Perandoria Osmane dhe Shqiptarët

Perandoria Osmane, e cila u shtri nga Hungaria Veriore deri në Arabinë Jugore, nga Krimeja deri në Afrikën e Veriut, do të përmblidhte në vete edhe trevat shqiptare.

Shqiptarët u bashkuan me këtë perandori gjatë kulminacionit të saj, dhe për pesëqind vjet ndanë me të lavdinë dhe sfidat e saja. Ajo, duke ndërtuar një botë tolerante dhe multikulturore, mblodhi në gjirin e sajë edhe popuj të tjerë. Grekët, hungarezët, serbët, kroatët, vllehtë, pomakët, ciganët, lazët, boshnjakët, çerkezët, bullgarët, rumunët, arabët, kurdët, tartarët, armenët, hebrenjtë dhe shumë popuj të tjerë ndanë kulturën dhe traditat e tyre me “komonueltin” osman. Kultura që turqit sollën nga Azia Qendrore, e gërshetuar me traditat e popujve që ata sunduan,i dha kulturës osmane madhështinë më të madhe të kulturave të botës së Islamit të epokës moderne. Bejlerët,pashallarët dhe agallarët turq, së bashku me klasën e “devshirmëve” apo myslimanëve ballkanas, mundën të ndërtonin një perandori tolerante islame e cila ruajti me modesti dhe dinjitet kulturat dhe fetë e popujve të tjerë, duke prezantuar në Evropën Juglindore Botën Islame. Osmanët fillimet e tyre i patën në shekullin XIII gjatë sundimit të Osmanit (1280-1324), i cili themeloi principatën e tij, që më vonë do të bëhej ndër më të famshmet në histori. Perandoria e mëvonshme do të merrte pikërisht emrin e Osmanit dhe do të quhej Perandoria Osmane, sepse ai njihet si sulltani i parë i kësaj perandorie. Si datë e themelimit njihet viti 1299 nga ana e Osmanit, dhe si data e rënies njihet viti 1923 nga ana e Mustafa Kemal Ataturkut.

Osmanlinjtë patën një territor prej 22.9 milionë km²

Perandoria Osmane, në majë të lulëzimit në shekullin XVI, përfshinte 22.9 milionë km², duke mbajtur viset nga Afrika Veriore, Lindja e Afërt, Kaukazi deri në Evropë. Ishte rivali kryesor i shteteve evropiane kundër të cilave ndërmori shumë fushata ushtarake.
Brenda perandorisë mbizotëronte rendi ushtarak dhe aristokracia e zgjedhur e padishahut ose sulltanit, sovranit të shtetit. Shekujt XVI e XVII ishin kulmi i lulëzimit të kësaj perandorie, ndërsa në shekujt XVIII e XIX, luftërat e shpeshta me Rusinë dhe Austro-Hungarinë, shënohen rënie të saj. Përfshirja në Luftën e Parë Botërore, në krah me Fuqitë e Qendrës, Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Gjermane, osmanëve u solli shkatërrimin e plotë të perandorisë së tyre. Lëvizjet nacionaliste turke shpallën Republikën e Turqisë në territorin e mbetur, i cili kryesisht banohej nga populli turk. Ndër sulltanët më të njohur të kësaj perandorie, ishte edhe Fatih sulltan Mehmet ose Mehmedi II, bashkëkohës i Skënderbeut. Ai arriti të merrte në mënyrë spektakolare Kostandinopojën, kryeqendrën e Perandorisë Bizantine, që më vonë do të quhej Stamboll.
Marrja e këtij qyteti ndodhi më 29 maj 1453. Mund të themi që në krye të Perandorisë Osmane erdhën 36 sulltanë (padishahë), që nga i pari, themeluesi Osman Gazi e deri tek i fundit Mehmeti VI ose, siç njihet ndryshe, Vahdedini. Perandoria Osmane mori fund më 29 tetor 1923, me themelimin e Republikës së Turqisë nga ana e Mustafa Kemal Ataturkut.

Shqiptarët dhe Osmanët

Perandoria Osmane kishte nevojë për forca të reja; shqiptarët u bënë besnikët e parë që jetonin në kuadër të kësaj perandorie. Sipas historianit turk Abdul Kadir Ozcan: “Perandoria Osmane pati plot 34 kryevezirë (kryeministra) shqiptarë gjatë periudhës së ekzistencës së kësaj fuqie botërore, thënë ndryshe ata qëndruan në krye të qeverisë afërsisht 100 vjet ose 1/6 e kohës së ekzistencës së kësaj perandorie”. I pari kryevezir që erdhi në pushtet, ishte shqiptari, nga origjina, Koço Daut pasha në vitin 1493.
Kontributi i tij njihet në fushat social-kulturore. Ai ka qenë mbështetës i shkencës. Të gjithë pasurinë e tij e harxhoi për bamirësi. Xhamitë, medresetë, shkollat fillore, çezmat si dhe një sërë godinash social-kulturore, të ngritura prej tij, përdoren edhe sot e kësaj dite në lagjet e Stambollit. Ajo çfarë e bën Daut pashën të pavdekshëm, është ndërtimi i mureve mbrojtëse të Kostandinopojës. Daut pasha, me shpenzimet e tij, ndërtoi gjithashtu edhe një vilë për sulltan Bajazitin. Fortifikimet që iu bënë për ushtrinë e re në shekullin 19, morën emrin e Daut pashës. Dy lagje në Stamboll mbajnë emrin e tij. E skalitur në kulmin e saj ishte edhe koha e Qyprilinjve (1656-1683) me përfaqësuesin e tyre të parë Mehmet Qypriliun, i cili lindi në një familje shqiptare, që ishte vendosur pranë Merzifonit në qytetin Qëpry (Köprü), nga i cili mori dhe mbiemrin; sot ky qytet, për nder të këtij veziri të madh shqiptar, quhet Vezirqëpry (Vezirköprü). Rrugën e Qyprilinjve do ta vazhdonin i biri, Fazil Ahmet pashë Qypriliu(1661-1676), kunati i tij, Kara Mustafa pasha (QYPRILIU) (1676 -1683), Abdullah Qypriliu (1723-1735) dhe shumë të tjerë nga dera e Qyprilinjve.(1)
Në funksionin e Vezirit të Madh, pra të Sadrazemit – përveç Qyprilinjve, shërbyen edhe shqiptarë të tjerë, rreth të cilëve ka fare pak, ose më mirë të themi, aspak njohje, kërkime dhe hulumtime shkencore. Megjithatë, le të bëjmë një hap, qoftë edhe vetëm me prezantimin e emrave të tyre, duke shpresuar që pas kësaj të ketë prurje të tjera që do të ndriçojnë veprimtarinë
dhe kontributin e këtyre shqiptarëve në historinë e Perandorisë Osmane. Disa prej tyre janë:
1.Arnaut Haxhi Halil pasha - lindur në Elbasan më 1655 dhe vdekur më 1733 - Sadrazem-Kryeministër.(2)
2. Patrona Halil - lindur në Horpeshte - Shqipëri!!! Vdekur në Stamboll 1730 - Sadrazem-Kryeministër.
3. Ajaz Ahmet pasha - lindur në Vlorë dhe vdekur në Stamboll 1539, Sadrazem-Kryeministër.
4. Turhunçu Ahmet pasha - lindur në Mat-Shqipëri, vdiq në Stamboll më 21 mars 1653, Sadrazem-Kryeministër.
5. Pargali Ibrahim pasha - lindur në Pargë, vdekur në Stamboll më 15 mars 1536, Sadrazem-Kryeministër.
6. Kemankesh Kara Mustafa pasha - lindur në Shqipëri më 1592 dhe vdekur në”Turqi” -1644, Sadrazem-Kryeministër, etj..

Shqiptarët arkitekt të famshëm në këtë Perandori

Të njohur dhe në fushën jopolitike, vlen të përmenden: Arkitekti Atik (i vjetër) Sinani, - ndërtoi xhaminë e Fatihut (Sulltan Mehmetit II); Arkitekti Sedefqar Mehmet Agai, i lindur rreth vitit 1549 në Elbasan, - ndërtoi xhaminë e famshme në Stamboll- Sultananahmet Cami ose Ahmediye, e quajtur Xhamia e Kaltër; Arkitekt Kasem Agai, i lindur në Gramsh (Shqipëri) urbanist, konstruktor; Mehmet Isai nga Opari - autor i Taxh Mahallës në Indi, një ndër shtatë mrekullit e botës.Enciklopedisti më i madh botëror ka qenë Sami Frashëri, kryevepra e të cilit - “Kamus-al- a lam”, është botuar në 10 vëllime të mëdha.Sipas raportit vjetor të Foreing Office-it për vitin 1909, shqiptari Raif pasha ishte drejtor (Mudur) i përgjithshëm i Doganave të Perandorisë Osmane.
Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, në qeverisje, në administratë (ministra-Vezirë), bejlerbenj (guvernatorë), sanxhakbejlerë (prefektë), kadilerë (Gjykatës), katibë (sekretarë), në arsim (myderrizë), në ushtri (jeniçerë,spahinj), - po edhe në kulturë, në art, në shkencë, në letërsi etj..
Këto dhe shumë të dhëna të tjera që nga data e fillimit e deri tek përfundimi si perandori me një superkulturë të ngritur, mbetën për të mos u harruar në shekujt e artë të qytetërimit dhe ngritjes së ndërgjegjes e vetëdijes së myslimanëve në rruzullin tokësor si dhe lidhjen e shqiptarëve dhe ngritjen e tyre me vëllezërit dhe aleatët e natyrshëm osmanë.


_________________________________
(1) Martran, Robert; “Historia e Perandorisë Osmane “Dituria”, Tiranë 2004, f. 235
(2) J.Shaë,Stanford:Historia e Perandorisë Osmane dhe e Turqisë Moderne””Jehona Study Center”,Tiranë 2006-07,f.04.



Arbër Berisha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi