Pasojat e devijimit moral

Njeriu është qenia më e përsosur e Allahut në tokë. Atë e krijoi Zoti në formën e përsosur, për se i dha intelektin si dëshmi konkrete. Allahu ka thënë:

Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.“ (et-Tin, 4)
Kjo forma e përsosur, sigurisht se, para çdo gjëje tjetër, ka të bëjë me intelektin e tij, pra jo fizikun dhe bukurinë pamore apriori, ngase, këto të fundit nuk do të luanin asnjë rol po qe se mungon e para. Njeriut që i mungon arsyeja në veprime i tërhiqe ky epitet. Allahu ka thënë për njerëzit që veprojnë kuturu:
A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë? Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta.“ (el-Furkan, 44)
Krahas intelektit, njeriut në qenien e tij iu inkorporua edhe elementi i epshit, i cili u vu për qëllime të pastra por me mundësi të shumta të devijimit, sidomos kur në kujdestari nuk është arsyeja. Marrëdhëniet seksuale, në esencë, nuk janë të urryera. Ato janë vënë si kusht i shtimit të gjinisë njerëzore. Allahu ka thënë:
O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra...“ (en-Nisa, 1)
Epshi do të marrë kahen e gabuar vetëm atëherë kur nuk do t’i shërbejë më qëllimit, për të cilin është vënë dhe kur nuk do të jetë më në përputhje me fenë. E them këtë të fundit duke u bazuar në atë se ndoshta mund të ketë arsyetime të ndryshme edhe tek disa lapërdharë që ushtrojnë forma të ndaluara të marrëdhënieve intime, si bashkëjetesa, marrëdhëniet jashtë kurorës, etj., se këtë po e bëjnë që të kenë fëmijë, pra që ta maskojnë krimin e tyre moral në emër të idealit të martesës (gjetjes së pasardhësve), se këto qëllime nuk arsyetojnë krimin e tyre. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Besimtari nuk do ta plotësojë besimin e tij përderisa edhe epshin nuk e ka në vijë me atë me të cilën u kam ardhur juve!”
Është folur për vargun e transmetuesve të këtij hadithi. Albani ka thënë se është i dobët derisa Neveviu e vlerëson për autentik. Ajo që dihet dhe është në interesin tonë ka të bëjë me domethënien e këtij hadithi, e që është e vërtetë. Jo rastësisht Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka kërcënuar me pasoja shumë të rënda, madje në disa raste edhe fatale në kontekst të besimit, ata që ushtrojnë forma të ndaluara të marrëdhënieve intime.
Nga këtu, kur është folur për devijimin epshor, janë përmendur pasoja të natyrave të ndryshme, si:

1) Pasoja të njerëzisë
Dijetarët, duke pasur parasysh faktet kur’anore dhe profetike, kanë ardhur në përfundim se njerëzit që kanë çrregullime të epshit, pra që bëjnë jetë të shthurur, ata kanë humbur njerëzinë e tyre. Argument kanë patur ajetin që cituam më parë nga kaptina el-Furkan dhe ajete tjera.

2) Pasoja të besimit
Njerëzit që bëjnë mëkate të tilla reflektojnë besimin e tyre të dobët ose të shuar fare. Ata bëjnë diç që besimin e tyre e ekspozon para rrezikut madje edhe të shuarjes. Në rast se ata devijimin moral e marrin si program jete, ata në një farë forme, kanë adhuruar epshin, ngase adhurimi, në esencë, nënkupton nënshtrimin. Allahu ka thënë:
A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t'i bëhesh ti atij mbrojtës?“ (el-Furkan, 43)
Se epshi rrezikon besimin, mësojmë edhe nga hadithi autentik, në të cilin Muhammedi [alejhis salatu ves selam] prostitucionin, si një nga format më të spikatura të devijimit moral, e sheh rrezik potencial për besimin. Buhariu, Muslimi dhe të tjerë transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Nuk ndodhë kurvari të bëjë kurvëri e të jetë besimtar (gjatë kryerjes së këtij akti të shëmtuar)...”
Dijetarët kanë sqaruar se kurvari nuk del prej feje, për aq kohë sa ai nuk pretendon se kurvëria është e lejuar në fe, por kanë thënë se teksti i hadithit është përpiluar kësisoj që të jetë një vërejtje e ashpër për ata që i qasen kësaj rruge të shëmtuar.

3) Pasojat qytetërimore - civilizuese
Devijimi nga natyrshmëria nuk kalon pa u ndëshkuar prej Zotit. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “...dhe nuk ndodhë që në një popull të përhapet amoraliteti e që Allahu të mos i mbulojë me bela...”(1)
Pasojat mund t’i vërejmë edhe sot në ato vende ku është evidente kjo shthurje. Vetëm pak ditë më parë , një gazetë e jona shkruante se në Nju Jork çdo vit mbesin shtatzëna hiç më pak se 7.000 (shtatëmijë) vajza nën moshën 17 vjeçare ndërsa 2/3 e tyre (ose mbi 2000), abortojnë. Kjo është një gjë që e rrezikon shoqërinë dhe jo rastësisht Xhejms Roston pati shkruar vite më parë në Nju Jork Tajms (New York Times) se ‘rreziku i fuqisë seksuale në fund të çështjes mund të rezultojë edhe më i madh se ai i fuqisë nukleare.’(2)

4) Pasojat shoqërore dhe etike
Për shkak të këtij degjenerimi, shoqëria do të përjetojë probleme të ndryshme, si:
- Shfaqjen e traditave të urryera në dëfrimin seksual, si: imoraliteti, homoseksualizmi, pedofilia, etj.
- Pjekuria e hershme dhe e pakohë seksuale. Shikimi i materialeve pornografike, shoqërimi me gjininë e kundërt, çuarja dashuri në moshën e re, kanë bërë, siç nënvizon në vërejtjet e tij një gjykatës evropian, që fëmijët të fillojnë fazën e pubertetit para kohe.
- Ikja nga martesa legjitime. Në bazë të disa statistikave të vjetra, është fjala për vitet e shtatëdhjeta, në disa vende të Evropës përqindja e atyre që i qaseshin martesës ishte 10/1000 ndërsa Suedi në vitin 1970 ishte 8/1000 për të rënë në 5/1000 në vitin 1973.
- Shkatërrimi i institucionit të familjes
- Shfaqja e formave jo të moralshme të organizimeve, si: party-të, mbrëmjet vallëzuese, etj .

5) Pasojat psikike
Shthurja dhe devijimi moral për pasoja kanë dhe stresin, depresionin, pesimizmin dhe forma tjera të çrregullimit shpirtëror. Për të kuptuar këtë më drejt, vetëm shih për jetën e ndonjë “ylli”kinematografik në perëndim dhe do të vëresh për probleme me të cilat ballafaqohen.

6) Pasojat shëndetësore
Degjenerimi sjell dhe probleme të pazgjidhura shëndetësore. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “...nuk ndodhë të përhapet amoraliteti në mesin e një populli dhe ta bëjnë haptazi e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja dhe sëmundje tjera që nuk kanë qenë evidente tek të parët e tyre të ndjerë (që kanë shkuar në botën tjetër)...” (4)

Përmbyllje

Devijimi moral nuk është sëmundje e pashërueshme. Islami ka ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm për shërimin e saj, hapa të cilët, sa për ilustrim do t’i përmendim në vijim:

1) Thirrja për pendim
Jo rrallë ndodhë që njerëzit të zhyten edhe më thellë në mëkate për shkak të bindjeve të gabuara se nuk ka shpëtim për ta. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], në përfundim të hadithit që kërcënon lavirin, e të cilin e transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij, thotë: “...ndërsa pendimi është ende i ekspozuar!”

2) Njohja me rreziqet
Shthurja morale për pasojë, si në këtë, po ashtu në botën tjetër, ka ndëshkime të rrepta. Në këtë botë, ajo nuk kalon pa u ndëshkuar ndërsa ndëshkimi varion sipas peshës së mëkatit, derisa në botën tjetër janë paraparë ndëshkime nga më të rreptat.

3) Vetëdijesimi për përgjegjësinë
Në Kur’an, gjejmë ajete që edukojnë duke ia përkujtuar njeriut se shqisat dhe organet me të cilat është fisnikëruar nga Allahu nuk do të mbetet pa u pyetur për to.

4) Alternativat
Epshi është pjesë përbërëse e karakterit të njeriut. Ai, në rast se ngelë nën kontroll, është i dobishëm. Për të realizuar një gjë të tillë, më së lehti është duke u martuar. Martesa është hapi më i suksesshëm i ndërmarrë për ruajtjen e nderit. Nëse nuk mund të martohesh, atëherë agjëro, ngase kjo është porosia e atij që nuk flet nga hamendja.

5) Largimi nga gjërat që e nxisin epshin
Largimi nga çdo gjë që të çon tek epshi, si: mendimet rreth femrave, shikimi në to, bisedat rreth tyre, shoqërimi me to, etj.

6) Shfrytëzimi i kohës së lirë në punë të hairit
Kohën e lirë, mos e kalo me ose pranë gjërave që ta hijeshojnë mëkatin. Mundohu të gjesh shoqëri të hairit, gjeji vetes ndonjë punë, dobinë e të cilës shpreson ta gjesh në ahiret, bë një vepër për hire të Allahut që askush të mos e di!

7) Mbulesa e femrës
Mbulesa e femrës është urdhëruar për ta ruajtur shoqërinë nga problemet sikur kjo. Në vendet ku nuk ka liri të shfrenuar, problemet morale dhe pasojat e tyre janë më pak evidente. Në Arabinë Saudite, shifra e të prekurve nga virusi i SIDA-s është shumë e vogël në krahasim me vendet tjera, dhe kjo, siç thotë Muhammed Ali el-Berr(5), falë numrit të paktë të atyre që bien në mëkatin e zinasë.
Allahun e lusim të na ruajë nga devijimi dhe shthurja morale si dhe të na fisnikërojë me moralin e të ruajturve dhe të devotshmëve!



1. Ibni Kethiri e përmend në el-Bidaje ve-n-nihaje ndërsa thuhet se ka sened autentik.
2. Gazeta Express, versioni online, 12 nëntor 2012, artikulli me titullin ‘Kontraceptivë për nxënësit e shkollave të mesme.’
3. Shih: El-Ukajli, Jahja Sulejman. El-iffetu ve menhexhu-l-isti’faf. F. 17.
4. Ibid. F. 18-24.
5. Hadithin e transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani mendon se është autentik.
6. Shih: El-Isra, 36: “...pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.”
7. Hadithin e transmeton Buhariu nga Ibni Mes’udi: ‘O ju turmë e të rinjve! Kush ka mundësi materiale prej jush për martesë, le të martohet, ngase ajo ulë shikimin dhe ruan nderin, e kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, ngase agjërimi është mburojë!’
8. Shih: El-Berr, Muhammed Ali. Sëmundjet gjenitale & Trebinjac, Ibrahim. Prostitucioni. Përktheu: Nig’jar Bajram Hoti. F. 9.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi