Bedri, frymëzim për rikthim vlerash

Ndër karakteristikat e muajit të bekuar të Ramazanit është se ai përbëhet prej shumë momenteve margaritarë që kanë mundësi ti shijojnë vetëm ata që i pranojnë, identifikojnë e meditojnë rreth tyre, e nuk hezitojnë të abstenojnë.

Vargjet e këtyre momenteve nuk kanë fund ne do të shkëpusim një fletëz prej këtij nektari ….
Po kujtojmë një ngjarje shumë të veçantë…
Dita e shtatëmbëdhjetë e Ramazanit përveç që shënon një vetëbesim për agjëruesit se ata ia dolën të agjërojnë pjesën më të madh të kohës dhe janë afër përmbushjes së obligimit më të cilin i ngarkoi Krijuesi i tyre, ata me këtë datë shënojnë edhe një fitore shumë të madhe, ata kujtojnë fillimin e fundit për një frymë të re që ka lindur në horizontin kur qenia më e lartë përulej.


Dita e ndarjes


Dita e ndarjes quhet ndryshe kjo ditë që e kujton e tërë bota Islame sepse i solli paqe tërë njerëzimit. Është emërtuar kështu ngase në këtë ditë është ndarë dhe ka filluar të ndalet periudha kohore nga e kaluara e errësuar drejt së ardhmes së ndritur.
Është bërë ndarja në front në mes të atyre që inspiroheshin dhe luftonin për vlera të larta dhe palën tjetër e cila mundohej që me fanatizmin më të madh të ruaj antivlera dhe gjëra antinjerëzore.
Kjo betejë zhvillohej në mes dy poleve krejtësisht të kundërta:
Në mes Islamit dhe kufrit,
Mes të Drejtës dhe të pa drejtës,
Ndërmjet të dashurve të Allahut dhe të inspiruesve nga djalli,
Një numër i vogël përball kishte një ushtri gjigante.


Ditë e fitores së madhe


Ditë e fitores së madhe lakohet emër tjetër që simbolizon këto momente tejet të shtrenjta jo vetëm për muslimanët por për një botë të cilës po i kthehet mëshira qiellore.
Nga lugina Bedër po lind një shpresë e re për njerëzimin, një ide më ndryshe.
Po luftohet me djersën më të madhe për njeriun që t` i kthehej dinjiteti i tij kaherë i humbur,
Po përballeshin shpatat me forcën e fundit për njeriun që të largohet mentaliteti se ai nuk është mall që shitet, ai nuk është kafshë që përdorët vetëm në fuqinë e tij fizike,duke e anashkaluar mendjen, por ka logjikën që e lartëson atë.
Po valëvitë flamuri e po ecën përpara me hapa të sigurt e të tregohet se për njeriun u krijua toka e qielli dhe Krijuesi i tij e nënshtroi të tërën, Universin dhe e quajti atë : Mëkëmbës të Tij në Tokë.


Po lindë një gamë vlerash që mban emrin Islam


Në Gadishullin arabik përveç pushtetit idhujtarë që kishte vënë Monopol dhe madje kishte vendosur rrënjët thellë, tani nga rrezet e Bedrit ato po lëkundën dhe dalëngadalë po u lirojnë vendin një gamë vlerash që mban emrin Islam.
Unë sot nuk do të përshkruaj rrjedhat historike se si ka rrjedhë kjo ngjarje, ngase duhet vargje e vargje që më dhimbsen të ju marrë kohë, në kohën pa kohë, por do të ndalem në disa pika që do mundohem ti shndërroj në burime vlerash që do jenë model inspirimi për ju, nëse ëndërroni lumturi dhe rikthim vlerash që premtojnë ardhmëri.
Të fillojmë me fjalët që janë Dritë universale e që konfirmojnë këtë emër që është gdhendur edhe në librin tënd të shenjtë, cili është pikësynimi i çdo gjëje:
All-llahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. (1)
Nga ky konfirmim hyjnorë arrijmë të kuptojmë se palët në këtë konfrontim ishin të pabarabartë.
Muslimanët pasi që u informuan se pala kundërshtare numëron afër 1000 ushtarë dhe janë te armatosur “deri në dhëmbë”ata paksa u frikësuan, por gjendjen e tyre e qetësoi pasi që në mesin e tyre ishte Pejgamberi a.s. i cili menjëherë e zëvendësoi këtë emocion të frikës me shpresën e cila erdhi nga i madhi Allah, i cili e sihariqojë së do të ndihmojë me Melekun e Melaikeve – Xhibrilin a.s. të përcjellë me 1000 melekë që do të zbresin grupe grupe.


Beteja filloi ...


Beteja filloi, së bashku në anën e muslimanëve ishte edhe Profeti a.s. i cili i kishte bërë përgatitjet e fundit, por ndihma e premtuar nga Zoti i Tij ende nuk i erdhi.
Do të shkëpusim një imazh të kësaj beteje duke sjellë reagimin e Profetit a.s. në momentet më kritike:
Posa filloi beteja, Profeti u drejtua nga Kibla i ngriti duart lartë dhe lutej me fjalët( që ngjallnin shpresë); O Zoti im ,plotësoje premtimin tënd që ma ke dhënë. Të lutem , O Zoti im , Ti na ndihmo, ne fuqimisht besojmë në fjalën Tënde ! (2)
Nëse ky grup i vogël sot zmbrapsen nuk do të ketë njerëz që do të adhurojnë në tokë, O Zot, O Zot ! Ngrite zërin Profeti a.s. së bashku më duart e tij lart me ç’rast i bie në tokë edhe palltoja që kishte veshur dhe ndërkohë ia vë sipër krahëve të tij Ebu Bekri r.a. duke i ngjallur shpresën se Allahu do ta ndihmojë dhe se do te realizojë premtimin e dhënë.
Mbas disa momenteve Profeti a.s e hodhi shikimin lartë kah qielli më ç`rast pas disa çastesh ndryshoi pamja e tij, fytyra filloi t`i ndriçojë nga nuri, dhe shikimi i tij mori tatëpjetën, sahabët po e vërejnë këtë ndryshim dhe po pyesin se çfarë po ngjanë me profetin e tyre.


Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj


Muhamedi a.s i entuziazmuar dhe i ngazëllyer po e kumton lajmin që aq shumë e priti:
“Në këto momente zbriti meleku Xhibril me një ushtri qiellore prej 1000 vetash”.
Gëzohu o Ebu Bekër, Allahu ta dërgojë ndihmën, Xhibrili erdhi… (3)
Melaiket ishin ato që trimëruan besimtarët dhe mbjellën frikën tek armiqtë dhe simboli i së ligës.
Krijesat qiellore po ndihmojnë. Qielli lëshoi mëshirën e tij për ata që po sakrifikonin pikën e fundit të gjakut të tyre, me të vetmin motivacion rikthimin e vlerave në tokë, ndihma ishte e paprecedentë:
Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush të shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe t’ju përforcojë me të (me shi) këmbët tuaja. (4)
Melekët zbritën në tokë :
Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai u është përgjigjur: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). (5)
Muhamedi a.s. ka thënë:
Gëzohu o Ebu Bekër, Allahu ta dërgojë ndihmën, Xhibrili erdhi… (6)
Sahabët r.a. dëshmonin se kur ishim në dyluftim: ende pa e goditur armikun ai binte i vdekur në tokë”.
Kjo betejë i shkaktoi humbje të thellë idhujtarëve të cilët në front lanë më se 70 të vrarë dhe po aq u zënë rob (7), kurse humbjet ishin edhe më të mëdha sepse humbën nderin, krenarin e prestigjin e lartë që e gëzonin deri në atë kohë, ndërsa muslimanët fituan në këtë betejë duke lënë në vijën e nderit 14 shehidë (8), triumfuan me nderin dhe krenarinë që tani e tutje do ti përcjell ndër shekuj.


Mëshira qiellore është duke të vështruar


Besimi dhe Bindja se do të na “ndihmojë Zoti” duhet shoqëruar gjithmonë duke paraprirë strategjia, planifikimi ynë.
Dëshirës sate bashkëngjitja edhe mbështetjen në Fuqiplotin duke i shtuar edhe djersën tënde.
Duhet të braktisim, të luftojmë ndaj dukurive negative në shoqërinë tonë, ashtu sikur i luftoi Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij, si : Amoralin , lakuriqësinë, narkomanin korrupsionin, familjarizimin, etj, të liga këto që janë shndërruar në kancer të shoqërisë sonë të cilës ia ka zënë frymën.
Profeti u zgjua, kundërshtoi, e ngriti zërin e tij, atij iu bashkua edhe karvani me njerëzit më të çiltër në histori që filluan të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë rrjedhat e historisë. Ne çfarë bëjmë, vetëm heshtim ?!!
A është rikthim vlerash këshilla prindërore:vajza ime nuk është njerëzore të dalësh në rrugë gjysmëlakuriqe, ngase është turp. Ne çfarë bëjmë, vetëm heshtim ?!!
A është dinjitet prindërorë ta edukojë djalin, nipin e mbesën për kultivim vlerash e assesi ti anashkalojnë ato, se besimi e përulja ndaj Krijuesit është obligim primar, mirësi e begati e assesi ndëshkim. Ne çfarë bëjmë, vetëm heshtim ?!!
Muhammedi a.s së bashku me shokët e tij rrjedhat e historisë nuk ju ndryshuan vetvetiu, ato u tejkaluan pas zgjimit, strategjisë e mençurisë: Ai nuk heshti !!
Në ngjarjen e shtjelluar vërejtëm se nuk fiton çdo herë i forti, nuk ka rëndësi çdo herë numri e sasia, por vendosmëria, mençuria e cilësia, jo kuantitet, por kualitet, jo sasi por cilësi. Ai nuk heshti !!
Ti ke rol, mëshira qiellore është duke të vështruar, ajo është në shërbimin tënd, por të pyes në heshtje: A E MERITOJMË ?


_________________
1. Ali Imran:123
2. Safijurrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, Prishtinë, 2002, fq.265
3. Ibid, fq.265
4. Enfal:11
5. Enfal:8
6. Safijurrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, Prishtinë, 2002, fq.265
7. Ibid, fq.274
8. Ibid, fq.273


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi