Qasjet e medieve ndaj drejtësisë fetare islame në periudhën e pasluftës

(punimi është publikuar në revistën Edukata islame, nr. 101)

Qasjet e medieve ndaj drejtësisë fetare islame në periudhën e pasluftës

(punimi është publikuar në revistën Edukata islame, nr. 101)
Abstrakt
Kosova në periudhën e pasluftës është duke u përballur me probleme nga më të ndryshmet. Papunësia e madhe, varfëria e skajshme përqindja e së cilës për çdo ditë shënon rritje, mungesa e sundimit të ligjit, krimi i organizuar janë disa prej këtyre problemeve por jo gjithsesi të vetmet. Shqetësuese në këtë periudhë tranzicioni mbetet edhe respektimi i të drejtave dhe lirisë së njeriut. Ky punim mëton të hedh dritë mbi të drejtën fetare dhe qasjet në trajtimin e saj në mediat kosovare në periudhën e pasluftës. Fokusimi bëhet në të drejtat e komunitetit fetar më të madh në vend ndërsa boshti i diskutimit sillet rreth tri çështjeve më të debatuara: të drejtës për vënien e shamive në shkollat publike, futjen e një lënde fetare në kuadër të shkollave publike dhe ndërtimin e një Xhamie të madhe në kryeqytet për nevojat e besimtarëve.
Fjalët kyçe: e drejta, fetare, islam, shami, edukim, xhami, shkollë publike, arsim fillor, arsim i mesëm

Përmbajtja

Hyrje

I. POZITA E SË DREJTËS FETARE

1. IKJA NGA DISKUTIMI PËR PROBLEMET THELBËSORE

1.1. Definimi i pozitës juridike
1.2. Mos-shfajësimi i faktorit fe
1.3. E drejta demokratike

2. NJËANSHMËRIA

3. NGRITJA E DISKUTIMEVE TË NXEHTA

3.1. Sfidimi i teorive fetare
3.2. Diskutimi për çështje delikate
3.3. Ngritja e shqetësimeve të paqena
4. NEUTRALITETI
II. TRI TË DREJTAT FETARE MË TË DEBATUARA
1. SHAMIA
1.1. Si perceptohet shamia në Islam
1.2. Si perceptohet shamia në media
1.3. Diskutim i argumenteve

2. LËNDA E EDUKIMIT FETAR

2.1. Nevoja e futjes së një lënde edukative fetare në shkolla
2.2. Koncepti i përmbajtjes së kësaj lënde
2.3. Mediat dhe diskutim rreth konceptit të tyre

3. NDËRTIMI I XHAMISË SË MADHE NË KRYEQYTET

3.1. Roli shoqëror i Xhamisë
3.2. Mungesa e xhamive dhe të drejtat e besimtarëve
3.3. Pasqyrimi i kërkesave për ndërtimin e Xhamisë
3.4. Diskutim

Përfundim
Bibliografia

Hyrje

Të drejtat dhe liritë e njeriut janë një ndër temat që debatohen shpesh dhe shumë. Megjithëse ekzistojnë karta dhe dokumente shumë të rëndësishme që mbrojnë ato në thelb dhe parim, prapë, shkelja e tyre apo edhe keqinterpretimi bën që kjo temë të aktualizohet kohë pas kohe. Viteve të fundit për të drejtat është debatuar mjaft shumë edhe në Kosovë. Në fokus ka qenë e drejta fetare, një nga ato shumë të drejtat e njeriut që garantohen me ligj. Në fakt, në rastin tonë, ligji ka qenë ai që ka ndezur debatin, i cili ndonjëherë ka marrë karakter zhvillimi edhe në rrugë, respektivisht janë organizuar protesta, për të shprehur pakënaqësinë përkitazi me privimin nga të drejtat fetare.
Debati ka qenë lajm gjatë kohës kështu që përfshirë në të nuk kanë qenë vetëm qendrat vendimmarrëse por edhe të tjerë. Ky punim mëton të hedh dritë mbi qasjen e mediave ndaj kërkesave për të drejtat fetare. Për të nxjerr përfundimet më koncize, punimi përqendrohet në tri prej të drejtave që janë debatuar më së shumti: e drejta e vijimit të mësimit apo edh punësimit me shami, e drejta e edukimit fetar në shkollat publike dhe ndërtimi i një xhamie të madhe në qendër të kryeqytetit. Fillimisht, kam bërë një përmbledhje të qëndrimit të mediave ndaj të drejtës fetare e më pas kam diskutuar për pikat e sipërpërmendura. Kam ndjekur një metodologji të atillë që për pikën për të cilën kam diskutuar, paraprakisht, edhe pse shumë shkurt, kam paraqitur konceptin fetar për të, në mënyrë që debati të merr qasje konstruktive. Jam bazuar kryesisht në edicionet online të lajmeve ndërsa kam konsultuar edhe literaturë shtesë. Punimin e kam përmbyllur me rezultatet e tij dhe rekomandimet që dalin prej tij ndërsa më pas kam përshkruar edhe literaturën konsultuese.

I. POZITA E SË DREJTËS FETARE

“Në çka t’i përkujtoj ata kundërshtarë, të cilët po qe se ndonjëri nuk iu pëlqen, së pari e paraqesin atë në formë të devijuar, e më pas orvaten që ta zhdukin porsi lugati.”
(J.W. Gëte, “Dichtung und Wahreit”, Band 16.1)

1. IKJA NGA DISKUTIMI PËR PROBLEMET THELBËSORE

1.1. Definimi i pozitës juridike
Pozita juridike e bashkësive fetare në vend vazhdon të mbetet e padefinuar ende, ani pse qe parashtruar kërkesa disa herë dhe qenë marrë premtime se do të procedohej në Kuvendin e Kosovës në periudhën më të shpejtë të mundshme. Moszgjidhjes së këtij problemi tash e 13 vite i faturohen të gjitha problemet fetare në vend, nëse veç ka probleme të tilla. Në fakt, jo të gjitha bashkësitë fetare në vend nuk e kanë të zgjedhur këtë çështje. Kisha Ortodokse, siç do të shprehej një politikan yni, ”… është institucionalizuar si pjesë e Pakos Ahtisari me atë emër dhe me këtë strukturë…”(1)
Do të kishte qenë mirë që mediat të ngrinin për diskutim këtë çështje ngase, nëse dikush do të duhej të mos gëzonte asnjë privilegj në Kosovë për shkak të kaluarës së papastër është pikërisht Kisha Ortodokse, liderët e së cilës madje edhe sot vazhdojnë ta injorojnë shtetin tonë dhe të provokojnë probleme.

1.2. Mos-shfajësimi i faktorit fe
Përderisa BIK-u nuk ka një pozitë të caktuar, madje as si komunitet fetar, atëherë t’i drejtohet gishti për probleme të ekstremizmit në vend është pakuptimësi e llojit paradoks. Në media, jo rrallë, ndodhë që për probleme që do të duhej drejtuar rendit dhe ligjit të akuzohet BIK-u padrejtësisht, me gjithë thirrjet e krerëve të saj për mbikëqyrje dhe kontroll më të rreptë nga organet gjegjëse .(2)
Po kështu, do të kishte qenë mirë sikur mediat të ishin më transparente dhe të zbulonin të vërtetën se, jo vetëm vendi ynë, por i tërë Ballkani vuan nga ekstremizmi, pro jo ai fetar.

1.3. E drejta demokratike
Demokracia është përvetësuar si sistem shoqëror që të gjithëve ua njeh të drejtën për të kërkuar të drejtat e tyre. Një prej formave të kërkimit të këtyre të drejtave mbetet edhe protesta. Në rastin e protestave për të drejtat fetare shohim se interpretimi i demokracisë bëhet ndryshe .(3) Përkundrazi, këtë të drejtë ndonjëherë e paraqesin si vijë ndarëse ndërmjet të ligjshmes dhe të paligjshmes. Duke mos dashur të flas për kundërthëniet apo jo ndërmjet BIK-ut dhe lëvizjes “Bashkohu”rreth organizimit të protestave, ajo që dua të them se protesta, përderisa lajmërohet dhe nuk eskalon, është formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë. Thirrjen e mediave për të shpërfillur dhe injoruar protestat për të drejtat fetare(4) e shoh më shumë si një tentativë për të çorientuar dhe tëhuajësuar kërkesat për të drejtat fetare se sa që njëmendë synojnë rrahjen e këtij problemi (legjitimitetin e protestës).
Kushdo që ka përcjellë zhvillimet gjatë kohës sa organizoheshin këto protesta ka mundur të vërejë qartë rolin konstruktiv të BIK-ut, të cilët nuk ishin asnjëherë kundër protestuesve porse donin që kërkesat, përderisa BIK-u është institucioni i vetëm fetar islam në vend, të përcilleshin përmes tij. Kjo është dëshmuar edhe me rastin kur Myftiu Tërnava bën thirrje nëpërmjet RTK-së për anulim të protestës ndërsa përgjigjet pozitive vjen ende sa ai ishte në emision.
Këtë kemi mundur ta vërejmë edhe atëherë kur më shumë shprehet frika për kinse eskalim të situatës se sa për atë se këtyre që po protestojnë iu është shkelur e drejta . (5)
Një devijim tjetër nga e drejta demokratike qenësore mund ta hasim edhe në rastin e pasqyrimit të organizimit të zgjedhjeve brenda Bashkësisë Islame. Kjo pjesë diskutimi nuk dua të tingëllojë sikur mbaj anën e zyrtarëve. E drejta mbetet e drejtë ndërsa hoxhallarët nuk janë të pagabime. Shqetësimet e ngritura, të paktën, meritojnë të diskutohen, por, shpërpjesëtimi i pasqyrimit të së vërtetës(6) dhe mungesa e referimit burimeve të sakta(7) ngjallin dyshimin për qëllimet jo të mira të mediave karshi muslimanëve si tërësi ndërsa BIK-ut, si organ udhëheqës në veçanti.
Këtë e bëjnë edhe në raste tjera. Kjo më konkretisht ka të bëjë me raportin “amerikan” të Stephen Suleyman Schvartz, i njohur për qëndrimet negative ndaj muslimanëve të Ballkanit, i cili, për çudi interpretohej si RAPORT AMERIKAN(8) , dhe çudia nuk është pse ishte i jepnin ngjyrë që tingëllonte zyrtare, porse ishte në kohën kur organe zyrtare të SHBA-ve shprehnin admirimin e tyre për figurën e Myftiut dhe rolin e tij konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë .(9)
Tek ‘e drejta’ hasim median të luan një lojë me standarde të dyfishta. Nuk përkrah të drejtën e natyrshme, siç është shamia p.sh., ndërsa, për të shprehur nënshtrimin ndaj politikës, përkrahin të drejtat e shthurura, siç kemi të bëjmë me homoseksualizmin .(10)

2. NJËANSHMËRIA

Mediat nuk kanë ngurruar të shfaqin mërinë e tyre ndaj fesë islame. Kanë përfituar nga rasti për ta sulmuar kohë pas kohe apo për ta manifestuar urrejtjen e tyre ndaj saj. Ndonjëherë sheh se aq janë naivë saqë lidhen edhe për gjërave tejet simbolike, siç ishte rasti me ceremoninë e synetisë(11) , që ndonëse vetëm si rit, ata e shihnin si një mënyrë që Turqia mundohet ta rikthejë ndikimin e vet në vendin tonë. Ndonjëherë has edhe në thirrje të atilla për ndërrimin e emrave të xhamisë ngase kanë emra “pushtuesish” .(12)
Mediat nuk hezitonin ta ironizonin kërkesën (për të drejtë) fetare, siç ishte shkrimi i tashmë një zyrtari të lartë “HOXHA N’SHKOLLË”(13) sikur që shërbeheshin me shembuj nga brenda dhe jashtë vendit vetëm e vetëm për ta pasqyruar Islamin sa më të vrazhdë .(14) Dr. Murad Hofmann citon Salvatoren t ketë thënë: “Mediat gjithnjë e më tepër, indoktrinojnë dhe, në mënyrë mjaft efikase, nxitin mendimin se, Islami është një religjion i pashpresë dhe mjaft i vjetruar, i cili është larguar nga reforma dhe arsimi, e kështu ka mbetur në shekullin më të errët, të mesëm.(15)
Ja disa raste konkrete. Rasti i humoristit Rasim Thaçi, i cili u sulmua fizikisht për shkak të ofendimeve që ua bënte muslimanëve në skeçet e tij humoristike, e trajtonin si dhunë nga ekstremistët, ndërsa nuk e diskutonin fare në ishte apo jo provokim dhe ofendim i një komuniteti të tërë .(16) Nuk dua që të keqkuptohem sikur po arsyetoj sulmin e bërë ndaj tij, ngase fetarisht dihet se në ç’rrethana aplikohet masa ndëshkuese dhe kush e bën një gjë të tillë, por po them se nuk po çahet viktima.

3. NGRITJA E DISKUTIMEVE TË NXEHTA

3.1. Sfidimi i teorive fetare
Kjo mbase mund të jetë ngritje në mënyrë të heshtur e tezave që bien ndesh me fenë. P.sh. pikënisja dhe fillimi i gjithësisë, qëllimi i ardhjes në këtë botë, etj…(17)

3.2. Diskutimi për çështje delikate
Diskutimi për të drejtat merr kahe të kundërt dhe aspak të hijshme kur ato ndërlidhen me të kaluarën. P.sh. shamia, xhamia, lënda fetare shihen si një lloj lidhje me historinë osmane, të cilën dinë ta kumtojnë vetëm barbarisht. Ndonjëherë marrin edhe rolin e një arbitri dhe vendosin se kush ç’taborri fetar i përket(18), sikur që dinë të prekin shqiptarët në pikën e dobët të tyre, në komb apo elemente të imagjinuara të tij, siç është p.sh. Kanuni i Lekë Dukagjinit(19).

3.3. Ngritja e shqetësimeve të paqena
Për të zhvendosur vëmendjen e popullit nga problemet madhore, mediat dinë t’i rreken edhe problemeve që fare nuk ekzistojnë. Ndonëse u tha shumë se në Kosovë megjithatë nuk ka ekstremizëm dhe radikalizëm islamik(20) dhe se Kosova nuk rrezikohet nga ekstremizmi por nga varfëria e papunësia e madhe(21), mediat prapë imagjinonin luftën kundër terrorizmit islamik.

4. NEUTRALITETI

Mediat dinë të ruajnë një lloj distance vetëm atëherë kur konstatime për një çështje të caktuar vijnë nga organe, deklarata e të cilëve nuk mund t’i komentojnë a interpretojnë ndryshe(22).

II. TRI TË DREJTAT FETARE MË TË DEBATUARA

“…prapëseprapë, nuk mund të mohohet se para së gjithash, zëdhënësit e rregullimit joreligjioz, ata që anojnë kah ateizmi, ndihen të thirrur të jenë gazetarë dhe se mediat, edhe në sferën e religjionit me vetëdije të plotë merren me politikë.”
(Dr. Murad Hofmann, “Islami në mijëvjeçarin e tretë”, f. 91.)

1. SHAMIA

1.1. Si perceptohet shamia në Islam
Shamia është një prej obligimeve të domosdoshme fetare për femrën muslimane. Është urdhër, të cilin në formë të prerë, Zoti e sjell në Kur’anin Fisnik.
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Kur’ani, 33:59)
Nga citati kur’anor vërehet edhe një element se shamia nuk është simbol por urdhër dhe obligim hyjnor për të gjitha femrat myslimane sikur që është edhe element identifikues.
Mbulimi i femrës nuk nënkupton në asnjë formë dhunën ndaj saj(23) apo shkeljen e të drejtave të saj , përkundrazi, femra mbulohet për ta ruajtur atë nga lapërdharët apo edhe për të ruajtur vet meshkujt që duan t’i përmbahen virtyteve të larta(24).

1.2. Si perceptohet shamia në media
Shamia nuk është trajtuar si një e drejtë fetare. Mediat janë munduar ta paraqesin vrazhdë, si element identifikues të një bote që kinse nuk ka përparim, si gjë e cila nuk përkon me aspiratat tona për anëtarësim në BE, e gjëra tjera. Madje jo vetëm kaq, por edhe nëse kanë hasur se në Evropë respektohet kjo e drejtë fetare, atëherë janë munduar të gjejnë një model përjashtues, pra një vend ku nuk respektohet kjo e drejtë, vetëm e vetëm që shamia mos të njihet si e drejtë. E ndonjëherë i janë shmangur edhe atyre lajmeve që vërtetë kanë qenë lajm, e që kanë patur të bëjnë me shaminë si të drejtë. P.sh. pjesëmarrja në lojërat olimpike me shami ishte diskutuar për të rezultuar përfundimisht me lejimin përkatës. Këtë lajm publikuan disa portale dhe websajte fetare në vend por jo edhe mediat tona(25).
Mediat tona kanë marrë një pozicion të cilin nuk e ndërrojnë. Nuk e përkrahin shmangë si të drejtë ndërsa në nivel global iu intereson vetëm atëherë kur diskutohet mohimi i saj. Franca, që e kishin si një model dhe mbështetje, iu interesonte ç’pozicion do të merrte për këtë çështje kur në pushtet erdhi president i ri, presidenti Hollande(26).

1.3. Diskutim i argumenteve
Problemi i shamisë lindi atëherë kur Ministria e Arsimit nxori një udhëzim administrativ me të cilin ndalohej uniforma fetare(27). Jo vetëm në media, por diskutimi dhe në qarqe zyrtare bëhej ndërsa kishte defekte, që për mendimin tim mund të pasqyrohen më së miri në pikat në vijim:
1) Paqartësia konceptuale. Diskutohej për shmangë ndërsa mediat thirreshin në vendet e zhvilluara(28), të cilat nuk e diskutonin asnjëherë shaminë si të drejtë por burkën. Ka dallim ndërmjet shamisë dhe burkës, dhe në kohën kur këta diskutonin për ndalimin e shamisë, në Bruksel hynte në parlament(29) për herë të parë vinte një deputete me shami madje nga radhët e Partisë Demokristiane, befasi kjo për të gjithë(30).
2) Metodologjia selektive, pra duke përjashtuar rastet kur ndonjë vend njeh të drejtën e bartjes së shamisë dhe përvetësimi i metodologjive të shteteve që e ndalojnë atë edhe pse janë shumë pak.
3) Animi politik. Mediat kanë marrë pozicionim politik, ani pse e dinë se e vërteta nuk është në anën e saj. Nuk do të doja ta quaj shantazhim por injorimi apo thënë më mirë blasfemimi i kërkesës për mbajtjen e shamisë(31) nuk ka si të komentohet ndryshe. Mediat e dinë fare mirë se në kuadër të së drejtës së shprehjes përfshihet dhe e drejta fetare dhe se zgjidhja e këtij probleme nuk është dashur të bartet në Kuvend. Apo,e dhe po të bartej, do të duhej përkrahur, sidomos kur e vërteta qëndron në anën e besimtarëve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e ndalon shaminë. Ndonëse Kosova përkufizohet si shtet laik(32), megjithëkëtë liria e besimit garantohet, madje edhe ajo e manifestimit(33), derisa nga e drejta për arsim nuk privohet askush(34). Një gjë e tillë vërtetohet edhe në dokumente shumë të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut(35), dhe që në të gjitha, duke përfshirë edhe kushtetutën e Republikës së Kosovës, e drejta fetare kufizohet vetëm në rast se paraqet rrezik për sigurinë e shtetit apo shkel të drejtën e tjetrit.
Edhe në rastin kur Gjykata Kushtetuese nuk miraton këtë të drejtë, mediat do të duhej të dilnin në përkrahje të shamisë, për shkak se interpretimi mund të bëhet në rrethana dhe nga indikatorë të ndryshëm por shamia mbetet e drejtë.

2. LËNDA E EDUKIMIT FETAR

2.1. Nevoja e futjes së një lënde edukative fetare në shkolla
Bashkësia Islame e Kosovës ka kohë që ka parashtruar kërkesë për futjen e një lënde për edukim fetar. Kërkesa është bërë duke patur parasysh gjithnjë gjendjen dhe rrethanat nëpër të cilat po kalon shoqëria, e që, përveç tjerash po rrezikon zhveshjen nga vlerat dhe edukata e mirëfilltë. Me futjen e lëndës fetare është synuar:
1) Respektimi i të drejtës fetare, si diç me të cilën njeriu ka shtegtuar përgjatë gjithë historisë(36)
2) Forcimi i bazës shpirtërore,
3) Menaxhimi i problemeve shoqërore, si depresioni, stresi, pesimizmi, sidomos kur dihet se trajtimi fetar është i pazëvendësueshëm,
4) Çrrënjosja e mbetjeve të idesë komuniste(37)
5) Vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi ashtu siç mendon edhe Bashkimi Evropian,
6) Pasimi i vendeve të zhvilluara që e kanë si pjesë përbërëse të arsimit të tyre, madje Jan Figel, ish-Komisioneri Evropian për Arsim, Kulturë dhe Shumëgjuhësi, thoshte së “marrëdhëniet e ngushta midis arsimit dhe vlerave fetare dhe morale janë si vendimtare për të ardhmen e Evropës.(38)“

2.2. Koncepti i përmbajtjes së kësaj lënde
Bashkësia Islame e Kosovës, ndonëse pati parashtruar kërkesën për futjen e një lënde edukative fetare nëpër shkolla, megjithëkëtë, nuk synonte doemos ta impononte edhe planprogramin e vet, që të kuptohej gabimisht e kinse ka qëllime a tendenca, siç e akuzonin për kinse instalim të një shteti sheriatik. Për këtë gjë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ishte nikoqire e një konference rajonale për “Mësimet mbi fenë në institucionet publike të arsimit: përvojat nga rajoni dhe modalitetet e përshtatshme për Kosovën”, në të cilin morën pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët debatuan në mënyrë shkencore për modalitetet e aplikimit të mësimbesimit në procesin e arsimit publik në Kosovë(39). U fol për përvojat e rajonit dhe për mundësinë e aplikimit të një sistemi të pranueshëm. Pra, konferenca mëtonte gjetjen e një planprogrami të aplikuar tashmë në vendet në rajon. Madje, si rezyme e kësaj konference patën dalën edhe rekomandime, një prej të cilave ishte edhe që BIK-u të jetë në bashkëpunim të drejtpërdrejt me MASHT-in, në mënyrë që planprogrami të mos jetë “tendencioz.”
Ajo çfarë dua të them është se programi do të ishte nën mbikëqyrjen e MASHT-it dhe se nuk do të përdorej –kushtimisht- për të bërë propagandë fetare.

2.3. Mediat dhe diskutim rreth konceptit të tyre
Futja e një lënde fetare në sistemin tonë arsimor është parë me sy të keq nga mediat. Përgjithësisht është qarë halli i laicizmit të shtetit. Futja e kësaj lëndë është konceptuar si një bombë nukleare që do ta zhduk laicizmin. Për këtë shkak sheh se nuk iu dhemb vetëm kjo por edhe ajo se kjo lëndë duhet të ligjërohet nga Hoxha e kjo qenka trishtuese për ta. Kjo po rrezikuaka edhe stabilitetin (imagjinar) të vendit. Kam përshtypjen se pasqyrimi ka qenë i shkallës më të ultë të marrëzisë, ngase, sikur nuk kanë mjaftuar vetë këto arsyetime banale porse janë munduar që në lojë të fusin edhe të tjerë, ose të përkrahin ata që mendojnë keq, p.sh. personelin e Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë(40), të cilët pa i pyetur askush fare, por ndoshta për tu deklaruar më katolikë se papa, dolën kundër futjes së kësaj lënde. Në fakt, nuk ishte vetëm laicizmi pse ata shprehën kundërshtinë e tyre porse edhe frika se BIK-u po e luftuaka identitetin shqiptar dhe se osmanët na paskan lënë mbrapa(41). Broçkulla. Mediat është dashur që të mos i japin hapësirë lansimit të çfarëdo ideje. Kam përshtypjen se asnjëra nga këto arsyetime nuk qëndron.
1) Laicizmi ka lindur në Evropë por këta nuk ia kanë kthyer fesë shpinën. Sot, në shumë vende të botës mësohet edukimi fetar përkatës, dhe kjo nuk paraqet rrezik për sigurinë e tyre. Kjo ngase laicizmi nuk nënkupton apriori mohimin e fesë. Claudio Magrisi në librin ‘Panairi i tolerancës(42)’ jep shpjegime shumë të mira. Laik, një fjalë aq e pasur në kuptim dhe vlerë, nuk nënkupton aspak, siç supozohet shpesh në mënyrë injorante, të kundërtën e fesë, as nuk nënkupton në vete një besimtar, agnostik apo ateist….Laicizmi nënkupton dallimin e asaj që racionalisht është e demonstrueshme nga ajo, që, në të kundërt, është objekt i fesë…Laicitet d.t.th. tolerancë…të mos ngatërrosh mendimin dhe ndjenjën e mirëfilltë…të mos dominohesh nga ndonjë ide edhe pse i qëndron asaj…Laicizmi ka qenë një filozofi që i është kundërvënë dogmës kishtare(43) ndërsa është përkrahur nga diktatorët afetar për të justifikuar politikat e tyre antifetare(44). Vazhdimi i këtij avazi të vjetër ka të përbashkët me periudhën komuniste vendosmërinë për të mos u tërhequr nga akuzat ndaj fesë në planprogramet shkollore.
2) Muslimanët nuk janë të rrezikshëm. Nëse Kosova nuk paska problem tjetër veç ekstremizmit islam, aq sa Ministri i Brendshëm(45) thotë se i ka në kontroll të vazhdueshëm, e të cilin praktikisht studimet nuk e shohin gjëkundi(46), e lehtë qenka puna. Nëpërmjet një sistemi arsimor, të cilin do ta përpilojnë vet, do ta mundësojnë edukimin e gjeneratave jashtë ndikimit të ekstremistëve. Por, vetëm llafe janë fjalët e tyre.
3) Barra materiale. Arsyetim tjetër, e me gjasë më banali i mundshëm, është edhe ai i dhënë nga Ministria e Arsimit, respektivisht ministri ramë Buja, i cili problemin e sheh tek dhënia e 1000 rrogave. Mediat janë në dijeni për shpenzimet enorme, keqpërdorimet dhe korrupsioni që bëhet nëpër ministri dhe se përmendja e këtij fakti ka qenë turp. Andaj është dashur ta diskutojnë atë. Sikur të mos kishte korrupsion në këtë shkallë që ka, Kosova nuk do të kishte probleme kaq të shumta.

3. NDËRTIMI I XHAMISË SË MADHE NË KRYEQYTET

3.1. Roli shoqëror i Xhamisë
Xhamia është një burim i përhershëm i integritetit dhe vend i ringjalljes socio-kulturore e fetare, është institucioni më i vlefshëm që mund të jetë konceptuar e krijuar ndonjëherë. Është vend ku besimtari komunikon drejtpërsëdrejti me Krijuesin…(47)
Xhamia është objekti shoqëror i parë i ndërtuar mbi sipërfaqen e dheut. Në Kur’an është regjistruar kjo e vërtetë historike nga vet Krijuesi: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (Kur’ani: 3:96)
Xhamia arrin që jetën shoqërore me të gjitha detajet e saj ta ekspozojë në një figurë të minimizuar; sikur është një version përmbledhës i shoqërisë ku prezantohen pikat më të rëndësishme të saj. Ajo po kështu është edhe një përkufizim apo thënë më mire tkurrje identitetesh, ngase bën klasifikimin e sjelljeve dhe tipareve të njerëzve. Xhamia ka rendin dhe rregullat përkatëse, te cilat jo vetëm që shkrijnë dallimet shoqërore, por edhe edukojnë njeriun.

3.2. Mungesa e xhamive dhe të drejtat e besimtarëve
Komuniteti fetar më i madh në vend është komuniteti mysliman. Në bazë të statistikave të fundit(48), ky komunitet numëron 96% të banorëve të Kosovës. Megjithëkëtë, ky komunitet vuan për mungesë të hapësirave për kryerje të lutjeve fetare. Skenat e faljes në rrugë verë dhe dimrit, madje edhe atëherë kur bën vapë shumë e madhe, respektivisht acar që të ngrinë, ata falen në rrugë, në kohën kur komunitetet e vogla favorizohen. Ndërtimi i katedrales në Prishtinë nuk ka qenë nevojë e besimtarëve katolikë sikur që pozita e dhënë Kishës Ortodokse ka qenë e padrejtë, ani pse kështu nuk mendojnë politika dhe kushtetuesja(49). Zvarritja e proceseve për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e një Xhamie të madhe, e cila do t’i plotësonte kënaqshëm kërkesat e besimtarëve ka qenë shkak për shprehjen e pakënaqësisë së këtyre të fundit. Madje politikanët tanë jo vetëm që na jepnin premtime boshe porse edhe shfrytëzonin momentin për të provokuar besimtarët me shaka të pakripa se ‘po patën para la ta blejnë edhe Grandin.’

3.3. Pasqyrimi i kërkesave për ndërtimin e Xhamisë
Xhamia si institucion fetar i rëndësishëm, si vendadhurim, në përgjithësi nuk është paraqitur keq në media. Ajo nuk paraqitet mirë kur është në pyetje ndërtimi i përmasave të mëdha, që disi Prishtinën do ta identifikonin me të. Nuk di ç’të keqe ka kjo vetëm se as politika dhe as mediat nuk e duan një gjë të tillë. I pari i Prishtinës duket që është në siklet aq të madh saqë edhe në spote reklamuese të Kryeqytetit angazhohet që të mos ketë hapësirë shumë për xhami. Problemi i ndërtimit të Xhamisë së madhe kryesisht është fokusuar në këto pika:
• Kryeqyteti të mos identifikohet me të(50),
• Lokacioni të mos jetë në qendër(51), afër objekteve fetare tjera të minoriteteve,
• Financimi i ndërtimit.

3.4. Diskutim
Prishtina, deshën apo jo, është një qendër e myslimanëve. Është vend i xhamive, madje edhe i atyre të rrëzuara nga pushteti. Në kohën kur mediat e vajtojnë rrënimin e mundshëm të një çerdheje për ndërtimin e kësaj Xhamie, harrojnë se:
• Katedralja u ndërtua në vendin ku u rrënua shkolla,
• Gjurmimet zbuluan pranë teatrit Kombëtar themelet e një xhamie, apo edhe më shumë se një xhami, të rrënuar nga pushtuesi serb. U dëshmua se myslimanëve i janë uzurpuar hapësirat. Do të duhej diskutuar për këtë drejtë të tyre të rikthimit të pronës apo kompensimit të saj.
Pra, mungon një qasje pozitive ndaj një kërkese legjitime të besimtarëve. Ndërlidhja e ndërtimit të Xhamisë me rrëzimin e çerdhes ka qenë arsyetim amatores. BIK-u, në rast të marrjes së asaj parcele, pati premtuar ndërtimin e një çerdheje të re nga mjetet e veta. Xhamia për një kohë është shuar si lajm për tua ndezur në shkurt të këtij viti kur KK-Prishtinës ndaj një parcelë tek PTK-ja, e cila ishte e pranueshme për BIK-un por jo e kënaqshme(52). E pranueshme ngase do të mbulohet një boshllëk ndërsa e pakënaqshme ngase nuk i është dhënë pozitë sikur e objekteve tjera të komuniteteve e minoritare.

Përfundim

Nga diskutimi i mëparshëm del se:
1) Mediat kosovare, përgjithësisht, kanë qasje negative ndaj të drejtës fetare,
2) Janë të ndikuara në masë të theksuar nga politika
3) Iu mungon qasja analitike e gjërave.
Ndërsa si rekomandime të nxjerra nga ky punim do të veçoja:
1) Nxjerrjen e ligjit për pozitën juridike të bashkësive fetare në vend sa më parë të jetë e mundur,
2) Një studim gjithëpërfshirës të të gjitha llojeve të medieve, vizuale, të dëgjuara dhe të shkruara,
3) Organizimi i debateve publike, pasi që në raporte të ndryshme, siç ishte ai i qendrës për hulumtime “Gani Bobi”(53), theksohej se populli nuk janë kundër shamisë ndërsa Kosova nuk vuan nga ekstremizmi,
4) Organizimi i konferencave rajonale për të gjetur një model të përbashkët për të drejtat fetare dhe zbatimin e tyre,
I bindur se ky punim meriton shumë më shumë se kaq, se çështja fetare kërkon analiza edhe më të thukëta dhe studime më të thella, e përmbyll punimin ndërsa deklaroj se kam synuar vetëm të vërtetën dhe kënaqësinë e Zotit tim!

Literatura konsultuese

1) Kur’ani Fisnik,
2) Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 2008.
3) Buti, Muhammed Seid Ramadan. (2007) Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor, përktheu Dr. Selim Sulejmani. Shkup: Libraria “Ebu Hanife.”
4) Topaliogllu, Beqir. (2000) Gruaja në Islam, përktheu Mithat Hoxha. Turiq: Universiteti Marmara.
5) Idrizi, Zekerija. (2009) Xhamia në analet e historisë. Zurich: Fondacioni i Rinisë Islame.
6) Magrip, Claudio. (2001) Panairi i tolerancës, përktheu Guri Lekloti. Tiranë: ISHM; IDK; UNESCO.
7) Paraziti, Ali. (2009) Fjalor i Sociologjisë. Shkup: Logos-A.
8) Osmani, Shefik. (1983) Fjalor i Pedagogjisë. Tiranë: Shtëpia Botuese “8 Nëntori.”
9) Të drejtat e njeriut 2, deklarata dhe konventa të KB, 1994, Prishtinë: Valton.
10) Hofmann, Murad. (2007) Islami në mijëvjeçarin e tretë, përktheu Behxhet Jashari. Shkup: Furkan ISM.
11) Dituria Islame, revistë mujore fetare, shkencore e kulturore, të cilën e nxjerrë Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë.


