Në emrin tënd Qabe, mall shekujsh gdhendën, mbi zemra burrash në mall…

I.
Kudo në atmosferë, era Qabe vjen… Si një frymë e pastër, që horizontet pastron nga smog gjynahesh, me prekje të buta të një emri shekullor… Kudo, pastërti ndriçimesh, mbi errësirat e jetës, në dritë Haremi, si rrobë ihrami kthejnë… E lumja Dritë për Qaben e saj… E lumja Qabe për dritën e saj… Kudo në atmosferë, emri Ibrahim, si urë lidhëse e shpirtit me historinë, dëshmon teuhidin e fjalës dhe fjalën e Teuhidit, me sy e mall nga Qabja e Bardhë…

II.
Nga mbarë bota vërshojnë drejt Shtëpisë së Lashtë të njerëzimit, në kërkim të Dashnisë Tënde, Zot… Kudo, në rrugët e mallit emri “Qabe”, shkruar me shkumës lotësh, dritëson… Me ihramin e bardhë, të veshur në barazi, Vëllazëri të Shenjtë Besimi, toka e shenjtë dëshmon… Erdhe, o frymë toke, me djersë pejgamberësh, pëllëmbë për pëllëmbë, si ihram bekimesh mbi trupin tënd, që mall historie përherë rrezaton…

III.
Kudo në atmosferë, mall Qabe ndjen… Sonte, edhe fishkëllima e erës, për dritare teksa përplaset, mall Qabe sjell… E horizontet e qytetit të fjetur, pas një dite plot smog hutimi, në heshtje fërshëllejnë, teksa përplasin mallin e shekujve për zemra ashikësh, që në heshtje të luten, o Zot i Shtëpisë… Kudo në horizont, era, si e tërbuar, mallin Tënd sjell, si e shastisur nga bukuria jote, në prag të zbukurimit të Madh…

IV.
Sonte, nata në heshtjen e yjeve të saj, qetësisht lutet, me fytyrën nga Drita jote, e bukura Qabe… Dhe pret në heshtje, sa porta të hapet e agimi i dritshëm, me furinë e mallit tënd, mbi ne të rrezatojë diell malli, që zemrat ngroh, në acaret e largësisë… E shtrenjta Qabe… Sonte edhe heshtja, teksa përplaset për dyert e zemrës tënde, me lot e lan natën.., kërkon gjurmën e ihramit, për të mbuluar me bardhësinë e tij hijet e largësisë…

V.
Kudo në atmosferë, mall Qabe ndjen… Sonte në heshtje, nata pyeti lotin për emrin tënd. E, loti, me fytyrë të mekur, me emrin tënd në buzë, shqiptoj fjalën mall… Në fytyrën e natës yjet, si shkëndija syshë të përlotur, emrin tënd formuan, në horizontin e mallit tim, e shtrenjta Shtëpi… Në emrin tënd Qabe, pejgamberët Ibrahim, Ismail e Muhammed, me dritë Zoti, mall shekujsh gdhendën, mbi zemra burrash në mall… E, burrat mbetën burra e, malli mbeti mall..!



Autori është myfti i Zonës Shkodër


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi