparativ që synon në një nivel neutral, të prezantojë në mënyrë komparative përgjigje të ndryshme të religjioneve në lidhje me disa çështje nga jeta, shoqëria etj.
Një lëndë e cila do të theksonte vetëm elementet e jashtme (traditën, devotshmërinë e rëndomtë, institucionet, shtresëzimet historike, etj.), e jo thelbin e vërtetë të fesë së gjallë (të jetuar), për shkak të të folurit neutral, do të mund ta humbiste dimensionin e saj religjioz. Të kufizuarit e ligjërimit mbi “historinë e religjioneve” mund të çojë në një thellim të relativizmit në lidhje me problematikën religjioze dhe të kuptuarit e religjionit si diçka që i përket të kaluarës, eventualisht i dobishëm për forcimin e identitetit vetanak kulturor.
Rruga që duhet ndjekur është ajo e cila me të vërtetë pranon veçantitë (specifikat) e mësimit fetar shkollor konfesional duke vlerësuar forcën e saj. Të pranuarit korrekt dhe me respekt të traditave të ndryshme fetare dhe një angazhim serioz rreth njohjes së tyre, është kërkesë e domosdoshme dhe kusht për realizimin e mësimit fetar konfesional, por brenda një projekti të studiuar mirë.
Mësuesi/ mësuesi i fesë është i përfshirë ekzistencialisht dhe profesionalisht në veprimtarinë tij të mësimdhënies në një shkollë e cila gjithnjë e më shumë është e ndryshme. Ikja nga kjo situatë komplekse dhe pluraliste nuk është e mundur. Vlerat e vërteta njerëzore nuk mund të transferohen as nuk mund të kërkohet prej të tjerëve që t’i respektojnë ato pa dëshminë personale të mësuesit: asnjë mësues nuk mund t’i dëshmojë me besnikëri vlerat e fesë duke u treguar indiferentë në krahasim me atë çka flet. Edhe më e pabesueshme është që ligjërimi (ekspozimi ) i tillë neutral do të mund t’i edukonte nxënësit për të kuptuarit e vërtetë të “religjiozitetit”. Përkatësia, e dëshmuar publikisht, më shumë e garanton të vërtetën dhe i kontribuon asaj se objektiviteti (joreal) i atij që nuk e pranon anshmërinë vetanake.
Respekti për çdo nxënës, modestia karshi të vërtetës që është gjithmonë mbi të gjitha përpjekjet njerëzore dhe sensi ndaj misteriozes do të inkurajojnë mësuesin e fesë që të futet në dialog të kërkuar me nxënësit, me pyetjet e tyre dhe dyshimet e tyre.
Disa theksojnë se rëndësia e mësimdhënies së mësimit fetar nuk është kryesisht në rrafshin e përmbajtjes. Megjithatë informacioni religjioz ka vlerën e vet; kjo është veçanërisht e qartë sot kur në disa vende, por edhe të ne në Kosovë, del në pah problemi i analfabetizmit fetar. Rëndësia e mësimit fetar, megjithatë akoma varet nga kuptimi që informacioni arrin të shkaktojë tek nxënësi. Mësimdhënia është e rëndësishme kur ndihmon të jepen përgjigje në pyetjet themelore mbi njeriun, universin dhe Zotin.
Mësimi fetar konfesional islam
Kriza bashkëkohore e edukimit dhe arsimimit, e cila në disa mjedise ka arritur kufijtë e patolerueshmërisë, në kushtet tona reduktohet në parullën “mbi zhvillimin e gjithanshëm të njeriut.” Ajo çfarë u ofrohet të rinjve në sferën e ngritjes nuk i plotëson as nevojat më elementare, e lërë më synimin e vërtetë të sistemit të gjithëmbarshëm të edukimit dhe arsimimit.
Në mënyrë që të mbizotërojmë krizën ekzistuese te ne dhe në botë, është e domosdoshme të krijojmë një pozicion të ri metapedagogjik dhe t’i ofrojmë praktikës edukative një bazë të re antropologjike, filozofike dhe para se gjithash tradicionale fetare.
Një arsimim solid rreth përmbajtjes islame i shoqëruar me një paketë të mendimit kritik – i cili frymëzon (nxit) mësimdhënie që edukon për një qëndrim të moderuar dhe vetëdije mbi përgjegjësinë vetanake sociale me interes publik dhe me një veprim etik, që fokusohet në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Islami ofron një pasuri përmbajtjesore që duhet të përshkruhet me konceptin modern të "edukimit për paqe". Ky është fokusi i punës së mësuesit dhe mësueses të arsimit fetar islam.