__________________________________

1. "BETIMI I SHKELUR", Petrit Selimi, gazeta Express, 05 Shtator 2011.
2."Tërnava: Të ndalohet hyrja në Kosovë e të huajve që prishin imazhin e fesë islame", Bota Sot, 26.03.2012.
3. “Lëvizja Bashkohu” ngre kokën prapë!, portali Kosovapress, 26 Shtator 2011.
4."“Bashkohu”, nuk përfill Bashkësinë Islame, mban protestë për shami", gazeta koha ditore, 23.09.2011.
5."Shkatërrimi i feve rivale në emër të fesë së drejtë", Bota Sot, 30.06.2011.
6. Palës së pakënaqur i jepet hapësirë më shumë se organit ekzekutiv. BIK-u emëroi shumicën e atyre që nuk fituan për kryetar Këshilli, Bota Sot, 20.03.2012; "Imami i Podujevës e padit në EULEX Tërnavën", Bota Sot, 18.03.2012; "Bilalli: Dallaverxhitë kundër sindikatës së BIK-ut", Bota Sot, 15.09.2011.
7. "Nuk falsifikohen zgjedhjet vetëm në politikë, ashtu bën edhe BIK-u", Bota Sot, 16.03.2012.
8. "Raporti amerikan: Naim Tërnava vehabist në BIK", Bota Sot, 26.03.2012.
9. "WikiLeaks: Me BIK-un nuk ka mosmarrëveshje ndaj politikës së SHBA-së", Bota Sot, 10.09.2011.
10. "TA MBROJMË HOMOSEKSUALIZMIN", gazeta Express, 06 Dhjetor 2011.
11. http://www.kosovarimedia.com/index.php/art-dhe-kultur/9851-revista shqiptari-kushtuar-zt-asllandibrani.html Këtu Asllan Dibrani nuk ngurron madje të më quaj tradhtar vetëm pse kam falënderuar KFOR-in Turk…
12. "Xhamitë ende me emërtime të ish- pushtuesve", gazeta Express, 26 Shkurt 2012.
13. "HOXHA N’SHKOLLË", gazeta Express, 04 TETOR 2011.
14. Shih se si është pasqyruar lajmi për dënimin e një gruaje që bënte magji ("Këtë dënim me vdekje mund ta marrë secili prej nesh", Bota Sot, 19.04.2012.); atij që piu alkool ("Piu alkool – u godit 80 herë me kamxhik!", gazeta Express, 12.04.2012.); martesës në moshën pesëvjeçare ("PESË VJEÇ NUSE!", gazeta Express, 09 Prill 2012.) sigurisht pas përhapjes së lajmeve gjithandej për pedofilinë si dukuri në ambiente kishtare dhe të krishtera; e madje edhe festat (datat) tona fetare i paraqesin kësisoj ("DY HERË VIT I RI", gazeta Express, 01 Janar 2012.)
15. Cituar sipas: Hofmann, Murad, Islami në mijëvjeçarin e tretë, f. 93.
16. "Kush dhe pse e sulmoi humoristin Rasim Thaçi - Cimën?", Bota Sot, 19.04.2010.
17. "Jemi kudo!", Bota Sot, 10.03.2012.
18. "Si po krijohen dy kampe tradicionalët dhe radikalët myslimanë?", Bota Sot, 15.03.2012.
19. "Fashizmi islamik kundër Kanunit të Lekë Dukagjinit", gazeta Express,03.12.2011.
20. "Kosova mban larg elementët radikalë islamikë", gazeta Bota Sot, 28.05.2012.
21. "Kosovarët nuk e kanë problem ekstremizmin fetar, por papunësinë", gazeta Express, 18.11.2011.
22. P.sh. deklarata e KMLDNJ-së me rastin e sulmit fizik ndaj Kryeimamit të Kosovës (“Dhuna fizike nuk i ka hije një imami”, portali Kosovapress, 09 Mars 2012.). I kësaj natyre është edhe filmi komedia hyjnore, një film i shquar për antivlera, ishte paraqitur edhe në mediat tona si film që fyen në baza fetare ("‘KOMEDIA HYJNORE’, HOMOFOBIKE DHE KUNDËR ISLAMIT", gazeta Express, 16 Mars 2012.)
23. Topaliogllu, Beqir, Gruaja në Islam, f. 167-168.
24. Buti, Muhammed Seid Ramadan, Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor, f. 181.
25. http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=3407
26. "Holland s’do të shfuqizonte ndalesën e burkas", Bota Sot, 27.04.2012.
27. Udhëzimit Administrativ, Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta, nr. 6/2010, (neni 4. paragrafi 1.13)
28. "Kanada ndalon burkën", gazeta Express, 13.12.2011.
29. Avdyl Rrahmani, “Dituria Islame”, nr. 245. Dhjetor, 2010. F. 53.
30. http://www.ihrc.org.uk/news/articles/4332-Hijab-wearing-Mahinur-Ozdemir-joins-ChristianDemocratsBelgium-Muslim-finds-Christian-Party-compatible-
31. http://bislame.net/web/content/view/382/9/
32. Neni 8.
33. Neni 38, 38.2.
34. Neni 47.
35. Shih: DEKLARATA UNIVERSALE E TË DREJTAVE TË NJERIUT, nenet 9, 14; DEKLARATA PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË MOSDURIMIT E TË DISKRIMINIMIT NË BAZË TË FESË DHE BINDJES, e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të KB më 25.11.1981, nenet 1 (1.1), 2 (2.1); konventa mbi diskriminimin sa i përket punësimit dhe profesionit, Neni 1. Për më shumë shih: Të drejtat e njeriut 2, Deklarata dhe konventa të Kombeve të Bashkuara, Prishtinë, 1994.
36. Plutarku dhe Bergsoni kanë konstatuar se historia njerëzit i ka gjetur në gjendje të ndryshme por pa fe nuk i ka gjetur kurrë. Shih: Idrizi, Zekerija, Xhamia në analet e historisë, f. 15.
37. “Edukimi islam nëpër shkolla, domosdoshmëri e kohës” Fehmi Ramadani, portali Telegrafi, 14.09.2009.
38. “Edukimi fetar në Evropë”, Muhamet Brajshori, portali Telegrafi, 30 Gusht 2011.
39. http://bislame.net/web/content/view/492/9/
40. "“Sami Frashëri” kundër Edukatës Fetare", gazeta Express, 27 gusht 2011. Kështu është edhe iniciativa e grave intelektuale për ndalimin e shamisë ("Gratë intelektuale të Kosovës kundërshtojnë ndërhyrjen e fesë në shkollë", gazeta Express, 27.08.2011.)
41. Arsimtarët e “Sami Frashërit” kundër “Edukatës fetare”, gazeta Koha Ditore, 27.08.2011.
42. F. 31-32.
43. Pajaziti, Ali, Fjalor i Sociologjisë, f. 350.
44. Osmani, Shefik, Fjalor i Pedagogjisë, f. 364.
45. "REXHEPI: SHTETI PËRCJELL RADIKALËT ISLAMIKË", gazeta Express, 29 Nëntor 2011.
46. "Kosova s’ka rrezik nga radikalizmi fetar", Bota Sot, 18.11.2011.
47. Idrizi, Zekerija, Xhamia në analet e historisë, f. 15.
48. "Përqindjet e Republikës", portali Telegrafi, 09.02.2012.
49. "Vetëvendosje: Vendimi i Kushtetueses i motivuar politikisht", Bota Sot, 01.07.2012.
50. "Tërnava kërkon xhami sa katedralja", portali telegraf, 26.03.2012.
51. "Shefqeti: Kosova, jo ateiste", gazeta Bota Sot, 02.09.2011.
52. "Bashkësia Islame e Kosovës, nuk e pranon propozimin e Mustafës", gazeta Bota Sot, 26.08.2011.
53. “Interesi publik dhe religjioni”Hulumtim i opinionit realizuar në shtator/tetor 2011.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi