Zoti është një i pa fillim dhe i pa mbarim, Krijues i kësaj gjithësie,Krijues i çdo gjëje, krijues edhe i vet njeriut të cilit i takoi përgjegjësia dhe mëkëmbësia mbi sipërfaqen e tokës.
I Madhi Zot i dhuroi njeriut veçori, atribute e cilësi me të cilat e dalloi nga të gjitha krijesat e tjera, duke kërkuar në vazhdimësi prej tij nëpërmjet shpalljes dhe dërgimit të pejgambereve besimin në Zotin Një, dhe largimin nga idhuj adhurimet, apo besimet e kota, ngase i vetmi Allahu xh.sh., është Ai i cili meriton të adhurohet dhe Ai është mëshirëplotë dhe është Ai i cili mëshiron. Allahu xh. sh., thotë: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është Një, All-llahu, nuk ka zot pos Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron”.(Kuran, El-Bekare -163).
Allahu na drejtohet nëpërmjet këtij ajeti kuranor duke na bërë me dije se Allahu është një, pavarësisht vendin se ku jetojmë, pozitën që mbajmë çfarë race kemi apo gjuhe flasim që të gjithë duhet të kemi bindjen se Zoti është një i vetëm, i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm, Krijues i çdo gjëje në këtë gjithësi, dhe se vetëm Atij i takon sundimi. Shpëtimi e mëshira është vetëm tek Ai nuk ka kush tjetër i cili ka mundësi të na falë e të na gradoi me të mirat e tij pos Allahut xh sh., andaj Ai thotë: “E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshihni realitetin." (Kuran, El-Bekare - 42).
Të nderuar vëllezër e motra!
Kaluam gati edhe këtë muaj të Ramazanit të shoqëruar me lutje dhe adhurim, këtë muaj të sakrificës e solidaritetit, muajit të Kuranit, muajit të fitoreve të shumta të besimtarit, muaj ku në vazhdimësi ishin në garë e mira dhe e keqja. Me bindjen e thellë në Allahun ia dolëm që edhe këtë muaj ta agjërojmë dhe atë ta shoqërojmë me shumë dua – lutje, me adhurim ngase vetëm Ai meriton të adhurohet.
Sa i veçantë është ky muaj i Ramazanit-Kuranit, përplot mëshirë, mirësi e begati, nëpërmjet të cilit i Madhi Zot i dha mundësi njeriut që ai ta njohë vetën, ta fusë vetën në garë se kush po fiton më tepër nga këto shpërblime që i ofron ky muaj. Sikur ti kuptonim mirë vlerat e këtij muaji vërtet kishim dëshiruar siç thotë pejgamberi që “I tërë viti të jetë Ramazan".
Sigurisht se ne duhet në vazhdimësi të kërkojmë falje nga i Madhi Zot, i cili na fali jetë,në të cilën po shijojmë begatit e shumta të saj, si nga ana materiale dhe ajo shpirtërore. Kjo jetë në vazhdimësi ku gërshetohet e mira dhe e keqja janë gjithherë në garë, por Allahu edhe këtu na mëson se cilës gare ti japim përparësi kur thotë: “Dhe bëni gara në vepra të mira”.
Pastaj ajeti: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit." (Kuran, Ali Imran-133).
Nëpërmjet këtij ajetit i Madhi Zot kërkon nga ne që në vazhdimësi të shpejtojmë në vepra të mira, në kryerjen e obligimeve që dalin nga Kurani dhe porosit e Muhamedit a.s., thërret ndërgjegjen tonë që ajo të mos pasivizohet por të jetë gjithherë e gatshme të përshpejtoi kah shpërblimi më i madh për besimtarin i përgatitur nga ana e Allahut xh.sh.
Të gjitha këto mundësi e tjera po na i ofron ky muaj i shenjët i Ramazanit që i madhi Zot e zgjodhi të jetë edhe muaj i Kuranit. A thua i jemi sa duhet mirënjohës Allahut të nderuar vëllezër e motra për këtë të mirë që po na e përsërit çdo vjet, me mundësin edhe më të madhe në faljen e mëkateve, dhe fitimit të shpërblimeve të shumta.
Unë kam bindjen se besimtarët e Kosovës i janë mirënjohës Allahut për këtë. Në familjet e besimtarëve të besimit Islam gjatë këtij muaji po ndryshon jeta në krahasim me muajt e tjerë. Po jemi më afër Zotit si në aspektin shpirtëror ashtu edhe atë praktik në kryerjen e adhurimeve të shumta. Syfyri një përjetim i mrekullishëm, ngritja nga shtrati në kohë të syfyrit vërtet ka një vlerë shumë të madhe në Islam, njëherësh është edhe dallimi kryesor mes agjërimeve të më hershme. Në këtë kohë shumë të rinj e të reja ia mësyn furrave për të siguruar “samuna - pitalka të nxehtë”e njëjta situatë edhe në iftarë pran furrave rendi duke pritur për të marrë samuni të nxehtë. U ndala dhe i vështroja nga larg:E pyesja vetën vallë: A janë sa duhet të vetëdijshëm këta të rinj e të reja se po nxitojnë qysh nga agimi në drejtim të dyerve të xhenetit. Sigurisht se po i thosha vetës ngase nuk do të kishte fuqi tjetër që ata ti zgjoi nga gjumi në këtë kohë të gjithë përnjëherë dhe të përgatiten për agjërim.
I tërë qyteti në dritë në kohë të syfyrit,këtë dritë e rrisin dhe i japin kuptim edhe më kur shikojmë se pothuajse nëpër të gjitha banesat e shtëpitë, zonjat e shtëpisë janë zgjuar dhe përgatisin syfyrin, çfarë ndjenje, kur ato përgatisin këtë ushqim për fëmijët e tyre anëtaret e familjes, dhe këtë e bëjnë vetëm pse është urdhër i Allahut xh. sh. Por ato duhet të dinë se kanë shumë shpërblime të Allahu edhe në vet përgatitjen e ushqimit, për syfyr dhe iftar.
Presim ezanin duke lexuar nga Kurani apo duke bërë ndonjë lutje, dëgjohet ezani nga të gjitha anët e kryeqytetit, si një ombrellë e cila e ruan nga të këqijat kryeqytetin tanë,mburojë e fortë për ata që dinë ta kuptojnë, dëshmon toka e dëshmon qielli, dëshmojnë besimtarët mbi Njëshmërinë e Allahut dhe atë e reflektojnë edhe nëpërmjet faljes së namazeve nëpër xhami. Namazi i sabahut kur shejtani na thotë që të flemë e fuqia e besimit ta falim namazin, çfarë lufte e madhe po zhvillohet, besimtari me faljen e namazit triumfon mbi të keqën mbi shejtanin e mallkuar.
Gjatë ditës shihet se në Kosovë diçka ka ndryshuar në raport me frekuentimin e restoranteve, e kafiterive në krahasim me ditët e mëparshme, ka më pak të pranishëm, e natyrshme ngase është Ramazan e ne e agjërojmë këtë muaj. Edhe pse gjatë këtij muaji kryesisht ditët ishin me vapë megjithatë besimi i thellë në Allahun bëri që ne t'ia dalim të agjërojmë dhe adhurojmë Allahun edhe nëpër xhami ashtu si duhet
Një ditë ramazani në pik të ditës dola për të parë se çfarë po ndodhë në kryeqytet në këtë vapë të madhe, si po i përballojnë besimtarët këto ditë të nxehta duke agjëruar. Më ndaluan shumë nga kalimtarët duke më uruar ramazanin dhe duke thënë: "Myfti mos u brengos se pavarësisht vapës shumica jemi duke agjëruar", ndërsa disa të tjerë: "Paske dalë me na kontrollua, si po ju duket" - thoshin ata. Dy vajza të reja më ndaluan në sheshin kryesor të Prishtinës atë ditë duke më përshëndetur me “Eselamu Alejkum” ua ktheva përshëndetjen dhe i pyeta çfarë dëshironi, më thanë se janë besimtare të devotshme agjërojnë falën dhe mundohen të bëjnë vepra të mira, por diçka i mundon e çfarë është ajo iu thashë: Myfti më thanë: Dëshirojmë ta njohim fenë tonë më shumë, të dimë më shumë për Zotin, për Muhamedin për të lejuarat e të ndaluarat. Unë ua ktheva se po e kuptoi mesazhin e tyre dhe sigurisht se është detyrë e Bashkësisë Islame por edhe e institucioneve të dala nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës që ata ti përmbushin kërkesat e kamotshme, të futjes së mësimit fetar nëpër shkolla, kjo është kërkesë e popullit të Kosovës.
Po i afrohemi Bajramit dhe nuk dëshiroi që para kësaj feste të rëndoi edhe këtë shkrim që jam duke e shkruar në ora një të mesnatës, me probleme që janë të njohura për qytetarët e Kosovës, sigurisht se për Kosovën dhe qytetarët e sajë po vijnë ditë edhe më të mira edhe në aspektin islam.
Dola prapë në kohën e Iftarit qyteti pothuajse i boshatisur, a thua ku janë gjithë ata vëllezër e motra që kryesisht në atë kohë edhe ua mësyjnë shëtitoreve. Po:Ata janë ulur përreth sofrës së iftarit –sofrës s ë Allahut të gëzuar se arritën të agjërojnë edhe një ditë. Çfarë ndjenje kur gjendemi rreth sofrës së iftarit,në ato momente e lusim Zotin që të na ketë pranuar agjërimin, e lusim Allahun për shëndet e mbarsi në familjet tona, për shërimin e të sëmurave, për faljen e mëkateve, dhe dëgjojmë myezinin: ”All-llahu Ekber –Zoti është më i Madhi ”fëmijët baba erdh iftari, tash hani iftar, oh çfarë ndjenje e bukur, me bismilah e në shenjë falënderimi marrim nga ushqimet e lejuara.
Pas iftarit qyteti plot deri në syfyr sa bukur,pas namazit të teravive shumë xhematlinjë ulen neper ndeja e restorante të ndryshme për ta pirë nga një kafe,dhe për të biseduar për tema të shumta.
Të nderuar vëllezër e motra!
Kjo ndjenjë e veçanet është gjatë këtij muaji ngase siç thamë më herët në këtë muaj Allahu e zbriti Kuranin. Në këtë muaj është edhe Nata e Kadrit,e cila për nga vlera eshët e pakrahasueshme me ndonjë natë tjetër.
Allahu xh.sh thotë: . Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.
Kjo natë karakterizohet me zbritjen e engjëjve në tokë, zbret edhe meleku i shpalljes Xhbrili, si asnjë natë më parë toka nuk është e mbushur me engjëj si Natën e Kadrit. Zbresin melaiket, toka mbushet me pranin e tyre, e lusin Allahun për faljen e mëkateve për besimtarët deri në agim te mëngjesit. Myslimanët pothuajse janë në garë se kush më shumë po adhuron Allahun, kush më shumë bënë lutje në faljen e mëkateve. Ndaj edhe është parim islam të bëjmë gara në të mirë, Allahu xh. sh. thotë: ”Dhe bëni gara për vepra të mira”.
Nuk guxon besimtari që kjo natë ta gjejë të pa përgatitur, ta gjejë larg nga porosit e Allahut, është mëkat të mos përgatitemi edhe për këtë natë ku Allahu po na tregon se në këtë natë është edhe shpëtimi i Allahut, xh.sh.
A thua se është e logjikshme që mysafirët që na vijnë nga qiejt njëherë në vit në këtë numër ne ti presim fjetur, nëpër gjëra të ndaluara,me të cilat është i hidhëruar Allahu xh.sh. Jo besimtari i mirë gjatë kësaj nate lutet deri në agim që të fitoi shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh.
Është kështu ngase besimtarët edhe gjatë këtij muaji shtojnë në ibadet-adhurim dhe vepra të mira ,ngase edhe shpërblimi i Allahut është më i madh. I shohim besimtarët nëpër iftare të shumta tek farefisi, shokët, miqtë etj me të vetmin qëllim që të fitojmë shpërblime edhe më shumë.
Shtohet me të madhe solidariteti dhe ndjenja për ti dal në ndihmë atij që ka nevojë,ngase agjërimi motivon besimtarin, i zbut zemrën atij, e bënë që të mendoi edhe më shumë për skamnorët dhe njerëzit në nevojë. Ngase shpërblimi është shumë i madh Allahu xh.sh. thotë:
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t'i vendosim në xhenete, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. Premtimi i saktë i All-llahut. E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se All-llahu?" (Kurani, En-nisa-122).
Premtimi i Allahut se besimtarët të cilët bëjnë vepra të mira do ti shpërblej me xhenet, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë është premtim që ne duhet ta fitojmë nëpërmjet kryerjes së veprave të mira. Pra rastin nuk duhet humbur këtë e kemi para vetes, e kemi Ramazanin, Natën e Kadrit e ta shfrytëzojmë këtë muaj dhe këtë natë si duhet, ngase vetëm Allahu e din se a do të kemi jetë që ta presim edhe një ramazan tjetër.
Allahu nuk e humb mundin e asnjërit qoftë ai mashkull apo femër Ai thotë:
“Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhenet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie." (Kuran, En-nisa-124).
Mundin tonë për vepra të mira i madhi Zot nuk e humb, çdo njëri do të shpërblehet sipas angazhimit të tij, por edhe më tepër se që mendon e kjo vjen nga mëshira e Allahut ndaj njeriut krijesës më të përsosur mbi sipërfaqen e tokës. Krijesë e cila pranoi amanetin e Allahut dhe ia doli që porosit e Allahut ti kryej me përkushtim, ndaj me të drejt që të gjithë ne shpresojmë në shpërblimet e të Madhit Zot.
Pas agjërimit të këtij muaji na vjen festa e Fitër - Bajramit, po me të drejt besimtarët festojnë ngase me sukses ia dolën që ata ta kryejnë edhe një nga obligimet vjetore siç është agjërimi, dhe tash gëzohemi, dhe fytyrat tona ditën e bajramit janë përplot gëzim e hare, ngase e dëgjuam fjalën e Allahut dhe Resulullahut dhe ne ditën e bajramit me krenarin më të madhe festojmë dhe shpresojmë në shpërblimet e Allahut. Ata të cilët për shkaqe të ndryshme nuk agjëruan ju mbetet atyre që të shikojnë vetën e tyre në raport me Zotin xh. sh., ku e kanë vendin dhe pse vepruan kështu, me shpresë të madhe se vitin që vjen do të agjërojnë dhe bashkëngjiten numri t të agjëruesve.
Në fund e lusim Allahun që të ketë pranuar këtë agjërim dhe këtë ibadet.