Idetë dhe mendimet e të riut të sotëm muslimanë, vlojnë nga ndjenjat e refuzimit të autoktones si rezultat i dekadencës së umetit Islam në rrafshe të shumta, e në veçanti në atë teknologjik dhe industrial, dhe zhvillimit marramendës të tjerëve në fushat përkatëse.
Së këndejmi, realiteti ekzistues në këtë drejtim, i ç’orientoi shumë të rij në aspektin e mendimit, ashtu që filluan të paraqesin rezerva edhe ndaj civilizimit Islam dhe trashëgimisë sonë kulturore fetare.
Të pa mundshëm të gjejnë përgjigje të përshtatshme për përparimin e tjerëve materialist dhe dekadencën tonë në këtë fushë, ata u treguan të pafuqishëm edhe në aspektin ideor para tjerëve, dhe menduan se përparësia në teknologji, nënkupton përparësinë edhe në fushën e mendimit, civilizimit dhe thesarit kulturor fetar.
Kështu, ata duke vuajtur nga kompleksi i dekadencës në teknologji, filluan të shohin se thirrja për kthim në mësimet burimore dhe kultivimin e civilizimit e mendimit Islam, do të thotë prapambeturi dhe fanatizëm konservativ, se feja është shkak i prapambeturisë, se feja denoncon shkencën etj, ndërkaq ndjekjen e tjerëve, bile edhe në disa dukuri që janë bonton i tyre i dëmshëm, përparim, modernizëm dhe ecje në hap me kohën.
Kriza ideore e rinisë, bëri që ata të jenë jo imun ndaj dukurive të importuara nga jashtë, bile edhe më e keqja është se ata i favorizojnë gjërat që vijnë prej tjerëve që bënë shumë hapa përpara në shkencë dhe teknologji, pa mos bërë selektimin dhe shoshitjen e këtyre gjërave, a thua vallë përputhen me të vërtetat tona fetare dhe tradicionale apo jo. Përparimi i tyre teknologjik ua ka verbuar sytë dhe e shohin përparimtare vetëm atë që vjen prej tyre, edhe pse në aspektin shpirtërorë, social dhe kulturor nuk paraqet asnjë vlerë.
Ata filluan ta konsiderojnë përparimtare, kulturore dhe civilizuese çdo gjë që vjen prej perëndimit, pa mos e kuptuar esencën e kulturës dhe civilizimit.”Ta themi edhe këtë absurd lidhur me ngushtimin e kuptimit të fjalës qytetërim: Një kohë të gjatë në shekullin XX, të ishe i qytetëruar, nënkuptonte të dije si përdoret piruni kur hahet peshku ose si lidhet kravata” .
Pra, qytetëruese dhe kulturore nuk është çdo gjë që vjen prej një njeriu apo shoqërie më të ngritur se ne në aspektin shkencor dhe teknologjik, apo edhe në disa aspekte tjera, por me qytetërimin nënkuptohet: ”Tërësia e arritjeve në fushën e kulturës materiale e shpirtërore dhe në zhvillimin shoqërorë, që e karakterizojnë një formacion ekonomiko-shoqëror ose një popull a vend të caktuar, shkallë e lartë e këtij zhvillimi”.
Ebu-l-A’la el-Mevdudi për qytetërimin thotë se: ”ai është një sistem i përkryer që përfshinë idetë, mendimet, veprat, moralin në jetën individuale, shoqërore, ekonomike e politike të njeriut” .
Të mahnitur pas zhvillimit teknologjik perëndimor, ndër të rinjtë muslimanë u fut shprehja “modern”, që në fakt aludon në atë që nuk është kuptimi i vërtetë i saj, gjegjësisht largimin nga parimet islame. Me fjalë tjera, sipas vokabularit të përdorur në kohën e sotme, të jesh modern, d.m.th. të jesh në hap me botën perëndimore, dhe jo i përkushtuar në fe. Ata të cilët janë të përkushtuar në fe, cilësohen si të prapambetur, apo në perëndim, të paintegruar, ngase, siç shprehet edhe mendimtari bashkëkohor islam Rashid el-Ganushi, shekullaristët e kanë portretizuar Islamin si një shoqërues i obskurantizmit dhe despotizmit. Vërtetë, këtu kemi përzierje termesh dhe kuptimesh. Por, ajo që mund të themi me pak fjalë është se ai që është i përkushtuar në fe, nuk është i prapambetur, dhe as ai që ndjek një model perëndimor jetese dhe bontoni, nuk është modern. Kjo vlen vetëm në mentalitetin e atyre të cilët nuk e kanë kuptuar drejtë domethënien e fjalës “prapambetje” dhe “modernizëm”, ndërkaq në konceptin islam, krejt ndryshe akceptohet modernizmi dhe prapambetja. Duke debatuar për këtë çështje, Rashid el-Ganushi shpjegon se si kuptohet modernizmi në islam, dhe si duhet ta kuptojë këtë komuniteti muslimanë, qoftë në perëndim apo në lindje, ngase moskuptimi i drejtë i modernizmit, ka pasoja në shumë rrafshe, përfshirë këtu edhe atë të besimit.
Rashid el-Ganushi thotë: ”Modernizmi i përnjëmendtë sjell emancipimin njerëzor dhe demonstrimin e së drejtës të lirisë së zgjedhjes, përhapjen e përparimit shkencor dhe teknologjik, vendosjen e një sistemi demokratik dhe ripohimin e sovranitetit të popullit. Megjithatë, duhet që ne të bëhemi pjesë e modernizmit në mënyrën tonë, jo domosdoshmërisht në atë të Francës, të SHBA-së apo Rusisë. Ky është dallimi midis qasjes islame ndaj modernizmit dhe asaj të elitës së oksidentalizuar në vendet muslimane. Elita e pakicës së oksidentalizuar kërkon t’i imponojë shumicës në modernizëm të rremë, që sjell shkatërrimin e institucioneve të shoqërisë tradicionale, një proces i filluar nga pushtuesit kolonialë, të cilët u erdhën muslimanëve duke u premtuar përparim industrial dhe shpëtim nga prapambetja nëse ngrinin krye ndaj Islamit në tërësinë e tij, sheriatit (ligjit) dhe akide-së (kredos, besimit. Modernizmi i rremë e ka manifestuar veten në rrënimin e shoqërisë islame dhe në rindërtimin e saj mbi baza jofetare, jo me anë të një ndarje midis fesë dhe shtetit, por me përjashtimin plotësisht të fesë nga të gjitha aspektet e jetës publike. Me fjalë të tjera, modernizmi në rastin arab nuk ka nënkuptuar përqafimin e metodave shkencore dhe industrializimin, por një proces radikal shekullarizimi, shqetësim kryesor i të cilit është të luftojë kundër Islamit dhe trashëgimisë së tij...”.
Kriza e këtillë ideore e rinisë, ka shkaktuar që ata edhe ma tepër të largohen nga mendimi Islam duke mos lexuar literaturë Islame që të formojnë mendim të shëndoshë për problemet e ndryshme, bile edhe më e keqja është se këtë e konsiderojnë humbje kohe në gjëra klasike të cilat nuk kanë vend në erën e kompjuterëve. Si rezultat i botëkuptimeve të këtilla të gabuara, erdh deri te degjenerimi moral, përngjasimi me të devijuarit e shoqërive perëndimore, importimi i atyre dukurive që e kanë ngarkuar realitetin perëndimor dhe e kanë sjell buzë greminës, si që janë:klubet e natës, diskot, filmat amoral, revistat që e promovojnë shthurjen morale, etj.
Mendoj se nga kriza e këtillë mund të dilet duke i aktivizuar të gjitha potencialet ekzistuese të umetit në fushën e thirrjes Islame, e në veçanti duke bërë çmos që mesazhin Islam ta transmetojmë tek të rijtë me një gjuhë të pastër, të kuptueshme dhe bashkëkohore që të jetë e kapshme për brezat e këtij shekulli.
Nuk duhet të hamendemi aspak, sepse ne i takojmë fesë e cila ka parime të qarta dhe platformë të shëndoshë e cila është e pa konkurrentë në të gjitha kohërat, ndërkaq ata që i kanë magjepsur disa shkurtpamës, apo disa jo të vëmendshëm sa duhet, çalojnë në sfera të ndryshme jetësore.
Duke folur për tiparet e platformës së kampit perëndimor, Dr.Jusuf El-Kardavi thotë: ”Ata e teprojnë në kënaqjen e trupit në kurriz të shpirtit, në shenjtërimin e arsyes njerëzore në kurriz të Shpalljes Hyjnore, në kujdesin për të fituar kënaqësitë e kësaj bote në kurriz të botës tjetër, në përkëdheljen e gruas në kurriz të burrit, në zgjerimin e lirisë individuale në kurriz të shoqërisë, në preferimin e interesit në kurriz të moralit dhe në prirjet nacionaliste në kurriz të njerëzimit”.
Ndërkaq për qytetërimin Islam, për të cilin shumë myslimanë, për fat të keq, o nuk kanë dituri të duhura, o nuk e njohin si duhet, o kanë bindje të gabuara, thotë: ”Ky është qytetërim i së Vërtetës, i mirësisë, i ekuilibrit dhe i drejtësisë. Ai i jep çdo gjëje vendin e saj, i jep çdokujt atë që i takon, nuk i kushton rëndësi njërës anë të jetës në kurriz të tjetrës. Kështu, qytetërimi ynë ndërton xhaminë përbri fabrikës, ndërton minaren përbri oxhakut, bashkon fenë dhe shkencën, krijon harmoni midis mendjes dhe zemrës, shkrinë shpirtin me trupin, lidh të djeshmen me të sotmen dhe me të nesërmen, lidh idealen me realen, i ka zgjidhur saktë të drejtat dhe detyrimet, mban drejtësi midis burrit dhe gruas, vendos ekuilibër midis individit dhe shoqërisë, pajton të pasurin me të varfrin, pajton popullin me sunduesin dhe vëllazëron njeriun me njeriun”.