“Kush dëshiron madhështi (krenari e fuqi), e tërë
madhështia është tek All-lahu. Te Ai shkojnë
fjalët e mira dhe veprat e mira i pranon. “ (Fatir, 10)
„Në kushtet e sotme të jetës, zotëron ky ligj absolut: Ajo racë që nuk i vlerëson talentet e vet, ajo është e dënuar në shkatërrim…Sot ne e çojmë përpara jetën tonë, por nesër shkenca do të shkojë edhe një hap më përpara, e për fatin e njerëzve analfabetë nuk do të ketë mëshirë.“ (Alfred North Witehead)
Në kohët e vështira të ditëve tona, në këto kohë, kur vala e materializmit vrastar ka pushtuar shpirtrat e dëshpëruar të njerëzve, tek të cilët është zbehur dhe dobësuar besimi në Zotin dhe shpresa në mëshirën e All-llahut (xh. sh.), në mënyrë të veçantë duhet kushtuar kujdes që kjo epidemi e rrezikshme e materializmit dhe individualizmit të mos rrënjoset në shtresat e gjëra popullore. Me kujdesin më të madh, nga ky rrezik, duhet ruajtur rininë tonë muslimane, shpresën e Kosovës, shpresën e Islamit në Kosovë dhe nuk duhet lejuar që kjo epidemi e rrezikshme që na ka kapluar ne më të vjetërve, të fillojë t’i shkatërrojë radhët e rinisë. Edhe pse mendoj se virusi i epidemisë së xhunglës ka filluar t’i prek edhe ata, megjithatë besoj se ende ka kohë derisa nuk është bërë vonë.
Për të pasur siguri dhe garanci për ruajtjen e identitetit të gjeneratës së ardhme janë dy elemente të pandashme që njëkohësisht janë edhe alternativa e shpëtimit tonë dhe fëmijëve tonë. Ato janë: besimi (edukimi) dhe arsimimi (dituria).
Besimi paraqet ikje nga dimri i ftohtë dhe i errët i materializmit drejt dritës së diellit veror të besimtarit. Ai do të thotë jetë dhe shpresë në ardhmëri. Njeriu pa shpresë është depresiv dhe i trishtuar. Bota bashkëkohore që përpëlitet në vorbullën e mosbesimit e të nihilizmit është një botë e tjetërsuar nga Zoti dhe në pikën përfundimtare e tjetërsuar edhe nga vetvetja dhe e hutuar. Jo vetëm që e ka humbur Zotin, por e ka humbur edhe veten. Prandaj, sot si asnjëherë më parë i duhet rinisë sonë besimi në Zotin e Madhërishëm për t’ia kthyer asaj besimin në vetvete, për t’i lidhur hallkat e ekuilibrit në jetën e idndividit dhe të shoqërisë. Ai është identiteti më madhështor i njeriut si kontinuitet i mbamendjes së shpirtit, ndërsa njohja është e drejta më e madhe e njeriut si kërkesë për liri.
Pranadaj, të besosh sot do të thotë të dish se gënjeshtra nuk është e vërtetë; se errësira nuk është dritë; që e keqja nuk është e mirë; që dhuna nuk është drejtësi; që parsyeshmëria (marrëzia) nuk është urtësi. Të besosh, pra është të kthjelltësohesh, të zgjohesh nga gjumi (letargjia), të vetëdijesohesh dhe t’i shohësh gjërat me syrin e besimit, me syrin e shpirtit. Pejgamberi (s) ka thënë: “Njerëzit janë në gjumë, kur vdesin zgjohen”. Ndërsa ajetët vijuese përshkruajnë shumë qartë gjendjen e më sipërme: “Nuk është i barabartë i verbëri me atë që sheh. As errësirat me dritën. As hija me vapën. As nuk janë të njëjtë të gjallët me të vdekurit... (Fatir: 19-22)
Të besosh do të thotë të dish se besimi është çështje publike e mosbesimi çështje private. Nuk ka popull në histori, që nuk e ka pasur besimin e vet, kulturën e vet dhe traditat e veta. Besimi nuk mund të imponohet me forcë, për arsye së është i natyrshëm. Mosbesimi imponohet me dhunë (siç e bëri komunizmi), sepse është jo i natyrshëm.
Ndërsa të dish do të thotë të besosh që Zoti i ndihmon ata që e ndihmojnë veten e tyre, që Zoti nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli, përderisa ai vetë nuk ndërrohet.
Të dish do të thotë të besosh që dituria është pasuri që s’mund të plaçkitet, që dituria është dhuratë e Zotit, të cilën duhet ruajtur; që dituria është lumturi të cilën s’guxojmë ta humbasim; që dituria është sigurimi dhe investimi i jetës; që dituria është pushtet dhe fuqi që sjell paqen dhe lirinë.
Nga kjo kuptojmë se nuk ka gjë më të fuqishme se dituria; mbretërit sundojnë popujt, por dijetarët sundojnë mbretërit. Një dijetar është më i fuqishëm kundër shejtanit se njëmijë njerëz të devotshëm. Dituria mund t’i lëvizë malet dhe asnjë forcë në botë nuk mund ta mposhtë atë.
Jam i paaftë t’i përmendi të gjitha veçoritë e dijes. Dija-mësimi është- dritë që të ruan nga verbëria. Dituria është maja e malit, që ofron mbrojtje- dhe kushdo që strehohet dhe ngryset në gjirin e saj është i sigurt nga fatkeqësia. Dituria (mësimi) të shpëton, deri sa bota përmbytet. Mbështetu tek ajo edhe kur shpirti është duke dalë. Njeriu me atë ndërmjetëson për atë që shkon si mëkatar në pjesën më të ultë të xhehenemit, e që është pasojë fatale. Kush e dëshiron dhe e kërkon diturinë, do t’i plotësojë shumë dëshira. Në qoftë se e nxë i ka realizuar të gjitha qëllimet. O mendje! Ajo (dituria) është pozitë e lartë. Nëse e merr atë nuk ka rëndësi pozita e pushteti.
Prandaj, hutbën e sotme e kam titulluar: “Armiku i vërtetë i islamit dhe muslimanëve është padituria – injoranca”.
Mbanjeni në mend si musliman, armiku i islamit nuk është as Perëndimi as Lindja. Armiku i vërtetë i islamit është xhahilijjeti, padituria, injoranca, është konfuzioni dhe topitja (letargjia), është mosinformimi dhe indiferentizmi i muslimanëve karshi dukurive dhe ngjarjeve që u përkasin vetë atyre, e pastaj besimit të tyre, kulturës dhe politikës etj.
Prandaj, armiku i vërtetë i islamit është egoizmi, smira dhe përtacia e shpirtit të ulemasë, mospërdorimi i arsyes së intelektualëve dhe qëndrimi pasiv i studentëve ndaj të ardhmes së tyre vetanake.
Dituria zbulon pasurinë e besimit, ndërsa besimi nxit dëshirën për dije. Me shtimin, zgjerimin, e horizontit të diturisë e forcojmë besimin, fenë, i zbulojmë sekretet e jetës dhe bëhemi të aftë të jetojmë në pajtim me urdhrat e Zotit (xh. sh).
Por që të jetojmë në pajtim me urdhrat e Zotit (xh. sh.), duhet të armatosemi me armën më të fuqishme që na e dhuroi vetë Ai. Ajo është dituria, dituria për individin, familjen dhe kombin. Popujt , të cilët shpesh i shtrohen therjes sikurse jemi ne shqiptarët, me kufijtë tonë të përgjakshëm, me shtetet fqinjë që nuk na duan të mirën, duhet t’i mbledhim të gjitha forcat që nga venat e këmbës deri te damarët e qafës bashkë me të edhe fuqinë e kokës e të trurit, që të vijmë te vitaliteti (gjallëria) që me ndonjë gisht sekret të Zotit ripërtërihet. Para se gjithash neve na duhet një ripërtëritje e mendimit, shpirtit, mentalitetit. Na duhet lindja e përgjegjësisë së mendimit, shpirtit dhe qëndrimit ndaj jetës. D.m.th. asgjë nuk do të ndryshojë në jetën tonë po që se ne nuk fillojmë vetë ta çajmë detin, e pastaj All-lahu do t’ na i hapë jo dymbëdhjetë, por dymbëdhjetëmijë rrugë dhe po aq mënyra për t’ na shpëtuar. Këtë Kur’ani vazhdimisht e thotë dhe për këtë vetë me gjak jemi bindur .
Jemi bindur se të dobëtit i duhet fuqia, e jo mëshira e humanizmi. Kjo tregon se ripërtëritja jonë duhet të jetë në mendje e fuqi e jo në lot e vaj. Xhihadi ynë nuk duhet të shkojë rrugëve të shkatërrimit, urrejtjës e vrasjes së njerëzve, por, xhihadi ynë duhet të shkojë rrugëvetë mësimit e të ndërtimit. Shpata e islamit është penda (lapsi). Zoti është betuar me lapsin dhe atë që shkruhet me laps. Shpallja e besimit islam filloi me fjalën “mëso (lexo)”.
Islamu nuk ka nevojë për shpatën. Shpata paraqitet atje ku nuk është e pranishme logjika. Mirëpo, karshi nesh nuk janë gjithmonë luftëtarët e logjikës. Për këtë arsye, kur është fjala për përdorimin e shpatës, islami është realist e jo idealistë. Ideale do të ishte të thyhen të gjitha shpatat, mirëpo a është e mundur diçka e tillë...?
Prandaj, na duhet dija, mësimi, zhvillimi dhe krijimi i kushteve dhe realizimi i fuqive të mëdha të dynjallëkut. Të kesh shumë dynjallëk aspak nuk do ta dëmtonte vendin dhe pozitën tonë në Ahiret, vetëm nëse me atë dynjallëk do të dimë çfarë të bëjmë. Çështja e të gjitha çështjeve, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popujt tjerë muslimanë, është se a do t’i bëjnë ata, më në fund vetes një vend dinjitoz në botën bashkëkohore. Nuk është blasfemi (gjynah) të thuash që shkalla e tyre në atë botë do të varet nga shkalla e tyre e kësaj bote dhe ndarja dinjitoze e kulaçit të dynjasë me të tjerët.
Dhe së fundi o Zot i Mëshirshëm: Forcojë besimin në zemrat tona! Udhëzoji në rrugë të mbarë familjet tona! Forcojë unitetin në xhematet tona! Forcojë paqen në atdheun tonë! Shpejtojë lirinë e plotë dhe pavarësinë e shtetësinë e Kosovës! Jepi fuqi Ummetit tonë! Zot i Mshirshëm: Jepju të sëmurëve shëndet! Fukarave furnizim! Të persekutuarëve kthim në shtëpitë e tyre! Të burgosurve lirinë! Mbrojtsëve tonë (ushtrisë sonë të ardhshme) ndihmë e forcë! Pasuroji të parët tonë (liderët) me urtësi dhe guxim! Ulematë tonë me dituri dhe sinqeritet! O All-llah i Mëshirshëm: Fisnikëroji të gjithë njerëzit me dashuri e mëshirë! Pastroji zemrat e njerëzve nga smira, urrejtja dhe e keqja! O Zot pashë mirësinë Tënde të pakufishme dhuroji gjithë botës udhëzimin dhe mëshirën Tënde! AMIN!