Programi i mësimi-besimit islam ka për qëllim, përmes njohjes dhe mësimit të parimeve burimore vetanake, t'i edukojë fëmijët dhe të rinjtë për një ballafaqim të vërtetë dialogues me vizionet dhe mendimet e atyre që besojnë ndryshe ose nuk besojnë fare, me respektimin e të tjerëve dhe me një diskutim të angazhuar me ta, duke i vendosur në qendër të vëmendjes ato probleme ekzistenciale që janë të përbashkëta për të gjitha religjionet dhe për të gjithë njerëzit. Erich Frommi që herët pati pohuar që në rrënjë të të gjitha religjioneve është dashuria. Prandaj, është e rëndësishme të njihen parimet burimore të besimit vetanak me qëllim që të mposhten, stereotipet, paragjykimet dhe keqpërdorimet e fesë, e cila për çdo besimtar është diçka e madhërishme dhe fisnikëruese.
Fëmijët me anë të mësim-besimit në mënyrë të dokumentuar, me shpirt të hapur për dialog, duhet të kenë mundësinë t'i njohin bazat e besimit të vet, ashtu që t'i garantohet shkollës së tyre si mënyra shkencore e procesit didaktik, ashtu edhe respektimi i ndërgjegjes së nxënësit, të cilët kanë të drejtë ta mësojnë me vërtetësi dhe siguri besimin të cilit i takojnë. Askush nuk ka të drejtë, asnjë institucion, qoftë shtetëror apo jo, të cenojë të drejtën natyrore të prindërve për edukimin e fëmijëve sipas bindjeve të tyre fetare dhe morale. Kjo është e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare mbi lirinë e besimit dhe lirinë e ndërgjegjes. Kjo është e përcaktuar edhe në Ligjin mbi liritë fetare në Kushtetutën e Kosovës.
Në vend të përmbylljes
Është fakt që në dialogun interdisciplinar me lëndët tjera mësimore në shkollë, me theks të veçantë në të mësuarit mbi botën, mbi domethënien e historisë, mbi bazën e vlerave etike, mbi raportin ndaj natyrës dhe kontributin e fesë kulturës, mësim-besimi në shkollë mund të forcojë, zhvillojë dhe plotësojë veprimtarinë edukative të shkollës.
Tipari dialogues i mësimit fetar fillon nga fakti që vetëm ai që e ka qëndrimin e vet (personal), mund ta kuptojë atë që është tjetër dhe i ndryshëm me të cilin rast i hapet rrugë tolerancës së vërtetë dhe bashkëjetesës.
Mësimi fetar islam në shkollat publike hap mundësi të reja për përdorimin e metodave moderne pedagogjike dhe didaktike.
Dhe së fundi, dëshiroj të theksoj nevojën që mësimi fetar konfesional në të gjitha shoqëritë pluraliste të jetë ashtu i bazuar që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin në mes religjioneve dhe botëkuptimeve të ndryshme, t'i kontribuojë bashkëjetesës midis njerëzve dhe të hapë forma të reja të bashkëpunimit me bashkësitë fetare.
Referencat
1. Adnan Aslan, Religiöse Erziehung der muslimischen Kinder ind Deutschland und Österreich, Stuttgart, 1998.
2. Kalb/Potz/ Schinkele, Religionsrecht, Wien, 2003.
3. Ednan Aslan, Islamische Erziehung in Europa (Islamic Education in Europe), Wien, 2008
4. Österreichische Imam-Konferenz – Aktivitäten der Islamischen Galubensgemein-schaft in Österreich, Wien, 2006
5. Islam in Europe, Europäische Islam – Konferenecen der Islamischen Glaubens-gemeinchaft in Österreich (II) Wien, 2006
6. Novi Muallim, nr. 4, Sarajevë, 2000
7. www.islamgjakova.net/artikulli.
8. www.wien.gv.at/bh-hr-sr/zajednicki-zivot/religija.htm
9. www.wapedia.mobi/hr/Obrazovanje_u_Austriji.
10. www.euro-islam.info
11. www.islamawareness.net/Europe/Austria/early.html
12. www.bs.wikipedia.org
13. www.integrationsfonds.at/
14. www.schulamt-islam.at/
15. www.islaminitiative.at
16. www.diepresse.com/home/panorama/oesterreich/
17. .www.dzematsg.ch/html
18. www.bsr.tsn.at/pix_db
19. www.veraznanjemir.bos.rs/
20. www.regionalexpress.hr/site/more/
21. www.iltizam.org/tekstovi/read/1919/
22. www.islamska-zajednica.hr/vijesti/udzbenici.
Ky artikulli është lexuar si referat në Konferencën ndërkombëtare: Edukata fetare" ne sistemin shkollor në Kosovë” organizuar nga Bashkësia islame e Kosovës me 14-15 mars 2011.