Ideja për mbledhjen e Kongresit I të Myslimanëve të Shqipërisë
“… fetë e përhapura në Shqipëri nuk mund të ushtronin ndonjë ndikim të madh në orientimet e opinionit publik dhe të kulturës mbisunduese. Cilat do që të ishin obsionet personale të eksponentëve të tyre në zë, bashkësitë fetare shqiptare në periudhën midis dy luftërave i ndihmuan (ose iu nënshtruan) në forma të ndryshme patriotizmit prepotent dhe hegjemon nga pikëpamja ideologjike. Nuk kishte vend për të mbajtur qëndrim pro ose kundër – zgjedhja në njëfarë mënyre ishte e detyruar, po të mos doje të cilësoheshe si heretik i besimit nacionalist. Nacionalizmi i përshkonte bashkësitë fetare, duke ndeshur vetëm në kundërshtimin e ndonjë pakice, madhësia e së cilës nuk duhet mbivlerësuar”.[1]
Mbledhja e një Kongresi të myslimanëve të Shqipërisë ka qenë dëshirë konsensuale e shprehur vazhdimisht nëpër qarqet islame. Për mënyrën e organizimit të këtij kongresi ka pasur mendime të ndryshme dhe është bërë edhe një lloj përgatitje nga vetë prijësit myslimanë. Por çështja u shty për shumë shkaqe – vendi ishte i okupuar, nuk gjendej zgjidhje ekonomike për zhvillimin e punimeve të Kongresit, dhe për probleme të tjera si: zgjedhja e delegatëve, koha, vendi etj.
Që në vitin 1917 Myftiu i Shkodrës, Xhemal Naipi i dërgon Haxhi Hafiz Isuf efendi Kelmendit “Rregulloren mbi zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e Xhema’ati Islamijes”. Votimi do të bëhej me zgjedhës të dytë. Do të kishin të drejtë vote të gjithë myslimanët që do të ishin në moshën 21 vjeçare[2].
Kryeministri i kohës, Ahmet Zogu, më 7 dhjetor 1922, nis dy shkresa në Gjyqin e Naltë të Sheriatit. Nëpërmjet shkresës së parë kërkon mendimin e Gjyqit të Naltë, si edhe për dikasteret e tjera të vendit që, “për t’u dhënë të gjitha zyrave të shtetit një formë moderne, duke siguruar shpejtësinë e mirëvajtjen e veprimeve zyrtare në mënyrën e dëshiruar, veprim që do të jetë i pari hap i përparimit të Atdheut, të njoftohemi me anë të një raporti studimor se ç’masa mendon ai gjyq mbi organizimin e përgjithshëm e mbi përparimin e asaj ministrie e të degëve a të direksioneve të varuar prej saj, duke pasur në kujdes gjithnjë ekonominë”[3], kurse nëpërmjet shkresës tjetër, kërkon që “për të pasur mundësi që të merren pastaj masat e duhura për t’i dhënë asaj dege një gjallëri e një përmirësim në mënyrën e dëshiruar, jeni të lutur që, nëpërmjet një raporti e të një projekti të posaçëm, të na jepni mendimet dhe mënyrën e formimit e Xhemijeti Islamijes”[4].
Gjyqi i Naltë i Sheriatit, më 16 dhjetor 1922, njofton Kryeministrinë se “Zyra e Ilmijes ndjen gëzimin më të madh dhe paraqit falënderimet e Kyesisë për formimin e Xhema’ati Islamijes. Formimi e aplikimi i rregullës së xhema’atëve në atdheun tonë, është një punë me rëndësi, sepse forma kombëtare e shtetit është një pengim për qeverinë që merret me çështje fetare në Shqipëri, ku ndodhen elementë të ndryshëm. Prandaj, për të siguruar mirëvajtjen dhe përparimin e parimeve të larta myslimane, është një gjë e domosdoshme organizimi i xhema’atit, të shtyrë prej nevojës që po ndihet dhe në qarkun dijetar (Ilmijes). Për vërtetim ju paraqesim Statutin e Xhema’atit, duke u lutur që të keni mirësinë e të na urdhëroni përfundimin e tij”[5]. Me qarkoren e datës 16 dhjetor 1922, Gjyqi i Naltë i Sheriatit njofton rrethet për këtë porosi. Bashkëngjitur me shkresën që shpreh gëzimin e Degës së Ilmijes për këtë iniciativë të qeverisë, pranon se në një vend ku aplikohen disa besime fetare, organizimi i tyre është më i drejtë me xhema’ate[6].
Dinamika e organizimit të Kongresit I
“Këshilli i Naltë i Sheriatit relacionet e veta me shtetin shqiptar mbi varësinë e tij (merbutijet), i ka prerë dhe quhet një zyrë indipendente, e lirshme në veprim për mbrojtjen e të drejtave fetare të elementit të vet si dhe për përparimin e lulëzimin në çdo pikëpamje, prandaj kjo kryesi ju njofton se dhe këshillat e xhema’atit janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Këshillin e Naltë të Sheriatit dhe për çdo çështje e marrëveshje që të kenë nevojë, janë indipendente në qarkun e vet, duke mos pasë kërkush të drejtë kundërshtie e pengimi në detyrat përkatëse të tyre”[7].
Gjyqi i Naltë i Sheriatit i drejtohet Kryeministrisë dhe e njofton se, me që e shikon të nevojshme një këshill (kongres – A.B.) të muslimanizmës (Xhema’ati Islamije), për të cilin është folur e kërkuar herë pas here verbalist edhe nga ana e popullit musliman, ka caktuar që të bëhet një mbledhje për formimin e këshillit në fjalë më 20 shkurt 1923. “Me këtë rast e njoftojmë të lartën Kryeministri dhe kërkojmë prej saj të na ndihmojë duke u dhënë urdhërat e duhura të gjithë prefekturave e nënprefekturave që të zgjedhin rregullisht nëpërmjet bashkive nga 1 persone ta dërgojnë në Tiranë” – përfundon shkresa[8].
Kryesia e Këshillit të Ministrave dërgon vendimin e vet të datës 29 janar 1923 për dhënien e lejes Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme më 20.II.1923[9]. Ministri i P. Brendshme, A. Zogu, me një telegram sekret njofton Prefekturën Elbasan se i jepet leje Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë mbledhjen e përgjithshme më 20.II.1923 për formimin e Këshillit të Naltë Musliman, Xhemijeti Islamije, e lypur shumëherë prej popullit musliman. Lajmëroni në këtë mënyrë të gjitha zyrat kompetente për këtë veprim. Në është se shihet e nevojshme për shkoqitje, merruni vesh me kryetarin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit[10].
Edhe vetë Këshilli i Naltë i Sheriatit me qarkore njofton prefekturat e nënprefekturat se “më 20 shkurt 1923 do të bëhet në kryeqytet një mbledhje e përgjithshme prej delegatëve muslimanë për formimin e Xhema’ati Islamijes. Me këtë mbledhje çdo prefekturë do të dërgojë një përfaqësi, e cila do të zgjidhet nga përfaqësuesit e krahinave të lagjeve muslimane, të cilët do të jenë zgjedhë me anë të pleqësive të tyre dhe mandej do të votojnë nën kontrollin e bashkive. Delegatët që do të dërgohen këtu do të jenë që të dinë me shkrue e me këndue mirë gjuhën zyrtare e të kenë dijeni të plota ashtu dhe besimtarë feje e me morale të mira. Zgjedhjet të bëhen me një shpejtësi të madhe që t’ia mbërrinë mbledhjes në kohën e caktueme. Çështja e shpenzimeve njoftohet më vonë.”[11]
Me telegramin e datës 11 shkurt 1923, Myftiu i Përgjithshëm njofton prefekturat e nënprefekturat se “me që koha e mbledhjes së përgjithshme për formimin e Xhema’atit Musliman u afrua tepër, zgjedhjet e përfaqësuesve që do të dërgohen këtu, të bëhen vetëm nga ana e bashkive me një shpejtësi të madhe me konditat që ju kemi treguar”.[12]
Ministri i P. të Brendshme, A. Zogu më datë 11 shkurt 1923 u dërgon një qarkore shifër zyrave vartëse me këtë përmbajtje: “Jeni të lutur të përpiqeni në mënyrë legale që delegatët që do të zgjidhen për me marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të muslimanizmës të jenë patriotë dhe pak a shumë liberalë”[13], dhe një ditë më pas shton: “Nuk është e domosdoshme që delegatët të jenë hoxhallarë, vetëm duhet të jenë patriotë dhe pak a shumë liberalë”[14]. “Me qenë se shumica e delegatëve nuk mundën me u mbledh, mbledhja do të hapet me datë 24.II.1923”[15].
Pastaj vazhdojnë urdhërat e njëpasnjëshëm telegrafikë në lidhje me emrat e personave që duhet të zgjidhen delegatë për në Kongresin Musliman. Prefektura e Dibrës urdhërohet: “Si delegatë për në mbledhjen muhamedane që do të bëhet këtu, zgjidhni zotërijtë Vehbi, Myfti i Përgjithshëm dhe Salih Vuçiternin”[16]. Po atë ditë Prefektura e Kosovës porositet: “Si delegat për në mbledhjen e përgjithshme muhamedane që do të mbahet këtu, zgjidhni Qamil Balën, Halim Gostivarin dhe Osman Nikolicin”[17]. Kjo është praktika e zgjedhjes së delegatëve për këtë Kongres, pra, me që supozohej se kryetari i bashkisë është zgjedhur nga populli, edhe delegatët mund të zgjidheshin nga kryetari i Bashkisë. Në ato vende ku nuk ekzistonte ky institucion, zgjidheshin nga mbledhja e kryepleqve. Më në fund, mbasi listat ishin grumbulluar në Gjyqin e Naltë të Sheriatit, ky ia përcjell Ministrisë P. Brendshme, duke i bërë edhe konfirmimin zyrtar se cilët ishin zgjedhur: Xhemal Naipi – Pukë; Qerim Buzmadhi – Mallakastër; Sheh Xhemali – Lumë; Rasim Sulejmani – Has; Salim Luniku – Gramsh; Hafiz Musa Haxhi Aliu – Librazhd; Ali Koka – Kurvelesh. Këta janë zgjedhur në ato vende ku nuk ka bashki. Ndërsa delegatët e zgjedhur në vende ku kishte bashki kanë qenë: Veli Kallapodhi – Delvinë; Abdurrahman Tepelena – Tepelenë; Reshat Kokalari – Gjirokastër; Salih Hamza – Përmet; Shaqir Hoxha – Korçë; Ali Galipi – Libohovë; Qerim Fuga – Berat; Abdurrahman Fehmiu – Fier; Sheh Ibrahim Karbuanara – Lushnjë; Muharrem Mullaj – Elbasan; Haxhi Jusuf – Kavajë; Hafiz Ali – Durrës; Ahmet Rustemi – Shijak; Banush Hamdiu[18] – Pogradec; Ibrahim Xhindi[19] – Vlorë; Halit Rroji[20] – Shkodër; Halim Gostivari[21] – Kolonjë; Ihsan Leskoviku – Leskovik; Mehmet Pengili[22] – Krujë; Qamil Bala[23] – Kosovë; Vehbi Dibra – Dibër; Salih Vuçiterni[24] – Zerqan; Muhtesin Këlliçi – Tiranë; Dervish Aliu – Skrapar; Major Emini – Bilisht.
I dërgohet Ministrisë së P. të Brendshme lista e delegatëve të Kongresit për t’u paguar udhëtimi dhe kthimi, sipas dëftesave, si dhe dijetat nga 20 shkurti deri më 13 mars nga 10 fr. ari në ditë. Delegatëve që banojnë në Tiranë si dhe delegatëve që janë deputetë, nuk do t’u paguhet gjë[25]. Ministria e P. të Brendshme njofton telegrafisht zyrat e veta vartëse se “shpenzimet që do të bëhen prej delegatëve që kanë me marrë pjesë në mbledhjen e përgjithshme të muslimanizmës duhet të paguhen prej bashkive të vendit, siç u paguan edhe delegatët e popullit ortodoks”[26].
Gjyqi i Naltë i Sheriatit njofton Dervish Himën, kryetar i shoqatës “Djelmënia Dibrane” se vendi i mbledhjes do të jetë ndërtesa e klubit në fjalë, e cila ndodhej në rrugën e Dibrës, prandaj lutet që “të merren masat e duhura për këtë rast – ndërtesa të stoliset e të rregullohet sikurse duhet, duke u shënuar posaçërisht vendi nga ku do të flasin delegatët, vendet e dëgjuesve, të sekretarisë, të gazetarëve që mund të jenë të pranishëm si dhe të përfaqësuesit të Qeverisë. Mbledhja do të kryesohet nga Dervish Hima dhe do të vazhdojë sa ta lypë nevoja”[27].
Myftiu i Përgjithshëm njofton delegatët që me datë 21.II.1923 do të bëhet një mbledhje private në ndërtesën “Djelmënia shqiptare”, për Kongresin, firmosin marrjen e njoftimit 19 delegatë[28].
Nga ana e Qeverisë, Ministri i P. të Brendshme, A. Zogu, me datë 24.II.1923 cakton të deleguar z. Qerim Çelo, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së P. të Brendshme[29].
________________________________
[1] Della Roka, Roberto Marozo, 1994:13.
[2] AQSh. Fondi 482; viti 1917; dosja 4.
[3] Po aty, viti 1922, dosja 8, fleta 45.
[4] Po aty, fleta 47.
[5] Po aty, fleta 48.
[6] Statuti i Xhema’atit Musliman të Shqipërisë: 1) Në kryeqytet ekziston një Kadi el Kyda (kryegjykatës) si përfaqësues (Mymes’sil) i xhema’atit mysliman e i gjyqeve sheri. 2) Nën kryesinë e Kadi el Kydat-it do të jetë edhe një këshillë diktues për të shqyrtuar gjykimet e duhura prej gjyqeve sheri. 3) Nën kryesinë e Kadi el Kydat-it do të jetë edhe një këshillë e shehelerëve. 4) Në qendrat e prefekturave dhe të nënprefekturave me rëndësi, me titull naib (prokuror), do të ndodhet një kryetar me kompetencë gjykatësie (Ifta) pranë të cilit do të gjenden shkrues e sherbetorë, sa ta lypë nevoja. Në qendra të mëdha, ku mjaftojnë të ardhurat, ka për t’u emëruar nga një myfti për t’u marrë vetëm me çështje fetfaje. 5) Në gjyqet sheri vërehen proceset mbi testamentet (vasijet), kurorëzimet, shkurorëzimet, rida, nefeka (shpenzimet apo detyrimet materiale), mefkute (objektet e humbura), vakëf, miras (trashëgimi), tahriri terhaqate të jetimëve. 6) Vendimet e gjyqeve sheri, që marrin formë të prerë, përmbarohen nga zyra e përmbarimit të drejtësisë. 7) Në çdo prefekturë do të formohet një trup xhema’ati, i zgjedhur sipas rregullores së posaçme, i cili ka për detyrë të shikojë çështjet përkatëse në fe. Ky trup konsiderohet një degë person moralit, e mvaret në qendrën e Xhema’atit Musliman që kryesohet prej Kadi el Kydat-it. 8) Në qendër do të jetë një drejtori e Përgjithshme e Vakfeve, e cila do të jetë e lidhur te Kadi el Kydat-i dhe në nënprefektura do të emërohen nëpunësa të nevojshëm për të rregulluar të ardhurat e vakfit. Vakfet e teqeve e të zavijeve rregullohen si përpara, por Drejtoria e Përgjithshme ka të drejtë drejtimi mbi këto vakfe. 9) Shejhët, atët (dedetë), të tarikateve të shenjta, për respektim të hierarkisë e për dekretim secila degë varet te i pari i vet. Imamët, hatibët (kurrah) e katimet e tjera si këto, dekretohen prej Kadi el Kydat-it. 10) Nuk do të mund të vishet askush me rrobat e hoxhallarëve apo të shehelerëve pa marrë lejen e duhur. 11) Këshilli Qendror për hatibët e vaizët do të trajtojë në gjuhën zyrtare rytbe e prediksione (predikime), sipas shekullit të sotëm e sipas nevojave kombëtare. 12) Përveç masave që do të merren për përmirësimin e medreseve të para (medresei talije), që gjenden, do të themelohet edhe një universitet (Medrese Alije), ku do të mësohen gjuhëra të ndryshme, duke i dhënë rëndësi literaturës e historisë kombëtare. Mënyra e formimit të këtij universiteti, e pranimit të nxënësve të tij, caktohen me një rregullore të posaçme. 13) Mësimet fillore të nxënësve muslimanë do të jenë në kompetencë të çdo xhema’ati musliman. 14) Rrogat e nëpunësve, të sherbetorëve të gjyqeve sheri e të vakëfeve të qendrës së përgjithshme e të rretheve paguhen siç janë treguar në rregulloren e posaçme. 15) Një herë në dy vjet do të bëhet në kryeqytet një mbledhje e përgjithshme prej xhema’ateve muslimanë të qarqeve, ku do të bisedohet themelimi e forcimi vëllazëror i njësisë kombëtare. Mënyra dhe kompetenca e kësaj mbledhjeje dëftohet me një rregullore të posaçme. 16) Përderisa të bëhet mbledhja e përgjithshme vazhdon forma ditore (sheqli ilm) e tashme. 17) Pikat e këtij Statuti ndryshohen (tadil) në mbledhje të përgjithshme me ⅔ e votave të saj. Tiranë 13.XII.1922. Vërtetohet: Myfti i Përgjithshëm: Vehbi d.v. (AQSh. Fondi 163, viti 1923, dosja 44). Projektstatut, i përgatitur si bocet për në kongres.
[7] AQSh. Fondi 482, viti 1923, dosja 1, fleta 11.
[8] Po aty, fleta 2.
[9] Po aty, dosja 4, fleta 3.
[10] AQSh. Fondi 125, viti 1923, dosja 125, fleta 1.
[11] AQSh. Fondi 152, viti 1923, dosja 291.
[12] AQSh. Fondi 125, viti 1923, dosja 125.
[13] AQSh. Fondi 152, viti 1923, dosja 31.
[14] Po aty, dosja 31.
[15] AQSh. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 10.
[16] AQSh. Fondi 152, viti 1923, dosja 31.
[17] Po aty.
[18] Deputet i Pogradecit.
[19] Deputet i Vlorës.
[20] Deputet i Shkodrës.
[21] Dputet i Kolonjës.
[22] Deputet i Krujës.
[23] Deputet i Kosovës.
[24] Deputet i Zerqanit.
[25] AQSh. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 15.
[26] Po aty, fleta 8..
[27] AQSh. Fondi 482, viti 1923, dosja 4, fleta 11.
[28] Po aty, dosja 4.
[29] Po aty, sosja 4, fleta 41.
Revistë Shkencore dhe Kulturore "Zani i Naltë"